Çfarë na mësojnë romanet e mëdhenj pandemikë/Orhan Pamuk

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Orhan Pamuk

Gjatë katër viteve të fundit kam shkruar një roman historik, ngjarjet e të cilit ndodhin në vitin 1901, kohë kur ndodhi një shpërthim i murtajës bubonike, që vrau miliona njerëz në Azi, por jo shumë në Evropë dhe njihet si pandemia e tretë e murtajës. Gjatë dy muajve të fundit, miqtë dhe familja, redaktorët dhe gazetarët që e njohin temën e romanit: “Netët e murtajës”, më kanë bërë një lum pyetjesh rreth pandemisë. Më së shumti janë kureshtarë për ngjashmëritë midis pandemisë së tanishme të koronavirusit dhe shpërthimeve historike të murtajës dhe kolerës. Ngjashmëritë janë me tepri. Përgjatë historisë njerëzore dhe letrare ajo që i bën pandemitë tē ngjashme nuk është thjesht prania e zakonshme e mikrobeve dhe viruseve, por fakti që reagimet tona në fillimin e tyre kanë qenë gjithmonë të njëjta.

Përgjigjia fillestare ndaj shpërthimit të një pandemie ka qenë gjithmonë mohuese. Pushteti qendror dhe vendor gjithmonë ka reaguar vonë, ka shtrembëruar fakte dhe ka manipuluar shifrat për të mohuar ekzistencën e shpërthimit. Në faqet e para të “Ditar i vitit të murtajës”, vepra më ndriçuese e letërsisë e shkruar ndonjëherë për një sëmundje ngjitëse dhe sjelljen njerëzore, Daniel Defoe raporton se në vitin 1664, autoritetet lokale në disa lagje të Londrës u përpoqën ta bënin numrin e vdekjeve nga murtaja të dukej më i ulët sesa ishte, duke regjistruar sëmundje të tjera, të shpikura, si shkaku i regjistruar i vdekjeve.

Në romanin e vitit 1827, “Të fejuarit” ndoshta romani më realist i shkruar ndonjëherë për një shpërthim murtaje, shkrimtari italian Alessandro Manzoni përshkruan dhe mbështet zemërimin e popullatës vendase për reagimin zyrtar ndaj murtajës së viti 1630 në Milano. Pavarësisht nga provat, guvernatori i Milanos shpërfilli kërcënimin e paraqitur nga sëmundja dhe nuk anuloi as festimet e ditëlindjes së një princi vendas. Manzoni tregoi se murtaja u përhap me shpejtësi, sepse kufizimet e paraqitura ishin të pamjaftueshme, zbatimi i tyre ishte i dobët dhe bashkëqytetarët e tij nuk i kishin dëgjuar.

Pjesa më e madhe e letërisë për murtajën dhe sëmundjet ngjitëse paraqet pakujdesinë, paaftësinë dhe egoizmin e atyre që janë në pushtet si nxitësit e vetëm të tërbimit të masave. Por shkrimtarët më të mirë, siç janë Daniel Defoe dhe Albert Camus, i mundësuan lexuesit e tyre të shohin tek vala e tërbimit popullor, diçka tjetër përveç politikës, diçka të qenësishme tek gjendja njerëzore. Romani i Defoe-s na tregon se pas protestës së pafund dhe tërbimit të pakufishëm qëndron edhe një zemërim kundër fatit, kundër një vullneti hyjnor që dëshmon dhe mbase madje edhe lejon gjithë ato vdekje dhe vuajtje njerëzore, dhe një tërbim kundër institucioneve të fesë, që duken të pasigurta të merren me ndonjërën prej këtyre çështjeve.

Reagimi tjetër universal dhe në dukje jo i atypëratyshëm i njerëzimit ndaj pandemive, ka qenë gjithmonë krijimi i thashethemeve dhe përhapjes së informacionit të rremë. Gjatë pandemive të shkuara, thashethemet u nxitën kryesisht nga kenqinformime dhe pamundësia për të parë një tablo më të plotë të ngjarjeve. Defoe dhe Manzoni shkruan për njerëzit që rrinin larg kur takoheshin me njëri-tjetrin në rrugë, por gjithashtu edhe sesi ata i kërkonin njëri-tjetrit lajme dhe histori nga vendlindjet dhe lagjet e tyre përkatëse, në mënyrë që të krijonin një tablo më të gjerë të sëmundjes. Vetëm përmes asaj pamjeje më të gjerë mund të shpresonin t’i shpëtonin vdekjes dhe të gjenin një vend të sigurt për strehim.

