Kanë thënë për revistën defekt-teknik

in About Us by

Kanë thënë për revistën defekt-teknik:

E zbulova rastësisht faqen tuaj të internetit, Defekt-Teknik, dhe mendova se ajo duhet të arkivohet në Bibliotekën e Kongresit, pra, të ruhet për lexuesit e së ardhmes.
E kam shijuar shumë përmbajtjen e revistës!

Nevila Pahumi, Ph.D. Biblioteka e Kongresit


Reference Librarian for Albanian and Modern Greek
European Reading Room
Latin American Hispanic and European Division
202 707 8484

_________________________________________

Portali është ashtu si vetë zonja Guma: brilant, origjinal, i pavarur, serioz, i mprehtë, i pakorruptueshëm, idealist, jo-patetik.
Në Shqipëri ka portale të panumërta që dëshirojnë lajme sensacionale. Një portal serioz është, me sa di unë, një mangësi në peizazhin mediatik. Arlinda Guma e mbush këtë mangësi. Në “DEFEKTI TEKNIK” vijnë në radhë të parë zërat letrarë, krahas tyre edhe tekste mbi artin dhe muzikën.
Në kontributet letrare ajo sjell të pazakontën, autorë të rinj, e sidomos autorë, larg karuselit të lodhshëm të emrave gjithmonë të njëjtë.
Nuk janë gjithmonë vetëm autorë dhe artistë shqiptarë, por edhe të huaj (dhe jo siç ndodh zakonisht me tekste të pakta të kopjuara nga Wikipedia). Ajo ndjek rrugë të reja edhe në faktin që ofron diçka të re dhe interesante për të lexuar çdo ditë.
Këtë punë gjigante ajo e kryen e vetme. Kjo punë dhe rezultati i saj meritojnë mbështetje dhe përkrahje.

Hans-Joachim Lanksch
Përkthyes. Albanolog.

_____________________________________________

Në këtë oqean të pafund informacioni e botimesh, qoftë në letër, në ekran, në telefon apo në subkoshiencën tonë, është jetike të kesh disa pika të sigurta orientimi, si farët që u tregojnë rrugën anijeve në errësirë. Dhe farët nuk janë vetëm për të treguar rrugën por edhe për të shpëtuar jetë.
Në këtë oqean, pra, edhe unë kam farët e mi. Njëri prej tyre është revista letrare “Defekt-Teknik”, e drejtuar me një përkushtim të rrallë nga shkrimtarja Arlinda Guma. Nuk është vetëm cilësia e lartë e përzgjedhjes së veprave apo finesa estetike e paraqitjes që e veçon. Jo — për mua, një tregues edhe më i thellë është liria e saj. Një liri e pastër, e pacenueshme: një revistë antikomerciale, e pavarur nga çdo trysni politike apo ekonomike, që i falet vetëm një Perëndie — letërsisë së mirë dhe artit të vërtetë.
Sigurisht, kjo liri ka një taksë të lartë, që fare pak janë gati ta paguajnë. Por Arlinda jonë, si një ndjekëse e fatit të shkruar në vetë emrin e saj (“Nomen est omen”), ka dhuntinë ta kthejë në ar gjithçka që prek. Dhe këtë çmim e paguan me vetëdijen dhe dinjitetin e një krijueseje të lirë.
Më vjen keq që koha ime nuk është aq e lirë sa të mos humbas asnjë rresht të kësaj reviste. Por… për fat të keq, ndodh. Ah, këto ditët tona, që na i gërryen pak nga pak kotësia e përditshme — siç thotë poeti.
E megjithatë, kjo revistë bën diçka të çmuar: e bën botën tonë pak më të mirë dhe ne vetë pak më pak “defektozë”. Them “pak më të mirë”, sepse e përkryera do të ishte mrekulli. Por… ke parë ti? Unë besoj te mrekullitë.
Ndoshta, po të më duhej të zgjidhja, do të ishte ndër të paktat faqe letrare që do merrja me vete në një ishull të shkretë pas mbytjes së anijes ne oqean.
Arlinda, me këtë revistë të mrekullueshme që drejton me pasion, sakrificë e plot kulturë, i bën një shërbim të rrallë edukimit të shijeve të lexuesve. Ajo nuk ka lejuar të hyjë vulgu në faqet e revistës. Ajo mund të kishte mbushur faqet me reklama, me shtypin rozë apo me interesa partiake dhe padyshim mund të kishte fituar shumë pará e ndjekës. Por nuk e bëri…
Kjo lloj rezistence është për t’u falënderuar dhe për t’u admiruar! Ashtu si ai grupi i muzikantëve në vitin 1882, që nuk pranuan të luanin muzikë vulgare për të zbavitur publikun nëpër kafené e pista patinazhi, por vendosën të dilnin më vete, ta zgjidhnin ata drejtuesin e të luanin muzikën që donin. Ajo orkestër është sot më e mira në botë. Quhet Berliner Philharmoniker.

