JASHTË VARREZA, BRENDA TELEVIZIONI, DRITARJA E HAPUR NË NJË BOTË TË MBYLLUR-Raoul Vaneigem

in Në kohërat e kolerës by

Raoul Vaneigem

Të vësh në diskutim që virusi korona është i rrezikshëm, është diçka absurde. Nga ana tjetër, a nuk është po aq absurde që një ndryshim i paparashikuar brenda zhvillimit të zakonshëm të sëmundjeve po bëhet objekt i një shfrytëzimi emocional në atë masë sa po ringjall atë inkompetencën arrogante që pretendonte dikur se do të mund të mbante jashtë Francës renë e Çernobilit? Sigurisht, ne e dimë se me ç’lehtësi fryma e apokalipsit del prej shishes e gatshme për të kapur kataklizmën e parë që has, ta veshë me imazhe të përmbytjes së botës, dhe ta ngulë plugun e fajësisë mbi dheun e djerrë të Sodomës e Gomorrës.

Mallkimi hyjnor i ka shërbyer e ka qenë i dobishëm për pushtetin. Së paku qysh prej dridhjes së tokës në Lisbonë në 1755, kur markezi Pombal, miku i Voltaire-it, shfrytëzoi tërmetin për të masakruar jezuitët, për të rindërtuar qytetin sipas konceptit të vet, si dhe për të likuiduar sipas qejfit të vet gjithë rivalët politikë, përmes gjyqeve «proto-staliniste». Ne nuk do ta fyejmë Pombal-in, sado i urryer që ai është, duke e krahasuar grushtin e tij të fortë diktatorial me masat mjerane që totalitarizmi demokratik po implementon anembanë botës kundër epidemisë së virusit korona.

Çfarë cinizmi nëse krahasojmë shpërndarjen e virusit me atë të mjeteve mjekësore që u vunë në dispozicion. U bënë dekada që e mira publike është lënë keq, që sektori spitalor paguan çmimin e një politike e cila parapëlqen interesat financiarë në dëm të shëndetit të qytetarëve. Përditë e më shumë pará për bankat, e gjithnjë e më pak shtretër e infermierë për spitalet. Çfarë sharlatananizmi do të jetë ai që do të mund të maskojë edhe më tej faktin se ky administrim katastrofik i katastrofave është i pashkëputshëm prej kapitalizmit financiar që sundon kudo në botë, kundër të cilit sot luftohet anembanë botës në emër të jetës, të planetit e të specieve që duhen shpëtuar.

Pa dashur të biem në atë rimishërim të ndëshkimit hyjnor që është ideja e një Natyre e cila e heq qafe Njeriun si të ishte një krymb i padëshiruar e i bezdisshëm, nuk është pa dobi të rikujtojmë se gjatë mijëvjeçarëve shfrytëzimi i natyrës njerëzore e i natyrës tokësore ka imponuar dogmën e anti-physis-it, e anti-natyrës. Libri i Eric Postaire-it, Epidemitë e shek. XXI, i botuar në vitin 1997 vërteton efektet shkatërrimtare të denatyrimit këmbëngulës, që unë e denoncoj prej dekadash. Duke marrë dramën e «lopës së çmendur» (që u parashikua prej Rudolf Steiner-it qysh prej 1920), autori na përkujton se përveçse jemi të pambrojtur përballë disa sëmundjeve, po vetëdijësohemi që ato mund t´i provokojë vetë përparimi shkencor. Në betejën e tij për një qasje me më shumë përgjegjësi ndaj epidemive e ndaj trajtimit të tyre, ai ia vë fajin asaj që autori i parathënies së librit të tij, Claude Gudin, e quan «filozofi e arkës së pagesës». Ai shtron pyetjen: «Kur ia nënshtrojmë shëndetin e popullsisë ligjeve të përfitimit, deri në atë masë sa që i shndërrojmë kafshët barngrënëse në mishngrënëse, a nuk rrezikojmë që të provokojmë katastrofa fatale për Natyrën dhe për Njerëzimin?» Qeveritarët, siç e dimë, janë përgjigjur tashmë unanimisht me një PO. Por çfarë rëndësie ka kjo, kur e dimë se është JO-ja e interesave financiarë ajo që vazhdon të triumfojë cinikisht?

