Klubi i Librit: Poeti shpesh i përjeton si të vetat dhimbjet e njerëzimit. Ngjan me atë gëlltitësin e zjarreve që thith flakën para spektatorëve dhe e nxjerr përsëri pasi e kalon afër zemrës/Petraq Risto

in Letërsi by

Klubi i Librit është një rubrikë e re në revistën defekt-teknik, ku lexuesit i drejtojnë pyetjet e tyre një autori. 

Sot kjo rubrikë vijon me shkrimtarin Petraq Risto. 

Lexuesit që ndërtuan pyetjet janë:

Solanzh d’Angely (Francë, mjeke dhe një nga përkthyeset e dy librave të autorit, të botuar në Francë), Luan Rama (Francë, shkrimtar, poet, skenarist, përkthyes i dy librave të autorit), Vaid Hyzoti (ShBA, poet, prozator dhe studiues i letërsisë), Natasha Xhelili (Shqipëri, mësuese, shkrimtare); Eleana Zhako (përkthyese, Belgjikë ) dhe Arlinda Guma (shkrimtare, Tiranë.)

Imagjinoni një çast, që për këto ngjarje një ditë të fillojnë të ndiejnë, të qajnë e të revoltohen robotët dhe ne të vazhdojmë të tregohemi indiferentë. Imagjinoni sikur robotët e ndërgjegjshëm, duke përdorur logjikën maksimale dhe ndjeshmërinë ekstreme, të jenë edhe opozitarët tanë më të mëdhenj dhe të na mundin me personalitetin e tyre, siç po mundin sot mjeshtrat e shahut botëror! – Petraq Risto

      Arlinda Guma

Arlinda Guma: A mundet të mos jetë poezia autobiografike?

Petraq Risto: Poezia edhe kur nuk është autobiografike, ka ndjeshmërinë e krijuesit të saj; poezitë kanë ADN-në e krijuesit dhe ndonjëherë janë klone të tij. Në poezi ka shumë rëndësi përjetimi, drita që jep apo plaga që merr. Burimet e një poezie mund të jenë të shumtë; të brendshëm apo të jashtëm, por të gjithë këta burime bashkohen në një lumë dhe derdhen në një oqean. Subkoshienca shpesh bëhet zotëruese në poezi, është ajo që “vendos”, ajo që ndërlidh burimet me oqeanin. Poezitë e autorëve të njohur apo ato të autorëve të mëdhenj, dallojnë nga njera-tjetra edhe për këtë arsye.

    Luan Rama

Luan Rama: Në poezinë tuaj, që shpesh është shumë metaforike, ka vargje në kantilenë, vargje në të cilat, ti (lexuesi) ke dëshirë të këndosh… Vallë kjo vjen nga një pasion për muzikën dhe, nëse është kështu, çfarë ndodh tek ju kur shkruani poezi dhe dëgjoni muzikë?

Petraq Risto: Unë poezinë e krijoj me zë. Edhe lexuesi po të provojë ta lexojë me zë, besoj se do ta ndiejë më shumë ritmin, muzikën e brendshme, kumbimin e zanoreve, përsëritjen si refren të vargjeve e, ndonjëherë, edhe të strofave, madje qëllon që tema, vargje apo gjendje të rëndësishme ose edhe lojcake, të përsëriten në poezi të mëvonshme apo edhe në librat pasues. Ka dhe kritikë që e kanë vënë re muzikën e vargut tim. Edhe këtu në Nju Xhersi ku jetoj, marr pjesë në disa klube letrare me poetë amerikanë dhe kudo, poetët pjesëmarrës ngulmojnë që ta recitoj poezinë në shqip dhe pastaj ime bijë, Sidorela, ta lexojë të përkthyer. Edhe pse nuk e njohin gjuhën shqipe, ata duan të kuptojnë sesi e përcjell autori emocionin, duan të ndiejnë muzikën dhe ritmin e vargut. Kjo u bën përshtypje. Unë shkruaj dhe me muzikë – dhe pa muzikë, madje në baret amerikanë këtu në Nju Xhersi ku jetoj apo edhe në Nju Jork ku kam banuar më parë, krijoj poezi mes zhurmës, por gjithnjë duke më shoqëruar dy birra “Bud Light”, me përmbajtje jo shumë të lartë alkooli.