Florian Vlashi
Violinist

________________________________________________

Revista Defekt-Teknik ka qenë njëra ndër dyert e para që më është hapur në Shqipëri. Dhe për këtë gjë jam shumë mirënjohës. Përmbajtja e revistës është e larmishme dhe sjell te lexuesit shqiptarë shkrimtarë të hatashëm nga të gjitha vendet e botës dhe shumë prej tyre janë figura jo-konvencionale që kanë thyer traditat letrare dhe i kanë dhënë letërsisë botërore dimensione të reja, duke e pasuruar tdhe duke e bërë më të lirë.

Shpëtim Selmani
Shkrimtar

_________________________________________________

Në kohën e shpërqendrimit, Defekt Teknik është ndër hapësirat më të rëndësishme për ta kthyer përqendrimin te baza e artit. Pikërisht aty te letërsia, kinemaja, piktura dhe muzika gjejmë qetësi dhe shëndet mendor.
Unë personalisht e shfletoj shpesh dhe më pëlqen përkushtimi i kujdesshëm që i jepet artit. Kategoria ime është kinemaja, aty kam mësuar dhe vazhdoj të mësoj edhe sot, me pasion dhe dashuri.
Uroj që kjo revistë të ketë jetë të gjatë dhe gjithnjë e më shumë lexues, që ta kuptojnë vërtet vlerën e artit dhe dashurinë për të.

Ibër Deari,
Regjisor

_________________________________________________

Sikurse e dimë tashmë, Kafka i kërkoi mikut të tij Max Brod-it që dorëshkrimet e tij të digjeshin. Një dëshirë e prerë, pothuaj e pamëshirshme ndaj vetes, sikur fjala të mos meritonte të mbijetonte përtej çastit nga i cili u krijua.
Megjithatë, Brodi-i nuk iu bind dhe ato nuk u dogjën.
Në këtë tension mes shkatërrimit dhe ruajtjes, lind një nga të vërtetat e letërsisë: fjala, sapo lind, kërkon të jetojë përtej autorit të saj dhe Brod-i, pa dashur, pa e kuptuar, kreu një akt të rëndësishem simbolik: ai i zhvendosi ato nga një vullnet personal, në një ekzistencë publike ku teksti nuk i përket më autorit por fillon ajo që mund të quhet “qarkullimi i leximit”.
Një revistë letrare është pikërisht vendi ku ky proces bëhet i dukshëm sepse nuk bën vetëm publikimin e teksteve por ç’është më e rëmdësishmja, i fut ato në “rrjedhë”. Tekstet kur mblidhen dhe organizohen, vendosen pranë njëra-tjetrës dhe lexohen në lidhje me njëra-tjetrën, fillojnë të krijojnë një hapësirë të përbashkët kuptimi. Pra, një shkrim merr një kuptim tjetër kur lexohet pas një tjetri, ose në dritën e një ideje që shfaqet diku tjetër në të njëjtën revistë.
Kështu, krijohen kushtet qe tekstet të hyjnë në marrëdhënie të ndërsjellta dhe që kuptimi të mos mbetet i izoluar.
Maji i këtij viti shënon një përvjetor të rëndësishëm të revistës letrare “Defekt- Teknik”. Më shumë se një festim ceremonial, tregon se ky proces që unë po e quaj “qarkullim i leximit”, ka vazhduar.

