Kishim kujtuar se Ministrja e mëparshme e Kulturës, Mirela Kumbaro, ishte “tavani i sheshtë” i konceptit paaftësi. Madje ajo dhe stafi i saj karakterizoheshin edhe nga një lloj dashakeqësie ndaj letërsisë së re shqiptare që nuk ecën me patericat e politikës…
Por jo! E keqja nuk paska fund!
Ministrja e Kulturës që pasoi, Elva Margariti, përveç gjithë këtyre që numëruam, ka diçka më tepër; ajo është edhe qesharake!
Në ditët e para që mori detyrën e pamë krah për krah me Artan Lamen dhe Aluizmin! Se çfarë lidhjeje kishte një Ministre Kulture me Aluizmin, këtë vetëm ajo mund ta thotë, por mbase shpjegimin e jep një lapsus frojdjan që bëmë ndërsa shkruanim fjalën “Kulturë”; e shkruam “Kukulturë”! Se në të vërtetë kultura sot në Shqipëri është bërë për t’u qarë me vaje e me kuku-ra… (Taksa e përbindshme mbi librin që qeveria rilindase ka vendosur vitet e fundit, e vërteton më së miri këtë… Për të mos përmendur favoret e pamerituara që u bëhen autorëve mediokër me të njëjtën kah politik…)
Kështu pra, pas një gjumi të rëndë letargjik pas veprimtarive të lodhshme me Artan Lamen dhe Aluizmin, tani Ministrja e Ku(ku)lturës “godet sërish”… Ajo ka publikur në faqen e saj në facebook një nismë për librin. Dhe a e dini kë fton të bëhet pjesë e hapjes se kësaj veprimtarie? Ajo fton pikërisht “akademikun” e madh Lorik Cana… si autor të disa librave, besojmë…
Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim me padurim çastin kur shkrimtari Ismail Kadare të inagurojë Stadiumin Kombëtar!
Ndoshta do të ishte më e udhës që kjo zonjë të vazhdonte të zbukuronte me çentro zyrën e shefit të madh, ashtu siç ka bërë dikur. Kështu, dëmet që do të sillte do të kufizoheshin vetëm në estetikë…
Komedinë e ndiqni këtu:
E lumtur të ndaj me ju nismën më të re të Ministrisë së Kulturës:#Dhuro #Gjej #LexoËshtë #TetoriLibrit muaji i…
Posted by Elva Margariti on Tuesday, October 1, 2019