Fragment nga romani“Zhurma e kohës”-Julian Barnes

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Zhurma e kohës-Julian Barnes

Përkthyer nga Gjergj Erebara dhe botuar nga “Shtëpa e Librit”, 2019

Nikita Kalliripakokrra. Ai që shpërthente në sharje mbi “abstraksionistët dhe pederastët” – ata ishin në mënyrë të kuptueshme e njëjta gjë. Njësoj si Zhdanovi pati denoncuar në një rast Ahmatovën si “njëkohësisht një kurvë dhe një murgeshë”. Nikita Kalliripakokrra, në një takim me shkrimtarët dhe artistët, tha për Dmitri Dmitrieviçin: “Oh, muzika e tij nuk është gjë tjetër veçse xhaz – ajo të bën me dhembje barku. A mos duhet të duartrokas? Por me xhaz – ty të zë diarreja”. Gjithsesi, kjo ishte më mirë sesa të të thoshin se ti ushqeheshe nga duart e armiqve të atdheut. Dhe në këto kohë më liberale, disa nga ata që u mblodhën për të takuar Sekretarin e Parë u lejuan, ndonëse me respektin e duhur, të jepnin një opinion të kundërt. Madje kishte dalë edhe një poet i fortë, ose i çmendur, mjaftueshëm sa të deklaronte se kishte artistë të mëdhenj edhe mes abstraksionistëve. Ai kishte përmendur emrin e Pikasos. Dhe kësaj Kalliri i ishte përgjigjur brutalisht: “Vdekja shëron kurrizon”.
Në ditët e vjetra, një shkëmbim i tillë mund të kishte sjellë që poetit të pacipë t’i rikujtohej se ai po luante një lojë të rrezikshme që mund të përfundonte shumë keq. Por ky ishte Hrushovi. Shpërthimet e tij i bënin lakenjtë fytyrëtunxh të shikonin nga njëra anë, pastaj nga tjetra; por ti nuk kishe frikë aty për aty për të ardhmen tënde. Një ditë, Kalliripakokrra mund të shpallte se muzika jote i shkaktonte dhembje barku, pastaj në tjetrën, pas një banketi të këndshëm në Kongresin e Bashkimit të Kompozitorëve, ai mundej edhe të të lavdëronte. Atë mbrëmje ai po këmbëngulte se si, nëse muzika ishte gjysmë decente, ai mundej edhe ta dëgjonte atë në radio – me përjashtim të asaj kur ata transmetonin gjëra që tingëllonin, si të thuash, sikur krakëllinin shkëmbinj… Dhe ndërsa lakenjtë fytyrëtunxh po qeshnin, sytë e tij ranë mbi kompozitorin e mirënjohur të xhazit – dhembje barku. Por Sekretari i Parë ishte në një moment të mirë, e madje falës.
“Tani, këtu kemi Dmitri Dmitrieviç – ai pa dritën e vetë fillesave të kësaj lufte me atë… si e quani ju, ah, simfoninë e tij.”
Papritur, ai nuk ishte më i papëlqyer, dhe Ljudmilla Ljadova, sajuese e këngëve popullore, erdhi dhe e puthi, pastaj lehtë-lehtë shpalli se si të gjithë ishin të dashuruar me të. Mirë, kjo nuk është se kishte rëndësi në asnjë drejtim, për shkak se gjërat nuk ishin më siç kishin qenë dikur.

Por këtu ishte ku ai bëri gabimin e tij. Më përpara, kishte vdekje; tashmë kishte jetë. Përpara, burrat dhisnin në brekë; tani ata lejoheshin të mos ishin dakord. Përpara, kishte urdhra; tani kishte sugjerime. Kështu Bashkëbisedimet e tij me Pushtetin u bënë, në fillim ai nuk e kuptoi, më të rrezikshme për shpirtin. Përpara, ata kishin testuar deri ku shkonte kuraja e tij; tani ata testonin deri ku shkonte burracakëria e tij. Dhe ata punonin me këmbëngulje dhe në mënyrë të studiuar, me një profesionalizëm intensiv, por në thelb pa interes, njësoj si priftërinjtë punojnë për shpirtin e një njeriu që po vdes.
*
Ai vetë dinte pak gjëra mbi artin pamor dhe vështirë se mund të debatonte me atë poetin mbi abstraksionizmin; por ai e njihte Pikason si një bastard dhe një mburravec. Sa e lehtë ishte të ishe një komunist kur nuk të kishin vënë të jetoje nën komunizëm! Pikaso kishte kaluar një jetë duke pikturuar mutin e vet dhe duke lëvduar pushtetin sovjetik. Megjithatë, largqoftë që ndonjë artist i varfër dhe i vogël që vuante nën pushtetin sovjetik të tentonte të pikturonte si Pikaso. Ai ishte i lirë të fliste të vërtetën, pse nuk e bënte ai këtë edhe në emër të atyre që nuk mundeshin? Në vend të kësaj, ai ulej si një burrë i pasur në Paris dhe në jug të Francës duke pikturuar pëllumbin revoltues të paqes sërish dhe sërish. Ai e urrente pamjen e atij pëllumbi të përgjakshëm. Dhe urrente skllavërinë ndaj ideve po aq shumë sa urrente edhe skllavërinë fizike.

