Kur publiku e ndërton ideologjinë (apo mungesën e saj) nga memet/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Kronikë nga Dogville by

E çfarë gjërash “monstruoze” do t’u bëjë Soros-i popujve të Ballkanit dhe më gjerë, që nuk ua kanë bërë qeveritarët e tyre autokratë, ndaj të cilëve këta popuj nuk rebelohen? 

  Arlinda Guma

Çfarë di unë për George Soros-in?

1. Di që ai është spekulant. Di që emri i tij lidhet pazgjidhshmërisht me termin “E Mërkura e Zezë”, i cili i referohet 16 Shtatorit të vitit 1992, kur një kolaps i paundit e detyroi Britaninë të tërhiqej nga Mekanizmi Europian i Kursit të Këmbimit (ERM). Mbretëria e Bashkuar u detyrua të dilte nga ERM-ja sepse nuk mund të parandalonte që vlera e paundit të binte nën kufirin e specifikuar nga ERM-ja. ERM-ja u krijua në fund të viteve 1970 për të stabilizuar monedhat e vendeve europiane që përgatiteshin për Bashkimin Ekonomik dhe Monetar (EMU) dhe futjen e euros. Vendeve që kërkonin ta zëvendësonin monedhën e tyre me euron iu kërkua ta mbanin vlerën e monedhës së tyre brenda një intervali specifik për disa vite. Dhe “të Mërkurën e Zezë”, George Soros-i e sfidoi Bankën e Anglisë. Ai mendonte se Britania përfundimisht do të dështonte në përpjekjet e saj për ta mbështetur paundin. Kjo ishte gati si një profeci vetëpërmbushëse. Një ditë përpara “të Mërkurës së Zezë”, Fondi “Quantum” i Soros-it filloi të shiste sasi të mëdha paundi në treg, duke bërë që çmimi të binte më tej. Edhe pse Banka e Anglisë ndërmori hapa për të ndaluar shitjen, ajo ishte e pasuksesshme. (Nga ana tjetër, “e Mërkura e Zezë” e mbajti Britaninë e Madhe jashtë eurozonës dhe e shpëtoi atë nga problemet më serioze ekonomike që do të vinin më vonë.) “Të Mërkurën e Zezë”, Banka e Anglisë deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të largohej nga ERM-ja europiane. George Soros-i atë ditë fitoi 1 miliard dollarë.

2. Di që politikanët që kanë probleme me George Soros-in janë të gjithë autoritarë: Viktor Orbán, Erdogan, Sali Berisha. (Gjatë një dhjetëvjeçari të qeverisjes së Viktor Orbán-it, Hungaria zbriti në vendin e 69 për lirinë e shtypit, Erdogani ka mbushur burgjet me gazetarë, ndërsa gjatë qeverisjes Berisha, në protestën e 21 Janarit ku u vranë 4 vetë, një gazetar, i cili u plagos në dorë, u detyrua të kërkonte azil politik në një shtet europian sepse i rrezikohej jeta. Nuk po përmend të tjera fakte të tmerrshme gjatë qeverisjes së këtij të fundit, por meqë jam këtu, dua t’u sugjeroj gazetarëve shqiptarë që të mos ta përdorin më termin “lider historik” sa herë që flitet për të! Në vendet demokratike nuk ka liderë historikë. Në vendet demokratike këta lloj individësh nuk i quajnë liderë historikë por liderë histErikë. Në vendet demokratike, politikanët pas njëfarë kohe largohen vetë nga skena publike. Liderë historikë ka vetëm në vendet autokratike. Dhe janë ata që nuk largohen kurrë nga skena politike.)

3. Di që shumë të rinj shqiptarë janë edukuar në shkollat më të mira europiane me financimet e fondacionit të George Soros-it.

4. Di që po t’i dërgosh ndonjë e-mail institucionit të tij në Shqipëri, nuk do të marrësh kurrë përgjigje.
Di gjithashtu se njerëzit që e kanë drejtuar nëpër vite këtë institucion në Shqipëri, nuk kanë qenë shembull integriteti.

Kaq di unë për George Soros-in.

