Poezi nga Shpëtim Selmani
*
Dita ishte bërë e bukur,
pasi kisha hequr pluhurin nga
rafti i librave,
po palosja rrobat e gruas, ndërkohë po
dëgjoja “Sparklehorse”,
(nuk ka gjë më të ndërlikuar se palosja
e rrobave të grave),
ia dija historinë secilës bluzë,
secilës këmishë, secilit fustan,
ja, këtë e kishte veshur në Firenze,
ndërsa pinim verë të bukur nga Toskana,
ishte e lumtur,
këtë fustan e kishte veshur
kur më braktisi për gjashtë orë
e tre minuta,
ishte e dëshpëruar,
këtë këmishë e kishte veshur
kur e pashë për herë të parë tek ngutej,
jeta është një shumësi gjërash teknike,
këtë shall me ngjyrën e qiellit
e kishte kur më akuzoi për diçka,
që fatkeqësisht tash për tash nuk më kujtohet.
Palosja rrobat e saj,
secila prej tyre ishte shtëpi kujtimesh,
pas shumë shekujsh filozofie,
jetoja ende me idetë poetike
të njerëzve të parë*.*sipas Andre Breton.
Gruas-Shpëtim Selmani
Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke të lashta u kam