Ose Zhan Pol Sartri. Ai një herë e kishte marrë Maksimin për te Byroja e të Drejtave të Autorit pranë Galerisë Tretiakov, dhe atje, duke qëndruar në tryezën e arkëtarit, ishte filozofi i madh, duke numëruar tufën e majme të rublave me kujdes të madh. Në atë kohë, të drejtat e autorit u paguheshin shkrimtarëve të huaj vetëm në raste përjashtimore. Me një pëshpërimë, ai i shpjegoi këto rrethana për Maksimin: “Ne nuk ia mohojmë incentivën materiale një personi që braktis kampin e reaksionit për kampin e progresit”.

Stravinski ishte një rast ndryshe. Dashuria dhe adhurimi i tij për muzikën e Stravinskit nuk u dobësua kurrë. Dhe si provë, ai mbajti një fotografi të madhe të kolegut të tij kompozitor poshtë xhamit të tavolinës së punës. E pa atë çdo ditë dhe rikujtoi sallonin e larë me ar në Waldorf Astoria, rikujtoi tradhtinë, turpin e tij moral. Kur shkrirja erdhi, muzika e Stravinskit u luajt sërish dhe Hrushovi, i cili dinte mbi muzikën po aq shumë sa një derr di për portokajtë, u bind që ta ftonte emigrantin e famshëm për një vizitë pas. Do të ishte një goditje e madhe propagandistike, përveç çdo gjëje tjetër. Ndoshta ata shpresonin në një farë mënyre ta kthenin Stravinskin nga një kozmopolitan në një kompozitor të pastër rus. Dhe ndoshta Stravinski, nga ana e tij, shpresonte të zbulonte ndonjë mbeturinë të Rusisë së vjetër, të cilën ai e kishte lënë pas kaq shumë kohë më parë. Nëse po, të dyja ëndrrat u zhgënjyen. Por Stravinski bëri gallatë. Për dekada ai ishte denoncuar nga autoritetet sovjetike si një lëpirës i kapitalizmit. Kështu që kur një burokrat muzike u afrua tek ai me një buzëqeshje false dhe me dorë të zgjatur, Stravinski, në vend që t’i ofronte dorën e tij, i dha zyrtarit kokën e shkopit të tij të ecjes për të shtrënguar. Sinjali ishte i qartë: kush ishte lëpirësi tani?
Por ishte një gjë të poshtëroje një burokrat sovjetik, pasi Pushteti ishte bërë vegjetarian; një tjetër të protestoje kur Pushteti ishte karnivor. Dhe Stravinski kishte kaluar dekada i ulur në majë të Olimpit të tij amerikan, indiferent, egocentrik, i pashqetësuar kur artistët dhe shkrimtarët patën familjet e tyre të gjuajtura deri në shfarosje në tokën e tij të lindjes; ato u burgosën, u internuan, u vranë. A nxori ai ndonjë fjalë të vetme proteste, ndërsa thithte ajrin e lirisë? Ajo heshtje kishte qenë e neveritshme dhe po aq sa ai e adhuronte Stravinskin, kompozitorin, po aq ai e neveriste Stravinskin, mendimtarin. E pra, ndoshta kjo ishte edhe përgjigjia për pyetjen e tij mbi ndershmërinë personale dhe ndershmërinë artistike; mungesa e së parës jodomosdoshmërisht kontaminonte të dytën.

Ata u takuan dy herë gjatë vizitës së emigrantit. Asnjë prej takimeve nuk ishte një sukses. Ai vetë ishte i shqetësuar dhe i vetëdijshëm ndërsa Stravinski ishte i vendosur dhe i sigurt. Çfarë kishin ata për t’i thënë njëri-tjetrit? Kështu ai pyeti:
– Çfarë mendon për Puçinin?
– I neveritshëm, – u përgjigj Stravinski.
Gjë të cilës ai iu përgjigj: – Edhe unë.
A e kishte seriozisht ndonjëri prej tyre këtë – po aq seriozisht sa e thanë si absolute? Ndoshta jo. Njëri po tregohej instinktivisht dominues, ndërsa tjetri instinktivisht i nënshtruar. Ky është telashi i këtyre “takimeve historike”.

Ai pati gjithashtu edhe një “takim historik” me Ahmatovën. Ai e ftoi atë për vizitë në Repino. Ajo erdhi. Ai qëndroi në heshtje, edhe ajo qëndroi në heshtje; pas njëzet minutash të tilla, ajo u ngrit dhe iku. Ajo tha më pas: “Ishte një mrekulli”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke
Go to Top