Por a më mjaftojnë mua këto të dhëna për të nxjerrë përfumdimin se ai kërkon me çdo kusht që ta shpopullojë Shqipërinë? Se ai kërkon ta shfarosë popullin shqiptar?
Jo. Nuk më mjaftojnë.
Një spekulant-filantrop? Ky fakt më vë disi në mendime dhe më hedh ca fije dyshimi por, a kam fakte për këto dyshime? Nuk kam. As edhe një… Dhe si një njeri që u beson fakteve dhe vetëm atyre, e kam të vështirë të besoj legjendat urbane që rrëfejnë një mijë e një të zeza për të.
E megjithatë, sa herë që përmendet emri i tij, seç më krijohet një ndjesi negative. Në një mënyrë krejt instiktive. Një ndjesi negative që më vjen prej nëndërgjegjes.
Ja pra, i gjithë ky agresivitet lajmesh që prodhojnë mediat mbi përbindshmërinë e këtij njeriu, ka sulmuar edhe pavetëdijen time; pavetëdijen e një njeriu të lirë e të pavarur. Ja pra, edhe në pavetëdijen e një njeriu të painfluencueshëm siç jam unë, kjo lloj histerie mediatike e ka lënë një efekt.
Dhe kur ky bum agresiv lajmesh bën efekt tek unë, përfytyroni se ç’katrahurë mund të shkaktojë tek njeriu i masës, tek turma që merr të mirëqenë çdo lajm të rremë, që lexon apo që sheh çdo konspiracionist që del në televizor apo çdo meme. Përfytyroni se çfarë batërdie ndodh në trurin e tij nga ky bombardim i vazhdueshëm, i cili të vetmin qëllim ka të rrisë fiktivisht audiencën me gjëra sensacionale, jo domosdshmërisht të vërteta, gjë që përkthehet në përfitim ekonomik; kjo u duhet mediave sot, pa se ç’ndodh në trurin e shqiptarit që i ndjek, ky nuk duket të jetë aspak problem i saj.
Dhe ja, kështu fermentohet një psikozë masive lidhur me këtë njeri, e cila pastaj shpërthen në formë memesh e komentesh nga më haluçinantet në facebook, ku George Soros-i shahet në një mënyrë aq pasionante, a thua se të gjithë këta komentues e kanë njohur personalisht, se “kanë ngrënë në një çanak me të” dhe se e dinë mirë se për çfarë flasin.
E çfarë gjërash “monstruoze” do t’u bëjë Soros-i popujve të Ballkanit dhe më gjerë, që nuk ua kanë bërë qeveritarët e tyre autokratë, ndaj të cilëve këta popuj nuk rebelohen? Asgjë nuk ka mbetur pa bërë! Por ama gjithandej nëpër meme shohim George Soros-in si gogolin e njerëzimit dhe jo këta qeveritarë.

Po marr një shembull tjetër.

Çfarë di unë për politikanin Nard Ndoka?

Di që dikur ka qënë kreu i një partie politike. Di gjithashtu që një emision satirik, i një televizioni të paskrupullt, i kërkoi atij të thoshte një fjali siç emisioni e kishte në skenar. Dhe Nard Ndoka, në mirëbesim, e tha atë fjali. Ajo fjali më pas u bë meme dhe tani i gjithë opinioni publik mendon se ai është një personazh qesharak, se ai nuk është dhe aq inteligjent. Të gjithë qeshin me Nard Ndokën sepse kanë parasysh batutën që ai tha në atë emision dhe asnjë nuk e merr seriozisht. Kur, në të vërtetë, po ta dëgjosh me vëmendje, ai thotë gjëra me vend. Por fatkeqësisht, askush nuk sheh përtej memeve të panumërta që vazhdojnë të prodhohen nën emrin e tij, dhe ndërkohë ish-realizuesit e emisionit e thonë me krenari se ishin ata krijuesit e këtij imazhi; të padrejtë dhe denigrues për personin në fjalë.

Po marr një shembull tjetër.

Çfarë di unë për politikanin Lulzim Basha?

