TRANSKRIPTIMI  ZBAVITËS SIPAS KAFKËS-Milan Kundera

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Milan Kundera

Amerika është një nga romanet më kuriozë të Kafkës.  Por, në të vërtetë, përse ky prozator i ri njëzet e nëntë vjeçar, e ka vendosur romanin e parë në një vend ku s’i ka shkelur kurrë këmba? Kjo zgjedhje dëfton një qëllim të qashtër: për të mos bërë realizëm; apo akoma më mirë: për të mos bërë seriozin; zaten ai as që është rrekur ta fshehë padijen përmes studimeve; idenë për Amerikën e ka nxjerrë sipas një leximi të dorës së dytë, sipas imazheve të Epinalit dhe, në fakt, imazhi i Amerikës në romanin e tij është bërë (qëllimisht) prej klisheve; përsa i përket personazheve dhe fabulës, frymëzimi kryesor (siç pohon në ditarin e vet) është prej Dikensit, veçanërisht David Koperfild” (Kafka e quan kapitullin e parë të Amerika “imitim i pastër” i Dikensit): që aty merr motivet konkrete (i numëron: “historia e çadrës, punët e detyruara, shtëpitë e qezbunisura, dashuria në një shtëpi fshati”), është frymëzuar nga personazhet (Karli është një parodi e ëmbël e David Koperfildit) dhe veçanërisht e atmosferës ku notojnë të gjithë romanet e Dikensit: sentimantalizmi, dallimi naiv midis së mirës dhe së keqes. Nëse Adornoja flet për muzikën e Stravinskit si “një muzikë sipas muzikës”, Amerika e Kafkës është një “letërsi sipas letërsisë” dhe, në këtë zhanër, ajo është vetë një vepër klasike, në mos themeltare.

Faqja e parë e romanit: Karli është duke dalë nga vapori në portin e New-Yorkut, kur kupton që ka harruar çadrën në kabinë. Që të mund të shkojë aty, me një kollajllëk jo shumë të të besueshëm, ia lë valixhen (valixhen e rëndë ku ka të gjithë katandinë) një të panjohuri: kuptohet, dora-dorës humbet edhe valixhen, edhe çadrën. Fryma e parodisë zbavitëse qysh në rreshtat e parë bën që të lindë një botë imagjinare, ku asgjë nuk është krejtësisht e gjasëshme, dhe ku gjithçka është një çikë komike.

Kështjella e Kafkës, e cila nuk ekziston në asnjë hartë të botës, nuk është më pak joreale se ajo Amerikë e përftuar nga imazhi-klishe i qytetërimit të ri të gjigandizmit dhe të makinave. Në shtëpinë e xhaxhait senator, Karli gjen një makinë që është tejet e koklavitur, me një qindëshe kasash që iu binden urdhërave të njëqind butonave, objekt edhe praktik, edhe krejtësisht i padobishëm, edhe mrekulli edhe pakuptueshmëri. Në këtë roman kam numëruar nja dhjetë nga këta mekanizma të mrekullueshëm, zbavitës dhe të pavakishëm, qysh nga zyra e xhaxhait, vila dedaliane e fshatit, hoteli Oksidental (arkitekturë përbindshmërisht e ndërlikuar, organizim djallëzor burokratik), gjer tek teatri Oklahoma, edhe ai me një administrim hatashmërisht të pakapshëm. Kësodore, përmes rrugës së lojës parodike (lojë me klishetë), Kafka ka shpërfaqur sefte temën e tij më të madhe, atë të organizimit shoqëror labirintik ku njeriu humbet dhe shkon drejt zhdukjes. (Nga pikëpamja gjenetike: zanafilla e administratës së mynxyrshme të kështjellës, gjendet tek mekanizmat komike të zyrës së xhaxhait.) Këtë temë kaq të rëndësishme Kafka ka mundur  ta kapë jo përmes  rrugës së romanit realist, i mbështetur mbi një studim për Zolanë e shoqërisë, por bash përmes asaj rruge që duket lehtanake “letërsisë sipas letërsisë”, e cila i ka dhënë imagjinatës së tij të gjithë lirinë e domosdoshme (liri e teprimeve, marrëzive, pagjasshmërive, lirinë e sajimeve zbavitëse).

Përktheu: Balil Gjini

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top