   Solange d’Angely

Solange d’Angely: Më kujtohet kur vite më parë, bashkë me mikun tim në Paris, Luan Rama, përkthenim poezitë  tuaja në frëngjisht për t’u botuar nën titullin «Amer est le miel des tombes» («I hidhur është mjalti i varreve»), një mbresë të veçantë më lanë një grup poezish me një ndjesi të theksuar dëshpërimi dhe trishti në raport me vendin tuaj, gjendjen njerëzore, zhgënjimin. Vallë kjo gjendje ju shtyu të mendonit për të ikur dhe për t’u vendosur në Nju Jork?

Petraq Risto: E dashur Solanzh, edhe njëherë faleminderit për përkthimin e poezive! Poeti shpesh i përjeton si të vetat dhimbjet e njerëzimit. Ngjan me atë gëlltitësin e zjarreve që thith flakën para spektatorëve dhe e nxjerr përsëri pasi e kalon afër zemrës. Unë si poet i përjetoj në mënyrën time këto ngjarje dhe besoj se ai dëshpërim apo trishtim në disa nga poezitë e atij libri kanë të bëjnë edhe me këtë reagim. Në parathëniet e vëllimeve poetike “Lojë shahu në shekullin XXI” (2004), “Engjëlli me virus H5N1” (2006), “Hallelulja”, (2007), “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!” (2008), nga dhe ku u përzgjodhën shumica prej poezive të librit të publikuar në Paris më 2009, i ngrë këto shqetësime, shpesh planetare, por edhe zhgënjime komplekse që burojnë nga thelbi i shoqërisë shqiptare apo dhe nga zhgënjimet personale.

Për të ikur në ShBA më shumë ndikoi bashkimi i familjes me vajzën e madhe. Gjithashtu, vajza e vogël po vazhdonte studimet e larta këtu, ndaj vendosëm të qëndrojmë pranë tyre. Jeta në Amerikë ka qenë dhe është një brumë i mirë për krijuesin, si në poezi edhe në prozë. Siç ka vënë re edhe kritika, këtu kam përfituar shumë dhe kam çliruar energji të veçanta krijuese.

Botimi në frëngjisht i vëllimit: “I hidhur êshtë mjalti i varreve”

Luan Rama: Në prozën tuaj herë pas here ke dëshirën të futesh në një botë jorealiste, ndoshta i prirur për të bërë një letërsi të realizmit magjik. Sa tentuese është kjo për ju dhe, nëse do vazhdonit të shkruanit në këtë frymë, çfarë do të kishit parasysh?

Petraq Risto: Proza ime është shumë afër poezisë. Atë mund ta gruposh në klasat e shkollës së realizmit magjik, shkollë që, për mendimin tim, i përshtatet shumë tokës ballkanike, qoftë nga historia dhe mitologjia e saj, qoftë nga shkallëzimet e jetës së saj tragjike, groteske e paradoksale, në gjeopolitikën e e djeshme e të sotme. Deri tani kam botuar tre romane dhe dy vëllime me tregime. Thuajse të gjithë subjektet janë gjetje surreale. Kam pasur tendencën që realitetin ta përthyej në ekstrem, ta temperoj në maksimum, por duke e ruajtur prozën brenda ligjeve të saj. Gjithnjë këtë dua të kem parasysh: të shkruaj në mënyrë të tillë që proza, ashtu si edhe poezia, të kuptohet që është imja, gjë që është e vështirë, por, besoj, se është dhe guximi më i natyrshëm. Jam duke punuar intensivisht për trilogjinë “Amerika nën lëkurë”, një nismë e hershme, një krijimtari që shkruhet përkrah poezisë, por që kërkon tepër përkushtim. Shpesh në rrugën e shkrimit të romaneve më ka mundur poezia dhe kam patur frikë se ajo do të më pengonte. Por fakti që shumë lexues ma pëlqejnë edhe prozën, më vë para përgjegjësisë për ta mbyllur këtë trilogji e mbase edhe disa tema të tjera në këtë gjini të vështirë.

Arlinda Guma: Si lindi poezia “Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë”? Mendoni se keni lënë shumë gjëra pa thënë në këtë poezi?

Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë

Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë, ne do ndihemi të mundur

dhe një Krisht, klonuar nga drita, do na ftojë të pimë në pijetore

të dehemi me mundjen tonë

mbi tryezat tërë lyrë, të ngrëna nga bërrylat dhe sherret e baballarëve.

