Gregor Samsa shkruan “Librin e Karantinës”-Granit Zela

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Granit Zela

Kur një mëngjes Gregor Samsa u zgjua pas ëndrrash të trazuara, vuri re se pasi kishte fjetur gjithë natën në tryezën ku kishte ngrënë darkën, ai qe shndërruar në një shkrimtar të përbindshëm karantine me maskë kundragaz. Mbi tryezë kishte copa kartoni, pëlhure, copa lëkure të prera në përmasa të ndryshme në trajtën e një fytyre njeriu, maska luanësh, tigrash, maçokësh, karnavalesh, teatri, cirku, ballosh, garze, kirurgu, saldimi, maska të vdekurish. Mes gjithë atij grumbulli maskash, sytë i pikasën një bllok të madh shënimesh me kapak të kuq. E mori në duar dhe lexoi një titull mbi kapak: “Libri i karantinës”. Njohu shkrimin e tij. Shfletoi fletët e bllokut dhe u habit se ai ishte i shkruar i tëri, një roman, që siç dukej e kishte shkruar në mënyrë të pavetëdijshme, porse nuk po i kujtohej. Duke mbajtur në njërën dorë librin, sakaq dora tjetër i shkoi tek fytyra dhe kuptoi se kishte një maskë, të cilën nuk e hiqte dot.

“Ç’më paska ngjarë kështu?”, tha me vete, duke vaisur kryet me gjithë maskë, zhytur në një dëshpërim të pamatë, para se të shembej i pafuqishëm në karrige.

“Ç’më paska ngjarë gjatë gjithë këtij muaji lufte dhe karantinimi, që paskam shkruar një roman?”

“Po kur e paskam shkruar, medet për mua”, nisi të flasë me veten. “Kur qenkam katandisur ka keq sa të ulem të shkruaj një libër! O i mjeri unë, o mjeri unë”, dhe ia plasi vajit. Mirëpo lotët brenda maskës së kundërgazit, të cilën u rrek më kot për të njëqindën herë ta hiqte, e bënin më të vështirë frymëmarrjen, ndaj iu desh të pushonte se as nuk i fshinte dot.

Dukej se po mendonte të përshtatej me gjendjen e re, kur në derë ndjeu të trokiturën e motrës. Nuk pati kohë të nxirrte zë, sepse Greta ishte tashmë brenda dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur ai të mos ishte shndërruar tashmë në një shkrimtar përbindësh me maskë kundërgaz, iu afrua e gëzuar dhe nisi t’i tregojë telenovelën që ishte duke parë në TV. Ishte histori e bukur…

Sytë e saj të zinj u kryëzuan me të Gregorit dhe ajo shtoi: “Po aq të bukur sa librat e tu…”

– Nuk të kuptoj,  – ia ktheu ai. – Po më thua se ti e ke lexuar librin tim… Librin me kapak të kuq?”

– Po kush nuk i ka lexuar librat e tu? – pyeti ajo me një gazmend të papërmbajtshëm, – të gjithë librat e tu. Unë jam lexuesja jote më e zellshme, mos harro. I kam lexuar e para dhe në asnjë intervistë nuk e ke përmendur këtë fakt, – tha ajo, kinse sikur i kishte mbetur hatri.

– Librat e mi… intervista… nuk mbaj mend, më kupton, mua më ka ikur kujtesa pas një gjumi të gjatë mbi tryezë natën, nuk e di çka ndodhur dhe kur dhe si, më thuaj pak, ma kujto çfarë shkrimtari qenkam unë se po çmendem!

