Rrethimi i fundit i Skënderbeut/Granit Zela 

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Granit Zela

Askush s’mund ta paramendonte se takimi pas dyzetë e pesëvjetësh mes dy udhëheqësve më të rëndësishëm në vend, gjatë epokës së demokracisë, shefit të qeverisë dhe shefit të opozitës do të shoqërohej me aq shuma viktima dhe në të njëjtën kohë, po për habinë e të gjithëve, do të shënonte fundin e tranziconit. Nuk kishin lajmëruar askënd për këtë takim dhe natyrisht, mediat mësynë sakaq në restorantin “Uji i ftohtë” në Vlorë, ku të dy po hanin si dy engjëj, një drekë.

Të gjithë gazetarët mbetën të habitur, ata dy burra që kishin luftuar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, kundër njëri-tjetrit, me grushte shteti në tentativë, gjyqe për burgosje, linçime publike, përtallje dhe mllef të pasosur, ishin aty, vetëm me njëri-tjetrin si dy dashnorë të përmalluar, një buqetë me trëndafila të kuq flakëronte në tryezë, kurse ata i buzëqeshin sho-shoqit dhe dëgjonin me ëndje ato që tregonin.

Dhe mu siç reagohet kur të tjerët të prishin një takim dashurie, u bënë shumë nervozë kur panë kamerat dhe gazetarët rrotull tryezës, por më i padurueshëm u tregua shefi i qeverisë, i cili pyetjen e një gazetareje se a ishte e vërtetë që në listat e tij për deputetë ishte edhe emri i aktivistit të shoqërisë civile, Qëndrim Sokoli, e la në heshtje duke ngrënë ngjalën që kishte përpara me kujdesin e madh që të mos i ngelej hala në fyt. Pastaj, me sy të skuqur, gjë që shpjegohej nga një shishe “Vermut” e zbrazur, ai iu hakërrye:

– Ore ju keni rrjedhur fare si media. Po për çfarë hajvani po flisni, ku ne i kemi listat e kandidadëve për deputet me vete, dhe ato janë të mbyllura.

Mbi tryezë përveç ushqimeve të bollshme ishin edhe dy zarfe.

– Hë, çfarë janë këto, – kishte pyetur median shefi i qeverisë, – hë pra çfarë janë? Përgjigjuni dreqi e mori, se për t’ia ndërprerë drekën ia ndërprisni tjetrit, po për t’u përgjigjur veç ngrini supet se jeni llumi i shoqërisë. Aha, vaj medet për ju!

– Zoti Kryemnistër, unë shoh dy zarfa mbi tavolinë, – ishte përgjigjur, nën një trysni të paparë nga shefi i ekzekutivit, një gazetar trim e kurajoz.

– Ah, mor budallë, dy zarfe, thotë. Jo, o rrotë gomari, ky është “Parlamenti i Shqipërisë”. E sheh, – e kishte pyetur ai, duke ia tundur zarfin, – është parlamenti yt o budallë, – ia kishte shpjeguar dhe më pas e kishte futur zarfin në xhep.

Duke parë veprimin e kolegut në pushtet, edhe shefi i opozitës e kishte futur zarfin e vet në xhep, në shenjë solidariti. Pas kësaj, i gjithë parlamenti ishte në karantinë, gjysma në xhepin e shefit të ekzekutivit dhe gjysma në xhepin e shefit të opozitës së përbashkuar. Papandehur, gazetarët kuptuan se në atë restorant ishin 140 deputet dhe shefat e tyre, dhe kjo do t’ia shtonte shumë rëndësinë e lajmit dhe kronikës që do të bënin.

Për më tepër, ata ishin tashmë dëshmitarë të një ngjarjeje historike, sepse dy kryetarët e partive kryesore në vend kishin dyzetë e pesë vjet që s’ishin takuar. Kjo e shpjegonte edhe faktin se ata e morën shtruar e shtruar, megjithëse ajo mbrëmje ishte afati i fundit kur duhej të dorëzonin listat me deputetë, por shefi i qeverisë nuk e kishte këtë merak.

– Do të gjejmë ndonjë klauzolë ligjore që t’i çojmë nesër, e kishte qetësuar kundërshtarin politik.

Vihej re që dy burrat e shtetit tregoheshin shumë të sinqertë me njëri-tjetrin. Shefi i qeverisë ia tha hapur se synonte rritjen e turizmit në vend dhe kishte menduar që të bëntë diçka tronditëse në nivel ndërkombëtar për të tërhequr një audiencë globale.

– Do të zhvilloj “Turizëm kokash” – i tha ai. Por njeriu që kishte përballë tij s’e kuptoi dhe kishte nevojë për shpjegime.