Duke iu rikthyer simbolikës
se Brod-it, mësojmë edhe diçka tjetër të rëndësishme: se diçka që shkruhet ka mundësinë të humbasë, por edhe mundësinë të mbijetojë – nëse dikush beson se ia vlen të lexohet.
Pra, këtë proces epistemik ku mendimi ekziston vetëm në lëvizjen e tij midis shkrimit dhe leximit, midis autorit dhe interpretimit, midis tekstit dhe kohës që e riaktivizon atë, një revistë e mirë dhe serioze e realizon më së miri.
Dua të tregoj se gjatë gjithë kohës, edhe vetë jam në një proces të heshtur shkatërrimi të eseve të mia, krijime të ndryshme letrare, ndërsa shumë pak prej tyre janë botuar (më së shumti në këtë revistë) dhe aty janë shkëputur plotësisht nga origjina e tyre, duke u shpërbërë në leximet e të tjerëve si forma që nuk më përkasin më në mënyrë të drejtpërdrejtë, por që vazhdojnë të mbartin gjurmën e një vendimi të mëparshëm për t’i nxjerrë nga vetmia e draft-it dhe për t’i lënë të jetojnë.
Urime e dashur Arlinda dhe jetë sa më të gjatë revistës suaj!

Enida Sheshi Haxhi
Kontribuese e revistës

__________________________________________________

Në këtë përvjetor të revistës Defekt Teknik dua t’i përcjell urimet më të mira drejtueses së saj Arlinda Guma për faktin që, së bashku me kontribuuesit e tjerë të kësaj faqeje, kanë arritur të ndërtojnë një oazë kulture dhe mendimi kritik në një mjedis komunikimi publik që rëndom karakterizohet nga mungesa e mendimit, dhuna verbale, kotësitë komerciale dhe theqafja pas klikimeve me çdo kusht. Uroj që sa më shumë dashamirës të kulturës të lexojnë dhe të angazhohen me pjesët letrare, kritikat, përkthimet dhe intervistat e kësaj reviste.
Përpara rreth tre viteve kam pasur rastin të zhvilloj një bisedë për filozofinë, letërsinë dhe politikën me Arlinda Gumën. Më la mbresa fakti që, pavarësisht etheve elektorale të asokohshme, qytetarë dhe dashamirës të kulturës reaguan pozitivisht ndaj ideve që u përcollën në këtë hapësirë komunikimi.

