Janis Ritsos
Mbrëmje. Era u fashit. Rëra e lagësht shkëlqen sa herë deti tërhiqet pas. Pisha e anuar rri e mendohet. Mendohemi edhe ne tok me të, heqim vija mbi rërë, shkruajmë ca shifra, bëjmë ca vizatime, një sirenë, një zemër, një spirancë, – eh, ç’të thuash? Kërkon të bësh gjësend, të japësh gjëkafshë, sa për të kaluar kohën, sa për t’u çlodhur.
Në dorë mban ditën si një letër mbyllur në një zarf të bardhë. Mbi të do t’vësh adresën, vetëm dy fjalë: Njerëzve. Asgjë tjetër. Në të do t’ketë një copëz det, një yll, tre-katër hala pishe, – eh, ç’hare. Do të buzëqeshësh në gjumë. Sido që të vejë, letra do t’u shkojë. Do ta hapin. Do të shpalosin detin. Do të lexojnë. Sa u shkëlqejnë sytë. Kaq të vështirë e kanë njerëzit të jenë të gëzuar? “Kush na e vjedh shkëlqimin nga sytë”? Kështu pyesnim dikur. Tani e dimë. Nuk pyesim më. Vetëm luftojmë.
Dielli thotë: “Jam juaji. Merrmëni me vete. Largojeni andej atë që më zë”. Deti thotë: “Jam juaji”. Po kështu thonë edhe era, edhe pema, edhe qielli, edhe toka: “Merrmë. Punomë. Ndreqmë dhe ndreq kësisoj gëzimin tënd”.
Në rërë shkruan numra. Me zemrën tënde mat gëzimin e botës. Mat hidhërimin e saj. Llogarit shpenzimet e ditës, shqetësimet e tua, si të llogarisje shpenzimet që ke bërë kur u ke blerë lodra fëmijëve, fanella ushtarëve, çemberë nënave. Po, diçka kemi bërë. Bën mbledhjen: besoj.
Mbrëmja mbledh heshturazi dhe qetë-qetë ngjyrat siç mbledh amvisa e mirë rrobat nga litari, fustën e kuqe, mbathjet e gjelbra, përparëset e kaltra dhe velenxat me shumë thekë. Një aromë dehëse. Alga dhe rrëshirë. Afsh i nxehtë. Diku kanë ndezur qymyr. Dhe aty pas kodrinës mbrëmja do të hekurosë këmishën e saj të natës. Madje, sapo ndezi kandilin e saj. Yllin e parë.
Ankorohet një peshkatore. Tërheqin rrjetat në heshtje. Këmbët e zbathura u zhyten në rënë. Trupat i kanë përkulur. Nervat i kanë të tendosura. Muskujt e krahëve dhe të kofshëve u tërëhiqen fort. Rrudhat e thella ua kanë brazduar fytyrat e djegura nga dielli. Ndanë tyre ndalen dy të rinj. Bisedojnë mes tyre.
– Çfarë mundi. Mund të mos zënë as edhe një peshk.
– Mundim që s’ka të paguar.
– Mjerë kush s’mundohet fare.
– Jetë e zbrazët.
– Po.
– Tani mundohen të gjithë për një grusht njerëzish.
– Sidoqoftë, shih sa gjëra kanë bërë.
– Po, por me sa hidhërim, me sa mund…
– Pa mendo pak kur nesër njëri të punojë për të gjithë dhe të gjithë për njërin. Ç’mundim i bekuar! Ç’mundim i gëzuar!
– Oh, atëherë…
– Po, sot e kemi për detyrë të mundohemi për të nesërmen, për ne, për tërë botën. Pa merre me mend. Të bësh diçka jo për veten, jo për dy apo për pesë të tjerë. Të bësh diçka dhe të thuash: “Kjo është për të gjithë dhe për mua”. Të jesh i vetëdijshëm se mijëra vetë po e presin atë. Mijëra nomadë do t’gëzohen për të. Dhe ti do t’gëzohesh shumëfish. Pa mendo pak. Ç’kënaqësi do t’ishte atëherë të punoje. Zemra të gufon. Muskujt e shpirtit të fryhen. Të japësh tërë t’mirat e shpirtit dhe t’i gjesh njëqindfish te shpirtrat e të gjithë njerëzve.
– Oh, atëherë po.
– Dhe tani, po, që tani punon për të nesërmen.
Po erret mirë. Peshkatarët po tërheqin rrjetat. Mbi trupat e tyre të zhveshur e të pjekur nga dielli binte vija-vija pasqyrimi kaltërosh i detit. Një këngë e dashur dëgjohet që larg, që nga çadrat buzë detit.
“Gjithçka që na shohin sytë
që prej kohëve të lashta
punës sonë ia detyrojmë
rroftë, rroftë puna”.
