Rekuiem i gruas prej letre-Petraq Risto

in Letërsi/Tharm by

Rekuiem i gruas prej letre-Petraq Risto

 

Kur të jesh vetëm me një grua prej letre mbi tryezë
Një filxhan kafe, një whisky dhe një klerik në shërbesë
Kur të jesh vetëm me veten pa fiksime vetvrasjeje
Guxo dhe mbill një mollë me farëzat në formën e lotëve
Dhe ca zogj po prej letre që nuk zgjedhojnë dot foljen “ngasje”
Dhe ca avionë prej letre në intineraret e zemrave-aeroporte.

Në dasmën tënde gjashtë lot mbolle, gjashtë lot të vegjël: bërthamëza molle
Gjashtë bisqe çelën, hutuan të dielën: e gëzofsh, o dhëndërr, nusen që solle!

Bëje gruan prej letre të flasë: nën hijen e mollëve nuk mund të të vrasë
Dhe zogjtë prej letre uli në degën e mollës
Në zemrën tënde (fatkeqësisht prej letre) të zbresin mesazhe në formë avionësh.
Pi kafen, pi whisky (një, dy, tre…) ktheje gjithë shishen të them!
Një det i madh me rreshta dallgësh: vargje në jerm
Lutu me sy nga qielli dhe nga kleriku (mbase prej letre)
Merru me gruan prej letre,
fali një shtrat prej druri (nga do lindë një foshnje prej letre)
dhe në fund: arkivoli prej druri në formën e një libri prej letre.

Në vdekjen e saj gjashtë lot mbolle, gjashtë lot të vegjël: bërthamëza molle
Gjashtë bisqe çelën, hutuan të dielën: gjithë varret e ndjenë dhembjen që solle.

 

Photo Art © ► @franckgerardart 

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top