SERGIO RAMÍREZ
Nikaragua, 1942
Një ditë, vartësit, civilë dhe ushtarakë, po festonin ditëlindjen e shefit të madh, në një nga çifligjet e shumta që ai zotëronte përballë detit. Ndërkohë që hanin e pinin, duke ngritur dolli dhe duke mbajtur fjalime plot lëvdata, të gjithë e ndien thellë se shefi nuk ishte në qejf. Prandaj, secili po vriste mendjen se si të gjente mënyrën më të mirë për t’ia larguar mërzitjen shefit, pasi, deri atëherë, gjithçka: këngët dhe vallëzimet komike, piruetat, imitimet dhe recitimet, të gjitha kishin dështuar. Se s’bën, duhej gjetur një mjet, sado i vështirë, për ta zbavitur shefin. Për këtë, më i shqetësuar ishte njëri prej ministrave.
Ndërkohë, shefi bëri me dorë nga truproja që t’i sillnin makinën për të ikur. Dhe pikërisht kur truproja u hodh, vrik, për të zbatuar urdhërin, ministrit në fjalë i vjen në mendje një ide e mrekullueshme: një lojë e tillë, jo vetëm do t’i kthente humorin e mirë shefit, por do ta gëzonte atë pa masë. Dhe këtë ide, ai, me urgjencë, ia thotë në vesh ministrit të brendshëm. Gjetja e tij ishte shumë e thjeshtë dhe tejet e zbatueshme: duke përdorur një armë zjarri, në vend të shigjetës, shefi i madh do të qëllonte një frut të vendosur mbi kokën e një vartësi. Tashmë kjo nuk ishte më një ide, por një urdhër që, me urgjencë, u transmetua vesh më vesh. Nuk vihej në dyshim, gatishmëria e secilit.
Të gjithë u vunë në rresht, duke pritur me padurim se cili do të kishte nderin t’i binte shorti që shefi ta merrte në shenjë.
Ndërkohë që madhëria e tij pranoi, ministri në fjalë, i lumtur dhe i shtyrë nga një gëzimi i papërmbajtur, duke pasur si arsye të fuqishme gjetjen e mënyrës për ta zbavitur shefin, iu lut gjithë të tjerëve, ta lejonin të ishte ai i pari për ta vënë mbi kokë mollën. Dhe lumturia e tij arriti kulmin kur kërkesa iu pranua. Mollën ia siguroi vetë gruaja e tij, sigurisht edhe ajo, tejet e lumtur.
Atëherë, kryeadjudanti iu paraqit ushtarakisht madhërisë së tij dhe i vuri përpara një arkë të vogël me armë zjarri. Madhëria e tij zgjodhi një pistoletë Smith të kalibrit 45, me dorezë sedefi.
Siç mund të pritej, goditja qe fatale dhe ia hodhi trutë në erë ministrit. Ndërsa molla ra përtokë, e paprekur nga plumbi.
Nderimet funebre për ministrin qenë madhështore.
Përktheu: Bajram Karabolli