Kriza shpirtërore/Paul Valéry

in Letërsi by

E shkruar në vitin 1919 për revistën londineze Athenaeum, kjo ese vazhdon të tingëllojë aktuale.

KRIZA SHPIRTËRORE

LETRA E PARË

Edhe ne, qytetërimet, e dimë tashmë që jemi të vdekshëm.
Kemi dëgjuar të flitet për botë të zhdukura krejtësisht, për perandori të fundosura, me krejt njerëzit dhe mjetet e tyre, të zhytura në fundin e pashkelshëm të shekujve me zotat dhe ligjet e tyre, akademitë dhe shkencat e tyre të kulluara e të aplikuara, me gramatikat, fjalorët, klasikët e tyre, me romantikët dhe simbolistët, kritikët dhe kritikët e kritikëve të tyre. E dinim mirë se e gjithë toka e dukshme është bërë prej hiri e që ky hi e ka një domethënie. Përmes dendësisë së marrtë të historisë, dallonim fantazmat e anijeve të mëdha të ngarkuara me pasuri dhe frymë. Nuk mund t’i numëronim. Por këto mbytje, fundi i fundit, nuk ishin puna jonë.
Elam, Ninivë, Babilon, ishin emra të bukur e mjegullorë dhe shkatërrimi i plotë i këtyre botëve kishte po aq pak domethënie për ne sa edhe vetë ekzistenca e tyre. Por Francë, Angli, Rusi… do ishin gjithashtu emra të bukur. Edhe Lusitania është një emër i bukur. Dhe shohim tani se humnera e historisë është mjaft e madhe e mund të nxërë gjithë botën. E ndiejmë se një qytetërim është po aq i brishtë sa një jetë. Rrethanat që do bënin që veprat e Keats-it dhe ato të Baudelaire-it t’u bashkoheshin veprave të Ménandre-it nuk janë më aspak të papërftueshme: ato gjenden nëpër gazeta.

Jo vetëm kaq. Mësimi përvëlues është akoma më i plotë. Brezit tonë nuk i mjaftoi të mësonte nga përvoja e vet sesi gjërat më të bukura e më antike, më të mrekullueshmet e më të organizuarat, mund të vdesin aksidentalisht ; ai ka parë, në rendin e mendimit, të aftësisë së gjykimit e të ndjenjës, të prodhohen dukuri të jashtëzakonshme, realizime të befta paradoksesh, zhgënjime brutale faktesh të qartë.
Do përmendja vetëm një shembull: virtytet e mëdha të popujve gjermanë kanë prodhuar më shumë të këqija nga sa ka krijuar ndonjëherë vese përtacia. Kemi parë, me sytë tanë, punën e vetëdijshme, edukimin më solid, disiplinat dhe zbatimet më serioze, të përshtatura për qëllime të llahtarshme.
Kaq shumë tmerre nuk do ishin të mundura pa kaq shumë virtyte. U desh, pa dyshim, shumë shkencë për të vrarë aq shumë njerëz, për të prishur gjithë ato të mira, për të asgjësuar kaq e kaq qytete në aq pak kohë; por u deshën edhe po aq cilësi moraleTë dish dhe Të bësh a janë, kësisoj, të dyshimta?

