PASIONI PËR TË KALËRUAR-SERGIO RAMÍREZ

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

SERGIO RAMÍREZ (1942)
Shkrimtar, gazetar dhe politikan nikaraguan

Nga pasioni për kuajt e shalës, për gjahun dhe paradat ushtarake me kalorës, S.E., pak nga pak, fitoi zakonin për t’i kryer të gjitha detyrat e tij kaluar mbi kalë dhe, me kalimin e kohës, nuk donte të zbriste më nga kali.
Tashmë, udhëheqësi S. E. edhe në zyrë hynte kaluar dhe, për pasojë, dyshemeja e mermertë mbushej me bajga. Pranë tryezës së tij të punës urdhëroi të vendosnin një grazhd; tashmë, mbi qilima gjeje yzengji dhe pajime kali, mbi kolltuk shalën e kalit, ndërsa në varëset e rrobave do të shikoje të gjitha llojet e frerëve dhe kapistrave. Djersa e udhëheqësit S. E. kishte aromën e djersës së kalit të tij.
E. S. i çoi punët deri në atë kufi perversiteti, sa situata u bë shumë e vështirë për zonjat, të cilat duhej ta bënin atë punë mbi kalë, me mollaqet ngjeshur tek e përparmja e madhërisë, duke bërë kështu të vuanin shumë edhe kali edhe kalorësi. Gjithsesi, dashuria kryhej njësoj mbi silazh si mbi çarçafë, po ashtu, në dhomën e gjumit të udhëheqësit, hingëllimat dhe psherëtimat dëgjoheshin njësoj.
Më vonë, Shkëlqesia e Tij filloi të flejë mbi kalë, madje edhe të dhiste që andej; edhe në inaugurime apo bankete qëndronte mbi kalë. Në këto të fundit, ndodhnin gjëra të pahijshme, sepse kali fuste turinjtë në pjata, shfrynte mbi gjellë dhe bezdiste zonjat, duke u lëpirë qafën.
Në sallën e audiencës, ministrat qëndronin në këmbë, ngaqë nuk u lejohej kali; ndërsa ambasadorëve, gjatë takimeve protokollare, iu kërkua të vinin me kuaj dhe letrat kredenciale t’i paraqitnin kaluar. Ndërkohë, shtetasit e Republikës mbaheshin nën kontroll të rreptë.
Shumë shpejt shtëpia e udhëheqësit u kthye në gjysmë stallë dhe gjysmë pallat. Zonja e Parë shëtiste nëpër kopshte hipur mbi një pelë dhe prej andej këpuste trëndafila aromatikë, gjë që, menjëherë, u imitua nga oborrtaret e tjera, të cilët një ditë edhe ato u dukën kaluar, duke ecur trokthi. Po ashtu, edhe shërbëtorët, hipur mbi mushka, ndiqnin gomarët, të cilët, duke përfituar nga rrëmuja, hynin nëpër dhoma duke pëllitur me të madhe.
Duke ndjekur shembullin e pallatit të madhërisë së tij, njerëzit me njëfarë edukate dhe gjendje të mirë filluan të merrnin zakonin e përgjithshëm të vendit, duke bërë si gjithë turma e rrëmujshme.
Kur, një ditë fatale, S. E. vdiq, fare thjesht e balsamosën, bashkë me kalin, dhe e ngritën si një statujë.

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top