Neviana Shehi
15 korrik, 2022
08:15 – Dhe sërish ndiej një lodhje, një rraskapitje, thua se tërë natën jam marrë me punë fizike. E di se kam fjetur, siç themi ne copa – copa, duke u kthyer herë në njërin e herë në krahun tjetër. Krejt kjo për shkak të vapës që sivjet ka arritur të depërtojë edhe në këtë pjesë të periferisë së Arezzos (Itali).
Në fakt, shtëpia ku jetoj me familjen, është brenda një mali, ku realisht freskia duhet të jetë kryefjala, por ja që kësaj vere, vapa ka pushtuar edhe Monte Giovin, një vend ky i bukur malor, mbase piktoresk dhe frymëzues, të cilin e zbuloi bashkëshorti im. Megjithatë, edhe pse ora ka kaluar tetën, nuk dëgjohet asnjë zë që do ta paralajmëronte edhe një ditë të re. Pra, gjithandej heshtje. Ikja nga zhurma dhe strehimi në gjirin e heshtjes ndonjëherë është e frikshme, sepse të kujton botën e varrezave, për dallim prej zhurmës që është reflektim i gjallërisë, jetës, por edhe kaosit…
Shpejtoj të jap shenja gjallërie, marr celularin dhe grupit të shoqeve i uroj një ditë të mirë e të mbarë. Është ky një ritual i përditshëm, thjesht për ta plotësuar atë zbrazëti që krijohet nga mungesa e njerëzve të zemrës. Jemi shpërndarë gjithandej: në Rimini, Veronë, Milano, Gjermani dhe sado kudo pranë njëra tjetrës na mbajnë rrjetet sociale. Kam shumë mall për to, njëkohësisht edhe dhimbje. Shpesh, kur vetmia më mbështet për muri, malli dhe dhimbja më shndërrohen në pikëllim.
Pastaj, është edhe malli i përditshëm për vendlindjen, për Durrësin, aty ku kalova fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë sime. Pikërisht fragmente të kësaj periudhe të jetës sime, fatmirësisht i gjej në librin e mrekullueshëm të Lea Ypit, “Të lirë, të rritesh në fund të historisë”….
10:30 – Jam ulur në verandë dhe vazhdoj të lexoj librin e Leas. Nuk ngutem ta përfundoj, sepse nuk dua që ta kaloj shpejtë atë pjesë të fëmijërisë, për të cilën vonë kuptuam se shumë gjëra ndodhën jashtë vëmendjes sonë. Mbase, të pakta ishin ato familje që, përmes formave të ndryshme, nuk e ndjenë vrazhdësinë e atij sistemi, që shkaktoi dhimbje pa fund. Ky ishte fati ynë. I lexoj disa faqe dhe pastaj sërish u kthehem, sepse në atë rrëfim, diku midis rreshtave, shoh Nevianën fëmijë, e cila kishte shumë ëndrra, disa prej të cilave thjeshtë u shuan ose mbeten vetëm kujtime, të cilat, një ditë, kur u përhap lajmi se jemi të lirë, bashkë me shumë të tjera, i morëm me vete në kohën e kapërcimit të madh të detit në kërkim të një jetë “më të mirë”.
14:30 – Pas drekës, gjithmonë, sipas një rregulli të pashkruar, mali rreth shtëpisë sonë mbulohet me një heshtje të çuditshme, ndonëse nuk jam e bindur se është heshtje. Dhe pikërisht në këtë kohë sikur zgjohen muzat e frymëzimit dhe ulem e shkruaj. Dhe atë që e shkruaj, zakonisht e lë anash dhe i kthehem pas një kohe dhe e përpunoj derisa të bindem se ka marrë formën përfundimtare, ndonëse në një lexim të serishëm prapë ndiej se nuk është ajo që duhet të jetë. Pra, gjithmonë mbetet një zbrazëtirë e paplotësuar dhe bindja se vargjet akoma duhet të latohen. Është ky ai ankthi i përditshëm mes teje dhe unit tënd, që kurrë nuk gjejnë gjuhë të përbashkët kur bëhet fjalë për poezinë apo tregimin. Është një luftë e heshtur në shpirtin e trazuar. Krijuesi i vërtetë nuk besoj se gjen paqe shpirtërore, përkundrazi vazhdimisht është i sfiduar nga shqetësimet e ndryshme, sepse fjala e bukur ndonëse mëton drejt përsosjes, këtë asnjëherë nuk e arrin. Soren Kirkegard ka thënë: “E çfarë është poeti? Një njeri i palumtur që e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e të cilit janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur”.
