Mbështetja që po i jepet vrasësit të supozuar i ka rrënjët në traditën amerikane të lartësimit të të jashtëligjshmit.
Jessica Winter
Ai është nga një familje e pasur dhe e shquar e Maryland-it, mbajtësi i fjalimit të diplomimit në një shkollë private prestigjioze, i diplomuar në Ivy League. Familja dhe miqtë e tij flasin me dashuri dhe u shqetësuan për të kur ai u shkëput nga rrjeti disa muaj më parë.
Zakonet e tij të leximit dhe të podcast-it, të nxjerra nga profili i tij në Goodreads dhe gjurmët e tjera të tij në internet, mund të përmblidhen si “konservatorizëm deklinist, bro-shkencë dhe histori, tekno-optimizëm dhe tekno-pesimizëm i njëkohshëm dhe stoicizëm vetëpërmirësues”, sipas Max Read-it, i cili shkruan për teknologjinë dhe për kulturën e internetit.
Me fjalë të tjera, një dietë mjaft tipike për një djalë bashkëkohor njëzetvjeçar të shkencës kompjuterike dhe, sigurisht, jo ndonjë gjë alarmuese.
Ai është, në mënyrë të njëzëshme, i pashëm dhe i palestruar. “Holy happy trail, Batman!” Tha entuziast Stephen Colbert-i për portretin e Luigi Mangione-s pa këmishë dhe rrëzëllitës, i cili ishte për pak kohë njeriu më i kërkuar i Amerikës dhe ndoshta është ende.
“Ju e dini që ai djalë është italian, sepse mund të grini parmixhano mbi ata muskuj”, vazhdoi Colbert-i. (I ftuari në show-n e tij, Taylor Tomlinson-i, ishte më i përmbledhur: “Do të grinit”)
Në foton ku bën një grimasë, Mangione, trup- skalitur dhe sfidues, shfaqet gati për t’u fotografuar për një rifillim të “Rocco and His Brothers“. Ai ka veshur një bluzë me kapuç.
Mbrëmjen e së hënës, një mik më dërgoi një fotografi të policisë që e shoqëronte Mangione-n, me një ndriçim dramatik mbrapa gjatë leximit të aktpadisë dhe shtoi: “Edhe policët po përpiqen që ta shpallin të pafajshëm”.
Javën e shkuar, qytetarët e internetit po bënin humor të zi rreth të shtënave fatale, më datë 4 dhjetor, në Manhattan, mbi Brian Thompson-in, shefin ekzekutiv të United Healthcare, e cila është dega e sigurimeve të kompanisë më të madhe të kujdesit shëndetësor në botë.
Tani që Mangione është identifikuar përkohësisht si vrasësi i Thompson-it dhe është arrestuar e akuzuar për vrasjen e tij, terninali online po e dekoron fotografinë e Mangione-s me grafika vezulluese dhe emoji në formë zemre, duke bashkëndarë videot e Mangione-s të shënuara me të dhëna kohore në “Spring Breakers” të Charli XCX dhe duke i korrigjuar datat për t’i siguruar atij një alibi.
(Një postim në X i një grupi simpatik death-metal, “Lironi Luigi-n, i cili më datë 4 dhjetor rreth orës 6 të mëngjesit na ndihmoi që të ngarkojmë trailer-in dhe të ngiste makinën me ne për të luajtur një set sekret në Kaliforni, i cili është rreth 2.8 mijë milje larg nga Manhattan-i dhe ku në shfaqje ai bleu mallra nga çdo grup, përveç bluzave me kapuç, sepse ai thoshte se i urren.”)
Në përpjekje për të përcaktuar një motiv për vrasjen e supozuar, autoritetet kanë përmendur një shënim që u gjet me sa duket te Mangione kur ai u arrestua në një McDonald’s, në Pensilvaninë qendrore. “Sinqerisht, këtyre parazitëve thjesht u erdhi radha”, thuhej në të. “Një kujtesë: SHBA-të kanë sistemin numër 1 të kujdesit shëndetësor më të shtrenjtë në botë, megjithatë ne renditemi afërsisht #42 për jetëgjatësinë.” Në shënim thuhej gjithashtu se madhësia dhe fuqia e United Healthcare e ka lejuar atë që të “abuzojë me vendin tonë për përfitime të mëdha”.
