Shumica e koleksionistëve janë burra, bjerrakohës dhe të mllefosur me shoqërinë*/Orhan Pamuk

in Letërsi by

Intervistoi Stefano Pirovano, Janar 2018

A e kishit të qartë në mendje që në fillim se si do të dukej në realitet “Muzeu i pafajësisë”? Apo ishte një punë në proces që lidhej me shkrimin e romanit?

Orhan Pamuk: I konceptova së bashku, si muzeun edhe romanin. Nuk është se shkrova në fillim romanin, dhe pas suksesit të tij, vendosa të krijoj një muze që mbështetej tek ai. U krijuan së bashku. Në fillim, mendoja se romani mund të vepronte gjithashtu si katalog i muzeut me shënime të detajuara, pa fotografi. Por muzeu po lëvizte më ngadalë se romani. Kështu, duke ruajtur entuziazmin fillestar, përfundova romanin. Pastaj bëra muzeun, për të cilin kisha menduar tashmë, duke përfshirë shumë detaje. Gjatë përfundimit të muzeut, fillova të kujdesesha gjithnjë e më shumë për estetikën e vitrinave dhe bukurinë e gjërave që i vendosja bashkë. Kjo është arsyeja pse ndoshta nuk kam shfaqur disa nga koleksionet që kanë të bëjnë me romanin, si koleksioni im i shkrepseve të vjetra turke ose një nga koleksionet e hoteleve “Hilton”.

A mund ta shtjelloni pikën ëe fundit që përmendët, ju lutem? A ndikoi estetika e muzeut në zgjedhjen e objekteve që do të ruante?

Ndërsa po përfundoja muzeun, kuptova se shkrepset e turqve dhe koleksionet e hotelve “Hilton” nuk dukeshin bukur ose unë që nuk dija si t’i bëja të dukeshin mirë. Kështu që i lashë mënjanë dhe u përqendrova në etikën time si artist… si artisti i instalimit, artisti i muzeut ose si artisti konceptual. Megjithëse mendova për muzeun dhe romanin në të njëjtën kohë, për shkak të ndryshimit të kohës, muzeu u krijua më vonë. Prandaj, vendosa që një katalog pamor i “Muzeut të pafajësisë” ishte i arsyeshëm. Kështu që bëra një punë të tretë, katalogun e vërtetë të Muzeut, edhe pse fillimisht kisha menduar të bëja vetëm romanin dhe Muzeun. Tani, janë tre pjesë të letërsisë; Romani, Muzeu dhe Katalogu i Muzeut. Më vonë, një producent dokumentarësh britanikë erdhi dhe donte të bënte një film, jo vetëm për Muzeun, por edhe për Stambollin dhe lidhjen e tij me muzeun. Kështu që shkrova disa tekste për këtë dhe bëra një libër që e ka zgjeruar më shumë tematikën.

A keni kërkuar këshilla nga ndonjë artist pamor apo kurator?

Në fillim nuk kisha krijuar ndonjë ide për stilin e muzeut apo të instalimit. Mendova se do t’i trajtoja si objekte në një kub të bardhë, për t’i vënë në një piedestal. Pas njëfarë kohe, megjithatë, u ringjall artisti i vdekur brenda meje dhe unë kalova gjithnjë e më shumë kohë duke formuar sektorët e muzeut, vitrinat. Me qëllim që t’i vendosja objektet në këto kompozime, kisha nevojë për ndihmës më shumë se sa për mbështetjen e artistëve. Kështu ka ndodhur pak a shumë.

A do ta quanit veten artist pamor apo një drejtor muzeu?

Së pari ndodh që gjërat i bën si fëmijët, në një mënyrë shumë lojcake. Nuk ia bën vetes këtë lloj pyetjeje. Vetëm më vonë, profesorët, njerëzit konceptualë apo gazetarët, fillojnë e të pyesin se çfarë është kjo që ke krijuar, a është art apo instalimi konceptual, apo një muze…

 Pra, çfarë është?

Po të më pyesësh mua, mendoj se duhet të shihet si art konceptual instalimi. Në fund të fundit, e gjithë godina është një art instalimi, edhe pse ekzistonte më parë. Megjithëse është pak e ndërlikuar, kënaqem duke folur për këtë thyerje të kufijve, për këto dallime ndonjëherë arbitrare dhe të nevojshme akademike midis gjërave. Por është gjithashtu gjë e mirë t’i shkelësh këta kufij, të luash me ta. Kur bëhen këto dallime mes artit konceptual, artit të instalimit, letërsisë dhe artit, fjalës dhe objektit, u takon artistëve dhe krijuesve t’i kombinojnë këto kategori të ndryshme.