Kështu, Persepolisi shpirtëror nuk është më pak i rrënuar se Suza materiale. Nuk ka humbur gjithçka, por gjithçka është ndier e vdekshme.
Një fërgëllimë e jashtëzakonshme ka rendur përgjatë palcës së Europës. Ajo ka ndier, përmes gjithë bërthamave të saj menduese, se nuk ishte më e njëjta, se po reshtte së qeni vetvetja, se po humbte vetëdijen – një vetëdije të fituar nga shekuj fatkeqësish të durueshme, nga mijëra njerëz të klasit të parë, nga shanse të panumërta gjeografike, etnike, historike.
Atëherë, – si për një mbrojtje të dëshpëruar të qenies e të pasurisë së vet psikologjike, gjithë kujtesa e saj iu kthye mjegullisht. Njerëzit dhe librat e saj të mëdhenj iu rikthyen rrëmujshëm. Asnjëherë s’është lexuar, as me aq pasion, sesa gjatë luftës: pyesni librarët. Asnjëherë njerëzit s’janë lutur aq shumë dhe as aq thellësisht: pyesni priftërinjtë. U ndërmendën gjithë shpëtimtarët, themeluesit, mbrojtësit, martirët, heronjtë, etërit e kombeve, heroinat e shenjta, poetët kombëtarë…
Dhe në të njëjtin çrregullim mendor, në thirrje të të njëjtit ankth, Europa e kultivuar pësoi rilindjen e shpejtë të mënyrave të saj të panumërta të mendimit: dogma, filozofi, ideale heterogjene; treqind mënyrat e shpjegimit të Botës, një mijë e një nuancat e krishtërimit, dy duzinat e pozitivizmit: gjithë spektri i dritës intelektuale përndau ngjyrat e tij të pathyeshme, duke përndritur me një dritë të çuditshme kontradiktore agoninë e shpirtit europian. Ndërsa shpikësit kërkonin ethshëm në imazhet e tyre, në analet e luftrave të dikurshme, mjetet e zhbërjes së telave me gjemba, e prishjes së nëndetëseve apo paralizimit të fluturimeve të avionëve, shpirti ndillte, në të njëjtën kohë, gjithë namatisjet që dinte, merrte parasysh seriozisht profecitë më të çuditshme; ai kërkonte strehime, shenja treguese, ngushëllime nëpër gjithë regjistrin e kujtimeve, të akteve të mëparshme, të qëndrimeve stërgjyshore. Të tilla janë produktet e njohura të ankthit, sipërmarrjet e çrregullta të trurit që rend nga realja te makthi dhe kthehet nga makthi te realja, i shastisur si miu i zënë në çark…
Kriza ushtarake ndoshta ka mbaruar. Kriza ekonomike është e dukshme në gjithë fuqinë e saj; por kriza shpirtërore, më e imët, e që nga vetë natyra e saj merr pamjet më mashtruese (meqë ndodh në vetë mbretërinë e fshehtësisë), na lejon me vështirësi t’i kapim shtrirjen e vërtetë, fazën e saj.
Askush nuk mund të thotë atë çka nesër do vdesë apo do jetojë në letërsi, në filozofi, në estetikë. Askush nuk e di ende ç’ide dhe ç’mënyra shprehjeje do regjistrohen në listën e humbjeve, ç’risi do shpallen.
Shpresa, sigurisht, mbetet dhe këndon me gjysmë zëri:

Et cum vorandi vicerit libidinem
Late triumphet imperator spiritus.

Por shpresa s’është gjë tjetër veçse mosbesimi i njeriut ndaj parashikimeve të sakta të mendjes së tij. Ajo sugjeron që çdo konkluzion i pafavorshëm për njeriun duhet të jetë një gabim i mendjes së tij. Faktet, megjithatë, janë të qarta e të pamëshirshme: mijëra shkrimtarë dhe artistë të rinj kanë vdekur; iluzioni i një kulture europiane ka humbur dhe dija është dëshmuar e pafuqishme për të shpëtuar çfarëdo qoftë; shkenca është plagosur për vdekje në ambiciet e saj morale dhe është çnderuar nga mizoria e zbatimeve të saj; idealizmi mbijeton me vështirësi, është thellësisht i vrarë dhe përgjegjës për ëndrrat e veta; realizmi, i zhgënjyer, i rrëzuar, i mbytur nga krimet dhe gabimet; lakmia dhe dorëheqja janë njëlloj të poshtëruara; besimet, të ngatërruara në qëllime, kryq kundër kryqi, drapër kundër drapri; edhe skeptikët vetë janë zënë ngushtë prej ngjarjeve aq të befta, aq të dhunshme, aq emocionuese e që luajnë me mendimet tona si macja me miun, – edhe skeptikët humbasin dyshimet, i rigjejnë, i humbin sërish, dhe nuk janë më zotër të të mendimit të tyre.
Lëkundja e anijes ka qenë aq e fuqishme saqë llambadarët e ngulitur më fort më në fund janë përmbysur.