Në mëngjes qielli s’është lule vjollcë, do na thonë robotët

Dhe ajri do vërtitet rreth nesh me gjithfarëlloj pyetjesh të gatshme:

Po ç’është atëherë zhgënjimi nga shpejtësia e dritës?

Ç’është një Shekspir naiv që kërkon të mbytet

në një lumë krijuar nga çmenduria e Ofelisë?

Pse ëndrrat janë lënë të shkrumbohen nën Diell

e ne, pse joshemi me kokallat e tyre?…

Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë, ne do ndihemi të mundur

dhe një Krisht, klonuar nga njolla e gjakut, do na ftojë të pimë në pijetore…

Petraq Risto: Në më shumë se gjysmë shekulli krijimtari, kuptohet që shumë prej poezive ua njoh biografitë ose më thjesht: çastin e krijimit. Poezive u shënoj datat në fund, ndonjëherë edhe orën e krijimit, pra, i pajis si me ato kartelat në shtretërit e foshnjeve të sapolindura. Disa poezi në fillim lindin si ide, si shkëndijime të çastit. Ndonjëherë lindin si bërthama tregimi (fiksion), por instiktet e poetit e mbërthejnë në pikën më të dobët (pra, atje ku krijuesi ndihet më i fortë) dhe ai e kthen në poezi. Kjo poezi është shkruar më 28 Janar, 2007 dhe është botuar në vëllimin: “Hallelulja”. Në fillim lindi si ide për tregim të shkurtër apo për një esé. Natyrisht në këtë epokë të kiberenetikës nuk është e vështirë të programosh një robot që të qajë, por flasim nëse një robot apo një popull robotësh do të arrijë të qajë me ndërgjegje ose edhe të qeshë e të tallet me ndërgjegje. Para pak ditësh në kampionatin europian të futbollit, një futbollist i njohur danez pësoi një arrest kardiak dhe i gjithë stadiumi, i gjithë globi në pak minuta përjetoi një gjendje shoku. Për 78 sekonda zemra e futbollistit Eriksen, pushoi. Përjetimi global qe i jashtëzakonshëm, sytë e miliona e miliona njerëzve u mbushën me lotë, të gjithë luteshin. Po përjetonim live, mes një feste, humbjen e një jete… Kjo skenë fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi, futbollisti erdhi prapë në jetë dhe shpirtrat u qetësuan. Në këtë kohë kur teknologjia na mundëson të shohim drejtpërdrejt luftëra, akte terrtoriste, mbytje të anijeve me emigrantë, etj., pra, kur këto i përjetojmë “live” dhe natyrisht që revoltohemi, hidhërohemi, protestojmë së brendshmi, lutemi, qajmë, por shpesh këto ngjarje tragjike na janë bërë aq të zakonshme, i quajmë pjesë të jetës, nuk i quajmë ngjarje, ngaqë ndodhin larg pragut tonë, larg kufijve tanë. Imagjinoni një çast, që për këto ngjarje një ditë të fillojnë të ndiejnë, të qajnë e të revoltohen robotët dhe ne të vazhdojmë të tregohemi indiferentë. Imagjinoni sikur robotët e ndërgjegjshëm, duke përdorur logjikën maksimale dhe ndjeshmërinë ekstreme, të jenë edhe opozitarët tanë më të mëdhenj dhe të na mundin me personalitetin e tyre, siç po mundin sot mjeshtrat e shahut botëror! Natyrisht kjo poezi është mbështetur në grotesk dhe në paradoks, por nëse vërtet do të ndodhte kështu, njerëzimi do të ndihej ose më saktë, do të quhej, i mundur… Këto mund të jenë dhe disa të pathëna në këtë poezi.

Solange d’Angely: Petraq, në poezinë tuaj shpesh ka një dimension erotik. Ç’përfaqëson erotizmi për ju në poezi dhe në jetë dhe cilët nga poetët botërore janë të parapëlqyerit tuaj në lëmin e erotikës?

Petraq Risto: Poetët, në të gjitha kohërat e në të gjitha shkollat letrare, e kanë trajtuar temën e dashurisë apo atë erotike. Erotika, përderisa është pjesë e jetës, bëhet dhe pjesë e poezisë, e në përgjithësi e letërsisë. Edhe në librin “I hidhur mjalti i varreve” ka disa poezi erotike si: “Korridore në pasqyrë: Trupi yt”, “Mirazh: Femra”, “I kam gjinjtë e vegjël”, “Jasemini, ah, jasemini”, “Një sup i njomë më kabare”, etj.

