Barbaria e gazetarisë me Rolex dhe profesori i filozofisë-(Mbi dhunën e ushtruar dje në emisionin “Opinion” ndaj Arlind Qorit; drejtuesit të Lëvizjes Bashkë)/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Esé/Në kohërat e kolerës by

Rolex-i që bërtiste në dorën e Blendi Fevziut, ato çaste m’u duk si dymbëdhjetë banjat e Monika Kryemadhit.

    Arlinda Guma

Nuk e ndjek kurrë emisionin “Opinion” dhe në përgjithësi Televizionin Klan, qysh në kohërat kur një gazetar i tij, i plagosur në dorë në 21 Janar, u detyrua të kërkonte azil politik. Por dje e ndoqa për shkak të pranisë së lajmëruar të Arlind Qorit; drejtuesit të Lëvizjes Bashkë.
Që kur pashë panelin, m’u duk se gjithçka ishte e përgatitur më së miri për ta denigruar të ftuarin.
Ishte interesante buzëqeshja e drejtuesit të emisionit kur prezantoi të pranishmit e tjerë të forcave politike dhe mënyra krejt e ndryshme, gati armiqësore, me të cilën ai prezantoi Arlind Qorin.
Por nuk e mendoja se drejtuesi do të arrinte deri aty sa t’i turrej e ta fyente, vetëm sepse Arlind Qori përmendi një fakt që të gjithë ne e dimë mirë; lidhjen e këtij televizioni me oligarkinë dhe pushtetin.
Pikërisht në atë çast drejtuesi i emisionit filloi të llomotiste për veten, duke theksuar në mënyrën më mendjelehtë e më të cekët të mundshme se atij i interesonte vetëm audienca dhe asgjë tjetër përveç saj. Me një megallomani të papërmbajtur filloi të përmendte shifra-shifra-shifra pafund, duke përsëritur vazhdimisht, në mënyrë brutale dhe arrogante (por edhe groteske për syrin dhe veshin e një njeriu të kulturuar): “unë, unë, unë unë, unë”!
Filloi dhe mbaroi emisioni e Blendi Fevziu ishte ende aty duke thënë “unë”!
Në të vërtetë shifrat nuk thonë asgjë, po asgjë fare për cilësinë e gazetarisë! Nëse gazetaria varet nga like-t dhe shikueshmëria ajo nuk është gazetari por një mejhane e rëndomtë!
Edhe “Ujku i Cërrikut”- “këngëtari”- ka më shumë like se Ermonela Jaho apo se Mira Murati, por kjo nuk do të thotë se ai është një personalitet i rëndësishëm sa dy të përmendurat. Kjo mania e sasisë së ndjekësve po krijon devijanca të tmerrshme në personalitetin e njeriut.
Kur Arlind Qori përmendi herën e fundit që kishte qenë në atë studio, një gazetare OJF-sh e projektesh sterile që nuk thonë e nuk bëjnë asgjë realisht për interesin e shqiptarit të thjeshtë, ndërhyri dhe tha se ai ishte një televizion privat dhe se si i tillë mund të ftonte kë të donte.
Jo zonjë! Televizioni Klan nuk është thjesht një televizion privat por një televizion kombëtar dhe si i tillë ka përgjegjësinë publike që të përfaqësojë interesat e të gjitha shtresave!
Një televizion kombëtar nuk duhet të jetë njëqind për qind komercial, sepse po ia le në dorë komercializmit edukimin e brezave gjithçka e ka marrë lumi. Ai duhet të jetë edhe i drejtë… edhe edukues…
Dhe, në të vërtetë, dje, drejtuesi i emisionit “Opinion” na “edukoi” të gjithëve. Aq shumë i bërtiti dhe e fyeu Arlind Qorin, saqë unë u tremba se një çast do të dilte nga ekrani dhe do më vërsulej edhe mua.
Blendi Fevziu bërtiste pa i lënë radhë Arlindit të shpjegohej. Ai ulëriste, Rolex-i që kishte në dorë ulëriste gjithashtu! Pikërisht në atë çast m’u kujtua një thënie e Indro Monanelli-t: “Mos i besoni një gazetari të pasur”.
Nuk di sesi mund të përshkruhet me fjalë ajo skenë barbare, primitive e arrrogante. Për fat drejtuesi i Lëvizjes Bashkë e ruajti gjakftohtësinë dhe i tha: “Të lutem, ruaj distancën”. Ishte gjëja më e shëmtuar që kam parë në televizionet shqiptare. M’u në atë çast dështuan dhe u rrëzuan si kështjella rëre të gjithë projektet ndërkombëtare me fonde të bollshme mbi median që zonja Mejdini ka drejtuar. (Por jo se nuk kishin dështuar edhe më parë.)
Blendi Fevziu u shndërrua në “Ujkun e Cërrikut”! Nuk bënte më punë kollarja e shtrenjtë, kostumi po aq i shtrenjtë… Jo! Në atë çast ai shpërfaqi gjithë primitivizmin e tij të thellë. Vazhdonte të bërtiste e të ulëriste për ta deryruar Arlind Qorin të ngrihej e të ikte.
Por ky i fundit nuk u largua.
E si mundet që një gazetar me Rolex në dorë të përfaqësojë interesat e mia? (Sepse gazetaria në vetvete është profesion idealist.)
Si mundet që ai shqiptari i thjeshtë, që nuk ka bukë të shtrojë në tavolinë, të ndihet i përfaqësuar nga ky njeri, i cili gjatë gjithë kohës u hakërrehet njerëzve me shkop në dorë?