Ajo çka e bën të thellë e të rëndësishme krizën shpirtërore është situata në të cilën kjo krizë ka gjetur pacientin.
Nuk kam as kohën as zotësinë të përcaktoj situatën intelektuale të Europës në 1914-n. E kush do guxonte të ravijëzonte një tablo të asaj gjendjeje? Tema është e pafund; ajo kërkon njohje nga të gjitha fushat dhe një informacion të pafund. Veç kësaj, kur bëhet fjalë për një tërësi mjaft të ndërlikuar, vështirësia për të rindërtuar të shkuarën, madje edhe atë më të afërtën, është krejt e krahasueshme me vështirësinë e ndërtimit të ardhmërisë, madje edhe të asaj më të afërtës; ose, më saktë, është e njëjta vështirësi. Profeti ndodhet në të njëjtën varkë me historianin. Le t’i lëmë aty.
Por tani më duhet veçse kujtimi i vagullt e i përgjithshëm i asaj që mendohej në vigjilje të luftës, kërkimet që vijonin, veprat që botoheshin.
Nëse lë mënjanë, pra, çdo hollësi dhe nëse kufizohem në përshtypjen e shpejtë, në atë tërësi natyrore që jep një perceptim i atypëratyshëm, atëherë nuk shoh – asgjë! – Asgjë dhe ende një asgjë pafundësisht të pasur.
Fizikanët na mësojnë se në një furrë të çuar në inkandeshencë, nëse syri ynë do mund të mbijetonte, nuk do vështronte asgjë. Asnjë pabarazi drite nuk do mbetej për të shquar pikat e hapësirës. Ajo energji e hatashme e përmbyllur do prodhonte padukshmëri, barazi të pavënëreshme. Mirëpo, një barazi e këtij lloji nuk është gjë tjetër veçse një gjendje e përkryer kaosi.
Dhe nga çfarë përbëhej ky kaos në mendjen e Europës? – Nga bashkekzistenca e lirë, në të gjitha mendjet e kultivuara, e ideve më të pangjashme, e parimeve më të kundërta të jetës dhe njohjes. Kjo karakterizon një epokë moderne.
Nuk bezdisem të përgjithësoj nocionin e modernes e t’ia jap këtë emër ndonjë mënyre jetese, në vend që ta bëj atë një sinonim të kulluar të bashkëkohores. Ka në histori çaste dhe vende ku ne modernët do mund të riktheheshim pa trazuar shumë harmoninë e atyre kohëve dhe pa u dukur objekte pafundësisht të çuditshëm e pafundësisht të dukshëm, krijesa shokuese, zhangëlluese, të paasimilueshme. Atje ku hyrja jonë do bënte më pak bujë, atje ne do ndiheshim pothuajse në shtëpinë tonë. Është e qartë se Roma e Trajanit dhe Aleksandria e Ptolemejve do na përthithnin më lehtë se shumë vise më pak të sprapsura në kohë, por më të specializuara në vetëm një tip zakonesh dhe të kushtuara tërësisht vetëm një race, vetëm një kulture dhe vetëm një sistemi jetese.
Europa e 1914-s kishte arritur ndoshta në kufi të këtij modernizmi. Çdo mendje e një rangu të caktuar ishte një kryqëzim për të gjitha llojet e opinioneve; çdo mendimtar, një ekspozitë ndërkombëtare mendimesh. Kishte vepra të mendjes ku pasuria e kontrasteve dhe impulseve kontradiktore të bënte të mendoje për efekte ndriçimi të pakuptimtë në kryeqytetet e asaj kohe: sytë lodheshin e mërziteshin… Sa materiale, sa punime, përllogaritje, shekuj të grabitur, sa jetë heterogjene të bashkuara u deshën për të mundësuar një karnaval të tillë dhe për ta fronësuar solemnisht si formë të urtësisë sipërane dhe triumf të njerëzimit?

Në aksh libër të asaj epoke – dhe jo ndër më mediokrit – gjen, pa asnjë mundim: – një ndikim të baleteve ruse, – pak nga stili i errët i Pascal-it, – shumë përshtypje të tipit Goncourt, – diçka nga Nietzsche, – diçka nga Rimbaud, – disa efekte që i detyrohen frekuentimit të piktorëve e nganjëherë tonin e botimeve shkencore, – gjithçka të parfumuar nga nuk di ç’gjë britanike e vështirë për t’i caktuar vlerën!… Vërejmë, kalimthi, se në secilin prej përbërësve të kësaj përzierjeje do gjendeshin shumë trupa të tjerë. E kotë t’i kërkosh: do përsërisje atë çka thashë për modernizmin e do bëje gjithë historinë mendore të Europës.