– Në fillim do të kthejmë dëninim me vdekje. Pastaj do të krijojmë legjislacionin e nevojshëm për t’i hapur rrugë ngritjes së një gijotine publike tek sheshi “Skënderbej”, si në Francën e mesjetës. Natyrisht, parashikoj furtunë reagimesh. Do ta zhduk padrejtësinë dhe këtë e bëj duke i prerë kokën atij që i sjell telashe atdheut ku jetojmë. Pastaj, të ardhurat ekonomike do të dhjetëfishohen. Nga e gjithë bota do të duan të marrin pjesë, të paktën një herë të vetme në një “Heads’ Show”, një spektakël kokash që do t’u sjellë katarsis të plotë. Thesari i shtetit mbushet plot.

– S’do të ketë kurrfarë problemi me demokracinë, – vijoi ai. Kokat i pret shumica, por edhe opozita thotë fjalën e vet. Mund të ngrejë komision hetimor. Ankohet opozita, pra ti, për kokat e prera nga shoqëria civile, ke të drejtën t’i kontrollosh, madje t’i marrësh me vete në laboratorët e tu opozitarë dhe të bësh verifikimet e rastit. Më e mira është që të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe transparencë, listat e kokave të botohen jo vetëm në Fletoren Zyrtare, por edhe në media, në mënyrë që secili qytetar ta dijë kur dhe ku do t’i pritet koka, dhe të mos ketë keqkuptime apo ngatërresa për arsye teknike.

Natyrisht, parashikoj që “Llotaria e kokave”, do të bëhet shumë popullore, pasi pjesëmarrja në llotari do të jetë me parapagim dhe nuk do të mbetet njeri pa u shënuar në lojë. Kjo do të vërtetojë atë që “rastësia është mbreti i botës”, sepse të gjithë do të jenë rastësisht të vdekur dhe rastësisht të gjallë.  Pastaj këto lista mund të dalin edhe nga këshilli kombëtar i secilës parti. Asnjë kokëprerje e paligjshme, tolerancë zero ndaj abuzimeve në ekzekutime, jo kokëprerje kuturu, s’është ky mesazhi që duam të përcjellim, – siguroi shefi i qeverisë duke e habitur kryetarin e opozitës, i cili këto gjëra i dëgjonte për herë të parë.

– Për besë ke imagjinatë, je “kokë e madhe”, si i thonë, – tha shefi i opozitës duke buzëqeshur, dhe u ndje shumë i kënaqur që batuata e tij u pëlqye.

Kjo i shkriu përfundimisht akujt mes këtyre dy burrave, sepse shefi i qeverisë vijoi t’ia shpjegojë se do ta bënte popullore gijotinën në sheshin “Skënderbej”, më së pari me kokat e prera të atyre që do të dilnin vullnetarë.

– Ke për ta parë, – e siguroi ai, – sa njerëz do të dalin vullnetarë që t’u pritet koka pa kurrfarë arsyeje. Ndërkohë, do të zëvendësoj edhe eutanazinë në spitale, pacienti do të vdesë në gijotinë, veçse në këtë rast ekzekutimin do ta bëjnë uniformat e bardha. Ideja, – sqaroi ai, – është që njerëzve të thjeshtë të të gjitha profesioneve t’u bëhet e zakonshme kjo gjë.

– Dakord, – miratoi shefi i opozitës. Të falënderoj për mirëbesimin, por ti e di që unë kam dyzetë e pesë vjet që jam në opozitë dhe e di, se prapa çdo ideje publike fshihet një ide tjetër e patreguar. Ç’është ky “turizëm kokash” në qiellin e kthjellët të Shqipërisë? Çfarë do të bësh? Çfarë fshihet pas gjithë kësaj?

– Pas kësaj? Shefi i qeverisë, mbushi gotën me verë, e ktheu shpejt, dhe duke e parë në sy, i foli sikur po i tregonte të fshehtën e shekullit:

– Ti nuk jeton këtu kundërshtari im i dashur politik, – i tha ai. – Ti sikur jeton në një planet tjetër. E çfarë mund të fshihet tjetër, kur të gjitha kokat në shesh të jenë prerë, gijotina, makina e shtetit do të vazhdojë të punojë. Atëherë do t’i vij radha edhe atij, koka e të cilit tundet kërcënuese mbi të gjithë ne, kupton? Ai na bën të ndiehemi si zvarranikë, pavarësisht se çfarë bëjmë, sa të mëdhenj dalim ne në sytë e historisë. Kur na krahasojnë me të, gjithçka është një punë e kotë… Në fund fare, kur mllefi i kundërshtarëve të mi të jetë bërë kala, unë do të hip mbi këtë kala, do të nis ushtrinë time dhe do t’i vë t’i presin kokën në gijotinë vetë “Skënderbeut”, aty mu në sheshin “Skënderbe!”