Poezia “Mirazh: Femra” fillon me një varg që më pëlqen:

“Grunajë do të thotë grua në ajër, në çastin kur Dielli epshon si një mashkull”, ku vihen pranë dy fjalë “gru-n-ajë” dhe “grua” dhe në shqip metafora dhe imazhi marrin një ngarkesë të dyfishtë, lexuesi sheh një arë me grurë në formë gruaje, mbajtur në krahët-rreze të Diellit-mashkull, por fatkeqësisht në frëngjisht (por natyrisht dhe në gjuhët e tjera) ky imazh nuk mund të përcillet me besnikëri dhe kjo jo për faj të përkthyesve, po “për faj” të lojës me fjalët dhe grimcimit të tyre në laboratorin tim modest prej alkimisti. Një vëllim poetik pa motivet e dashurisë apo ato erotike, do të ishte tepër i ftohtë, si një dhomë dimri pa sistem ngrohjeje. Autorë botërorë që kam dëshirë t’i rilexoj edhe për poezinë e tyre lirike apo erotike janë: Neruda, Lorka, Ricosi, Bukovski, e shumë të tjerë.

    Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti: Në libra, por edhe në rrjetet sociale, publikoni poezi të shkruara në vitet e adoleshencës. Më kanë bërë përshtypje këto poezi për thellësinë e mendimit, për gjetjet origjinale e të guximshme, për pjekurinë e parakohshme, por që paralajmëronin poetin që po vinte. Sa ndihet dhe si vjen adoleshenca sot në krijimet tuaja? Si e “peshoni” artistikisht atë?

Petraq Risto: Poetët e brezit tonë ishin adoleshentët e viteve të liberalizmit dhe kjo kishte shumë rëndësi edhe në formimin tonë estetik. Qenë përkthyer dhe botuar autorë të mëdhenj si Uitmani, Ricosi, Neruda, Majakovski, Esenini; nga Prishtina vinin libra shumë të mirë nga poezia moderne; në bibliotekat tona vinin revista të huaja letrare dhe ndonjëherë shfrytëzoheshin nga ne; nëpër duar poetësh shëtisnin (disi në ilegalitet) fletore me poezi të përkthyera nga miq apo autorë të ndryshëm. Në vitet e adoleshenës, veçanërisht nga mosha 18 e deri në 21 vjeç, unë shkrova shumë, madje dhe arrita të publikoja disa poezi te “Zëri i rinisë”,Nëntori”, “Drita”, “Adriatiku”, etj. Ky “mësim” me lirinë na krijoi iluzionin se kështu do vazhdonte, por iluzioni u shemb dhe Plenumi i Katërt na i ndërpreu ëndrrat, librat që kishim përgatitur për botim dhe poezitë e guximshme, u fshehën. Tani nuk do guxonim të shkruanim më ashtu, duhej të ishim më të angazhuar. Unë mbase isha më i riu që u kritikua në mbledhjen reflektuese në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Pas mbarimit të studimeve u emërova gazetar te “Zëri i Rinisë”, por asnjëherë në sektorin e letërsisë dhe  të arteve. Kisha më shumë vetëkontroll, por edhe autocensurë. Ndonjëherë shkruaja lirika, por të nënshkruara si “Esenin” apo “Bllok”, me vargje të tilla si: “Hutohet toka nga vrapimi i kalit dhe shpirtin tim pranvera ma huton”, apo “Shpirti im – qershiza nën dëborë, shpirti yt – qershiza në pjekje”.  Në atë periudhë flitej shumë për trajtimin e temës së madhe, filloi të vepronte kulti i modeleve dhe ne ishim “fidanët” nën hijen e lisave (!) Librin e parë që e kisha përgatitur për botim e futa në sirtar. Por më duhej të botoja një libër të parë, që më vonë të vinte një i dytë. Natyrisht që me kërkesën e redaksisë së shtëpisë botuese “Naim Frashëri” duhej të shtoja poezi tematike, pra, më duhej të shkruaja disa poezi me porosi; vetëm kështu e shpëtova librin që mori titullin “Zjarre që rriten” (1976), për të cilin u bë një promovim në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe u prit mirë. Por sidoqoftë, poezitë e adoleshencës mbetën nostalgjia ime, me vargje si: “Pika shiu, kollitje resh, qiell i mërzitshëm si azil pleqsh”, apo “Ti je e bukur si shega e çarë nga padurimi i pjekjes/ti je e tejdukshme si një proverb i thellë”.