Tani, mbi një tarracë të gjerë të Elsinorit, që shkon nga Bazeli në Këln, që prek rërnat e Nieuportit, kënetat e Somës, gurët gëlqerorë të Shampanjës, granitët e Alzasës, – Hamleti europian vështron miliona fantazma.
Por ai është një Hamlet intelektual, që mediton për jetën dhe vdekjen e të vërtetave. Për fantazma ai ka të gjitha objektet e polemikave tona; për brerje ndërgjegjeje gjithë titujt e lavdisë sonë; ai është i dërrmuar nën peshën e zbulimeve, të njohjeve, i pazoti të rinisë këtë veprimtari të pacak. Endet mes mërzisë së rifillimit të së shkuarës dhe marrëzisë së dëshirës për risim të përhershëm. Luhatet midis dy honeve, sepse dy rreziqe nuk reshtin së kanosuri botën: rregulli dhe kaosi.
Çdo kafkë që ai mund të kapë është një kafkë e famshme. – Whose was it? – Kjo ishte Lionardo. Ky shpiku njeriun fluturues, por njeriu fluturues nuk i shërbeu saktësisht synimeve të shpikësit: ne e dimë se njeriu fluturues i hipur mbi mjellmën e tij të madhe (il grande uccello sopra del dosso del suo magnio cecero), në ditët tona, ka të tjera detyra se të shkojë e të marrë dëborën në majën e maleve për ta hedhur, gjatë ditëve të nxehta, mbi kalldrëmin e qyteteve… Dhe kafka tjetër është ajo e Leibniz-it që ëndërroi paqen universale. Dhe kjo tjetra ishte Kant-i, Kant-i që lindi Hegel-in, që lindi Marx-in, që lindi…
Hamleti nuk di ç’të bëjë me gjithë këto kafka. Po sikur t’i braktisë!… A do reshtë së qeni vetvetja? Mendja e tij tmerrësisht largpamëse sodit kalimin nga lufta në paqe. Ky kalim është më i errët, më i rrezikshëm se kalimi nga paqja në luftë; gjithë popujt janë turbulluar prej tij. « Po me mua, i thotë ai vetes, me mua, shpirtin europian, ç’do bëhet me mua?… Po paqja ç’është? Paqja është, ndoshta, ajo gjendje e gjërave në të cilën armiqësia e natyrshme mes njerëzve shfaqet në krijime, në vend që të përkthehet në shkatërrime, si në luftë. Paqja është koha e një konkurrence krijuese dhe e luftës së prodhimeve. Por a nuk jam lodhur së prodhuari? A s’e kam shterur, vallë, dëshirën e orvatjeve të skajshme dhe a s’kam abuzuar me përzierjet dinake? Mos duhen lënë mënjanë detyrat e mia të vështira dhe ambiciet e mia transhendente? Mos duhet të ndjek rrjedhën e të bëj si Polloni, që drejton tani një gazetë të madhe? Si Laerti që ndodhet diku në aviacion? Si Rozenkranci që bën kushedi çfarë me një emër rus?
– Lamtumirë, fantazma! Bota nuk ka më nevojë për ju. As për mua. Bota, që pagëzon me emrin progres prirjen e saj për një përpikëri fatale, kërkon t’i bashkojë mirësive të jetës përparësitë e vdekjes. Njëfarë mjegullnaje mbretëron ende, por ende edhe pak kohë dhe gjithçka do qartësohet; ne do shohim më në fund mrekullinë e një shoqërie kafshërore, një fole milingonash të përsosur e përfundimtare. »