A na duhej virusi korona që t’ua mbushim mendjen mendjengushtëve për faktin se denatyrimi i cili bëhet për arsye fitimi ekonomik, sjell pasoja shkatërrimtare për shëndetin publik globalisht – atë shëndet publik i cili vazhdon të administrohet prej OBSh-së, statistikat e çmuara të së cilës shërbejnë si paliativ ndaj zhdukjes së spitaleve publike? Ka një marrëdhënie të qartë mes virusit korona dhe kolapsit të kapitalizmit botëror. Në të njëjtën kohë shpërfaqet po aq qartë se ajo e cila e mbulon dhe e fsheh epideminë e virusit korona, është një virus emocional, një frikë histerike, një panik i cili mbulon mangësitë e trajtimit mjekësor dhe e përforcon sëmundjen duke e trembur pacientin. Qysh prej epidemive të mëdha të së shkuarës e dimë se si popullatat pendoheshin dhe bërtisnin me të madhe se ato e kishin vetë fajin për sëmundjet e tyre, dhe ndëshkonin veten duke u vetëfshikulluar. A nuk janë të interesuar vallë administratorët e dehumanizimit botëror që t´i bindin popujt se nuk ka rrugëdalje për ta prej fatit të mjerë që u është shkruar? Që nuk u mbetet gjë tjetër përveçse fshikujt e skllavërisë vullnetare? Makina perfekte mediatike nuk bën gjë tjetër përveçse shpluhuros mashtrimin e vjetër të dekretit qiellor, të pashpjegueshëm, të pa-alternativë, atje ku paraja e çmendur ka zëvendësuar Hyjnitë gjakësorë e tekanjozë të së shkuarës.

Shpërthimi i barbarisë policore mbi manifestuesit paqësorë ka dëshmuar gjerësisht se ligji ushtarak është gjëja e vetme që funksionon me efikasitet. Ai i mban sot gratë, burrat e fëmijët në karantinë. Jashtë varreza, brenda televizioni, dritarja e hapur në një botë të mbyllur! Të vihesh në kushte që mund të ta rëndojnë gjendjen e keqe ekzistenciale, duke i mëshuar ndjenjave të lënduara prej ankthit, duke thelluar verbërinë e mllefit të pafuqishëm.

Por edhe mashtrimi rrëzohet në kolapsin e përgjithshëm. Idiotëzimi etatik dhe populist ka prekur kufijtë e vet. Nuk mundet të mohojë se diçka tashmë po ndodh. Mosbindja qytetare po shpërndahet dhe po ëndërron për shoqëri rrënjësisht të reja sepse rrënjësisht njerëzore. Solidariteti i çliron prej lëkurës së deles individualiste individët që nuk kanë më frikë të mendojnë me mendjen e vet.

Virusi korona është bërë zbuluesi i dështimit të Shtetit. Ja, të paktën një subjekt reflektimi për viktimat e izolimit të imponuar. Që kur botova shkrimin tim «Propozime modeste për grevistët» disa miq më kanë treguar se sa e vështirë ishte për ta zbatimi i refuzimit kolektiv që unë propozoja, që të mos paguheshin taksat, faturat, detyrimet fiskale. Tash ja që shteti-poshtërsirë po përjeton një çintegrim ekonomik e shoqëror i cili i bën absolutisht jo-solvente ndërmarrjet e vogla e të mesme, tregtinë lokale, të ardhurat e vogla e të mesme, bujqësinë familjare, madje edhe profesionet e ashtuquajtura të lira. Dështimi i Leviatanit ka qenë më bindës se sa projektet tona për ta rrëzuar.

Virusi korona ka sjellë edhe të mira. Ndalimi i emetimeve produktiviste ka zvogëluar ndotjen globale, ua ka kursyer vdekjen e programuar miliona njerëzve, natyra merr frymë, delfinët kthehen të notojnë në Sardenjë, kanalet e Venedikut të pastruar prej turizmit masiv rigjejnë ujin e pastër, dhe bursa u rrëzua. Spanja mori vendimin për shtetëzim të spitaleve private, a thua se po rizbulonte sigurinë shoqërore, a thua se Shteti u kujtua për Shtetin e Mirëqenies të cilin vetë e kishte shkatërruar.

Asgjë nuk është kryer, gjithçka është në fillim. Utopia ende foshnjë ecën këmbadoras. Le t’i braktisim në kotësinë e tyre qiellore miliarda bankënota e ide të zbrazëta që sillen rreth e rreth mbi kokat tona. E rëndësishmja është që «t’i bëjmë vetë punët tona», dhe ta lëmë flluskën afariste të shpërthejë e të zhbëhet. Le të kemi kujdes vetëm nga mungesa e guximit dhe e besimit në vetet tona.

E tashmja jonë nuk është izolimi që na imponon mbijetesa, por është hapja për të gjitha të mundshmet. Nën efektin e panikut Shteti Oligarkik po detyrohet të marrë masa që deri dje besonte se ishin të pamundshme. E ne duam t’i përgjigjemi thirrjes së jetës e të tokës që duan të mëkëmben. Karantina është e përshtatshme për të reflektuar. Izolimi nuk e rrëzon praninë e rrugës, por e rishpik atë. Më lini të mendoj cum grano salis se kryengritja e jetës së përditshme ka disa cilësi shëruese që nuk i kemi ditur.

Përktheu nga frengjishtja: Arbër Zaimi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top