Çfarë na kumton Shekspiri për jetën gjatë pandemisë/ Emma Smith

in Letërsi/Në kohërat e kolerës by

Askush në dramat e Shekspirit nuk vdes shpejt dhe çnjerëzisht, i hedhur në një varr të përbashkët. Përkundrazi, fjalët e fundit dëgjohen plotësisht, epitafet dorëzohen me përpikmëri, trupat e vdekur dalin nga skena me respekt.

      Emma Smith

Në Oksford, Angli, twitter-i të ngacmon: kur Uiliam Shekspiri rrinte në karantinë për shkak të murtajës, ai shkroi dramën “Mbreti Lir”. Sepse ai kishte një përparësi: Jeta e Shekspirit u shenjua nga murtaja. Vetëm disa javë pas pagëzimit në “Kishën e Trinitetit të Shenjtë” në Stratford-mbi-Avon në vitin 1564, në regjistrin e lindjeve shkruhej: “Hic incepit pestis”. (Këtu fillon murtaja).

Shkalla e vdekshmërisë në qytezë ishte katër herë më e madhe se para një viti, kur nuk kishte murtajë. Shekspiri, i mbijetoi asaj dhe shumë shpërthimeve të tjera të epidemisë. Një pjesë e madhe e veprës së tij u shkrua, nëse jo i bllokuar plotësisht në shtëpi, të paktën nën hijen e një sëmundje shumë infektive kur s’kishte asnjë ilaç shërues. Ndërsa teatrot u mbyllën për shkak të një epidemie në vitet 1592-3, dramaturgu i ri krijoi poemat jashtëzakonisht të suksesshme në vargje: “Venusi dhe Adonisi” dhe “Përdhunimi i Lukrecias”. Sërish në vitet 1603-4, kur murtaja parandaloi festimet e kurorëzimit të mbretit të ri, Xhejms I, dhe një ndër pesë londinezë u infektua nga sëmundja, Shekspiri me siguri po shkruante veprën që hulumtonte korrupsionin qytetar: “Masë për masë”.

Pas shpërthimit të murtajës në verën e vitit 1606, Shekspiri mund të ketë qenë duke shkruar dramën: “Mbreti Lir”, po të kemi parasysh që shfaqja e parë e tragjedisë u bë në të njëjtin vitn në pallatin e Whitehall-it, rezidenca kryesore e monarkëve anglezë, Tudorëve dhe Stjuartëve. Ndikimi i sëmundjes tek kjo dramë, është i tërthortë. Përmendet shkarazi murtaja, e cila e ka humbur veçantësinë e saj me kalimin e kohës, por që më pas duhet të ketë shkaktuar tmerr. Liri mallkon vajzën e tij Reganën dhe të shoqin me “Hakmarrje, murtajë, vdekje, çmendje” dhe e mallkon si “Plagë murtaje… në gjakun tim të shprishur”.

“Plagë murtaje” nënkupton gjëndrat e skuqura limfatike që ishin simptomë e frikshme e sëmundjes, diçka që asnjë prind nuk ia uron fëmijës së vet. Ndoshta dhuna e veçantë e dramës ndaj brezit më të ri alegorizon atë të vetë murtajës; sëmundja po bënte kërdinë ndër të rinjtë në vitet 1920-30. Shekspiri duket se ka qenë në gjendje të mbrohet në atë kohë. Murtaja është kudo dhe askund në veprën e tij. Në gjuhën e “Mbretit Lir” dhe në drama të tjera është e gjithëpranishme, por nga ana tjetër mungon pothuajse plotësisht.

Burrat dhe gratë, përjetojnë në mënyrë krijuese vdekje nga më të larmishmet. Tek “Otello”, Desdemona jep shpirt në shtrat. Tek “Tit Androniku”, përdhunuesve u pritet fyti. Xhoni i Gauntit vdes në pleqëri me shëndet të përkeqësuar nga mungesa e djalit të mërguar tek drama “Rikardi i dytë”. Tek “Hamleti”, Ofelia mbytet. Por askush në dramat e Shekspirit nuk vdes nga murtaja. Romeo dhe Xhulieta, të cilët vdesin sepse letra e fratit mbahet për shkak të masave të karantinës në veri të Italisë, është detaji që e lidh murtajën me këtë fatkeqësi. Ngjarjet në dramat e Shekspirit nuk ndodhin kurrë në Londrën bashkëkohore, dhe po kështu ai nuk u mor në mënyrë të drejtpërdrejt me shkakun më të mirënjohur të vdekjeve të papritura në shoqërinë e tij. Realizmi dokumentar nuk ishte stil i Shekspirit.