LETRA E DYTË

Po ju thosha, ditën që shkoi, se paqja është ajo luftë që pranon akte dashurie dhe krijimi në ecurinë e saj: ajo është, pra, një gjë më e ndërlikuar dhe më e errët se lufta si e tillë, ashtu siç është jeta më e errët dhe më e thellë se vdekja.
Por fillesa dhe vënia në punë e paqes janë më të errëta se vetë paqja, ashtu siç pllenimi dhe zanafilla e jetës janë më të mistershme se funksionimi i trupit pasi është bërë dhe përshtatur.
Sot, çdokush e percepton këtë mister si një ndijim të sotëm; disa njerëz, pa dyshim, duhet ta perceptojnë veten e vet pikërisht si pjesë të këtij misteri; dhe ka ndoshta ndonjë, ndjeshmëria e të cilit është mjaft e qartë, mjaft e hollë dhe mjaft e pasur për të lexuar në vetvete disa stade të fatit tonë më të përparuara nga ç’është vetë ky fat.
Unë nuk e kam këtë ambicie. Gjërat e botës më interesojnë vetëm në raport me intelektin; gjithçka në marrëdhënie me intelektin. Bacon thoshte se ky intelekt është një idhull. Jam dakord, por nuk kam gjetur ndonjë idhull tjetër më të mirë se ky.
Mendoj, pra, për vendosjen e paqes për aq sa ajo përfshin intelektin dhe gjërat e intelektit. Ky pikëvështrim është fals, meqë e veçon mendjen nga gjithë pjesa tjetër e veprimtarive; por ky operacion abstrakt dhe ky falsifikim janë të pashmangshëm: çdo pikëpamje është false.

Një mendim i parë shfaqet. Ideja e kulturës, e inteligjencës, e veprave mjeshtërore ka për ne një lidhje shumë të vjetër – aq të vjetër sa ngjitemi shumë rrallë gjer tek ajo, – me idenë e Europës.
Pjesët e tjera të botës kanë patur qytetërime të admirueshme, poetë të klasit të parë, ndërtues e madje shkencëtarë. Por asnjë pjesë e botës nuk ka zotëruar këtë pasuri të rrallë fizike: fuqinë më të dendur rrezatuese të bashkuar me fuqinë më të dendur përthithëse.
Gjithçka erdhi në Europë dhe gjithçka erdhi nga Europa. Ose pothuajse gjithçka.

Mirëpo, ora e sotme sjell me vete këtë pyetje të rëndësishme: a do ta ruajë Europa përparësinë e saj në të gjitha fushat?
A do bëhet Europa ajo çka është në të vërtetë, domethënë: një kep i vogël i kontinentit aziatik?
Ose, më mirë, a do mbetet Europa ajo çka duket, domethënë: copa e çmuar e universit tokësor, perla e globit, truri i një trupi të stërmadh?
Më lejoni që, për të qartësuar gjithë rigorozitetin e kësaj alternative, të shtjelloj këtu një lloj teoreme themelore.
Kini parasysh hartën e botës. Mbi këtë hartë, tërësinë e tokave të banueshme. Kjo tërësi ndahet në zona dhe në secilën nga këto zona ka një denduri të caktuar popullsie, një cilësi të caktuar njerëzish. Secilës nga këto zona i përkon gjithashtu një pasuri natyrore, – një tokë më pak a më shumë pjellore, një nëntokë më pak a më shumë e çmuar, një truall më pak a më shumë i ujitur, më pak a më shumë i përshtatshëm për transportet, etj.
Të gjitha këto karakteristika bëjnë të mundur të klasifikosh, në çdo epokë, zonat për të cilat po flasim, në atë mënyrë që, në çdo epokë, gjendja e tokës mund të përcaktohet nga një sistem pabarazish midis zonave të banuara të sipërfaqes së saj.
Në çdo çast, historia e çastit vijues varet nga kjo pabarazi e dhënë. Le të shqyrtojmë tani jo këtë klasifikim teorik por klasifikimin që ekzistonte realisht deri dje. Shohim një fakt mjaft të shqueshëm e shumë të shkoqur:
Ndonëse rajon i vogël, Europa figuron prej shekujsh në krye të klasifikimit. Pavarësisht nga shtrirja e saj e brishtë – e ndonëse nuk ka pasuri tokësore të jashtëzakonshme, – ajo zotëron tablonë. Për shkak të ç’mrekullie? – Sigurisht që mrekullia duhet të qëndrojë te cilësia e popullsisë së saj. Kjo cilësi duhet të kompensojë numrin e vogël të njerëzve, numrin e vogël të kilometrave katrorë, numrin e vogël të mineraleve, që i janë dhënë Europës. Vendosni në njërën prej pjatave të peshores perandorinë e Indisë; në tjetrën, Mbrëtërinë e Bashkuar. Vështroni: pjata e ngarkuar me peshën më të vogël ulet!
Ja një prishje ekuilibri fort e jashtëzakontë. Por pasojat e saj janë edhe më të jashtëzakonta: ato do na bëjnë të parashikojmë një ndryshim progresiv në sens të kundërt.
Sugjeruam se cilësia e njeriut duhet të jetë përcaktuesja e epërsisë së Europës. Nuk mund ta analizoj hollësisht këtë cilësi; por përmes një shqyrtimi përmbledhës do thosha se makutëria aktive, kureshtja e zjarrtë dhe e çinteresuar, një përzierje e lumtur e përfytyrimit dhe e rigorozitetit logjik, njëfarë skepticizmi jo pesimist, një misticizëm i panënshtruar… janë karakteristikat vepruese më specifike të Psikes europiane.

