Në një shkrim të mrekullueshem drejtuar studentëve të mjekësesisë, me titull «Etika e kërkimit shkencor», Karl Popper, filozof i shkencave të shekullit të XX-të, përqendrohet në qëndrimin që mbajnë njerëzit ndaj gabimit. Ai thotë se meqë progresi i detyrohet më shumë korigjimit të gabimeve se sa grumbullimit të njohurive, ne duhet të hidhemi pa komplekse në kërkim të gabimit. Por, shpjegon ai, morali na ka edukuar se gabimi duhet të dënohet, e ne i fshehim gabimet.
Kujtim Drishti
Është e çuditshme kur konstatojmë se sa e sipërfaqshme është ndonjëherë bindja jone.
Për një të vërtetë, mbi të cilën ne do të bindeshim vetë, pa ndërhyrjen e ndokujt, mjafton që të na thonë: «Ti nuk e di… ose ti e ke gabim !», që të lindë tek ne një dëshirë për ta kundërshtuar bashkëfolësin, vetëm për arsyen se përpara se të flasë për të vërtetën, ai bëri një gjykim, e gjykimi prek sedrën tonë e nga ai çast biseda zhvendoset nga një diskutim mbi të vërtetën, në një luftë sedre.
Ky mendim i William James-it, psikolog e mendimtar i famshëm amerikan, më vjen në mendje sa herë pyes veten përse shqiptarët nuk merren vesh me njëri-tjetrin.
Për vite me radhë kam konstatur këtë fenomen që unë e quaj «Gracka Primitive e Sedrës », në biseda me ta, si këtu në Francë, edhe në Amerikë, por më shumë akoma në Shqipëri, në vendin tim.
Këndvështrimi historik i Grackës Psikologjike
Unë e quaj «grackë», sepse ndërsa mjeti i kerkimit të së vërtetës është arsyeja, njerëzit përdorin një mjet tjeter: joarsyen, sedren që u jep drejtim drejt vetes së tyre, jo drejt së vërtetës.
Unë e quaj «primitive», sepse sedra formohet nga një refleks i lashtë, i lindur dhe i rregjistruar në trurin e njeriut në një raport forcash midis njerëzve, të cilët për arsye të mbiekzistencës vihen në garë kush të zotërojë gjahun.
Në kohët modernë ky refleks shpërthen jo si nevojë e zotërimit të gjahut, por si nevojë e egos për t’u afirmuar si më i zoti se tjetri, si ai qe ka zotëruar gjahun, si ai që zotëron të vërtetën. E ky fenomen vazhdon në; kush është më i forti, kush është më i dituri, kush është më i zgjuari ose kush është më i pasur. Kjo bën pjesë në natyrën e njeriut.
Por natyra ngatërrohet kur njerëzit nisen sinqerisht në kërkim të së vërtetës, subkoshienca e tyre në shtysën për të treguar pushtet mbi tjetrin nuk nxjerr dhëmbët, nuk nxjerr muskujt, por përdor një dredhi. Ajo merr hua nga koshienca dhe morali elemente racionale për të formuar një armë vringëlluese; Gjykimin e Tjetrit që në frazat e para të debatit.
Është pra kjo Grackë Primitive ku ata bien, që nuk lejon vënien në plan të parë të argumentit, e kjo i jep fund diskutimit mbi të vërtetën. E atëherë ne nuk arrijmë të themi; «de la discussion jaillit la lumière» – nga diskutimi del drita, siç thonë francezët.
Etika e kërkimit të së vërtetës
Në një shkrim të mrekullueshem drejtuar studentëve të mjekësesisë, me titull «Etika e kërkimit shkencor», Karl Popper, filozof i shkencave të shekullit të XX-të, përqendrohet në qëndrimin që mbajnë njerëzit ndaj gabimit.
Ai thotë se meqë progresi i detyrohet më shumë korigjimit të gabimeve se sa grumbullimit të njohurive, ne duhet të hidhemi pa komplekse në kërkim të gabimit. Por, shpjegon ai, morali na ka edukuar se gabimi duhet të dënohet, e ne i fshehim gabimet. Pra, në raport me të vërtetën, morali na ka kthyer në hipokritë.
Por veçoria e rrugës sonë drejt të vërtetave, tregon se asnjëri nuk ka qenë zotërues i së vërtetës, e jo vetëm aq, por veçoria tjetër është se gabimi është shoqëruesi pa pushim i kësaj rruge.
Prandaj ne duhet të hidhemi në kërkim të gabimeve. Kjo është më e thjeshtë në shkencë e më e vështirë në jetën e përditshme, që kur mesuesja nuk tregon gëzim që u gjet një gabim për t’u korrigjuar, por tregon hidhërim të derdhur në një notë të keqe.
Ai këshillon të gjithë njerëzit që duan të paraqesin tezën e mbrojtur në shkencë që të jenë modestë, sepse duhet të ruajnë thellë në veten e tyre idenë eventuale të një gabimi në tezë
Proverba popullore kundër Grackës
Mençuria e popullit mbulon çdo centimetër të jetës së tij shpirtërore. Kjo mençuri, e derdhur në proverba, ku arti i saj shkëlqen, të mrekullon. Askush nuk mund të thotë se populli ynë është primitiv. Prandaj kultura e tij peshon shumë më tepër se kultura publicitare e televizioneve tona, e ndonjëherë edhe se ajo e shkollave tona.
«Gjithkush leu, mend e veta pëlqeu (Elbasan). «Marria më e madhe është me kujtu vedin të mençëm» (Shkodër). «Kalliri me bukë nuk i ngre kryet përpjetë» (Jug). «Ai që do të zihet, zihet dhe me macen » (Dardhë).
Për këtë temë, midis proverbave unë zgjodha njërën prej tyre, që ka një domethënie të thellë e të paraqitur me humor.
«Gjeli mbret, në pleh të vet»
Që me figurën e zgjedhur alegorike të gjelit, populli të përplas në fytyrë me humor, por dhe me ironi, talljen e tij me gjelin, por edhe me ty që e konsideron veten mbret në diskutim.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ai të hedh në fytyrë dhe «plehun», këtë antitezë vlere me mbretin, e të jep një mjet të fuqishëm distancimi nga «plehu» jot, që përfaqëson botën tënde të vogël me të gjithë mbeturinat e saj.
Por gjeli mbetet një figurë jo e mençur, prej së cilës më shumë se kënga e tij shkëputet krekosja, kjo krenari mendjemadhe.
Imagjinoni tani sikur i gjithë teksti i këngës së gjelave t’i kushtohej plehut nën këmbët e njëri-tjetrit.
Atëherë nuk do të kishte as këngë, as argument për të vërtetën, sepse të gjithë do të mbyteshin në plehun e njëri-tjetrit e do ta linin të vërtetën jetime.