Janë autorë të tjerë, bashkëkohës të Shekspirit, dramaturgu dhe pamfletisti Thomas Dekker, ai që shkroi një varg pamfletesh therëse në prozë për murtajën, poeti dhe dramaturgu Ben Jonson, drama e të cilit “Alkimisti” rrok energjinë paranojake të një shtëpie gjatë bllokimit të plotë prej murtajës, pasi ajo ka mbetur në duart e shërbëtorëve ndërsa zotëria është larg, ku mund të kërkojmë të gjejmë efektet e drejtpërdrejta të murtajës në shoqërinë e shekullit të 17-të.

Shekspiri bën diçka ndryshe. Kritiku francez René Girard, shkroi në një esé të famshme që “Efekti më i dallueshëm i murtajës është se ajo shkatërron përfundimisht të gjitha format e dallueshmërisë”. Gropat e varrosjes masive për viktimat e murtajës ishin simbol i dukshëm i mënyrës se si sëmundja rrafshoi dallimet shoqërore, gjinore dhe vetjake. Zoti Dekker vuri në dukje se në varrin e përbashkët, “Shërbëtor dhe padron, mëkatarë e e të papërlyer /i ka veshur njëlloj dhe në shokë i ka kthyer”. Murtaja ishte indiferente ndaj kufijve të ngritur nga shoqëria dhe oreksi i saj ishte i tërbuar. Mijëra burra, gra dhe fëmijë u çuan në varr, kurse Dekker shkruan: “sikur kishin rënë në në një shtrat”.

Këto imazhe të zakonshme në kulturën e mesjetës së vonë, të njohura si “vallëzimi mortzi”, ose vallëzimi i vdekjes, përshkruanin vdekjen, të personifikuar si një skelet, i cili lëviz midis të gjallëve. Është me ta, i padukshëm, në dhomën e gjumit, në tryezë, në rrugë, në zyrë. Ndërsa përshkrimi është i tmerrshëm vdekja është kthyer në pjesë të rutinës së përditshme. Tragjeditë e Shekspirit e kanë këtë prani. Përgjigjia e tyre ndaj murtajës nuk është që të mohojnë vdekjen, por të theksojnë ndryshimin unik dhe të pashmangshëm të njerëzve.

Paradoksi i tragjedisë është se thekson domethënien dhe veçanësinë e individit edhe kur e çon në mënyrë të pashpjegueshme drejt fundit të tij. Nuk e mbron vdekjen po i jep asaj kuptim dhe një kontekst specifik. Subjekte të hollësishme, motive, ndërveprime dhe tabola të errëta përqendrojnë vëmendjen tonë tek qeniet njerëzore. Askush në dramat e Shekspirit nuk vdes shpejt dhe çnjerëzisht, i hedhur në një varr të përbashkët. Përkundrazi, fjalët e fundit dëgjohen plotësisht, epitafet dorëzohen me përpikmëri, trupat e vdekur dalin nga skena me respekt.

Shekspiri nuk është i interesuar për statistikat, për ato që në kohën e tij quheshin “faturat e vdekshmërisë”. Dramat e tij e ripërfytyrojnë rrëfimin mbizotërues për epideminë si rrëfim të zvogëluar në tragjedi, duke vënë karakteristikat unike njerëzore përballë plojave shfarosës të sëmundjes. Vepra e tij është një profilaktikë kulturore për të kuptuarit e sëmundjes vetëm në aspektin sasior, një vaksinë rrëfimore.

Edhe “Mbreti Lir” e bën këtë; qëllimisht lë mënjanë numrat dhe përmasën e përhapjes për t’u përqëndruar me vendosmëri tek individët. Kur Liri e kupton, gjatë shtrëngatës se ka shpërfillur gjendjen e vështirë të popullit të tij, ky është më pak zbulimi i një detyrimi të lashtë fisnik britanik dhe më shumë të kuptuarit se murtaja që nuk bën dallim duhet të na kujtojë njerëzoren tonë të përbashkët: Fatzinj, të varfër, lakuriq, t’uritur/Kudo dhe në çdo vend të botës qofshi,/Që pa strehim e shpresë po duroni/Sulmin e kësaj sqote të pabesë/Si do të mbrohi nga stuhi si kjo,/Me kryet të zbuluar, pa mbulesë,/Me barkun zbrazur, rrobat lecka, lecka,/Sa pakë kam menduar për këtë! (Përkthim i S. Luarasit)

Vetë mjerimi i mbretit e bëri të kuptojë, për herë të parë, që edhe jeta e njerëzve të tjerë ka kuptim. Ndoshta mjerimi ynë tani, si i Lirit, do të na ndihmojë ta gjejmë kuptimin në jetët e të tjerëve. Ndoshta, si Shekspiri, ne duhet të përqendrohemi jo te statistikat, por tek individi, i cili është mrekullisht, çuditërisht, në mënyrë të pashmangshme dhe të pandryshueshme – individ.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top