Kanë thënë për Franz Kafka-n

in Letërsi by

PËR KAFKA-n

 

1. Blanchot

Është e vërtetë se tek Kafka ka një brengë mjaft të turbullt, ndoshta një shijim të torturës, të cilën e denoncon po vetë, që është si një lloj dredhie për ta çarmatosur fatin, duke iu shfaqur ballazi qysh më parë mizorisë së tij… (këtu edhe letra për Milenën dhe fraza më poshtë)

2. Bataille

Sido që të jetë, ideja e djegies së librave nga ana e Kafës qe një provokim. Ato ndihmuan më shumë librat e tij.

Ai ndërtonte konstrukte të çuditshme ku fjalët nuk i bindeshin logjikës, por ngriheshin njëra pas tjetrës, sikur kërkonin të habitnin, të çorientonin, sikur i drejtoheshin vetë autorit, që s’lodhej kurrë të shkonte nga njëra habi në tjetrën..

– Erotizmi i Procesit dhe Kështjellês është një erotizëm pa dashuri , pa dëshirë dhe pa forcë, një erotizëm shkretëtinor…

– A e di ti, – i ka thënë Kafka Max Brod-it, – se çdo të thotë fraza finale? (Është fjala për “në këtë çast mbi urë kishte një qarkullim të dendur” të Vendimit.) Teksa e shkrova kam menduar për një ejakulim të fortë…

3Kaneti

…mundësia e përsiatjeve gjer në litani. Në ka pasur njeri që i ka patur të qarta domosdoshmërinë dhe funksionin e litanive ky ka qenë Kafka. Kjo ka bërë që të keqkuptohet vepra e tij, dhe t’i bëhen interpretime fetare.

Nuk ekziston asgjë që mund ta tejkalojë Metamorfozën, një ndër të paktat krijime letrare me të vërtetë të mëdha e të përsosura të këtij shekulli.

Tek Kafka haset një adhurim ndaj gjumit.

Felices: “tek e fundit je vajzë dhe dëshiron të martohesh me një burrë dhe jo me një krimb.”

Një prej temave qëndrore të tij është tema e poshtërimit

Ngushëllimi i të shkruarit: të të nxjerrë nga radha e vrasësve

Ç’rëndësi kishte për shembull pushteti deri tani formal që ushtronte Klami mbi detyrën e K.-së krahasuar në realitet me pushtetin që po Ky Klam ushtronte në dhomën e gjumit të K.-së.

Sytë e ndihmësve, ata sy gdhenjsh e megjithatë vezullues.

3. Marthe Robert (përkthyesja frënge )

Kafka fliste në një gjuhë që e paraprin konfuzionin e Babelit.

– E drejta e jashtëtokësisë ishte fundja një privilegj qiellor: duke ardhur nga askundi dhe duke u përkitur të gjithëve, Kafka bënte efektin e një të rëni nga qiejt.

– Metamorfoza u botua më 1928 , domethënë në epokën kur surrealizmi përfaqësonte vetë modernitetin, për një pjesë të publikut masiv.

4. Elie Wiesel

– Lexojmë tregimin e princit dhe gjelit të detit tek Rabbi Nahman. Ai na kujton Metamorfozën. Ashtu si Gregori, edhe princi zgjohet si tjetër. Si një gjel deti.

– Në veprën e Kafkës s’ka asnjë aludim për ngjarjen që ka tronditur historinë: luftën e parë botërore… Në vitin 1918 lufta ka mbaruar, por Kafka s’lëshon asnjë klithmë gëzimi. Nuk flet fare për të.

5. Borges

– Fati i Kafkës qe që t’i transformonte ngjarjet dhe agonitë në fabula

– Dy ide – apo më mirë dy obsesione – dominojnë veprën e Kafkës. Varësia hierarkike është e para. Pafundësia e dyta…

– Pathosi i këtyre romaneve “të papërfunduar” lind nga numri i pafund i pengesave, të cilat i pengojnë heronjtë të identifikohen….

– Në veprën e Kafkës nuk ka veçse një tip njeriu: homo domesticus. Qoftë hebrenj, qoftë gjermanë. Në kërkim të një vendi, qoftë humbarak, qoftë në rendin e zakonshëm. Në univers, në ministri, në çmendinë, në burg…

6. Gide

Ankthi i këtij libri (Procesi) është i padurueshëm, sepse, në çdo çast, s’ke si të mos thuash: Ky njeri i përndjekur jam unë…

7. Herman Broch

Gjeni si Kafka lindin një herë në shekull… romani është letërsi, është pra një çështje e suksesit letrar apo e vanitetit letrar.

8. Ernst Ficher

Një shkrimtar nuk është i detyruar të propozojë zgjidhje. Pikëpyetjet e tij kanë më shumë kuptim, sesa shumë pikëçuditëse…

Revolta kundër babait është një komedi, jo një tragjedi..