Si po i përgjigjen njerëzit qasjes jotradicionale?

Kam disa miq, ndoshta pak naivë, të cilët më thonë se, për shembull, s’duhet të ketë asnjë fotografi në një roman. Kjo është ajo që u kanë mësuar në shkollë dhe që ka formuar mendjet e tyre. Mbaj mend gjithashtu se, kur isha dhjetë vjeç, në një shkollë në Turqi, mësuesi ynë i artit na tha:“Mbi një pikturë s’duhet të shkruhet asgjë!”. Këto rregulla janë arbitrare dhe është mirë t’i shkelësh ato.

Si romancier, a do të vazhdoni ta kombinoni letërsinë me artet pamore?

Po, dua të vazhdoj të bëj bëj njësh tekste dhe fotografi, më shumë se më parë. Është një temë e mirë. Romanet biografike për artistët janë një gjë; krijimi i një romani në një mënyrë të tillë që të shquhet plasticiteti dhe akrobatika e një artisti lojcak është një tjetër gjë. I kushtoj vëmendje kombinimit të letërsisë dhe artit, por kjo s’duhet të bëhet për ta glorifikuar një artist të caktuar.

Çfarë do të thotë  të jesh “koleksionist” për ju?

Në njëzet faqet e fundit të romanit tim:“Muzeu i pafajësisë”, tregoj se të krijosh lidhje me objektet është një gjë e zakonshme. Të gjithë lidhemi pas një bilete filmi apo një fotografie të një njeriu të dashur apo pas një kukulle të vogël, ose, në fakt, pas çdo objekti që bëhet pjesë e jetës sonë, sepse ne projektojmë vlerë simbolike tek to, ndërkohë që ato na sjellin kujtime. Në lidhjet që krijojmë sillemi gati si qentë me kockë në gojë që struken në një qoshe. Megjithatë, kjo nuk ka të bëjë me koleksionimin. Kemali, protagonisti i romanit, e ngre nivelin e koleksionimit kur dëshiron të lavdërojë marrëdhënien e tij të dashurisë dhe t’u japë një kuptim objekteve të tij. Do të thosha se një tog sendesh ngrihet në një nivel koleksionimi nëse ka një logjikë tek grumbullimi i tyre. Nëse, për shembull, mbledh fotot e të gjitha varkave blu që kalojnë para dritares sime, atëherë ky është një koleksion. Por nëse rastësisht marr fotografitë e çdo lloj varke, s’do ta quaja koleksion, por si diçka pas së cilës krijoj një lloj lidhje. Koleksionisti është person që pas njëfarë kohe kujdeset për shfrytëzimin e të gjitha mundësive të krijimit të atij koleksioni.

A do ta quanit koleksionimin një praktikë intelektuale si shkrimi apo kërkimi shkencor?

Më lejoni t’ju jap një shembull. Një koleksionist librash është një person që nuk lexon libra, por që kujdeset për gjetjen e një libri të vetëm që nuk e ka kush, thjesht për të respektuar logjikën e koleksionit të tij; le të themi “të gjithë librat me tituj blu”. Por kjo nuk do të thotë që personi po lexon ose po i përdor këta libra. Ai është koleksionist dhe për të objekti duhet t’i përgjigjet teorisë ose motivimit të koleksionit të tij. Pasi koleksioni të jetë bërë, mund të vendoset në një ndërtesë që të ekspozohet. Në këtë rast, do të quhej muze.

 Jemi të vetëdijshëm për muzetë e paraplëqyera të Kemalit, por nuk dimë shumë për koleksionistin e tij ose tuajin të parapëlqyer. A keni ndonjë?

Më pëlqejnë koleksionistët nga larg. Mendoj se janë shumë egoistë dhe skllevër të logjikës së koleksioneve të tyre. Siç e thashë, ata mbledhin libra por nuk i lexojnë ato dhe nëse u kërkon një nga librat, ngaqë ti do ta lexosh, ata kanë shumë frikë se s’do t’ua kthesh kurrë. Kemi nevojë për koleksionistët. Ata i respektojnë sistemet e tyre, por janë më pak mendimtarë dhe më shumë ambiciozë. Gjithashtu ka edhe shumë kotësi në këtë punë. Shumica e koleksionistëve janë burra, bjerrakohës dhe të mllefosur me shoqërinë. Një ditë do të shkruaj për profilin e përgjithshëm të koleksionistit… por nuk dua të them më shumë. Një nga lexueset koleksioniste mund të shqetësohet dhe të kthejë përgjigje.

 Përktheu: Granit Zela

 *Titulli është redaksional

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke
Go to Top