Vaid Hyzoti: I kam lexuar thuajse të gjithë librat tuaj dhe nuk është e vështirë të arrish në përfundimin se ju punoni si rrallëkush me metaforën. Janë të veçanta metafora të tilla si: “Harpa ajrore e Urës së Brooklyn-it, “Dallgë pas dallge palosa detin në një libër modern, e shfletoj kur malli më merr”, “Parajsorët zbresin në Purgator… me ashensor loti” e qindra të tjera. Natyrshmëria dhe lirizmi që ato përcjellin “të mundojnë” apo imazhi i poezisë tënde nuk përfytyrohet dot pa metaforat?

Petraq Risto: Kuptohet që metaforat vijnë natyrshëm, nuk më mundojnë, përkundrazi, më argëtojnë. Është mënyra e të menduarit krijues. Metaforat lindin pas motivit, pas koncepimit fillestar. Ato janë armët e luftëtarit. Përdorimi i tepruar i tyre prish shumë ekuilibrin e brendshëm të poezisë, dëmton thelbin e saj. Kështu “arma” kthehet kundër luftëtarit. Ndaj kujdesem që në poezi metaforat të ngjisin, të jenë sa më të tejdukshme dhe të pakonsumuara.

   Eleana Zhako

Eleana Zhako: Poezitë tuaja shquhen për figuracionin e pasur, fjalëformimet “e pazakonta” dhe elementin e kalamburit. Cilat janë sfidat më të mëdha në ngjizjen e kësaj lloj poezie?

Petraq Risto: Disa nga poezitë në libra të ndryshëm bien në sy edhe për cilësimet e mësipërme. Ato kanë lindur natyrshëm brenda një laboratori që ka dekada i instaluar në organizmin tim krijues. Lindin pa sforco, ndonjëherë shkëndijimet janë të çastit, të pamenduara më parë, por fjala në sytë e mi sikur kërkon të shpërbëhet, të thërrmohet nga një reaksion tekanjoz genokimik. Apo, ajo, fjala, “kërkon” të vetëbashkohet me një ndryshim në strukturë, por që i jep vetes kuptim të dyfishtë, ndonjëherë të trefishtë. Natyrisht këto lloj poezish mund të kenë vlerë dhe ta përcjellin emocionin e tyre të vërtetë në gjuhën amëtare, sepse në udhën e përkthimit ato nuk lënë gjurmë dhe, në ndonjë rast, nëse përkthehen, duhen shoqëruar me shpjegime, gjë që, sidoqoftë, ua zbeh disi vlerën e çastit të krijimit dhe të lojës me gjuhën. Ndonjëherë këto fjalë alkimike i kam vendosur edhe në titujt e librave, si në vëllimin “Hallelulja”, ku thirrja kristiane Halleluja është zhvendosur në kombinimin e dy fjalëve Halle+lulja, një bashkim që jep thelbin e jetës dhe të njeriut me halle dhe lule. Apo librat “Mënd+afsh”, “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!”, “Apo-ka-lypsi”, “Para-j-sa?!”, si dhe në shumë vargje, bashkësi fjalësh të tjera. Te kjo përgjigje po publikoj të plotë një poezi të re të kësaj natyre, krijuar para pak muajsh dhe që e përfshiva në një cikël te “Revista letrare”, (numri 1) që del në Begjikë dhe ku në numrin 2 ju kishit disa tregime, për të cilat ju uroj:

 Afsh

Ti ishe e gjitha afsh: kërcime xhindesh nën mënd-afsh

Unë veç një fjalë goje thashë, po ja që fjala paska afsh.

O turp, o turp, në djall v-afsh, po digjet djalli nën mënd-afsh

Më q-afsh, më q-afsh, e gjitha afsh, xhindosen xhindet nën mënd-afsh

Ti ishe e gjitha afsh dhe unë – llullë me hashash

Moj, e veshura mënd-afsh, në më p-afsh e mos më mb-afsh

O djalli, djalli nën mënd-afsh… veten vr-afsh!

Eleana Zhako: Keni menduar të eksperimentoni me stile të tjera shkrimi?

