Kujtim Drishti, Edon Qesari, Aurora Sahatçi u përgjigjën kështu për ngjarjet e fundit në Teatrin Kombëtar:
Pyetja: Cili është mendimi juaj mbi marrëveshjen e fundit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me PD-në?
Kujtim Drishti (Mjek – Francë, aktiv me opinionet e tij në median e shkruar të Tiranës): Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ishte e çelja e të parës lule serioze të Shoqërisë Civile. Deri tani, kuptimi, domethënia e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ishin të kthjellta dhe të pastra. Por ja që politikanët tanë agresivë nuk mund të mos i futeshin kësaj lëvizjeje për të hedhur brenda saj fushën e tyre manjetike. Dhe meqë Shoqëria Civile nuk është pjekur akoma aq sa të mbajë distancë me politikanët, kjo Aleancë u përkund në iluzion dhe bëri këtë marrëveshje me PD-në. Kur në një shoqëri, e vërteta nuk ka hapësirë tjetër veç politikës, atëherë një peshë e rëndë vendoset mbi lirinë. U dashka që kjo e vërtetë të jetë ose me Ramën ose me Bashën, përndryshe ajo nuk paska mundësi të jetë e lirë. Nga çasti kur Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar bën marrëveshje me njërën nga partitë, tregon se ka marrë një kthesë naive ose është e lindur që në fillim si një forcë që do t‘i japë kredi politike PD-së, pra, e dënuar të mos jetë e lirë. Është e çuditshme se si neglizhohet, jo vetëm nga partitë, por edhe nga populli, e në këte rast edhe nga artistët, Kushtetuta. Në qoftë se do të ishin partitë garant të së drejtës, atëherë kushtetuta është e parëndësishme. Praktika ka dashur pikërisht t‘i thotë popullit se garancia e së drejtës është partia dhe se kushtetuta është një formalitet. Në qoftë se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nuk kupton se drejtësia që ajo kërkon, nuk mund të vijë nëse Drejtësia në Shqipëri nuk ka koken e saj; Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se Aleanca nuk e ka kuptuar akoma se koka kushtetuese është prerë nga të dyja partitë pushtetmarrëse, atëherë të kërkosh të bësh aleancë me njërën për të kundershtuar tjetrën, kjo do të ishte jo vetëm braktisje e vetë kërkesës për drejtësi, por edhe një maskaradë politike. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar duhet t‘ia kërkojë drejtësinë e saj Kushtetutës dhe organit kokë të saj; Gjykatës Kushtetuese.Vetëm kështu, duke u vënë në funksion të kushtetutës dhe jo të partive, ajo mund të ruajë pastërtinë e idesë së saj. Sa herë që artistët lidhen me partitë ata rrezikojnë gjithnjë karrierën e tyre, sepse arti dhe historia janë shumë, shumë më të gjera se politika. Si në rastin e zgjedhjeve, ashtu edhe në rastin e Teatrit Kombëtar, të dyja partitë e lanë kushtetutën menjanë, që as populli në Qershor, as Aleanca në Korrik, të mos e përqendrojnë vëmendjen tek krimi i heshtur e më i rëndi që i është bërë Demokracisë dhe Kushtetutës, me prerjen e kokës së saj me korrupsion. Nga të dya partitë. Kjo është arsyeja, që jo teatri, por asnjë problem madhor, qoftë dhe ai i zgjedhjeve lokale, nuk mund të kenë zgjidhje të ekulibruar pa Gjykatën Kushtetuese. Për sa i takon Teatrit Kombëtar, unë mbroj idenë e mosshembjes së tij për dy arsye stategjike; për fatet e demokracisë dhe fatet e vetë kombit, brenda të cilave futet edhe lëvizja civile e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Ndërsa shembja e teatrit të vjeter është paraqitur në një logjikë të thjeshtë kontabli ekonomik, unë e shikoj atë në logjikën e kontablit social e kombëtar social, sepse lëvizja e lindur për mbrojtjen e teatrit është e para lëvizje civile që vihet në mbrojtje të një objekti jopolitik. Ajo është përfaqësuese e konfliktit midis; nga njëra anë kulturës dhe historisë (që janë fusha publike) dhe nga ana tjetër interesit ekonomik privat. Është prej këtij interesi që