Mëhallat e botës-Janis Rico
Janë të pikëlluara mëhallat,
janë të çveshura mëhallat.
Retë qëndrojnë këmbëkryq sipër shtëpive
dhe pinë bishtat e cigareve të ditës.
Ja dyqani i kosaxhiut në qoshe.
Llamba e parë ndizet. Qan një foshnjë.
Vaji i saj varet nga mbasdita
si varet katanàja e rreckosur nga telat e telefonit.
Dhe nënat, pas xhamave, mendohen, mendohen:
një tryezë dërrase pa bukë,
rrobat e palara hedhur mbi karekëll,
baxhën e rrumbullaktë të papafingos së studentit me dritën e zbehtë të mbrëmjes,
q’është një pllakë e vjetër gramafoni
me një këngë që s’këndon më asnjeri.
Këngë e bukur-e harruam.
Ajo diçka thoshte për një dashuri në fushë,
për një shtëpi mes dëllënjave,
për një bango të gjelbër e për yllin e mëngjezit
që u bën dritë dy buzëve që puthen.
Sa këng’ e bukur! Kush i mban mënd tani fjalët e saj?
Fshehëm flamurët, varrosëm librat në oborr
si varrosim një foshnjë që sapo belbëzoi fjalën “nënë”,
si varrosim një farë pa ditur se kur do të dalë pema.
Po kujt i bje ndërmend tani për atë këngë?
Kujt i kujtohen ato ditë vere plot gjinkalla,
rrugët e Athinës plot brohoritje, ëndrra e pankarta?
Po ngryset shpejt nëpër mëhallat.
Dielli humbet i pluhurosur prapa maleve
si humbet zhurma e një motoçiklete ushtarake
në gjatësinë e bulevardit. Asgjë s’ndihet.
Të kyçura shtëpitë. Të kyçura zëmrat.
Të kyçura gojët. Asgjë.
Veç hapi i policit po dëgjohet
i qartë, shum’ i qartë dëgjohet hapi i policit
nëpër mëhallat e Athinës, mbrëmjeve.
Janë të pikëlluara mëhallat
dhe mjekrën e tyre e kanë futur në gji.
Mëhallat s’flasin. Mbrëmja shëtit në rrugët e baltosura,
e vetëmuar, me një hënë të vjetër e të çkurdisur në duar,
si lypësi i verbër me fizarmonikën e tij. I bie një kënge të verbër…
Pĕrktheu: Spiro Çomorra
Botim i vitit 1961
Mëhallat e botës-Janis Ricos
Mëhallat e botës-Janis Ricos Ky qytet i kaltër s’ia var vdekjes.Kur i presin njërën dorë,