Thompson-i, i cili u bë C.E.O. në vitin 2021, rriti fitimet e United Healthcare me pesë miliardë dollarë në vetëm dy vjet. Midis viteve 2019 dhe 2022, United Healthcare më shumë se e dyfishoi shkallën e refuzimit për kërkesat e autorizimit paraprak për kujdesin pasakut. Një nga risitë e Thompson-it ishte përdorimi i një algoritmi parashikues për t’i dëbuar nga shtëpitë e pleqve dhe nga programet rehabilituese pacientët e sëmurë e me aftësi të kufizuara të Medicare, duke shkaktuar mjerim dhe varfëri të pallogaritshme. Dhe United Healthcare ka kërkuar gjithnjë e më shumë—dhe shpeshherë e ka mohuar—autorizimin paraprak për çdo numër nevojash të zakonshme: kolonoskopi, ose insulinë, ose ilaçe për dhimbjet pas një operacioni të madh, ose terapi fizike, profesionale apo terapi të të folurit.
Deri tani, Mangione mbetet në Pensilvani, atje ku ekipi i tij ligjor po lufton ekstradimin e tij në New York. Mbështetja dhe dashuria për të që mbizotëron në internet—negativi i fotos së tij është frika dhe urrejtja e drejtuar ndaj sistemit tonë të kujdesit shëndetësor—ajo duket se shtrihet deri në burgun ku ai mbahet.
Të mërkurën, shokët e tjerë të Mangione-s dëgjoheshin duke thirrur nga dritaret, “Lironi Luigi-n!” dhe “Kushtet e Luigi-t janë të këqija!” Ndërkohë, malli i branduar si Luigi po del tashmë në treg.
Më shumë se dyzet vjet më parë, Richard E. Meyer, studiues i folklorit amerikan, vuri në dukje ndryshimin thelbësor midis të jashtëligjshmit – të cilin Meyer-i e përcaktoi si “një tip popullor amerikan në mënyrë të veçantë, por jo ekskluzivisht” – dhe kriminelit të thjeshtë. Ai shkroi se “heroi i jashtëligjshëm amerikan është një “njeri i popullit”; ai identifikohet ngushtë me njerëzit e thjeshtë dhe, si i tillë, përgjithësisht shihet se qëndron në kundërshtim me disa sisteme të vendosura shtypëse ekonomike, civile dhe ligjore, të veçanta për përvojën historike amerikane.
Personazhi i heroit të jashtëligjshëm është ai i një “njeriu të mirë të cilit i ka shkuar keq”, jo ndryshe nga pacienti onkologjik Walter White, i “Breaking Bad“, i cili filloi të gatuante metadon, sepse sigurimi i tij nuk i mbulonte trajtimet për kancerin..
“Për të mbetur në gjendje të mirë si një hero i jashtëligjshëm, krimet e një njeriu duhet “të drejtohen vetëm ndaj atyre simboleve të dukshme që qëndrojnë jashtë dhe që konsiderohen si shtypëse ndaj grupit folklorik”, shkruan Meyer-i. Në këmbim të guximit dhe të maturisë së tij, “heroi i jashtëligjshëm ndihmohet, mbështetet dhe admirohet nga njerëzit e tij”. Në Epokën e Rindërtimit, heronjtë e jashtëligjshëm Jesse James dhe Sam Bass “grabitën banka dhe trena, simbole të forcave që e mbanin njeriun e zakonshëm në skllavërinë ekonomike dhe sociale”, shkroi Meyer-i.
Grabitësi i bankës dhe vrasësi Charles Arthur (Pretty Boy) Floyd, krimet e të cilit shtriheshin në Ohio, Oklahoma dhe Misuri gjatë Depresionit të Madh, e idealizoi James-in si një spiun i Perëndimit të Egër mbi personazhin e Robin Hood-it. Floyd-i dëgjoi rrëfenja të mundshme të gjata “rreth mënyrës sesi Jesse dhe djemtë e tij e ndanë pasurinë e tyre me të vejat dhe me jetimët”, shkruan Michael Wallis në “Pretty Boy: The Life and Times of Charles Arthur Floyd“. “Tifozët e adhuruar thanë se kur Jasse grabiste një tren, ai ekzaminonte pëllëmbët e pasagjerëve dhe merrte sende me vlerë vetëm nga ata që kishin “duar të buta”. Floyd-i gjithashtu i ndante plaçkat e tij me njerëzit në nevojë; Sipas disa llogarive, shkruan Wallis-i, “kur Charley grabiste bankat, ai nganjëherë i griste hipotekat në copa përpara se bankieri të kishte një mundësi për t’i regjistruar dokumentet.” Ky gjest madhështor, ndonëse e ndezi legjendën e Floyd-it, do të kishte ngadalësuar gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme arratisjen e tij nga skena e krimit. Ai doli hapur: duke marrë pjesë në dasma dhe funerale, duke u përplasur me familjen dhe me miqtë dhe duke u trajtuar si një njeri i famshëm kudo që shkonte.