– Në fillim do të na kthesh në Mesjetë, pastaj do të nisësh buldozerët drejt monumentit… – tha ai me zë të lartë sikur të ishte duke shqiptuar mendimet e fshehta të tjetrit.

– Pikërisht, – miratoi ai. – Por do ta bëjmë këtë në një mënyrë që nuk e ka përfytyruar kush. Do të bëjmë një luftë, të cilën ne do ta fitojmë, dhe me “ne”, dua të them “Unë”, do të jem i vetmi që ka mundur Skënderbeun e madh, kupton? Menjëherë pas kësaj, ai s’do të jetë aq i madh sa më parë dhe unë s’do të jem ky që jam. Rrethimi do të filloj nga ana lindore e sheshit, në anën e Sahatit. Aty do të ngrihet shumë shpejt një kullë e lartë, më e larta në kryeqytet. Njezërit nuk do ta kuptojnë se nga mbiu aty, aq shpejt do të ngrihet. Pastaj dalëngadalë do të mësohen me praninë e saj. Pastaj, një kullë tjetër edhe më e lartë do të ngrihet në anën e kundërt, andej nga është Banka Kombëtare. Ajo do të projektohet e tillë që Banka të zhvendoset brenda saj dhe ajo vetë të shembet. Njerëzit do të mësohen edhe me shembjen e një ndërtesë afër sheshit. Kjo është shumë e rëndësishme.

Pastaj do të vijojë rrethimi i Gjergj Kastriotit me kulla të tjera rreth e përqark sheshit, një darë kullash të larta, derisa ai do të dorëzohet. Dhe kjo do të ndodhë, kur njrëzit do ta kenë të vështirë ta dallojnë se ku është. Projekte të reja ndërtesa do të mësyjnë në shesh, dhe ai do të duket më në fund sa një xhuxh, dhe njerëzit një ditë, kur ai të mos jetë aty, as nuk do ta vënë re. Pastaj do të jenë ata që do më luten ta heqim tutje atë “shtëmtirë estetike” dhe madje do të kërkojnë që t’ia presim kokën në gijotinë, dhe ky do të jetë kulmi i turizmit të kokave, do të kemi një gijotinë që pret kokat e monumenteve, dhe kjo do ta shndërrojë përfundimisht Tiranën, aq sa një ditë kur të dalë para pasqyrës do të ulërijë nga lemeria se s’do ta njohë më veten e vet.

– Ata s’kanë parë gjë akoma, kupton, – i th ai. – As që u shkon në mendje kurrë se çfarë i pret dhe më mirë që s’e dinë.

– Rrethimi i Gjergj Kastriotit me kulla, -mërmëriti tjetri i shastisur.

Tjetri mbeti i shtangur. Pastaj nisi ta shohë me adhurim.

– Po koka ime? – pyeti ai krejt i sinqertë, por me njëfarë frike.

– Ti vazhdo të jetosh në atë planetin tjetër ku ke jetuar deri tani dhe të ruan Zoti, – i tha ai, duke qeshur dhe kjo bëri që të ndiheshin sërish si në fillim, me mirëbesim dhe mirëkuptim të plotë për veprimet e njëri-tjetrit.

Dhe si për të ikur nga Mesjeta, për ta kthyer në shekullin ku jetojmë, kryetari i opozitës e pyeti për diçka që lidhej me aktualitetin politik, një shqetësim që donte ta ndante me të.

– S’ka problem fare, fol lirshëm, – e nxiti shefi i qeverisë. – Çfarë halli ke?

– Kur ju i tundët gazetarëve listën tuaj të deputetëve, – shpjegoi tjetri, syri më kapi rastësisht disa emra nga lista juaj, dhe lexova edhe një emër, e kam në listën time. Ka mundësi që ky deputet të jetë në të dyja listat dhe me mirëbesim, mund ta shmangim.

– Aha! – ia bëri shefi i qeverisë. – S’ka problem fare. Merre listën e lexoje, – dhe e nxori nga xhepi i pasmë i xhinseve.

Ky gjest mirëbesimi e detyroi tjetrin të bënte të njëjtën gjë. Të dy lexuan avash – avash listat përkatëse dhe identifikuan pesë deputetë që ishin në të dyja listat.