Oh, Gregor, vëllaçko, kështu modest ke qenë gjithmonë,  – ia ktheu ajo. Natyrisht, natyrisht, nuk do ta pranosh suksesin tënd letrar të jashtëzakonshëm, që arrite me vëllimin e parë të “Librit të Karantinës”, të cilin dua të ta kujtoj se e shkrove nën ndikimin e rrëfimeve që të bëja unë për telenovelat që shikoja, kurse tek publiku ai u percepetua si: “Libri i Ana Kareninës”, kështu iu përmend titulli edhe në emisionet e kulturës. Pastaj fitove edhe Çmim Letrar, po pra, Çmimin e Jashtëzakonshëm Letrar, ceremonia e të cilit u bë në një spital, si shenjë respekti për bluzat e bardha që shpëtuan qindra lexues gjatë periudhës së COVID-19, dhe njerëzit kujtuan se edhe kundragazi që mbajte në ceremoni ishte pjesë e atij dekori, kur në fakt, nuk ishte.

Çmim Letrar, tha ai më i dëshpëruar se kurrë.

– Po, – vijoi rrëfimin motra, sikur po rrëfente një nga ato telenovelat e saj të dashura që e linin pa gjumë. Libri yt mori çmim letrar nga një juri profesionistësh si “Libri më i Mirë i Panairit të Librit”. Njëra prej tyre madje, profesoreshë Shemsije Bajgadeshti, të cilësoi një “Shekspir të Karantinës”, që e kishe shfrytëzuar kohën e izolimit për të shkruar kryevepra letrare.

– Shkrimtari Gregor Samsa, – tha Kryeministri, duke mbajtur fjalën e rastit, – e shndërroi kohën e ngujimit, pas shtetrrethimit që shpalli qeveria që unë drejtoj, në vepra të mëdha.

Për pak çaste, Gregori ndjenji si i shushatur para të motrës, duke kujtuar se po dëgjonte një histori që bënte fjalë për dikë tjetër që nuk ishte ai. Por e motra, me një zell vrastar, ia përplasi më në fund të vërtetën e tmerrshme.

– Dhe, sigurisht, Ministri i Kulturës, në këtë ceremoni deklaroi që ai kishte porositur që t’i dërgonin për lexim vëllimet e tjera të librave të tu dhe si lexues i zellshëm që është kishte arritur deri tek leximi i veprës VI, të gjitha në dorëshkrim, gjë që ngjalli zilinë e Ministrit të Bujqësisë, të Infrastrukturës dhe atij të Punëve të Brendshme.

– Çudi, – u dëgjua të thoshte me vete Gregor Samsa. -Më shumë se ceremoni Çmimesh Letrare, kjo ngjan me një mbledhje qeverie, dhe unë paskam shkruar edhe libra të tjerë, madje vëllime të tëra, tha duke kapsallitur sytë.

– E vërtetë, – shtoi Greta, – sepse rasti yt ishte i veçantë. Ti fitove tek Panairi i Librit, por pastaj fitove edhe Çmimin e Librit të Vitit, të cilin e jep Fakulteti i Letërsisë, Çmimin Letrar të Akademisë së Shkencave dhe në fund edhe Çmimin Letrar të Ministrisë së Kulturës. Tek Ministria e Kulturës erdhën edhe anëtarët e kabinetit, por thjesht si lexues të tu, jo si ministra, – i shpjegoi ajo. – Pastaj, vitin tjetër botove “Libri i Karantinës II”, i cili, nga publiku u perceptua, apo siç thotë profesoreshë Bajgadeshti: “U receptua” si “Libri i Ana Kareninës II” dhe po me këtë titull u përcoll tek publiku edhe në kronikat e kulturës.

Vijoi cikli i çmimeve vlerësuese edhe tek ceremonia në Ministrinë e Kulturës, pas një viti të begatë letrar publiku perceptoi dhe receptoi se kishte pasur ndryshime në kabinetin e ministrave, ngaqë u panë disa fytyra të reja. Kjo nuk kishte tërhequr vëmendjen e askujt deri më atëherë, sepse të gjitha energjitë e njerëzve ishin të përqendruara tek shkrimi, konkurset letrare, hapjet e tregjeve të leximi dhe shkrimit, Qendrave Kombëtare dhe të Pushtetit Vendor për Kultivimin e Prozës Letrare.