Në të kundërt, Mangione i kaloi gjithë pesë ditët në arrati dhe duket se nuk ka rishpërndarë asnjë nga të ardhurat e United Healthcare. Sidoqoftë, në mënyra të tjera, ai përshtatet lehtësisht në kategorinê e antiheroit të Meyer-it.
Sistemi i sigurimeve shëndetësore në SHBA është edhe “shtypës” dhe në thelb “i veçantë” për Amerikën, si i vetmi komb i zhvilluar në botë që nuk ofron kujdes shëndetësor universal. Është spekuluar gjerësisht se rrejedhoja e supozuar e Mangione-s në dhunë mund të jetë nxitur nga një dëmtim i shpinës dhe nga operacioni i shtyllës së tij kurrizore.
Një C.E.O i kujdesit shëndetësor, i cili merr dhjetë milionë dollarë kompensim vjetor ka të ngjarë që të skualifikohet nga anëtarësimi në një “grup popullor” dhe një shënim tjetër që thuhet se ka shkruar Mangione tregonte se ai nuk donte ta rrezikonte atë grup.
Ashtu si Floyd-i, Mangione mund të ketë gjithashtu një aftësi për ta lulëzuar ndërtimin e miteve. Kapsollat e plumbave të lënë pas në skenën e vrasjes lexonin “mohoni”, “mbroni” dhe “rrëzoni”, duke i marrë hua nga nomenklatura penguese e industrisë së sigurimeve shëndetësore – sikur armët e saj burokratike të ktheheshin kundër njërit prej tyre.
Dhe, megjithëse kërkimi për Mangione-n pati një fund të turpshëm, herët, ai la të kuptohej se ishte një mashtrues më i zgjuar, si atëherë kur supozohej se la dhuratën e përsosur për N.Y.P.D. në Central Park: një çantë shpine e mbushur me pará të Monopolit.
Artifakt magjepsës i çështjes Mangione është shfaqja, në TikTok dhe gjetkë, e baladës së vrasjes së sigurimeve shëndetësore. (Një nga përdorimet më të njohura si refren “moho, rrëzo, mbro”.)
Ky nënzhanër i sapolindur rrjedh direkt nga grupi i baladave të vrasjeve të Woody Guthrie-t, i cili i dha vajtimit të punëtorit një infuzion magjepsës antiheroi. Subjektet e këngëve të Guthrie-t përfshinin Billy the Kid, Jesse James dhe Charley Floyd, dhe në një këngë për Floyd-i bardi i Dust Bowl-it vizatoi vijën më të ndritur midis të jashtëligjshmit dhe shtypësit: “Disa do të të grabisin me një armë gjashtëshe / Dhe disa me stilolaps / Dhe teksa nëpër jetën tënde ti udhëton / Po, si nëpër jetën tënde ti endesh tutje-tëhu / Ti nuk do të shohësh kurrë një të jashtëligjshëm / Një familje përzënë nga shtëpia e vet.”
I shquari në mesin e shkruesve të baladave të neo-vrasjeve është këngëtari aktual i folklorit Jesse Welles, interpretimi dhe personaliteti i të cilit merr ndjeshmërinë e thellë të John Prine-t dhe shton një tretësirë të karizmës së keqe të Brian Jones-it. “United Health” e tij shpërndan vdekjen e Thompson-it në një kohë rekord (“Përbërësit që keni, pjekin tortën që merrni”) dhe menazhon një histori të kondensuar të kompanisë titullare brenda një vargu të vetëm (“Rruga e kthimit në shtatëdhjetë e shtatë / Mister Richard T. Burke filloi të blejë H.M.O.s.)