Petraq Risto: Natyrisht në këtë gjysmë shekulli krijimtari aktive kam eksperimentuar shpesh, tani laboratori im i ka mjetet dhe formulat e veta. Në tetëmbëdhjetë libra poetikë të botuar, tre romane, dy vëllime me tregime, disa libra dhe drama për fëmijë, etj., unë edhe kam eksperimentuar, por gjithnjë me qëllimin që të jem vetvetja, që lexuesi apo shikuesi ta kuptojë që kjo është vepra ime. Për një krijues profesionist origjinaliteti ka rëndësi të veçantë. Kur krijon një stil tëndin, qoftë në poezi apo në prozë, aq më tepër në moshën time, nuk ka shumë vend për eksperimentim, vetëm nëse “laboratori” e prodhon vetvetiu këtë reaksion. Por në fazën krijuese nuk ka shumë rëndësi eksperimenti, rëndësi ka cilësia e produktit.

  Natasha Xhelili 

Natasha Xhelili: Poezia merr shpesh tipare kombëtare, ajo paraqet këndvështrimin e një poeti për realitetin e një vendi të caktuar. Poezia juaj ka një shtrirje më të gjerë, ajo i kalon kufijtë e një shteti, rajoni, kontinenti, ajo rreh të bëhet universale, t’i heqë krijuesit të vet kombësinë. Si e sheh botën një poet “pa atdhe”?

Petraq Risto: Në rastin tim mund të quhem poet me dy atdhe, por megjithatë, shpesh e ndiej veten të braktisur.  Nuk është e lehtë të jesh krijues aktiv në një vend tjetër. Puna krijuese e një poeti emigrant nuk është e lehtë, aq më tepër kur ne nuk krijojmë në gjuhën e vendit ku jetojmë, por në gjuhën e nënës. Këtu është vështirë të biesh në sy e aq më tepër të veçohesh. Kam botuar poezi në disa revista, pres të botoj libra dhe poezi të veçanta. Por kërkohet më shumë. Duhet të ndërmjetësojnë shumë instrumente, duhet të të mbështesë toka amë, ku për fat të keq vazhdojnë të gëlojnë klanet në disa rrafshe të Piramidës. Sidoqoftë unë vazhdoj të punoj dhe kjo është sfida më e madhe. Nëse ju dhe disa të tjerë si studiues, kritikë apo autorë të njohur, mendojnë se i kam arritur pritshmëritë e tyre, kjo më gëzon disi, por në letërsi sfidat maten me vlerat në tejkohësi.

Natasha Xhelili: Cassandra Claire shprehet: “Duhet të bëni kujdes prej librave, çfarë është brenda tyre, fjalët, kanë fuqi të na ndryshojnë”. Çfarë mendoni se mund të ndryshojë letërsia juaj? Ju keni eksperimentuar shumë me vargun. Nëse do të kërkoja të thosha diçka origjinale për Petraq Riston si poet, do kisha zgjedhur të thosha se ju keni vargun tuaj të veçantë. A mendoni se një varg tipik mund të krijojë një poet?

Petraq Risto: Edhe Uitmani thotë: “Mos mendo se poezia nuk mund ta ndryshojë botën…” Cassandra Claire, një shkrimtare amerikane për të rinj, bashkohet me një mision të madh për të ndihmuar në përsosjen e njerëzimit, veçanërisht të brezit të ri, edhe nëpërmjet letërsisë. Natyrisht në këtë kohë të zhvllimit marramendës të teknologjisë, të mediave, kinematografisë, etj., roli ndikues i librit zvogëlohet disi, por nuk humbet. Libri, fjala, i drejtohet botës së brendshme të lexuesit, ndikon në zgjimin e ndjenjave, të ideve të reja dhe “nuk e lë robotin” që të ndërgjegjësohet dhe ta mundë njeriun në ndjeshmëri. Kur flasim për libra, flasim dhe për poezinë. Kuptohet që unë mbase nuk kam forcë kaq të madhe ndikuese, por edhe sikur te vetëm një njeri të ndikojë poezia ime, besoj se e ka luajtur rolin e saj. Për një krijues, për një poet, ka shumë rëndësi që të njihet për thelbin e tij, për natyrën e poezisë, për risitë që sjell, për ritmin, muzikën, metaforën apo imazhin lëvizës. Mendoj se ky varg tipik, ky konceptim origjinal, e krijon poetin ose më saktë, e zbulon vlerën e poetit.

New Jersey, 19 Qershor, 2021

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top