Henry Miller për procesin e shkrimit/Fragment nga një intervistë e The Paris Review

in Letërsi by

Fillimisht, a mund ta shpjegoni mënyrën sesi kaloni nëpër procesin e të shkruarit? A mprehni lapsa si Hemingway, apo diçka e tillë, për të nxehur motorin?

HENRY MILLER: Jo, jo në përgjithësi, jo, asgjë e tillë. Në përgjithësi filloj të punoj menjëherë pas ngrënies së mëngjesit. Ulem drejt e në makinë. Nëse zbuloj se nuk mund të shkruaj, e lë. Por jo, si rregull nuk ka faza përgatitore.

A ka kohë të caktuara të ditës, ditë të caktuara, kur ju punoni më mirë se në të tjerat?

HENRY MILLER: Preferoj mëngjesin tani, dhe vetëm për dy ose tri orë. Në fillim punoja pas mesnate deri në agim, por kjo ndodhte atëherë. Dhe pasi mbërrita në Paris, kuptova se ishte shumë më mirë të punoja në mëngjes. Por më pas punoja me orë të gjata. Punoja në mëngjes, merrja një sy gjumë pas drekës, ngrihesha dhe shkruaja përsëri, ndonjëherë shkruaja deri në mesnatë. Në dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e fundit kam kuptuar se nuk është e nevojshme të punosh aq shumë. Është diçka e keqe në fakt. E zbraz rezervuarin.

A do të thoshit se shkruani shpejt? Perlès thoshte te “My Friend Henry Miller”, që ju ishit një nga daktilografistët më të shpejtë që ai njihte.

HENRY MILLER: Po, shumë njerëz e thonë këtë. Duhet të bëj zhurmë të madhe kur shkruaj. Them se shkruaj shpejt. Por pastaj kjo ndryshon. Unë mund të shkruaj me shpejtësi për një kohë, pastaj vijnë fazat ku ngec dhe mund të kaloj një orë në një faqe. Por kjo është mjaft e rrallë, sepse kur zbuloj se jam i fundosur, do ta kapërcej një pjesë të vështirë dhe do vazhdoj, keni parasysh, dhe do t’i rikthehem sërish në një ditë tjetër.

Sa kohë do të thoshit se ju desh për të shkruar një nga librat tuaj të mëparshëm pasi e filluat?

HENRY MILLER: Unë nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk mund ta parashikoj kurrë se sa kohë do të më duhet për një libër: edhe tani kur nis të bëja diçka, nuk mund ta them. Dhe është disi false të marrësh datat kur autori thotë se e filloi dhe e mbaroi një libër. Kjo nuk do të thotë se ai ishte duke e shkruar vazhdimisht librin gjatë asaj kohe. Kini parasysh Sexus-in, ose kini parasysh të gjithë Rosy Crucifixion-in. Mendoj se e kam filluar në vitin 1940, dhe ja ku jam ende me të. Hëm, do të ishte absurde të thosha që kam punuar për gjithë këtë kohë. As që e kam menduar për vite me radhë. Pra, si mund të flasësh për të?

Hëm, di që ju e rishkruat Tropic of Cancer disa herë dhe ajo punë ndoshta ju dha më shumë telashe se çdo gjë tjetër, por sigurisht që ishte fillimi. Kështu që, pyes veten nëse shkrimi është më i lehtë për ju tani?

HENRY MILLER: Mendoj se këto pyetje janë të pakuptimta. Çfarë rëndësie ka sa kohë duhet për të shkruar një libër? Nëse do ta pyesnit Simenon-in, ai do t’jua thoshte me siguri. Unë mendoj se atij i duhen nga katër deri në shtatë javë. Ai e di se mund të mbështetet në këtë. Librat e tij zakonisht kanë një gjatësi të caktuar. Gjithashtu, ai është një nga ato përjashtimet e rralla, një njeri që kur thotë: “Tani do filloj dhe do ta shkruaj këtë libër”, i jepet plotësisht atij libri. Ai barrikadohet, nuk ka asgjë tjetër për të menduar apo bërë. Hëm, jeta ime nuk ka qenë kurrë kështu. Unë kam gjithçka tjetër për të bërë ndërkohë që shkruaj.

A modifikoni apo ndryshoni shumë?

HENRY MILLER: Edhe kjo ndryshon shumë. Unë asnjëherë nuk bëj ndonjë korrigjim apo rishikim gjatë procesit të shkrimit. Le të themi se e shkruaj një gjë në mënyrën e vjetër, dhe më pas, kur pasi të jetë ftohur – e lë të pushojë për pak, ndoshta një muaj ose dy – e shoh me një sy të freskët. Pastaj kaloj një kohë të mrekullueshme me të. Thjesht shkurtoj me sëpatë. Por jo gjithmonë. Ndonjëherë del pothuajse ashtu siç e kam dashur.

Si e bëni rishikimin?

HENRY MILLER: Kur jam duke e rishikuar, përdor penë dhe bojë për të bërë ndryshime, për të hequr kryqe për të shtuar. Dorëshkrimi duket i mrekullueshëm më pas, si një dorëshkrim i Balzak-ut. Pastaj rishkruaj dhe në procesin e rishtypjes bëj më shumë ndryshime. Preferoj ta rishkruaj vetë gjithçka, sepse edhe atëherë kur mendoj se kam bërë të gjitha ndryshimet që dua, puna e thjeshtë mekanike e prekjes së butonave m’i mpreh mendimet dhe e gjej veten duke e rishikuar ndërkohë që bëj punën përfundimtare.

Doni të thoni se ka diçka që ndodh mes jush dhe makinës?

HENRY MILLER: Po, në njëfarë mënyre makina vepron si stimuluese; është diçka bashkëpunuese.

Te “The Books in My Life”, ju thoni se shumica e shkrimtarëve dhe piktorëve punojnë në një pozitë të pakëndshme. A mendoni se kjo ndihmon?

HENRY MILLER: Po. Në njëfarë mënyre kam arritur të besoj se gjëja e fundit për të cilën mendon një shkrimtar apo çdo artist, është të ndihet rehat ndërkohë që punon. Ndoshta jokomoditeti është paksa ndihmë apo stimul. Burrat që kanë mundësi të punojnë në kushte më të mira, shpesh zgjedhin të punojnë në kushte të mjerueshme.

A nuk janë ndonjëherë këto shqetësime psikologjike? Kini parasysh rastin e Dostojevskit…

HENRY MILLER: Hëm, nuk e di. E di që Dostojevski ishte gjithmonë në një gjendje të mjerueshme, por nuk mund të thuash se ai i zgjodhi qëllimisht shqetësimet psikologjike. Jo, dyshoj fort për këtë. Unë nuk mendoj se dikush i zgjedh këto gjëra, përveçse në mënyrë të pandërgjegjshme. Unë mendoj se shumë shkrimtarë kanë atë që ju mund ta quani një natyrë demonike. Ata janë gjithmonë në telashe, e dini, dhe jo vetëm kur shkruajnë apo sepse shkruajnë, por në çdo aspekt të jetës së tyre, me martesën, dashurinë, biznesin, paratë, gjithçka. Është e gjitha e lidhur së bashku, e gjitha pjesë e së njëjtës gjëje. Është një aspekt i personalitetit krijues. Jo të gjithë personalitetet krijuese janë të tillë, por disa janë.
 
Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top