Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje, shkrimtarëve dhe joshkrimtarëve, mbi mënyrën sesi këndvështrohen personazhet femërorë në letërsinë botërore dhe në atë shqiptare.
Përgjigjia e radhës erdhi prej poetes Neviana Shehi.
Arlinda Guma: Mendoni se në letërsinë botërore, përfshi edhe në atë shqiptare, personazhet femërorë duke u këndvështruar së shumti nga shkrimtarët burra, kanë një lloj boshllëku të vazhdueshëm? Të cilin mund ta plotësonin këndvështrime të reja, më çliruese, të grave shkrimtare? (Edhe pse ndonjëherë më duket sikur edhe vetë disa shkrimtare gra i kanë këndvështruar këto personazhe sipas modeleve të vështrimeve burrërore të kolegëve të tyre.) Si e shihni ju këtë?
Neviana Shehi
Mendoni se në letërsinë botërore, përfshi edhe në atë shqiptare, personazhet femërorë duke u këndvështruar së shumti nga shkrimtarët burra, kanë një boshllëk të vazhdueshëm, të cilin mund ta plotësonin këndvështrime të reja, më çliruese, të grave shkrimtare? (Edhe pse ndonjë herë më duket sikur edhe vetë disa shkrimtare gra i kanë këndvështruar këto personazhe sipas modeleve të vështrimeve burrërore të kolegëve të tyre). Si e shihni ju këtë?
Para se të hyjmë në temë, do të ndalemi pak te simboli i Evës dhe Adamit, që është një nga më të lashtët dhe më universalët në kulturat fetare, filozofike dhe letrare. Dhe menjëherë do të shtronim këtë pyetje: a do të kishte kuptim Libri i Zanafillës pa Evën? Ose, cila do të ishte rrjedha e njerëzimit pa Evën? Përgjigjet, natyrisht, do të ishin të ndryshme dhe te shumta.Një është e qartë dhe e prerë: Adam dhe Eva përfaqësojnë origjinën e jetës njerëzore. Në kopshtin e Edenit ata janë në një gjendje pafajësie dhe paqeje. Por, kafshimi i frutit të Pemës së Ndaluar, përfaqëson kalimin nga pafajësia në mëkat. Kjo histori është përdorur shpesh si një simbol i dobësisë njerëzore, lakmisë dhe kuriozitetit të njeriut. Por, në interpretimet e më vonshme, për shkak të rrethanave të ndryshme, faji për dëbimin e tyre nga Edeni, i ngeli Evës dhe që atëherë dyshimi ndaj femrës u bë lajtmotiv i së keqes, i cili lajtmotiv, fatkeqësisht, akoma është prezent.
Me paraqitjen e Humanizmit dhe Renesansës (fillimisht në Itali), si një lëvizje e reformimit intelektual, kulturor dhe arsimor në Evropën e periudhës së Mesjetës së vonë dhe periudhës së hershme moderne, simboli i Evës dhe Adamit u përdor në letërsi, art, filozofi dhe teologji për të eksploruar natyrën njerëzore, lirinë e zgjedhjes dhe vetëdijen morale dhe sot interpretimet moderne shpesh u japin vlerë pozitive Evës dhe Adamit, duke i parë si simbol të kërkimit të dijes.
Femra në letërsinë shqipe ka një trajtim të larmishëm, i cili ka evoluar në varësi të kohës, nga figura tradicionale e nënës dhe gruas së sakrificës, deri te heroinat e fuqishme dhe femrat moderne. Pra, shkrimtarët shqiptarë e kanë pasqyruar gruan në mënyra të ndryshme.
Nga ajo që kemi lexuar, është konstatuar se në letërsinë e Rilindjes Kombëtare dhe periudhën e hershme, gruaja është paraqitur kryesisht si simbol i dashurisë për atdheun dhe familjen. Ajo përfaqëson vuajtjen, dhe njëherazi, është ruajtësja e kulturës dhe traditës shqiptare.
Në periudhën e Realizmit socialist, gruaja portretizohet si punëtore e zellshme dhe pjesë e ndërtimit të socializmit. Figura e saj është shpesh një simbol i progresit shoqëror, duke dalë nga kufizimet patriarkale.
Brezi im qe edukuar përmes veprave të ndryshme, duke u identifikuar me shumë personazhe të autorëve tanë.
Kujtojmë romanin e Haki Stërmillit “Sikur të isha djalë”, pastaj veprat e Sterio Spasses, “Afërdita” dhe “Afërdita përsëri në fshat” e shumë të tjera, të cilat vepra, atë kohë te ne lanë një impakt të çuditshëm. Në atë moshë rinore ne ëndërronim që të bëheshim si personazhet e shumë veprave, ndonëse më vonë kuptuam se jeta ishte pak më ndryshe.
Siç kemi vërejtur, në letërsinë e pas Luftës së Dytë Botërore, gruaja paraqitet si punëtore dhe kontribuuese aktive në shoqëri. Letërsia socialiste e shpërfytyroi shpesh gruan, duke e kthyer në simbol të përkushtimit ndaj kolektivit dhe partisë, shpesh duke i mohuar ndjesitë individuale.
Krijimi i boshllëkut, të cilën e përmendni Ju, e dashura Arlinda, te ne ishte pasojë e rrethanave të një mentaliteti të çoroditur, të cilën më së miri do ta ilustrojë Çajupi (në poezinë “Fshati im”):
Burrat nën hije,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë!
Megjithatë, më vonë, personazhi grua në letërsinë tonë do të trajtohet me ndryshe dhe do të fillojë ta zë vendin e merituar, do të jetë e barabartë me burrin dhe më e fortë. Pra, nuk do ta përcjellë fati i mallkuar i Evës.
Kemi shumë shkrimtarë që i kanë dhënë gruas një trajtim të thellë psikologjik dhe filozofik. Në veprat e tyre, gruaja shfaqet si një qenie komplekse, shpesh e ndarë mes dëshirave personale dhe presionit shoqëror. Për shembull, Lola në “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë, është një grua që simbolizon sensualitetin dhe lirinë, duke kundërshtuar normat e rrepta shoqërore.
Sot, letërsia shqipe pasurohet gjithnjë e më shumë me zëra femërorë që eksplorojnë tema si pavarësia, seksualiteti, dhuna ndaj grave, identiteti gjinor dhe barazia sociale. Këto zëra ndihmojnë në përhapjen e një ndërgjegjësimi të ri për rolin dhe fuqinë e gruas në shoqërinë moderne. Gruaja nuk është më vetëm një simbol, por një qenie njerëzore me konflikte të brendshme dhe aspirata.
Pra, figura e gruas në letërsinë shqipe ka kaluar nga një simbol i thjeshtë i dhembshurisë dhe sakrificës në një qenie të pavarur dhe komplekse që, pa ekuivoke, kërkon identitetin e saj në këtë botë.