Atë vit ty të besuan drejtimin e OFL-së dhe u bërë shumë i famshëm se dilje çdo ditë në TV dhe raportoje për punën e bërë, sekuestrimin e veprave letrare që kishin dalë plagjiatura, të librave me poezi të vjedhura nga portalet, librave të maskuar si tregime, por që në të vërtetë ishin romane të botuara në vendet e BE-së, si dhe romanet e shkrimtarëve aziatikë kur emrat e personazheve: Aiguo, Chongan, Chung, Dingxiang, Feng, Hahn, Iromi, Ichiro, zevendësoheshin me emra të tjerë: Gjetan, Artan, Shejtan, Hasan, Haram, Ibish, Gent, Gani, Gjorg dhe Gjergj, kurse emrat e qyteteve aziatike, me ato të Golemit, Gjirokastrës dhe Gjakovës.

– Nuk më kujtohet kjo OFL- ja,  – protestoi shkrimtari Gregor Samsa. E çfarë është OFL-ja njëherë?

– Operacioni “Forca e Librit”, – i shpjegoi me durim Greta.

– Ti dilje çdo mbrëmje në konferencë shtypi në Ministrinë e Kulturës, ku informoje publikun shkrimtar se si OFL-ja kishte mësyrë shtypshkronjat që botonin kryevepra të letërsisë botërore, por duke ua ndryshuar titujt dhe emrat e personazheve. Si provë tërhoqi vëmendjen libri me titull “Aventurat e Edison Beut”, një poemë, e cila, në të vërtetë ishte libri i maskuar i Homerit: “Odiseu”, porse botuesi e kishte zëvendësuar siç zëvendësohet një pikturë origjinale e Pikasos me një kopje amatore të sajuar për ibret.

Popullariteti yt u rrit menjëherë pas shpalljes së vendimit për konfiskim të këtyre librave dhe heqjes të së drejtës së shtypshkrimit për 100 vitet e ardhshme, bashkë me burgosjen e këtyre autorëve me burg, pas akuzës së ngritur nga Prokuria e Lartë e Letrave (PLL) për “shkatërrim të trashëgimisë letrare botërore” në bashkëpunim me familjarët. Asokohe u mbyllën 100 nga 300.000 shtëpi botuese, pasi u zbulua se kishin punësuar si redaktorë, korrektorë, recensentë punëtorë, që në të vërtetë kishin profesorin e nallbanit, hidraulikut, rrobaqepësit dhe berberit, gjë që ndalohej me ligj, dhe për më tepër nuk kishin as shkollën e mesme profesionale në këto fusha. Pas një vendimi të qeverisë, që u botua në “Fletoren Letrare”, të gjithë autorët që kishin botuar me lekët e tyre të xhepit librat e tyre, kishin të drejtë të kërkonin kthimin e lekëve mbrapsht dhe ti s’e mban mend, por me qindra, mijëra shkrimtarë mësynë në sportelet e shtëpive botuese për të tërhequr milionat e lekëve të paguara më kot. Sidoqoftë, u detyruan që para se të marrin mbrapsht paratë, të nënshkruajnë një dokument ku zotoheshin të mos botonin më gjatë tridhjetë viteve të ardhshme për shkak të të dëmit estetik që i sollën mjedisit letrar gjatë tridhjetë vjetëve të shkuara. Po nuk ishte kjo ajo që të bëri popullor. Ishte kundragazi që mbaje para kamerave, i cili e çmendi publikun. Kundragazi yt u kthye në një lloj mode shumë të përhapur tek shkrimtarët, dhe po të kesh parasysh që janë të paktën një milion të tillë me librezë anëtarësie në Lidhjen e Shkrimtarëve, nuk janë pak, ndërkohë që ky vend popullsinë e ka gjithsej dy milionë, se të tjerët kanë ikur në ekzil me mbështetejen e flaktë të qeverisë.

– Një milion shkrimtarë, – klithi pa dashur Gregor Samsa. – Po mbledhjet, apo kuvendet e shkrimtarëve, ku i mbajnë? –  pyeti gjithë kërshëri ai.

– Në stadiume vëllaçko, po ku, – ia ktheu sakaq ajo. – Më rrallë në “Pallatin e Kongreseve” për shkak se atje qiraja është më e shtrenjtë.