Arlind Qori
Drejtues i Lëvizjes Bashkë

__________________________________________________

Ka shumë gjëra që nuk funksionojnë siç duhet në hapësirën shqiptare të letërsisë dhe artit. Politika, dëshira e njerëzve të caktuar për protagonizëm të pamerituar, dobësimi i pozitës së letërsisë në përditshmërinë e njerëzve, si fenomene të përbotshme, janë, në rastin e vendit tonë, halle më të vogla se fenomene të tjera, endemike: mungesat e vlerësimit objektiv të cilësisë nga botuesit, njollat në historikun e institucioneve dhe organizatave që japin vlerësime e çmime letrare, dhe pastaj, edhe më shumë, qokat letrare. Këto të fundit ia heqin kritikës çdo grimë besueshmërie apo vlere që mund të ketë në jetën e një lexuesi që kërkon të paktën orientim pa iu dashur të bëjë kërkime të thelluara mbi prurjet letrare që pa i lexuar ende. Në këto kushte, ka shumë pak vende ku mund të kthehen sytë. “Defekt teknik” është pa asnjë dyshim njëri prej tyre: një qoshk letrar ku mund të bujtësh pa frikë se mos humbet kohë me gjëra që s’ia vlen t’i lexosh, ose përfundon papritur (le ta themi) në ndonjë luftë qesharake klanesh. Vite të tëra pasi e kam njohur si lexuese dhe autore, i drejtohem gjithmonë me besim dhe kënaqësi. Letërsi e huaj e mirë, letërsi vendase e mirë, intervista interesante që të bëjnë të mendosh, të gjitha punë të kujdesshme dashurie dhe dëshire për të bërë diçka me vlera të vërteta. Sa shumë mund, po mbi të gjitha sa shumë integritet dhe përkushtim duhet për të mbajtur më këmbë diçka të tillë në një klimë me erëra që të shtyjnë në të tjera drejtime. Shpresoj ta kemi jetëgjatë “Defektin Teknik”, këtë vendstrehim të dashur letrar, dhe që t’i shtohen sa më shumë miqtë dhe shokët.

Manjola Nasi
Poete. Përkthyese.