9. Milan Kundera

Shoqëritë totalitare, sidomos në format ekstreme, mëtojnë të heqin kufirin midis publikes dhe privates. Pushteti, që bëhet gjithnjë e më shumë opak, kërkon që jeta e qytetarëve të jetë sa më transparente. Ky ideal i jetës pa sektete korrespondon me atë të një familjeje model: një qytetar nuk ka të drejtë të fshehë diçka para Partisë apo Shtetit, po ashtu si një fëmijë që s’ka të drejtë të ketë sekrete ndaj babait apo nënës. Shoqëritë totalitare,në propagandën e tyre afishojnë një të qeshur idilike: ato kërkojnë të duken si një “familje e madhe dhe e vetme”.

10. Deleuze

Qëllimi (letër babait) është të arrihet një zmadhim i fotos, një zmadhim që të shkojë gjer në absurd. Fotoja e babait, e tejmasëshme, do të projektohet mbi hartën gjeografike, historike dhe politike të botës, për të mbuluar rajone të gjera… Edipianizim i universit… Kësisoj s’kemi një tragjedi, por një komedi…

Siç thotë Kafka, problemi s’ishte ai i lirisë, por i një rrugëdaljeje…

Në fillim të gjyqit (Procesi) kemi një trekëndësh mjaft të përcaktuar. Por më tej asistojmë në një shumim të brëndshëm, si në një invazion kanceroz, mpleksje të zyrave dhe zyrtarëve, hierarki e pafundme dhe e pakapshme, ndotje e hapësirave të dyshimta (me mënyra krejt të tjera nga ato që gjenden edhe tek Prousti, ku uniteti i personave dhe figurave që ato krijojnë ua lënë vendin nebulozave, tërësive flu të shumuara.)

Gregor Zamza bëhet kandërr jo vetëm për t’i shpëtuar babait, por për të gjetur një rrugëdalje aty ku babai s’ka mundur ta gjejë, për t’i ikur administratorit, tregëtisë, burokratëve

Në fund motra (Metaforfoza) pranon: ajo kërkon si Gregori inçestin skizo, inçestin me lidhje të fortë, inçestin me motrën që i kundërvihet inçestit edipian, inçest që dëshmon për një seksualitet jo njerëzor, një seksualitet siç bëjnë kafshët…

Të urresh gjithë letërsinë e mjeshtrave. Tërheqja e Kafkës ndaj shërbëtorëve, nëpunësve (edhe tek Prousti për shërbëtorët, për gjuhën e tyre).

Ka gjithmnonë një femër në horizontin e letrave të Kafkës. Është bash ajo destinacioni i vërtetë…

Në letrat e Kafkës ka një rrjetë, një pëlhurë merimange. Ka një vampirizëm tek letrat, një vampirizëm epistolar. Drakula, vegjetariani, agjëruesi që thith gjakun e humanëve mishgrënës tek kështjella, që s’është larg… Letrat duhet t’i sjellin gjak dhe gjaku i jep forcë krijuese… një fluks letrash për një fluks gjaku. Që në takimin e parë me Felicen, Kafka vegjetarian është i tërhequr nga krahët e saj muskulozë, i frikur nga dhëmbët e saj kataroshë. Feliceja ka ndjesinë e një rreziku, është e sigurt se është një mëllë për t’u ngrënë. Prej soditjes së vet Kafka vendos të shkruajë, të shkruajë shumë për Felicen

11. Thënie (të Kafkës)

– Kështu e kanë të lumturit, e gjejnë të natyrshme gjithçka ndodh rreth tyre. Lumturia u jep ndërvartësinë e shkëlqyer të gjërave… njeriu i lumtur është shumë i rrezikshëm… ai do të më vriste si një vrasës ordiner (f. 17 )

– Plepin e fushave e keni quajtur Kulla e Babelit, sepse nuk e dinit ose nuk donit ta dinit, se ai vazhdon të luhatet i paemërt, po ju duhej ta emërtonit.” Noeja, kur ishte i pirë. (f. 31)

– A ka në Paris njerëz të përbërë veç prej rrobash të ojnatisura… që qielli është i zbukuruar nga re të vogla, të ngjeshura, që kanë formën e zemrës?… (f. 38)

– Një pisllëk që s’mund të ndryshohet, që është, si të thuash, vendas. (f. 68)

– Më shfaqen përpara e më vënë poshtë meritat e mia. (f. 82)

– Gjithçka që vdes ka pasur një lloj synimi, një lloj veprimtarie që e ka konsumuar.

– Ushqehesha shpirtërisht, thjesht me tallazhin që ishte përtypur prej mijëra gojësh të tjera.

 

Përktheu: Balil Gjini 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top