Pse shkruaj?-Marsela Neni

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga poetja Marsela Neni.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Marsela Neni

Pse shkruaj? Në një esé të fëmijërisë, në përpjekje për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, shkruaja: ʺMos e pyesni Lizën e Luis Kerolit (Louis Carroll) pse e ndoqi pas lepurushin Beni Bani për në Botën e çudirave! Ajo, me siguri, e di se çfarë e nxiti atë ʺrrëzim fluturuesʺ, por ajo nuk e di me siguri se pse u nxit.“
Dikush që shkruan, në përpjekje për të shkruar bukur, di edhe ta kompromentojë mendimin, ndaj unë zgjedh me vetëdije t‘i përgjigjem në mënyrë të sinqertë lexuesit, sikurse do t’i përgjigjesha një fëmije, nëse do të ma drejtonte këtë pyetje, sepse fëmijët meritojnë veçse përgjigje të sinqerta.
Në botën e njëmendtë, të gjithë jemi pjesë e mekanizmit të pamëshirshëm të provokim-reagimit dhe zemreku i kohës sonë e përligj vetveten të lidhur jo vetëm me logjikën e rrjedhës së kronosit, por edhe në lidhje me shkaqet e pasojat, kështu që, që në premisë, do më duhet të ndaj dy pyetje, përgjigjet e të cilave shpesh ngatërrohen me njëra-tjetrën:
1. Pse shkruaj?
2. Përse shkruaj?
(E para më kërkon t’i zbuloj lexuesit shkaqet dhe e dyta qëllimet e të shkruarit. Në fakt, përgjigjia është goxha e vështirë dhe e komplikuar, pasi të shkruarit shihet edhe si proces edhe si produkt.)
Në fëmijëri e përfytyroja shpesh veten si Liza dhe të shkruarit ishte për mua si bota e saj e çudirave, por e rritur përpara kohe nga përvoja të ashpra jetësore, të shkruarit m’u shndërrua nga “vendi i aventurës“ në ʺqoshk parajse“, ʺkolovajzë Edeniʺ apo ʺqiej të shqepur lotësh“. Por këto sintagma nuk më mjaftojnë tani as për të përcaktuar të shkruarin as për t’i shpjeguar fillimisht vetes e pastaj të tjerëve pse dhe përse shkruaj. Mbase me kohën edhe këto që po listoj më poshtë, nuk do të mjaftojnë, sepse mistikja nuk qëndron aspak tek përgjigjet vetjake, por tek shenjtëria e pyetjes që na drejtohet.

Shkruaj sepse besoj se ky është talenti im.

Duhet të kem qenë rreth 8 vjeç, kur m’u bë një zbulim. Në një nga fletushkat që besimtarët e krishterë na vinin poshtë derës, lexova një pjesë nga Ungjilli sipas Mateut që fliste për ʺshëmbëlltyrën e talentave“. E kam lexuar atë histori dhjetëra herë dhe nuk arrija ta kuptoja pse Zoti e trajtoi aq keq shërbëtorin që i dha një talent dhe ky e groposi për ta ruajtur dhe nuk e zhvilloi dhe shumoi siç bënë shërbëtorët e tjerë. U ndjeva e ngushëlluar vetëm kur, pas disa vitesh, kuptova domethënien e asaj shëmbëlltyre: Dhuntitë janë dhurata që Zoti na ka dhënë, janë paja hyjnore, bekimi unik që Zoti ka caktuar për secilin prej nesh. Fuqia hyjnore asnjërin prej nesh nuk e ka sjellë lakuriq në këtë botë dhe me vete i ka dhënë mundësinë për të gjetur lumturinë. Ne jemi një frymë që peshojmë veçse 21 gramë, të mbarsur me një ose shumë dhunti, që banojmë në një shtëpi të gjallë e të brishtë prej mishi, uji e kockash. Por Zoti, ashtu siç është zemërgjerë dhe na ka pasuruar nga pasuria e vet, kërkon që ne ta zbulojmë cila është ajo dhunti, e, pasi ta zbulojmë, ta rrisim e ta zhvillojmë, ta bëjmë të dobishme për veten dhe të tjerët, kështu që dhe ne do t’i gëzohemi fryteve të krijimit. (Kjo shpjegon edhe pse Zoti e ndëshkoi shërbëtorin që e groposi talentin dhe shpërbleu shumëfish dhe me gëzim të tjerët.) Shpesh, atë çka kemi përpara syve dhe e bëjmë në mënyrë të natyrshme, ne e shpërfillim, dhe e sfidojmë veten në shumëçka për të zbuluar dhuntitë tona. Me kohë kuptova që poezia ishte fari im me të cilin mund ʺt’u ndritojaʺ, qoftë edhe fare pak, rrugën ʺtë humburveʺ, qoftë edhe nëse ky i humbur ishte shpirti im. Të shkruarit është një lloj vuajtjeje që të shpërblen me çlirim. Unë shkruaj, sepse besoj se rilindja e vërtetë e njeriut realizohet përmes fjalës. Fjalët kanë fuqi të na ndryshojnë.

Unë e dua gjuhën shqipe, ndaj shkruaj.

Gjuha është lënda me të cilën zihet brumi letrar. Bukëpjekësi e vlerëson bukën jo thjesht nga masa e saj, por më tepër nga cilësia e miellit të përdorur. Po kështu gjuha është lënda që na përcakton individualisht dhe kombëtarisht. Ajo është thesari më i madh i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Si një thesar që më përket, unë kam një detyrë të shenjtë ta ruaj atë, jo ta gropos, siç groposen e fshihen thesaret, por duke u ushqyer prej saj, duke shuar etjen me të, duke e latuar, pastruar e shkëlqyer me kujdes të rrallë, duke folur me të, duke luajtur me të, duke e dashuruar atë. Shkrimtarët vdesin kur lënda krijuese në veprat e tyre nuk gjallon më. Çdo ditë përpiqem të mësoj të paktën një fjalë të re. Përpiqem ta përdor në shkrimet e mia, edhe kur ajo është ʺmjaft plakëʺ për të gjalluar në sistemin eptimor të shqipes. Ky shërbim i vogël është një prej pesë gjuhëve të dashurisë me të cilën unë komunikoj me gjuhën e nënës sime. Ky është shërbimi më i denjë që mund t’i bëj atdheut.

Të shkruarit është protesta ime, qëndresa ime, guri im i varrit.

Sipas mendimit tim, shkrimtari, para së gjithash, duhet të jetë njeri, një njeri që ka një zë, një njeri që ka një zë dinjitoz e të fuqishëm. Poezia është forma ime e protestës. “Unë protestoj, pra jam.” Në një realitet ku hierarkia e vlerave është bërë hierarkia e turpit, ku dashuria është e gënjeshtër dhe mashtrimi e vërteta, ku dija është korruptuar dhe ndershmëria konsiderohet virtyt i budallait, ku gjithçka i ngjan një teatri të madh për të fjeturit dhe katarsasi i vetëm është larja e trurit, të shkruarit është një mekanizëm për t’i shpëtuar kthetrës së marionetave të pushtetit, çmendurisë dhe për t’iu arratisur vdekjes së shpirtit. Liria është e shenjtë për atë që bën art të vërtetë. Ndaj shkruaj, për një copëz liri, për të mos harruar, për të qenë një gjurmë në shkëmb që dallga mos ta fshijë dhe nga direku i anijes së shpirtit tim, përmes këngës sime, të dëshmoj: ʺUnë isha këtu!ʺ.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top