Ai gjithashtu përmbledh mjeshtërisht logjikën ekonomike të sigurimit fitimprurës: “Është një zyrë në një ndërtesë dhe një person në një karrige / Dhe ti pagove për të gjitha, edhe pse mund të mos jesh në dijeni / Ke paguar për letrën, ke paguar për telefonin / Ti ke paguar për gjithçka që atyre u nevojitet për të të mohuar atë që ata ty të detyrohen.” Është thënë dhe është shkruar shumë në javën e fundit-plus për “trashjen” e shoqërisë amerikane, e cila supozohet se ilustrohet nga memeifikimi i Mangione-s dhe krimi i tij i supozuar.
Duke folur vetëm për veten time, nëse jam “trashur” kohët e fundit, nuk mendoj se dëshmia është në mënyrën sesi kam qeshur me gjërat e pashtypshme ulëritëse që miqtë më kanë dërguar me mesazhe për kurthet e etjes së Mangione-s, por se sa ngushëllim kam marrë në këtë kanun të ri të këngëve të protestës së zellshme.
Në vitin 1992, në një koncert për nder të Bob Dylan-it në Madison Square Garden, Eddie Vedder dhe Mike McCready, nga Pearl Jam, performuan “Mjeshtrit e Luftës” të Dylan-it. Kënga nuk është një baladë vrasëse e drejtpërdrejtë, por një baladë me fantazi vrasjeje, njëkohësisht minimaliste dhe maksimaliste. Është kryesisht një akord D-minor i kënduar vazhdimisht – pa kor, vetëm varg pas vargu i të riut Dylan, trashëgimtarit artistik të Guthrie-t, duke gjetur gjithnjë e më shumë imazhe dhe epitete për të shprehur sa shumë ai e përbuz dhe i dënon tregtarët e vdekjes të kompleksit ushtarako-industrial të kohës së Luftës së Ftohtë. Kënga ishte atëherë pothuajse tridhjetë vjeçare, dhe në fazat e para të një ringjalljeje popullore prej dekadash, të ndezur nga interpretimi elektrizues dhe kryesisht i pakuptueshëm i Dylan-it në Grammy në vitin 1991. Por ajo ishte e re për mua, dhe versioni i Vedder-it ishte jashtëzakonisht i kthjellët, i pazbukuruar dhe i rëndësishëm në tërbimin e tij. Çdo fjalë ishte e qartë:
Dhe unë shpresoj që ti të vdesësh
Dhe vdekja jote do të vijë së shpejti
Do ta ndjek arkivolin tënd pasditen e zbehtë
Dhe do të të shikoj teksa je ulur në shtratin e vdekjes
Dhe do qëndroj mbi varrin tënd derisa të jem siguruar se ke vdekur.
Kritiku muzikor Greil Marcus ka shkruar sesi “Masters of War” është njëkohësisht “art i keq, një këngë e keqe” – “e tmerrshme” madje – dhe një klasik i pavdekshëm dhe sesi madhështia e saj qëndron në atë që dikush mund ta quajë “trashësi”.
Kënga është e përsëritur dhe e pamëshirshme. Ajo ka një gjë për të thënë dhe e thotë përsëri e përsëri; vazhdon të godasë të njëjtën notë urrejtjeje, por më fort. Vdekje, vdekje, vdekje, vdekur. Ajo që i tërheq dëgjuesit në lidhje me “Masters of War“, sipas Marcus-it, është “mënyra sesi kënga shkon shumë larg, në kufijtë e fjalës së lirë”. Dylan-i, vazhdon Marcus-i, “u jep njerëzve leje të shkojnë aq larg”.
Mangione dyshohet se mori një jetë njerëzore, gjë që është e neveritshme. Ky akt nuk justifikohet. Por ky akt u dha gjithashtu leje njerëzve të shkonin aq larg – ta pranonin urrejtjen e tyre të drejtë ndaj sistemit tonë të shthurur të kujdesit shëndetësor dhe madje të krijonin diçka qesharake, idiote apo të gëzueshme nga ajo urrejtje. Heroi popullor është një hero popullor pikërisht sepse bën atë që ne nuk do të guxonim ta bënim kurrë. Shumica prej nesh e ka provuar urrejtjen në jetë; shumica prej nesh nuk do të ëndërronte kurrë të dëmtonte ndokënd. Urrejtja e gërryen shpirtin, por gllënjka më e vogël e saj, herë pas here, mund të jetë dehëse. Ajo mund të na kujtojë se jemi ende gjallë.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga: The New Yorker