Kujtim Drishti
Qesha me të madhe kur dëgjova historinë. Pastaj u zhyta në mendime derisa i vura një titull historisë shumë përfaqësuese të realitetit tonë, por pa ditur se nga shkonin këto dy lumturi, tek cilët personazhe të historisë.
Në pazar ndihej era dhe tymi i salçiçeve që një tregtar po përgatiste për klientët e tij. Tymi krijonte një ndjenjë urie dhe kënaqësie në turmën e madhe të njerëzve.
Një fshatar i varfër nxori nga trasta një copë bukë, iu afrua vendit ku piqeshin salçiçet dhe filloi të hante bukë thatë, me shumë kënaqësi.
Tregtari kuptoi se fshatari po kënaqej vetëm me tymin. Por tymi nuk po i sillte lekë. Atëherë ai vendosi të bëjë padi kundra fshatarit.
Ditën e gjyqit, gjykatësi i dëgjoi të dyja palët me shumë vëmendje.
Në kohën kur ata prisnin vendimin e tij, gjykatësi i kërkoi fshatarit të nxirrte një monedhë të vetme metalike.
Fshatari kruajti xhepat dhe i nxori gjykatësit monedhën.
Gjykatësi e mori monedhën dhe me vrull e hodhi në dyshemenë e sallës së gjyqit, pastaj priti derisa tringëllima e saj të mbaronte.
Atëherë ai iu drejtua tregtarit dhe e pyeti:
– Zotëri, a dëgjuat gjë?
Tregtari, i hutuar disi me pyetjen naive të gjykatesit, tha:
-Po, Zoti gjykatës, dëgjova tringëllimën e monedhës.
– Shumë mirë, – tha gjykatësi. – Kështu edhe ju e morët dëmshpërblimin tuaj.