lindi ideja e shembjes së teatrit. Argumenti se këtu fiton buxheti publik vihet pra përballë vlerave kulturore dhe historike të teatrit, të cilat propozohen të blihen nga privati. Mendoj se dokumentimi i studiuesit Aurel Plasari, nxjerr në pah informacione të panjohura nga publiku i gjerë, duke i përforcuar këto vlera të pashiteshme dhe të pableshme. Kombëtare, sepse kujtesën e kombit nuk e bëjnë vetëm objektet e kultit fetar, por edhe objektet e kulturës laike. Nëse qyeteteve tona do t‘i zhdukeshin të gjitha objektet me vlera historiko-kulturore nën preteksin se ndodhen në godina të vjetra, atëherë qytetet do të mbeteshin pa kujtesë. Kështu modernia vihet në shkëmbim të kujtesës së kombit. Kur njerëzit e thjeshtë merren me çështjet publike të rregullimit të qytezës së tyre, në një lëvizje për mbrojtjen e vlerave jotregtare, kjo tregon pjekurinë e konceptit demokratik të tradhëtuar nga politikanët. Edhe unë dua një teatër të ri. Por nuk e dua të shembur një qendër teatri që ka mbajtur gjallë kulturën e një popull të tërë para luftës dhe pas luftës, gjatë diktaturës komuniste. Ai teatër nuk duhet shembur sepse ka vendin e tij të natyrshëm, që të gjithë teatrot e Europës kanë në qendër të kryeqytetit, pra të pagllabëruar nga cinizmi tregtar, dhe si i tillë mban autoritetin e kulturës shqiptare. Edhe unë dua një teatër të ri, por me artistë dhe aktorë të papërçarë nga politika, sepse kjo është bomba më e rëndë që mund t‘i bëhet një arti kolektiv siç është teatri, ashtu siç nuk është ai i pikturës dhe muzikës. Mendimi im i fundit për aktorët është: – Dashuroni Sheksipirin, Molierin, Çehovin, Brehtin dhe lirinë tuaj, sepse ajo është më e madhe se ajo e politikanëve Është kjo liri, për të cilën ka nevojë Shqipëria dhe populli.
Edon Qesari (Studiues-Tiranë): Më shumë se marrëveshje, në kuptimin juridik të fjalës, çka është firmosur bashkarisht prej leadership-it të PD-së dhe përfaqësuesëve të AMT-së, më ngjan me një memorandum të përveçëm të Partisë Demokratike-por jo të partive të tjera opozitare, të paktën po të nisemi nga teksti; memorandum, i cili merr formën e një premtimi politik-e mbase në vijim elektoral-drejtuar personave të përfshirë dhe atyre veprimtarë rreth AMT-së. Mundej fare mirë të nënshkruhej, si gjest politik, vetëm nga PD-ja, si pjesë e veçantë (njëfarësoj seksioni kulturor) në brendësi të programit të saj propozues për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që këto do të mbahen (parafrazimi “kur PD-ja të jetë maxhorancë qeverisëse” ishte kaq i theksuar). Megjithatë, siç na mëson ende sot shembulli i dyfishtë i firmosjes së premtimeve elektorale nga ana e Berlusconi-t në studio televizive (1994, 2008), një veprim i këtij lloji bart simbolikë të fortë mediatike. Sa populist është, pastaj, do ta tregojnë muajt në vijim, të cilat, duket se do të jenë politikisht shumë dinamikë; e mbase do t’na bëjnë të kuptojmë më qartë nëse kemi të bëjmë me një memorandum apo me një marrëveshje (e si të tillë obliguese për të dyja palët).
Aurora Sahatci (Regjisore-Itali): Më duket si një çështje që “mban erë”. Më duket si shitje elektorati, jo bashkëpunim, sikur PD-ja po përfiton nga jehona e kauzës. Pyetjet e mia:- Çfarë do të jetë ky teatër kur ata të fitojnë? Do të jetë Teatri i Partisë Demokratike? Sa autonomi do të ketë? Komiteti i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit e mbron këtë kontratë me idenë se nuk kanë pjesëmarrje të mjaftueshme nga qytetarët. Unë pyes: – Kjo mund të ishte marrëveshje midis Lulzim Bashës dhe Komitetit, pavarësisht nga politika. Basha është qytetar edhe ai, edhe enturazhi i partisë së tij. Teatri duhet të jetë në programin e tyre pavarësisht nga protesta, duhet të jetë betejë politike më vete, bashkë me gjithë pikat dhe problemet e tjera të vendit.