Në një botë pa gazeta, radio, televizion apo internet, shumica e njerëzve ishin analfabetë dhe kishin vetëm imagjinatën me të cilën kuptonin se ku ndodhej rreziku, sa i madh ishte dhe përmasën e vuajtjeve që mund të shkaktonte. Kjo mbështetje në imagjinatë i dha frikës së secilit person zërin e vet individual, duke i dhënë edhe një cilësi lirike, vendase, shpirtërore dhe mitike. Thashethemet më të zakonshme gjatë shpërthimeve të murtajës ishin se kush e kishte sjellë sëmundjen dhe nga kishte ardhur. Rreth mesit të marsit, ndërsa paniku dhe frika filluan të përhapen në Turqi, menaxheri i bankës në Cihangir, në lagjen time në Stamboll, më tha se “kjo gjë” përbënte përgjigjen ekonomike të Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës. Asthu si vetë e keqja, murtaja gjithmonë është portretizuar si diçka që kishte ardhur nga jashtë. Kishte goditur më parë diku tjetër dhe atje nuk kishin bërë aq sa duhet për ta frenuar. Në rrëfimin e tij për përhapjen e murtajës në Athinë, Tukididi fillon duke theksuar se shpërthimi kishte filluar larg, në Etiopi dhe Egjipt. Sëmundja është e huaj, vjen nga jashtë, dhe është sjellë me qëllim dashakeq. Thashethemet për identitetin e hamendësuar të përçuesve filestarë janë gjithmonë më të përhapurat dhe më të njohurat. Tek “Të fejuarit”, Manzoni përshkroi një figurë që ka qenë një pjesë e imagjinatës popullore gjatë shpërthimeve të murtajës që nga Mesjeta; çdo ditë kishte një thashethem për këtë prani keqdashëse, demonike, e cila dilte natën dhe në errësirë spërkaste me lëng të infektuar nga murtaja dorezat e dyerve dhe çezmat e ujit. Ose kishte gjasë që një plak i lodhur, i cili ishte ulur për të pushuar në dyshemenë brenda një kishe, akuzohej nga një grua që po kalonte, se kishte fërkuar pallton në dysheme për të përhapur sëmundjen. Dhe sakaq mblidhej një turmë linçuesish.

Këto shpërthime të papritura dhe të pakontrollueshme të dhunës, thashethemeve, panikut dhe rebelimit janë të zakonshme në rrëfimet për epidemitë e murtajës, nga Rilindja e më pas. Mark Aureli, fajësoi të krishterët në Perandorinë Romake për përhapjen e sëmundjes së lisë, kjo ngaqë ata nuk morën pjesë në ritualet për të zbutur perënditë romake. Dhe gjatë murtajave të mëpasshme, hebrenjtë u akuzuan për helmimin e puseve, si në Perandorinë Osmane, ashtu edhe në Evropën e krishterë.

Historia dhe letërsia që rrëfen për murtajat na tregon për përmasës e vuajtjes, frikën nga vdekja, tmerrin metafizik dhe për ndjenjën e misterit të përjetuar nga popullsia e goditur, përcakton edhe përmasën e zemërimit dhe të pakënaqësisë së tyre politike. Ashtu si me pandemitë e vjetra të murtajës, thashethemet dhe akuzat e hamendësuara, të mbështetura në identitetin nacionalist, fetar, etnik dhe lokalist, kanë pasur një efekt domethënës tek mënyra sesi ngjarjet janë shpalosur gjatë shpërthimit të koronavirusit. Prirja e pjesës më të madhe të mediave sociale dhe mediave të djathta populiste për shumëfishimin e gënjeshtrave ka luajtur rolin e vet. Por sot kemi qasje ndaj një vëllimi jashtëzakonisht më të madh informacioni të besueshëm në lidhje me pandeminë në të cilën po jetojmë, sesa njerëzit kanë pasur ndonjëherë në ndonjë pandemi të mëparshme. Kjo është ajo që e bën frikën tē fuqishme dhe të justifikueshme, që të gjithë po e ndiejmë kaq të ndryshme. Terrori ynë ushqehet më pak nga thashethemet dhe mbështetet më shumë në informacione të sakta.