– Deputetin Gazep Xhupi e paske ti, – tha shefi i qeverisë, – por me sa mbaj mend ka qenë me mua, pastaj kaloi nga ti, por më pas kaloi nga unë apo jo? Nuk jam i sigurt se me kë është, por besoj se me mua, sepse njerëzit përgjithësisht janë me pushtetin.

– Ashtu, – pohoi kryetari i opozitës, por e kam blerë.

– Sa e bleve?

– Një truall ndërtimi.

– Ohu, ti i dhe truallin, por unë ia bëra vilat, ama. Pastaj, kjo shitblerja e deputetëve është legalizuar, ne e kemi miratuar në Kuvend, – tha ai. – Le të heqim dorë nga kursi primitiv i këmbimit të deputetëve në kafenenë e Parlamentit. Dhe madje këtë, Gjupin, unë e kam blerë onljan, – tha shefi i qeverisë.

– Po pra, – tha tjetri, por duhet verifikuar kur e ke bërë blerjen e fundit.

– Para një muaji e kam blerë unë, – verifikoi shefi i qeverisë.

– Para dy ditësh e kam bërë këtë blerje, – tha ai i kënaqur për këtë blerje të leverdisshme që s’e detyronte të mendonte për një emër tjetër.

– Aha, qerratai, qenka shitur prapë, – qeshi me gjithë shpirt shefi i qeverisë.

Kishte ndjekur me vëmendje kursin e këmbimit të deputetëve, ditën e djeshme numrat nuk kishin lëvizur, por këtë nuk e kishte vënë re.

– Po ky kandidati që thanë këta gazetarët, – pyeti ai, – si e pat emrin?

– Qëndrim Sokoli, – i tha shefi i opozitës. – E mbajta mend sepse opozita është ajo që gjithmonë duhet të bëjë qëndresë.

– Rrofsh. Po shënoj emrin e tij.

Pastaj e palosi letrën dhe e futi përsëri në xhepin e pasmë të xhinseve.

– Kam aq shumë etje sa ta pi detin, – i tha ai kolegut kundërshtar.

– Po, pra, – i tha tjetri. – Po të ishte deti pushtet do ta pije të tërin, natyrisht.

Shefi i qeverisë, i kënaqur, e ftoi kolegun që të shkonin, ashtu siç ishin me pantallona të shkurtra e të futeshin në det.

Për habinë e gazetarëve ata ikën me vrap si dy kalamaj dhe u futën “bëlldum” në ujin e ngrohtë të detit të Vlorës, ndërkohë që vazhdonin bisedën. Gazetarët u ngazëllyen nga kjo pamje, e cila dukej sikur shënonte fundin e tranzicionit dyzetë e pesë vjeçar. Dhe ashtu ishte, gjithçka vajti mirë, derisa dolën më në fund në breg, ku ishte kryetari i opozitës ai që mbeti si vuv dhe nuk po mundte të fliste. Nxori listen e qullur nga xhepi, në praninë e një kamere dhe kuptoi se atje ishte fshirë nga uji më shumë se gjysma e emrave të deputetëve. Ndërsa i dridheshin buzët tha: Paskan vdekur.

Shefi i qeverisë e ngushëlloi duke i kumtuar se edhe atij i kishin vdekur njëzetë deputetë, por lista do të plotësohej sërish pasi të bëheshin varrimet e tyre sipas protokollit të shtetit. Të dy, njoftuan zyrtarisht vdekjen e deputetëve, u lexuan emrat dhe morën pjesë në varrimin e tyre tek “Dëshmorët e Kombit”, menjëherë pasi pasi morën një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e cila deklaroi që de jure kishin vdekur dhe kjo nënkuptonte lidhjen e pensioneve të përjetshme, por meqenëse de facto ishin gjallë, ata s’mund të punësoheshin në shtet ose privat. Mund të merrnin pjesë e në varrimet që bëheshin për ta, por s’mund të shpreheshin apo mbanin fjalime për veten. U shpallën të vdekur sepse sipas Gjykatës: “Çdo letër e shkruar nga shefi i qeverisë apo i opozitës ka efektin e dokumentit” prandaj duhej vijuar me zëvendësimin e deputetëve në listë, gjë që u pranua nga të gjithë krahët politikë.

Me këtë interpretim u gëzuan të gjithë, vetë ligjvënësit e vdekur po se po, sepse do t’u gëzoheshin pensioneve të përjetshme pa shkelur kurrë në Parlament; kjo ishte një arritje historike dhe u pranua njëzëri e më pas u përfshi edhe në analet e historisë si ngjarja që shënoi fundin e një tranzicioni shoqëror të gjatë e të lodhshëm.

Imazhi: Avni Delvina 

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top