OFL-ja gjurmoi çmimet e fituara letrare, si dokumente zyrtare meritash të grabitura dhe detyroi kthimin mbrapsht të të gjithë çmimeve letrare, të dhënë nga specialistët e Partisë së Majtë për shkrimtarët, nga burokratët e Partisë së Djathtë për shkrimtarët, nga Partia e Mikut, si dhe ato të marra forcërisht, duke u vënë koburen tek koka anëtarëve të jurisë profesioniste. U përjashtuan përjetë nga ceremonitë zyrtare e çmimeve letrare të gjithë autorët që kishin botuar, le të themi tridhjetë libra, por kishin marrë dyfishin ose trefishin e çmimeve letrare në raport me numrin e botimeve, duke grumbulluar rreth njëqind a po dyqind çmime. Dëbimi i tyre nga çmimmarrja letrare u bë me një ceremoni publike funebre nën tinguj melankolikë.

– Sigurisht, pas bujës së fillimit, filluan edhe andrallat për familjen tonë. Mbërritën letra kërcënuese në shtëpi. Babai dhe nëna u alarmuan dhe njoftuan policinë. U ndërmorën hetime dhe u zbulua që këto ishin vepra të një grupi gueril paraletrar, që vetëquhej “Shkrimtarët ndërkombëtarë”, shkrimtarë mesatarë që kshin botuar aty-këtu ndonjë poezi a tregim në ndonjë revistë letrare në Kazakistan, në Indi, Afrikë, botime në disa shtëpi botuese me pagesë në Gjermani, Angli dhe Suedi, ku pas hetimeve njëmujore, u zbulua se drejtoheshin nga mafia letrare shqiptare, e cila shtrihej në disa kontinente, me pronarë shqiptarë, të cilët, pas botimit të librave atje, i shisnin në treguan vendas kinse si si bestsellër ndërkombëtarë, më së shumti te “Tregu i Librit në Kombinat” dhe tek “Bërryli”.

Ata guxuan edhe të shpërthejnë disa kapsolla dhe të gjuajnë me vezë drejt shtëpisë sonë pas arrestimit të shumë shkrimtarëve, anëtarë të kësaj organizate, në shtëpitë e të cilëve u gjetën dorëshkrime me poezi, tregime dhe romane të blera në treg. Gazetat shkruanin se ky grup paraletrar u bë i dhunshëm për një arsye tjetër, ndalimin e shitjes si roman të kujtimeve vetjake nga burgu, librave gazetareskë, librave historikë, kronikave të zeza si libra policorë dhe librave me receta gatimi si romanca të letërsisë rozë. Natyrisht, kjo preku shumë interesa dhe shkaktoi revoltë.

– Nga sa kuptova… unë jam një shkrimtar bashkëkohor, – foli rënkueshëm ai. – Po, – ia preu shkurt Greta. – Je shkrimtar bashkëkohor shqiptar… madje nuk e ke emrin Gregor, dua të them, ashtu e ke, por këtu të thërrasin ndryshe zemër, këtu e ke emrin Gani, Gani Zeka, autor i librave të karantinës.

– Po si i bëjnë këto metamorfoza letrare, xhanëm, pa pikë turpi, – u ankua shkrimtari Gregor Samsa.

– Epo, kjo ndodh me të gjithë, Greg, – e sqaroi ajo. Rivali yt letrar është njëfarë Nikë Kolgjoni, i cili rishkruan vazhdimisht, duke tjetërsuar veprat letrare të Nikollaj Gogolit. Ai i ka siguruar vetes një emër të madh, nuk po them se rrezikon emrin tënd si shkrimtar këtu, por thjesht që ta dish, – i tërhoqi vëmendjen ajo, sikur t’i kishte treguar për ndonjë zbulim.