Ndërsa shohim që pikat e kuqe në hartat e vendeve tona dhe të botës shumëfishohen, ne kuptojmë se nuk ka vend tjetër ku mund të shpëtojmë. Ne madje nuk kemi nevojë për imagjinatën për të filluar të frikësohemi nga më e keqja. Shikojmë video të karvaneve të kamionëve të mëdhenj të zinj të ushtrisë, që mbartin kufoma nga qytete të vogla italiane deri në krematoriumet më të afërta, sikur të ishim duke parë kortezhin tonë të varrimit.

Tmerri që po ndiejmë, megjithatë, përjashton imagjinatën dhe individualitetin dhe zbulon sesa të ngjashme janë në të vërtetë jetët tona të brishta dhe raca njerëzore. Frika, ashtu si mendimi i vdekjes, na bën të ndihemi të vetmuar, por dija se të gjithë ne po përjetojmë një ankth të ngjashëm na nxjerr nga vetmia. Dija se i gjithë njerëzimi, nga Tajlanda në Nju Jork, ka të njëjtat ankthe që ndiejmë ne kur mendojmë sesi dhe ku ta përdorim një maskë për fytyrën, për mënyrën më të sigurt për t’u marrë me ushqimin që kemi blerë nga ushqimorja dhe nëse duhet të vetë-veçohemi, është një përkujtues i përhershëm se nuk jemi vetëm. Krijon një ndjenjë solidariteti. Nuk mposhtemi nga frika jonë, por zbulojmë një përulësi, e cila nxit mirëkuptimin e ndërsjellë.

Kur shikoj pamjet televizive të njerëzve që presin jashtë spitaleve më të mëdha të botës, mund të kuptoj që tmerrin tim e përjeton edhe pjesa tjetër e njerëzimit dhe nuk ndihem vetëm. Me kalimin e kohës ndihem më pak i turpëruar nga frika ime dhe gjithnjë e më shumë po e shoh atë si një reagim krejt të arsyeshëm. Më kujtohet ajo thënia për pandemitë dhe murtajat, që ata që kanë frikë jetojnë më gjatë. Kuptoj se frika shkakton dy reagime të dallueshme tek unë dhe mbase tek të gjithë ne. Ndonjëherë më bën të tërhiqem në vetvete, drejt vetmisë dhe heshtjes. Por herë të tjera më mëson të jem i përulur dhe të praktikoj solidaritetin.

Për herë të parë fillova të ëndërroja shkrimin e një roman për murtajën para 30 vjetësh dhe madje në atë fazë të hershme përqendrimi im ishte tek frika e vdekjes. Në vitin 1561, shkrimtari Ogier Ghiselin de Busbecq, i cili ishte ambasadori i Perandorisë Hapsburge në Perandorinë Osmane gjatë mbretërimit të Sulejmanit të Madhërishëm, shpëtoi nga murtaja në Stamboll duke u strehuar gjashtë orë larg në ishullin e Prinkipo-s, më i madhi nga Ishujt e Principo-s në juglindje të Stambollit, në Detin e Marmara. Ai vuri në dukje rreptësinë e pamjaftueshme të rregullave të karantinës të vendosura në Stamboll dhe deklaroi se turqit ishin “fatalistë” për shkak të fesë së tyre, Islamit.

Rreth një shekull e gjysmë më vonë, edhe vetë Defoe i mençur shkroi në romanin e tij për murtajën në Londër: “Turqit dhe Muhamedanët […] kanë predikuar nocionet e destinit, se Fundi i çdo Njeriu është i paracaktuar”. Romani im për murtajën do më ndihmonte të mendoja për “fatalizmin” mysliman në kontekstin e laicizmit dhe modernizmit.

