Ekstazë vjeshtore-Marsela Neni
Kur Migjeni shkroi
“Ekstazë pranverore”,
Mendo!
Ai s’mund të na imagjinonte dot
ne të dy në ekstazë, i dashuri im.
Ne duhemi në vjeshtë:
në kohën kur butet e mbushura me rrush
shtypen me drithërimë e këngë ndër buzë;
vera dhe rakia ngrenë dolli për shpirtrat tanë
që rroken ndër shtjella të ajërta,
larg bërsive, larg baltrave të lotëve mëkatarë,
flladi i shtatorit si ‘Balsami i Galaadit’*
na i pështjell tempujt e vetes
dhe të përgjunjur
përpara dhimbjes së dashurisë
ujin, që na rrjedh thellësive,
e kthejmë në verë.
*Balsami i Galaadit- bimë e veçantë e përmendur në Bibël. Përdorej për të prodhuar parfume, temjan dhe ilaçe. Ishte mjaft e çmuar në Lindjen e Mesme për vetitë kurative. Një nga përbërësit e parfumit të parapëlqyer të Kleopatrës, mbretëreshës legjendare të Egjiptit.