Panumërisht nga Mesi i Dheut-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Panumërisht nga Mesi i Dheut-Sueton Zhugri

 

Është një diell i përsosur
në rrumbullaksinë e tij.
Dhe një hënë që më drapër s’mund të bëhet.
Por unë sikur nuk jam më,
zëre se kam vdekur.
I ke parë yjet veshëgjatë?
Janë të magjishëm në mbretëritë e tyre.
Po nebiolat që i lidhin flokët me fjongo
ngjyrë qershie?
Si të ishin virgjëresha syqashtra në pritje kurorëzimi.
Po kometat me pishtarë në duar, veshur me fustanet e bardha të nusërisë që u digjen pas?
Si të ishin lajmëtare dasmash galaktike.
Po mëngjeset me ato rrezet e para që e çajnë errësirën si të ishin thika prej ari?
Po mjegullat që rrinë pezull nga toka
dhe i veshin ato rreze si dantella të dashuruarash para puthjes?

E megjithatë,
asgjë nuk më shtyn përpara,
vetë frymëmarrja më duket e kotë.
Nën qiell vizatohen pemë fluturake
me buzëqeshje gjithë reore,
me krahë blu, rozë, vjollcë,
e unë s’e di nëse e vlen rreth tyre
zvarritja, hulumtimi.
Jam ndërgjegjia e universit syrgjynosur
në pikën pa kthim.
Ajo pikë për të cilën fjala “përtej”,
më nuk ekziston.
Një poet pa duar dhe pa gojë.
Kam vetëm fjalën e shkruar për të tjerët.
Si qirinjtë e Naimit që digjen
në një natë të ftohtë keqkuptimesh,
flakëroj gjer në fund për të vrarë errësirën.
Me shpresën e një fluture
që jeton veç një ditënatë,
që për të është e palimitshmja mite.
E numëroj kohën sikur të ishte prej sheqeri.
Por për kohën unë jam fare i panumërueshëm,
artizan i një flakëze të heshtur.
E nëse dikush
ngrohet në të sadopak,
jam për të i lumtur…
Unë jam poet dhe vij nga toka e quajtur: Mesi i Dheut
dhe ku shkoj
e dinë vetëm Hyjt.

 

16.1.2023

Photo Art © ►@hossein_goshtasbi 

Algjebra e dashurisë”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top