Fatalist ose jo, historikisht, gjithmonë ka qenë më e vështirë të bindesh muslimanët të pranojnë masat e ngujimit gjatë një pandemie sesa të krishterët, veçanërisht në Perandorinë Osmane. Protestat e motivuara nga arsyet tregtare të shitësve të dyqaneve dhe fshatarët e të gjitha besimeve, u prirën të zgjerohen pas ngritjes së karantinave, duke shtruar çështje të thjeshtësisë femërore dhe intimitetit të familjes. Bashëksitë muslimane në fillimin e shekullit XIX kërkuan “mjekë myslimanë”, sepse në atë kohë shumica e mjekëve ishin të krishterë, madje edhe në Perandorinë Osmane.

Nga vitin 1850, ndërsa udhëtimi në vaporë me avull po bëhej më i lirë, pelegrinët që udhëtonin në tokat e shenjta myslimane të Mekës dhe Medinës u bënë përcjellësit dhe përhapësit më të mirë në botë të sëmundjes infektive. Në fillim të shekullit të 20-të, për të kontrolluar rrjedhën e pelegrinëve në Mekë dhe Medinë, si dhe kthimin përsëri në vendet e tyre, britanikët ngritën një nga zyrat kryesore të karantinës në botë, në Aleksandri, Egjipt.

Këto zhvillime historike ishin përgjegjëse për përhapjen, jo vetëm të nocionit stereotip të “fatalizmit” të myslimanëve, por edhe të paragjykimit që ata dhe popujt e tjerë të Azisë ishin njëkohësisht zanafilla dhe bartësit e vetëm të sëmundjes ngjitëse. Kur në fund të “Krimit dhe Ndëshkimit” të Fjodor Dostojevskit, Raskolnikovi, protagonisti i romanit, sheh në ëndërr një murtajë, ai po flet brenda të njëjtës traditë letrare: “Ëndërroi që e gjithë bota ishte e dënuar me një murtaje të re, të çuditshme, që kishte ardhur në Evropë nga thellësia e Azisë.”

Në hartat e shekujve të 17-të dhe të 18-të, kufiri politik i Perandorisë Osmane, që komentohej si bota që fillonte përtej perëndimit, ishte Danubi. Por kufiri kulturor dhe antropologjik midis dy botëve u shenjua nga murtaja dhe fakti që gjasat e marrjes së saj ishin shumë më të larta në lindje të Danubit. E gjithë kjo përforcoi jo vetëm idenë e fatalizmit të lindur që aq shpesh ia mveshin kulturave lindore dhe aziatike, por edhe nocionin e paracaktuar që murtajat dhe epidemitë e tjera vinin gjithnjë nga zonat më të errëta të Lindjes.

Tabloja që krijojmë nga rrëfime të shumta historike vendore, na tregon se edhe gjatë pandemive të mëdha të murtajës, xhamitë në Stamboll vazhdonin funeralet, njerëzit vizitonin njëri-tjetrin për të ofruar ngushëllime dhe përqafime të përlotura, dhe në vend që të shqetësoheshin se nga kishte ardhur sëmundja dhe sesi po përhapej, ata ishin më të shqetësuar për përgatitjen e duhur për funeralin tjetër.

Megjithatë, gjatë pandemisë së tanishme të koronavirusit, qeveria turke ka ndërmarrë një qasje laike, duke ndaluar funeralet për ata që kanë vdekur nga sëmundja dhe duke marrë vendimin e paqartë për të mbyllur xhamitë të premteve kur adhuruesit mblidhen rregullisht në grupe të mëdha për lutjen më të rëndësishme të javës. Turqit nuk i kanë kundërshtuar këto masa. Sado e madhe që mund të jetë frika jonë, ajo është edhe e mençur dhe na bën të tregojmë durim.

Që të kemi një botë më të mire pas kësaj pandemie, duhet të përqafojmë dhe ushqejmë ndjenjat e përulësisë dhe të solidaritetit të krijuar nga koha e tanishme.

 

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top