Meshë e pandarë-Aleksandër Bardhi
Gjithmonë e më shpesh
e kam dyshuar të vërtetën.
Më është dukur si gënjeshtra më e vjetër në botê,
që ende kësaj dite bën dritë në tokë.
E shpesh kam kujtuar
atë oshënarin e plakur të lagjes sime
që shkonte çdo ditë te pusi me hënë,
me shpresë të shikonte kallogrenë e bukur
derisa një ditë
u gdhi krejt i verbër.
Sonte
nën një hënë të vogël si zilkë gjaku,
hapa dyert e mortit për një të vërtetën time.
Po askush s’po më duket në derë. Askush.
As të afërmit, as fqinjët,
as miqtë, as armiqtë,
as shokët e përbashkët me trupin plot plagë.
Thonë janë lidhur kokë e këmbë me gënjeshtrat e tyre,
e secili ha meshën e mortit të vet.
Vonë, shumë vonë, përvidhem në ëndrra.
Lart në kodër shtriganet e varreve
zhdërvjellin prej brezit litarët e fatit,
ku thundrapërgjakur prej kripës,
ca dele të zeza
kullosin barin e tyre të harresës.
Trembem.
Një i vdekur në errësirë
ma rrëmben meshën nga duart…
Të qe vallë,
oshënari i kallogresë së bukur?!…
MERIMANGA E DRITËS-Aleksandër Bardhi
MERIMANGA E DRITËS-Aleksandër Bardhi Askush nuk e vuri reatë gjestin e pavëmendshëm tek largonte nga fytyramerimangën