Isabelle Allende për pandeminë, letërsinë dhe fundin e rendit patriarkal

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Pabarazia, ky është realiteti, mënyra se si disa njerëz e kalojnë këtë periudhë izolimi në një jaht në Karaibe, dhe të tjerët përfundojnë të uritur

Intervistoi Leila Macor, për AFP

Leila Macor: Si e ka ndryshuar pandemia rutinën tuaj?

Isabelle Allende: Pandemia, izolimi, frika nga virusi dhe të gjitha protestat që kanë ndodhur i kanë bllokuar njerëzit. S’është e lehtë. Edhe mua më ndodh, por jam shumë e disiplinuar.
Gjysma e betejës ka të bëjë me uljen përditë para kompjuterit, në të njëjtën kohë. E pra, ka gjasa që ajo që shkruan në një ditë të caktuar të jetë e padobishme. Por s’ka rëndësi. Kështu shkruhen librat, pak nga pak, dhe me durim.

A ka ndikuar pandemia në veprën tuaj letrare?

Pandemia do të sjellë si pasojë një valë, një ortek, interpretime të reja të realitetit tonë, jo vetëm në art, por në filozofi, histori, gjithçka. Por në rastin tim, unë kam nevojë për kohë dhe pak largësi për t’i parë gjërat.  Mund ta kisha “Shtëpinë e shpirtrave” menjëherë pas grushtit ushtarak të shtetit në Kili, në vitin 1973. Por u deshën të kalonin më shumë se tetë vjet për ta shkruar, sepse kisha nevojë për aq kohë, për ta përpunuar atë që ndodhi. Dhe mendoj se do të bëj të njëjtën gjë dhe me këtë që po ndodh tani.

A ju ka mësuar ndonjë gjë kjo periudhë izolimi?

Pandemia më ka mësuar të mos rend pas gjërave materiale, më ka ndihmuar të kuptoj se për sa pak gjëra të tilla kemi vërtet nevojë. Shpesh shoh përreth dhe pyes veten pse janë gjithë këto gjëra, pse u dashkan më shumë se dy pjata. Pastaj, dua të kuptoj se cilët janë miqtë e mi të vërtetë dhe me cilët prej tyre dua vërtetë ta kaloj kohën.

Çfarë mendoni se po na mëson të gjithëve pandemia?

Po na mëson të përcaktojmë çfarë është parësore në jetët tona dhe po na tregon realitetin ku jetojmë. Pabarazia, ky është realiteti, mënyra se si disa njerëz e kalojnë këtë periudhë izolimi në një jaht në Karaibe, dhe të tjerët përfundojnë të uritur. Po na mëson edhe se të gjithë jemi një familje e madhe. Ajo që i ndodh një qenie njerëzore në Wuhan, i ndodh të gjithë planetit, ndodh me të gjithë ne. Nuk ka mure, nuk ka mure që mund t’i ndajnë njerëzit. Krijuesit, artistët, shkencëtarët, të gjithë të rinjtë, shumë gra, të gjithë po mendojnë se çfarë nënkupton ky rend i ri i gjërave. Dhe askush prej tyre s’do të kthehet në atë që ishte normale më parë. Kjo është pyetja më e rëndësishme e kohës tonë: ëndrra për një një botë të ndryshme. Duhet ta jetësojmë atë.

Si do të ishte ndryshe kjo botë e re?

Do shënonte fundin e sistemit patriarkal. Këta burra shtazarakë që sundojnë botën do të hiqeshin qafe. Nënkupton një botë në të cilën burrat dhe gratë angazhohen në mënyrë të barabartë në drejtimin e planetit. Të mos jetë dhuna dhe lakmia që të sundojë botën, por solidariteti, dhembshuria dhe shpresa. Kjo është bota që duam, një botë në të cilën ka respekt për natyrën dhe për gjallesat e tjera. Të rinjtë do të trashëgojnë një botë që ne e kemi shkërmoqur. Vetëm ata mund ta shpëtojnë planetin, nëse mund të shpëtohet. Kam shpresë që ata kanë një zgjidhje pozitive.

Çfarë mendoni për protestat e fundit në Shtetet e Bashkuara?

Protestat kanë të bëjnë me drejtësinë racore dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me çështjen e varfërisë.
Kush janë njerëzit më të varfër në këtë vend? Kush janë ata me kujdesin më të dobët shëndetësor, me më pak vende pune, që vuajnë më shumë brutalitetin policor, kush burgoset më shpesh? Afrikano-Amerikanët. Mendoj se këto shpërthime të protestave mund të bëjnë të ndodh gjithçka. Ka një krizë të jashtëzakonshme globale ekonomike. Dhe kjo do të shkaktojë më shumë papunësi, më shumë varfëri dhe, rrjedhimisht, më shumë dhunë. Do të ketë më shumë protesta, protesta të mëdha. Këto probleme nuk mund të zgjidhen me plumba ose gaz lotsjellës. Ato do të zgjidhen vetëm duke u marrë me shkaqet rrënjësore. Këto janë probleme të kahershme që i kanë rrënjët në epokën e skllavërisë.

AFP, 7 korrik 2020

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top