Di që, ndryshe nga shumë politikanë shqiptarë, ai nuk është arrogant. Di që ka një natyrë të sjellshme, krejt e kundërta me atë imazhin e politikanit të hurit e të litarit me të cilin është mësuar psikoza e popullit shqiptar. Kjo mendësi është formuar me modelin e tipit të fortë të politikanit dhe nuk e përballon dot modelin e butë që i propozon Lulzim Basha. E sikur të mos mjaftonte kjo, kësaj psikoze i shtohet edhe një meme që qarkullon prej vitesh në internet; një fotografi që i është bërë fshehtas Lulzim Bashës ndërsa ai është duke fjetur në divanin e zyrës. Dhe çdo herë që politikani Lulzim Basha ndërmerr ndonjë aksion opozitar, në rrjet çuditërisht riqarkullon ajo foto dhe gjithçka zhvlerësohet. Populli nuk e ndjek në aksionet e tij.
Por në analizën që unë si njeri i pavarur dhe i painfluencueshëm i bëj asaj fotoje përfshihen edhe opsione si:
1. Lulzim Basha sapo është kthyer nga një udhëtim i largët dhe nuk ka patur kohë të shkojë e të çlodhet në shtëpi sepse më pas e pret një mbledhje tjetër…
2. Lulzim Basha është ndjerë papritur keq (njerëz të gjallë jemi) dhe dikush e ka këshilluar të shtrihet në divanin e zyrës për t’u qetësuar…
E shumë e shumë opsione të tjera si këto.
Por turma, masa, këto opsione nuk i llogarit. Ajo komenton çfarë sheh dhe ajo që shpesh shihet nëpër meme është lehtësisht e keqinterpretueshme.
Por përse po i shkruaj të gjitha këto?
Mora si shembuj tre persona publikë, për të treguar sesa lehtë mund të deformohet dhe manipulohet e vërteta nëpërmjet memeve. Se lehtë mund shpërfytyrohet imazhi i një individi prej tyre. Sesi mund të rrënohet e të denigrohet ai thjesht me një foto dhe me ndonjë thënie të keqinterpretueshme.
Por ky nuk është i vetmi shqetësim që kam.
Një shqetësim tjetër është fakti se memet shpesh mund të shfokusojnë targetin e shënjestrës së opinionit publik. Shpesh ato, në vend që të shënjestrojnë dëmtuesin, shënjestrojnë të dëmtuarin. Pa përmendur këtu sfondet seksiste, raciste, etj. (Dhe turma që ndërkohë i brohoret pa pushim si robote.)
Kështu, në vend që të rebelohet ndaj qeverisë, publiku është ngulur tek Soros-i. Ai dhe vetëm ai është armiku i madh i shqiptarëve!
Kështu, në vend që të rebelohet ndaj qeverisë, publiku analizon flokët e Lulzim Bashës, mungesën e tij të arrogancës, aftësitë e tij matematikore apo mënyrën sesi fle.
Është në të mirën e popullit shqiptar që të ketë një opozitë të fortë dhe duke e shkurajuar atë nëpërmjet memeve, publiku nuk bën gjë tjetër veçse dëmton interesat e tij. Publiku kështu punon kundra vetes. Sa më e fortë opozita, aq më i përfaqësuar është ai. (Kushdo qoftë kjo opozitë.)
Sloganet e memeve shpesh edhe e normalizojnë të keqen, i japin asaj nota të pranueshme humori, ndërkohë që në këtë pikë të realitetit të zymtë shqiptar duhet një përshkallëzim opozitar i fuqishëm nga të gjithë kahet.
Shpesh ky lloj shfokusimi është edhe i qëllimshëm, nga njerëzit e qeverisë, për të larguar vëmendjen nga problemi i vërtetë; keq-qeverisja. Dhe më vjen keq ta them, por publiku gjithmonë gënjehet lehtë.
Një e vërtetë tjetër fshihet përtej botës së memeve, por publiku përton ta zbulojë. Ai beson vetëm gjërat e gatshme që i serviren, pa e vënë kurrë në punë logjikën e tij.
Sot po i shkruaj këto fjalë se kam frikë nga një popull që e ndërton ideologjinë (apo mungesën e saj) nga memet.
Sot po i shkruaj këto fjalë se kam frikë nga një popull që edukohet nga ato.
Sot po i shkruaj këto fjalë se kam frikë nga një popull që përton të mendojë!

© Arlinda Guma, 24.10.2021

Ndalohet riprodhimi  i këtij shkrimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.