U çua Fa-ja kundër anti-Fa-së/Arbër Zaimi

in Esé/Në kohërat e kolerës by

Shteti ynë ka nevojë për policë dhe kriminelë, jo për anti-Fa. Duhen policë se ka shumë kriminelë, duhen kriminelë se ka shumë policë

    Arbër Zaimi

I kam dëgjuar kërkesat tuaja katër muaj rresht, tha Fa-ja. Kërkesat tuaja nuk kanë kuptim, sepse janë kërkesa prej anti-Fa-je. Nëse doni kërkesa për të qenë, ejani te unë për dialog, dhe unë jua jap disa kërkesa të mira, që ju pastaj m’i bëni mua dhe unë jua plotësoj ne vend dhe kështu dalim të gjithë mirë. Sepse unë jam krye-Fa, ju duhet të jeni pro-Fa, policia patjetër të jetë pro-Fa, shteti të jetë edhe më Fa, të gjithë Fa, sepse Fa-ja është demokraci dhe demokracia e vërtetë është Fa.

Më habisin disa vajza dhe djem të bukur si ka mundësi që rrinë atje poshtë. Të bukurit i dua te unë, shikoni sa mirë duken rreth meje, si poça të varur në pemën e vitit të ri. Është e papranueshme kur të bukurit protestojnë. Duhet me ligj vetëm të shëmtuarit, shkurtabiqët, trashaluqët, çyrykët, syshtremtët, çalamanët, barktharët, të palarët, ta pakrehurit, flokërënët, flokëgjatët se ata janë anti-Fa-ja e vërtetë. Kush është pro-Fa do të shpërblehet. Kush është anti-Fa do të dënohet. Kush rri me anti-Fa-në do tregohet me gjisht, do përjashtohet nga shkolla, do t’i mbyllet dyqani, zyra, partia. Do ta paguajnë rëndë. Bile edhe palltoja e kashmirit do t’u zhvishet. Unë do të jem gjithnjë me ju, kudo që ju jeni, ju shoh nga kamerat e rrugëve e të ekranëve, ju dëgjoj edhe në mendime çfarë keni, prandaj lërini budallallëqet. Shteti ynë ka nevojë për policë dhe kriminelë, jo për anti-Fa. Duhen policë se ka shumë kriminelë, duhen kriminelë se ka shumë policë. Kjo është e ardhmja e giovinezza-s tonë. Studentë s’ka nevojë. Ju mendoni se krimi është gabim por po të ikë krimi dhe kullat ku krimi pastron paratë, kush i paguan taksat. Ja pra që studenti që mezi lidh fjalët në tik-tok nuk e di se kriminaliteti ka eksternalitete shumë pozitive për ekonominë tonë Fa. Prandaj dhe policia duhet të ketë kujdes të mos e pengojë zhvillimin ekonomik. Polici kundër çdo kundërshtari të Fa-së, kundër çdo anti-Fa-je. Rroftë Fa-ja, bërtiti vetë Fa-ja dhe e mbylli përkohësisht.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top