Më i rrezikshëm është degradimi i pushtetit se ai i godinave-Granit Zela

in A(rt)ktivizëm/Në kohërat e kolerës/Teatër by

Marrëveshja e artistëve me PD-në është marrëveshje me Shillën për t‘u mbrojtur nga Haribda

Në vazhdën e ngjarjeve të fundit në sheshin e Teatrit Kombëtar, defekt-teknik.com u dërgoi një pyetje disa personazheve të artit dhe aktivizmit social.

I pari që u përgjigj ishte shkrimtari Granit Zela.

Pyetje: – Cili është mendimi juaj mbi marrëveshjen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombetar me Partinë Demokratike?

Granit Zela: Si shkrimtar jam kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, dhe po ju sjell në kujtesë fatin e një godine tjetër për të cilën është bërë një proces gjyqësor me qeverinë dhe “luftë” me politikën, për të lexuar aty edhe atë që po ndodh sot me godinën e teatrit.

Në vitin 1999, poeti Xhevahir Spahiu, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, hapi proces gjyqësor kundër qeverisë së kryeministrit të PS-së, sepse ai me nje VKM ia kaloi për përdorim godinën Aleancës Franceze. Vendimi gjyqësor anulloi VKM-në dhe godina u mbeti shkrimtarëve, por jo përgjithmonë, sepse politika i përçau shkrimtarët. U krijuan dy Lidhje; një ajo që ishte, dhe një lidhje tjetër Antikomuniste. Kryetar i Lidhjes njëherë u zgjodh një deputet i shumicës qeverisëse dhe në fund fare, kur lufta mes vedi arriti kulmin me procese gjyqësore, me nje VKM të qeverisë së PD-së, godina i kaloi për përdorim shtetit. Veprimi më kriminal në këtë histori ishte zhdukja e arkivit të këtij institucioni si akt i rëndë papërgjegjshmërie dhe vandalizmi ndaj kujtesës dhe të shkuarës.

Unë shoh të njëjtën histori edhe tek godina e Teatrit Kombëtar. Politika qëllimisht i lë godinat e institucioneve të degradojnë fizikisht, i përçan artistët me marifete që ata i përdorin djallëzisht, do ta përdorë artin në shërbim të propagandës së shtetit makiavelisht, dhe në fund, kërkon shembjen dhe zhdukjen e trashëgimisë, shkuljen e kujtesës nga Qyteti, të cilën e paraqet si triumf të zhvillimit ndaj prapambetjes. Krijohet kësisoj “historia e re” e “Njeriut të Ri” të demokracisë hibride shqiptare, me trup shtazë e fytyre njeriu.

Të gjendur gjithmonë në dekadat e gjysmëdemokracisë mes Shillës dhe Haribdës së politikës, marrëveshja e artistëve me PD-në është marrëveshje me Shillën për t‘u mbrojtur nga Haribda, marrëveshje me një politikan si kryetari i opozitës, që për të ardhur në pushtet bën “artistin” kundër një artisti, siç është zoti Rama, i cili për të qëndruar në pushtet e ka të lehtë të bëjë “përbindëshin” dhe ta bëjë pluhur e hi atë godinë me anë të makinerisë së ligjshme të dhunës. Në këtë situatë absurdi, pyetja që unë ngre për kryetarin e opozitës është:”Teatri Kombëtar aty ka qenë tash e njëzet vjet, dhe partia jote ka qenë në pushtet aq gjatë sa ta shpëtonte nga kjo kasaphanë që po i troket tek porta. Gjatë këtyre njëzet vjetëve ku ishe ti “artist”? Kurse kryetarit të qeverisë i them: “Së pari, u dogj nga zjarri e u mbyt nga uji Biblioteka Kombëtare, u dogjën dhe u bënë letra pa vlerë qindra libra, thesar i pazëvendesueshëm i trashëgimisë kulturore, por gjithçka u kalua në heshtje sikur në raste morti i vdekuri përcillet për në varreza. Duhet një godinë e re për Bibliotekën, por duket se po pritet që gjithçka të rrënohet dhe ploja të ketë ndodhur. Se dyti, artistët po, e di, janë qenie shumë të ndjeshme dhe nuk e durojnë dhunën. Shembjen e Teatrit Kombëtar e ke patur synim që në vitin 1998. Atëherë nuk e bëre dot dhe koha tregoi se ajo godinë nuk u tund nga tërmetet dhe nuk ka asnjë rrezik fizik shembjeje. I vetmi rrezik për të je ti! Më i rrezikshëm është degradimi i pushtetit se ai i godinave. Edhe sikur një artist i vetëm të ishte kundër shembjes, mjafton që të mendohesh dy herë. Artisti nuk është numër që e numëron qeveria, por krijues që me artin e vetë i jep frymë kohërave dhe është me dinjitoz se kurrë kur përballet me pushtetin. Është e tmerrshme që kryetari i qeverisë t’i ngjajë një “përbindëshi”, i cili do t’i shembë shtëpine e artit një artisti. Ka gjasë që kjo të frymëzojë vepra që mbeten në guernikën e historisë. Ki kujdes me artistin sundimtar!”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top