Për ne flet ajo këngë. E dimë. Mijëra njerëz kanë punuar me zemër për këtë qëllim të thjeshtë. Besimi, ëndrra, përpjekja. Histori e gjatë. Shumë rrahje zemre, shumë gjak, shumë shpresë dhe entuziazëm. Dëgjojmë këtë këngë, vështrojmë peshkatarët, na ndërmenden ata peshkatarë të tjerë, pas në kohë, na vjen në mendje ai plak kopshtar që deri në fund të jetës lodhej duke krasitur pemët, duke mbjellë filiza të rinj, duke i ujitur.
– Gjysh, – i thoshim – a nuk ulesh pak të mbushesh me frymë?
– Kështu mbushem me frymë, mor bir.
– Po nuk lodhesh kështu?
– Lodhen kur rri ndenjur. Do të pushoj kur të dojë Perëndia. Edhe atje lart kam ndër mend t’i kërkoj të më lërë të kujdesem për pemët e tij. Nuk ka për të dalë me humbje. Do t’i kultivoj ca pemë, o drita ime, që do t’ia çajnë vrimat e hundës me erën e këndshme.
– Nga e di ti, o gjysh, se atje lart ka pemë?
– Pse qorr jam unë, nuk shoh? Fundja, ç’janë tjetër yjet, veçse lule që kanë çelur prej pemëve të qiellit? Quaji limonë, quaji dardha, quaji mollë. A nuk të deh çdo mbrëmbje era e tyre e këndshme që vjen prej atje lart? Në mesnatë, teksa fle në taracë, këto aroma të përshkojnë tërë qenien. Edhe në mos pastë, do t’i mbjell unë. Do të marr me vete ca fara, mbështjellë me shami.
Ujiste kopshtin dhe kuvendonte. Krenohej me pemët e sapombira. U lante gjethet. U drejtonte trupat e shtrembra. Diç u pëshpëriste. Dheu i lagur lëshonte aromë. Një pemë e vogël limoni po hapte gjethet e forta e të lëmuara.
– E sheh këtë vogëlush këtu? Shih sa është rritur! Ja, vjet ishte fare i vogël. Ja, kaq. Më vinte deri këtu, ja pak më lart se gjuri. Tani po zgjatet përpjetë, u bë për t’u martuar. Për pak do t’ma kalojë edhe mua. Eh, eh, vogëlush, mos u nxito! E sheh, dëshiron të dalë jashtë gardhit. Mirë, pra. Qepe. Po vitin tjetër kush do të na mbajë? Ja, kështu, për çdo degëz që mbin, unë them se bota ka fituar një jetë. Krenohem me veten që e kam ndihmuar edhe unë Perëndinë me diçka. Sa herë çel një gjethe e re, unë them se një flatër mbin dhe në shpinën time. Them se pas pak, flatër pas flatre, do të bëhem me krahë dhe do të fluturoj i lehtë mbi pemë. Mos qesh me mua. Ç’ishte vjet kjo këtu? Ja, një pëllëmbë qe, hiçgjë. Tani më jep dy pashë hije çdo drekë. Mund të çlodhen fare mirë dy dele të vogla poshtë saj. Vitin tjetër do të fle unë nën hijen e saj. Do t’më japë edhe lule, edhe fruta. Ca limona të mëdhenj, plot lëng. Do t’i shtrydhin në supë dhe do të lëpijnë buzët. Eh, edhe kur të mos jem më këtu, kjo pemë imja do të jetë. Disa do të ulen nën hijen e saj, të tjerë do të hanë limonët e saj, edhe sikur të mos mendojnë për mua, unë do të jem i tëri brenda gëzimit të tyre, brenda hijes së saj, brenda limonit. Po, po, do t’jem edhe brenda limonit që do ta hanë të tjerët, pra vëllezërit e mi, e do të gëzohen. Do të gëzohem edhe unë me ta. Pse, pak është kjo?
Eh, koptshtari! Kënga dëgjohet ende nga larg, mbi çadrat. Deti xixëllon. Peshqit përpëliten e vezullojnë brenda rrjetave. Mund i bekuar. Një heshtje e fuqishme mbretëron në mbrëmje. Kundruall nesh ndezën dritat. I hodhëm edhe ne rrjetat e shpirtit në qiell, në det, në botë. Të kapim ndonjë yll, ndonjë zë, ndonjë këngë. Të japim diçka edhe ne, të marrim diçka. Zarfi i ditës është vulosur. Një adresë e thjeshtë: Njerëzve. Jo. Vëllezërve. Do të shpalosin detin. Do të lexojnë. Sa u shkëlqejnë sytë. Buzëqeshin. Një buzëqeshje e jona!
Përktheu: Stefan Zhupa
Me Enida Sheshi Haxhin për poezinë “Statujat dhe ne” të poetit Janis Ricos
Defekt-teknik i kërkoi Enida Sheshi Haxhit të përzgjidhte një prej shkrimeve të revistës dhe mbi të