Një shembull i vetëm i kësaj mendjeje, por një shembull i dorës së parë dhe i rëndësisë kryesore: Greqia, – sepse duhet vendosur në Europë gjithë zona bregdetare e Mesdheut: Smirna dhe Aleksandria janë të Europës siç janë Athina dhe Marseja, – Greqia themeloi gjeometrinë. Kjo ishte një ndërmarrje e marrëzishme: ne ende po grindemi për mundësinë e kësaj marrëzie.
Ç’u desh të bëhej për të realizuar këtë krijim fantastik? – Mendoni që as egjiptianët, as kinezët, as kaldenasit, as indianët nuk arritën ta bënin. Mendoni ç’aventurë pasionante ka qenë, ç’ngadhënjim një mijë herë më i çmuar e sigurisht më poetik se ai i Bashkës së Artë. Nuk ka lëkurë dashi që të vlejë sa kofsha e artë e Pitagorës.
Kjo ishte një ndërmarrje që ka kërkuar dhuntitë më të pathyeshme. Ajo ka kërkuar argonautë të mendjes, pilotë të fortë që nuk e lënë veten të humbasin në mendimet e veta, as të hutohen nga përshtypjet e veta. As brishtësia e premisave që i mbartnin, as imtësia apo pafundësia e inferencave që ata eksploronin nuk i turbulluan dot. Ata qenë si të baraslarguar nga zezakët e paqëndrueshëm dhe nga fakirët e papërcaktuar. Ata kryen aktin aq delikat, aq të pagjasë, të përshtatjes së ligjërimit të përditshëm me arsyetimin e saktë; analizën e operacioneve motrice dhe pamore tepër të ndërlikuara; përkimin e këtyre operacioneve me pasuritë gjuhësore e gramatikore; ata i zunë besë fjalës për t’i çuar në hapësirë si largpamës të verbër… Dhe vetë kjo hapësirë bëhej ndër shekuj një krijim më i pasur e më habindjellës, në masën që mendimi zotëronte më mirë vetveten, e që fitonte më shumë besim në sistemin e mrekullueshëm të arsyes dhe në mprehtësinë nistore që e kishin pajisur me instrumente të pakrahasueshëm: përkufizime, aksioma, lema, teorema, problema, porizma, etj.
Do më duhej një libër i tërë për të folur siç duhet. Por desha vetëm sa të saktësoja me disa fjalë njërin prej akteve karakteristike të gjeniut europian. Ky shembull më shpie pa mundim drejt tezës sime.