Ka ditë që më është fiksuar një fakt se ne të gjithë kemi sekrete, të cilat i kemi mbyllur në shpirtin tonë. Shumica e këtyre sekreteve shuhen bashkë me jetën. Dhe mund ta marrim me mend se sa sekrete kanë përfunduar në varre. Po pse këtyre sekreteve nuk ua japim lirinë, pse në shpirtin tonë ekziston edhe një kënd që i ngjan burgut? Të jetosh me sekret në shpirt ndoshta mund të mos jetë keq, sepse në një mënyrë këto sekrete janë të ngjashme me ëndrrat, ndaj askush nuk mund të na ndalojë që të mos ëndërrojmë.
Vite më parë kam ëndërruar një Lis në mes të shkretëtirës dhe që atëherë, vazhdimisht në ëndërr e shoh veten duke e ujitur atë Lis. Ndonëse kam bërë përpjekje, deri më tani nuk kam arritur të gjej një shpjegim adekuat se pse asnjë natë nuk më shqitet kjo ëndërr. Mbase ndoshta është vetëm një fiksim i krijuar nga një gjendje e pashpjeguar shpirtërore, mbase edhe kjo vetvetiu do të ngelë sekret.
19:00 – Pas një ndërhyrjeje të domosdoshme kirurgjike, të kryer dy vjet më parë, specialisti më rekomandoi që për çdo ditë të eci së paku një orë. Merre seriozisht këtë, sepse kjo është kura e vetme efikase, më tha mjeku.
Dhe ja tek jam në parkun e madh të Arezzos, duke bërë ecjen time të përditshme, e cila më jep kënaqësi të veçantë. Ndonjëherë në lëvizje e sipër dëgjoj muzikë, ndonjëherë përpunoj ide çasti, ndonjëherë në mendime i kthehem vendlindjes, i kujtoj ata që më nuk janë midis nesh… Eci dhe ndiej se çlirohem nga ndonjë mbetje ankthi, ndiej lehtësim dhe mbushem me energji pozitive.
E dua jetën dhe dua ta jetoj me të gjitha të mirat e të këqijat. Dua që për çdo vit të shkoj në vendlindje, të ulem buzë detit, bashkë me vajzën time dhe ta shoh bukurinë e perëndimit të diellit, çastin kur të krijohet përshtypja se po zhytet atje larg në fund të detit. Dua të mbushem me ajrin e vendlindjes.
Eci dhe ndihem e relaksuar, e përmbushur shpirtërisht. Ndiej se jam shumë afër për ta tejkaluar përfundimisht rrezikun e paraqitjes së serishme të sëmundjes dhe dhënies fund të ankthit të mbërthyer në parzmën time prej gati dy vjetësh. Ndaj, vazhdimisht u them njerëzve bëni ecje, sepse është kura më e natyrshme e çdo sëmundje.
23:30 – Sërish marr celularin dhe shoqeve të grupit u dëshiroj një natë të mirë e të qetë. Pastaj lexoj diçka që ka të bëjë me pikturën e piktorët, sepse vite më parë jam marrë edhe me pikturë. Dhe kur jemi te piktura, dua të them se nuk jam përshëndetur përfundimisht, përkundrazi ngjyrat dhe penelin i kam dhe shumë shpejt sërish do të jem në shoqëri të ngjyrave. Pastaj lexoj shkrime për mitologjinë dhe arkeologjinë.
Sa herë që shtrihem në shtrat, për të fjetur pas mesit të natës, sidomos gjatë netëve të verës, shikimin drejtoj kah qielli dhe shikoj yjet. Dhe, siç u ndodh të gjithëve, shikimin e përqendroj te ylli më i afërt, të ai yll, për të cilin besojmë se na sjell fat. E di se pastaj zhytem në mbretërinë e heshtjes….