__________________________________________________

Ëndërr difektoze

Filozofi gjithnjë i pakënaqur, Theodor Adorno nuk e honepste dot atë që më vonë do të etiketohej gjerësisht si pop-kulturë, po edhe fenomenet e lidhura me të, kitsch-in e schundliteratur-ën. Principi i tij gjykues nisej nga fakti se ky lloj arti që shijohet pa vramendje përbën në fakt një “guilty pleasure”. Njësoj si ai fëmija që priret drejt ushqimeve të sheqerosura, të cilat shkaktojnë një shpërthim momental hormonesh e kënaqësie, pa ditur se ato mund t´i shkaktojnë muaj më vonë efekte tejet të dëmshme fizike, higjienike e estetike, ashtu edhe shijuesi i artit që nuk e shtyn publikun drejt pikëpyetjeve vetëanalizuese apo botëanalizuese, do të përfundojë me një mendje obeze, e papastërt dhe e pabukur. Ky lloj shijimi, qoftë në letërsi, muzikë, fotografi, kinema, rrjete sociale, media apo televizion e shtyn njeriun të jetojë jetë të zbrazur prej lirisë estetike. Fundja, teorizonte Adorno, pop-kultura nuk është ndonjë shprehje spontane e individit apo e komunitetit, por një industri me synim përfitimin. Ajo shtrembëron, i lakon dhe i gdhend dëshirat e publikut, duke i konformuar ato me nevojën për përfitim. Si të mos dyshosh tek ajo?
Sot kur nga zërimet e kafeneve ushton muzika e prodhuar me AI, prodhohen pikërisht duke mbllaçitur e ripërtypur miliona copëza pop-muzike, sot kur ngjyrat piktoriale, volumet arkitektonike e urbanistike, e deri edhe tekstet zyrtare e jozyrtare prodhohen po njësoj, vërejmë se fëmija për të cilën shqetësohemi pak më sipër është mbyllur me dry në një park lojërash plastike, ku nuk ka as shokë e as shoqe, por vetëm sheqer, bombone ngjyra-ngjyra, me gjithfarë aromash e shijesh sintetike, pambuk sheqeri e lesh sheqeri, lëpirëse, kallamsheqeri, turlifarë karamelesh e pijesh të gazuara të stërsheqerosura. Mungon deri edhe mundësia për ajër të pastër në këtë xhehnem që vetëparaqitet, pretendon se është xhehnet. I shkreti fëmijë, i shkreti dëshirues i artit.
Në dashtë të gjejë shijim angazhues, asi që ka potencialin e vogël por eksploziv të mbrujë vërtetësi e të konvertojë shpirtra, ku duhet të shkojë të kërkojë? Nuk e dimë saktësisht, por sa më larg atyre që justifikohen se prodhojnë këtë lloj përmbajtjeje plehërore, meqenëse sipas treguesve sasiorë, sondazheve, lajkave, kopjeve të shitura, matjes së auditorit, klikimeve në youtube etj. – “ashtu e lyp populli”.
Sa më larg muzeve e lokacioneve që ftojnë të bësh foto në to. Sa më larg promovimit të marrëdhënieve narcisoide me veten e me botën.
Ndoshta një qoshk i tillë rezistence të pavënë re është edhe magazina letrare online “Defekt Teknik”, që vazhdon për vite me radhë si projekt këmbëngulës i shkrimtares Arlinda Guma. Një cep që nuk kërkon prozhektorët e spektaklit, por mjaftohet me forcën e dritës që mbledh te disa pak autorë që donkishotërisht ende shkruajnë shqip.
Në librin e famshëm të Calvino-s rrëfehet se si Marko Polo në fund të rrugës së gjatë drejt lindjes takon Hanin mongol e Perandorin kinez, Kubilain. Hani i Madh na e pret udhëtarin me të gjitha të mirat e na i kërkon t’i kallëzojë gjatë qëndrimit të tij në oborr për secilin qytet që e ka hasur rrugës. Kështu Marko Polo nis rrëfimin për 55 qytete që mbajnë emra grash. Nuk zgjatet shumë te pamja e qyteteve të imagjinuara rrëshqanthi, e që mund të na i përcjellë sot çdo imazh sado i pavlerë e i prodhuar me AI, as te kodet zakonore e ligjore apo rrethanat demografike e ekonomike që fundja i gjen të hamendësuar në botime byrokratishteje, por më shumë flet për ndjenjat dhe emocionet, aromat, shijet, zhurmat, prekjet, kujtimet, fantazitë për të ardhmen, shenjat e nëndukshme të secilit qytet. Kubilai Hani e dëgjon me vëmendje këtë raportim inteligjence të vërtetë e jo artificiale, që ndoshta i hyn më shumë në punë për pushtimin e qyteteve e pse jo edhe të vetes.
Kjo është premisa e “Qyteteve të Padukshme”.
Libri është lojcak e eksperimental, letërsi e kombinuar me semiotikë e strukturalizëm, një lloj mozaiku që mund të shpërbëhet e të ripërbëhet në të tjera sekuenca që japin gjithnjë tjetër rezultat.
Sidoqoftë, në sekuencën zyrtare pra në atë të botuarën, libri mbyllet me Kubilain që pyet, pesimist, se për çka hyjnë vallë në punë këto rrëfime, ç’është kuptimi i tyre, kur fundi i çdo qyteti është një vorbull, një spirale zbritëse që i thith të gjithë në skëterrë.
E paragrafi krejt i mbramë është përgjigjia e Marko Polos, sipas përkthimit tim:
“Skëterra e të gjallëve nuk është ndonjë gjë që do të ndodhë dikur në të ardhmen, se nëse ekziston ajo tashmë është këtu. Është skëterra ku banojmë përditë, që formojmë duke ndenjur bashkë. Dy mënyra ka që të mos vuash në të. E para arrihet me lehtësi nga shumëkush: ta pranosh skëterrën e të bëhesh pjesë e saj deri në pikën sa ajo të të bëhet e padukshme. E dyta është e rrezikshme dhe lyp vëmendje e mësim të vazhdueshëm: të kërkosh e të dish të njohësh njerëzit e gjërat që midis skëterrës nuk janë skëterrë, t’i bësh të zgjasin, t’u japësh hapësirë.”
Ky është dhe misioni i ishullit ende të pavërshuar që përpiqet të mirëmbajë.

Arbër Zaimi
Studiues. Politolog. Aktivist.
Kontribues i revistës.

__________________________________________________

Imazhi nga Ibër Deari 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from About Us

Go to Top