Lulja-Aracelis Girmay
në atë që je
a ekziston vallë
ëndërrimi
apo frika
tronditja e beftë
e zogjve
një mesazh
a je ti
apo jam unë
dhe stuhitë
me daullet e tyre që hapin
buzëqeshjen tënde
dhëmbin tënd
të argjendtë
vese
me të qeshur
si ajo vajza
kur ngre fytyrën
unë jam gjithmonë me ngut
dhe ti
disi e palëvizshme
anës murit të gurtë
si të një stacioni trenash
apo një zyre të madhe poste
ku jashtë
njerëzit presin
në radhë
që daktilografët të shkruajnë
rezyme dhe
aplikime
dhe letra për ata që
kanë lindur
dhe ata që nuk do
të ikin por
do të mbeten
gjatë gjithë
luftës
duket sikur
ti di
aq shumë atje
me fushën tënde
që plaket
nga shiu
që rrjedh përmes teje
jeta jote në një vend
ulsja jote e vogël
prej dheu
mbi të cilën qëndron
sekreti orfik
me mjegull
a ndodh që përmes teje
të varrosurit rilidhen
në një komunikim të dytë
të lutem na ço tek ai pus
ja edhe tre fëmijë të tjerë
lulja mbi shpinën e së cilës
mbështesim zërin e drithëruar
dhe në heshtje kur s’na mbetet asgjë
je ti që ende na mban
lulja ime.Përktheu: Meli Ajazi
Shënim i përkthyeses:
Kjo poemë e Aracelis Girmay-t (poete, redaktore dhe profesore), e botuar në The Yale Review marrë nga përmbledhja “Green of All Heads”, në vjeshtë të vitit 2025 eksploron temat e vdekjes, kujtesës dhe natyrës së qëndrueshme të jetës mes pikëllimit dhe luftës.
Metaforikisht ajo i drejtohet një “luleje” (një fëmije) si një dëshmitare e heshtur por edhe e përkohshme dhe mbart kujtime edhe pasi të tjerët kanë ikur.
Ja ç’thotë vetë poetja për këtë poezi:
“Ndihesha gjithnjë e më e shenjuar nga përkohshmëria e lules dhe nga mënyrat sesi kthimi drejt saj në poezi preku kanalet e komunikimit mes forcave të tjera të jetës dhe kujtimeve. Formalisht, isha e interesuar për veprimin kapilar të lules që e tërhiq ujin lart përmes rrënjëve të saj, krahas asaj të zbritjes së shiut dhe të kësaj poezie të lexuar nga lart poshtë.
Gjëra të tjera: Në fillim hoqa dorë nga “imja” e “lulja ime”, duke mos dashur ta zotëroja, por pastaj u ktheva tek ajo për ta bërë më të shtrenjtë. Shpresoja që kthesat e shpejta në gjuhë do ta mbanin lulen larg kontrollit. E lidhur me këtë dhe me atë që shpresoj të jetë një element i shumëdrejtimeve të krijuara nga rreshtat dhe njësitë e papiketuara të mendimeve që ndërveprojnë me të tjera me njëfarë rrjedhshmërie, u interesova për afërsinë me “ju” dhe “ne” dhe “imja”, duke u përpjekur siç isha drejt paqëndrueshmërive të buta – të orientimeve sintaksore dhe pranive.”