(Rolex-i që bërtiste në dorën e Blendi Fevziut, ato çaste m’u duk si dymbëdhjetë banjat e Monika Kryemadhit.)
Nëse pretendon se bën gazetari, të paktën ki përulësinë ta heqësh orën e shtrenjtë nga dora përpara se të hysh në emision. 
Dhe pastaj kjo dhunë, e cila mbizotëron ngado në televizionet shqiptare (e që madje edhe nxitet në mënyrë të sforcuar për audiencë) transferohet në mënyrë të pavetëdijshme te adoleshentët shqiptarë që mbajnë thika e armë me vete.
Është një mjedis i tmerrshëm toksik që kontaminon vazhdimisht shqiptarët.
Dhe gjëja më groteske ishte se në kulmin e asaj arrogance, të asaj dhune, të atij primitiviteti, drejtuesi i emisionit “Opinion” u kujtua të bënte të ditur se në atë çast audienca kishte arritur kulmin. Një lloj autosadizmi të cilit vetëm ndonjë psikiatër mund t’ia vinte saktë diagnozën! Domethënë, unë me të vërtetë jam i inatosur dhe po bëj një figurë të menderosur përpara shqiptarëve, por ama në këto çaste shikueshmëria dhe fitimi im financiar po mbërrin kulmin. (Por ky njeri nuk ka përdhosur vetëm gazetarinë, ai ka përdhosur edhe letërsinë me maninë e tij të sëmurë të protagonizmit për të qenë i pranishëm në çdo panair libri me veprat e tij “të mëdha”. Duket sikur po kalon ndonjë krizë identiteti që e bën të jetë çdo minutë në ekran.) Për të gjithë ata që përpiqen ta shtrembërojnë atë që u mundua të theksonte drejtuesi i Lëvizjes Bashkë:
Arilnd Qori nuk “ankohej” se ai vetë si individ nuk po dilte në televizor, porse duke mos dalë përpara publikut, platforma e lëvizjes së tij, idetë e tij për ndryshimin, nuk mbërrijnë dot te shqiptari i thjeshtë. Ai e kërkon këtë hapësirë televizive për t’i folur këtij shqiptari dhe jo për ekzibicion personal. Kjo e fundit nuk i duhet. Ai është profesor në universitet dhe ka audiencën e tij të respektueshme si profesor.
Dje në atë skenë të dhunshme pashë edhe një disnivel të thellë kulturor midis një gazetari të pasur dhe një profesori filozofie. Edhe debati, që të jetë konstruktiv, duhet të bëhet midis dy njerëzve të niveli të njëjtë kulturor, e nëse ky nivel nuk ekziston nga njëra palë, atëherë do të shihni atë që pamë mbrëmë. Fytyrën e vërtetë të medias së korruptuar. Jo se nuk e njihnim, jo se nuk e dinim, por Arlind Qori na ndihmoi të kishim një blic të fortë të saj. Ai dje u bëri një shërbim publik të gjithë shqiptarëve, paçka se vetë u dhunua verbalisht.
Më vjen keq që do të më duhet të pres një vit e tetë muaj të tjerë për ta ndjekur sërish Arlindin dhe idetë e tij në televizor, por më vjen mirë që dje shqiptarët u qartësuan se ç’interesa përfaqëson gazetaria e Blendi Fevziut & coo. Dhe këto interesa sigurisht që nuk janë ato të shqiptarit të thjeshtë.
Te Arlind Qori dhe te Lëvizja Bashkë kanë parë një fije shprese të gjithë shqiptarët e nëpërkëmbur, të gjithë minatorët që kanë humbur shokët e tyre për shkak të kushteve të pasigurisë në punë, të gjithë naftëtarët e mbetur pa punë, të gjithe pensionistët që qeveria i gënjen me bonus përpara zgjedhjeve, të gjithë punëtorët e fasonerive, të gjithë studentët që nuk e përballojnë dot jetesën, të gjithë nëpunësit e shoqërive private që detyrohen të firmosin kontrata me kushtëzime të tmerrshme, vetëm sepse nuk kanë sindikata ku mund ta gjejnë të drejtën.
Te Arlind Qori dhe te Lëvizja Bashkë shoh edhe unë një fije shprese, se më në fund koha e gangsterëve televizivë do të marrë fund dhe se intelektuali i ndershëm, njeriu i kulturës së vërtetë, ai që e do me shpirt këtë vend por që nuk mund të kontribuojë në ndërtimin e tij për shkak të korrupsionit të dhunshëm, do të marrë vendin që i takon.
“Nëse do që të bëhesh gazetar, duhet të zgjedhësh padronin të cilit i shërben, dhe ky padron duhet të jetë lexuesi”, është një tjetër thënie e Indro Montanelli-t.
Tani të gjithë e dimë se kush është padroni i Blendi Fevziut!
Shpresoj që këtë ta mësojë edhe Spak-u, i cili po bën një punë të lavdërueshme.

10 Janar, 2025

_____________

Arlinda Guma është autore e tre romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, dhe “Bob Legjenda” – 2021. Ajo është themeluese e revistës defekt-teknik.com-Revolucioni nuk do të transmetohet.

 

 

 

https://www.askasalla.com/

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top