– Vërtet? – pyeti Gregori, duke parë nga e motra, e cila, përpos të tjerash, sikur i gjalli kërshërinë për këtë popull të çuditshëm shkrimtarësh. Ajo, siç i pohoi më vonë, e nxiste që të botonte me shumë “letërsi onlajn”, pasi ky popull shkrimtarësh çmendej pas kësaj lloj letërsie. Nuk po thoshte se nuk çmendeshin edhe popujt e tjerë, po këta këtu bënin si të fantaksur, ky ishte ndryshimi.

– Letërsi onlajn, – belbëzoi me vete shkrimtari Gregor Samsa. – Antologji onlajn. Çmim Nobel onlajn.

Më pas, Greta i pohoi se duke jetuar në këtë vend edhe prindërit e tyre kishin shkruar disa libra dhe se ata ishin tashmë një familje shkrimtarësh, por ai ishte i përhumbur në mendime të thella, sikur po mendonte për ndonjë subjekt letrar, për të cilin dyshonte nëse ishte origjinal apo e kishte vjedhur nga shkrimtarët latino-amerikanë.

Sakaq Greta doli nga dhoma dhe ai mbeti si shastisur me vështrim të ngulitur në një pirg librash të kuq.  Iu afrua me shumë drojë si një fëmijë. Zgjati dorën ngadalë drejt njërit prej tyre dhe lexoi emrin e tij në ballinë dhe po atë titull “Libri i karantinës I”.

E pra, nuk paskam qenë në ëndërr, tha si në jerm. Hapi kapakët dhe në faqet e parë lexoi:

I dashur lexues, jam i ngazëllyer që je duke lexuar librin e karantinës, shkruar për ty nën kujdesin e posaçëm të strukturave shtetërore që merren me letërsinë dhe artet. Si Autor, dua t’ju vë në dijeni se në Hyrjen e këtij romani ka një shkretëtirë globale lexuesish, dhe ndoshta ti je i vetmi lexues i gjallë, nëse ke larë duart sa herë të është kujtuar se ke duar.

Po ta rikujtoj dhe dua ta theksoj fort, çdo faqe mund të jetë e infektuar me COVID 19, prandaj futi një dezenfektim këtij libri, përqendroje disenfektantin tek kreu i tretë, sepse në fund të tij, parajmërohet se do të ketë një skenë dramatike, ku lexuesit do t’i duhet të shkrehet në lot për fatin e keq të personazheve.

Në kapitullin e pestë, lexuesi do të duhet të qeshë me të madhe për absurditetet e jetës. Në kapitullin e mëpasëm do të kemi shumë mister, gjendje ankthi, zemra e lexuesit do të rrahë fort, do të ketë një “krrau-krrau” të kobshëm në dritare, natyrisht, lëvizje të çuditshme objektesh, ndërsa gjithçka mbetet mister.

Lexuesi do të ketë mirësinë të kalojë në kapitullin pasardhës, ku për të krijuar një kontrast me kapitullin paraadhës, personazhet i gëzohen jetës, shkojnë në taverna, zbrazin kupa e puthin çupa….

E ja pra, këtë libër autori e ka shkruar duke pasur gjatë gjithë kohës temperaturë të lartë, kollitje të thatë, e cila nuk e linte rehat orë e çast, lodhje, vështirësi në frymëmarrje dhe teshtima, shumë teshtima. E di që këto shenja e shqetësojnë shumë lexuesin, i cili ka gjasa të mendojë se autori është i infektuar nga virusi Korona, por jo i dashur lexues, mos u shqetëso, këto janë simptoma të Autorit që shkruan “Librin e Karantinës”, dhe për shumicën e Autorëve, kjo është një sëmundje e ëmbël letrare, që i kap ata që në adoleshencë dhe i shoqëron gjatë gjithë jetës.

Sapo i lexoi këto, shkrimtari Gregor Samsa ndjeu vështirësi në frymëmarrje dhe i filloi një kollë që nuk po i pushonte.  – Khu! khu! khu! – u kollit rëndshëm ai. Iu duk sikur iu shkulën tri brinjë nga gjoksi, libri i rrëshqiti nga dora dhe ra përmbys sikur ta kishin qëlluar tri herë.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top