Mëtoja se pabarazia e vrojtuar aq gjatë në favor të Europës duhej përmes vetë efekteve të saj të ndryshonte progresivisht në pabarazi të sensit të kundërt. Pikërisht kjo është ajo që unë e përvijoja nën emrin ambicioz teoremë themelore.
Si ta provosh këtë propozim? – Po marr të njëjtin shembull: atë të gjeometrisë së grekëve dhe i lutem lexuesit të marrë parasysh përmes kohëve pasojat e kësaj lënde. E shohim pak nga pak, shumë ngadalë, por në mënyrë tepër të sigurt, të marrë një autoritet të tillë saqë gjithë kërkimet, gjithë përvojat e fituara rreken në mënyrë të pashmangshme t’i huazojnë ecurinë rigoroze, ekonominë skrupuloze të « lëndës », nocionet automatike, metodat e imta dhe atë maturi të pafund që i mundëson guximet më të çmendura… Shkenca moderne ka lindur nga ky edukim i një stili të madh.
Por, me të lindur, me t’u provuar e rishpërblyer nga zbatimet e saj praktike, shkenca jonë e bërë mjet fuqie, mjet zotërimi konkret, nxitës pasurie, aparat shfrytëzimi të kapitalit planetar resht së qeni një « qëllim në vetvete » dhe një aktivitet artistik. Dija, që ishte një vlerë konsumi, bëhet një vlerë këmbimi. Dobishmëria e diturisë e kthen dijen në mall, të dëshirueshëm jo më nga ndonjë amator i rrallë, por nga Çdokush.
Ky mall, pra, do përgatitet në forma gjithnjë e më të volitshme apo të konsumueshme; do t’i shpërndahet një klientele gjithnjë e më të shumtë në numër; do bëhet një artikull tregu, artikull, së fundi, që imitohet dhe prodhohet nga pak kudo.
Rezultati: pabarazia që ekzistonte midis rajoneve të botës nga pikëpamja e arteve mekanike, e shkencave të zbatuara, e mjeteve shkencore të luftës apo paqes, – pabarazi mbi të cilën themelohej epërsia europiane – priret të zhduket gradualisht.
Pra, klasifikimi i rajoneve të banueshëm të botës priret të bëhet i tillë që madhësia materiale bruto, elementet e statistikës, numrat, – popullsia, sipërfaqja, lëndët e para, – të përcaktojnë më në fund, të vetme, këtë klasifikim të pjesëve të globit.
E pra, peshorja që rëndonte nga ana jonë, ndonëse ne dukeshim më të lehtë, nis të na ngrejë ngadalësisht, – a thua se ne pa pikë kuptimi kishim kaluar në pjatën tjetër peshën e mistershme që ishte e jona. Ne marrëzishëm i kemi kthyer forcat e përpjesshme masave!

Kjo dukuri që po lind, ndër të tjera, mund të përqaset me atë që është e vrojtueshme në gjirin e çdo kombi: e kam fjalën për përhapjen e kulturës dhe për pushtimin e saj nga kategori gjithnjë e më të mëdha individësh.
Të përpiqesh të parashikosh pasojat e kësaj përhapjeje, të kërkosh nëse ajo duhet ose jo të shpjerë medoemos në degradim, do të thotë të trajtosh një problem fort të ndërlikuar të fizikës intelektuale.
Sharmi i këtij problemi, për mendjen spekulative, vjen fillimisht nga ngjashmëria e tij me faktin fizik të përhapjes, – e pastaj, nga shndërrimi i menjëhershëm i kësaj ngjashmërie në dallim të thellë, qysh kur mendimtarit i kujtohet se objekti i tij i parë është njerëz dhe jo molekula.
Një pikë vere e rënë në ujë mezi e ngjyros ujin dhe priret të zhduket, pas një tymnaje të trëndafiltë. Ky është fakti fizik. Por, pak kohë pas këtij avullimi e kthimi në lëng, vështrojmë andej-këtej në vazon tonë – që dukej edhe njëherë sikur mbante ujë të kulluar, – si formohen pika vere të errëta e të kulluara, – ç’habi…
Ky fenomen i Cana-s nuk është i pamundur në fizikën intelektuale dhe shoqërore. Flasim atëherë për gjeni dhe ia kundërvëmë atë përhapjes.

Pak më parë po merrnim një peshore të çuditshme që lëvizte në sens të kundërt të rëndesës. Shohim tani një sistem të lëngshëm të kalojë, si spontanisht, nga homogjenia tek heterogjenia, nga përzierja intime tek veçimi i pastër… Janë këto imazhe paradoksale që japin nocionin më të thjeshtë e më praktik të rolit që luan në Botë ajo që quhet – që prej pesë ose gjashtë mijë vjetësh – Mendje.

Por a mundet vallë që Mendja europiane – ose të paktën brendia më e çmuar e saj – të jetë krejtësisht e përhapshme? Fenomeni i vënies në shfrytëzim të globit, fenomeni i barazisë së teknologjive dhe fenomeni demokratik, që bëjnë të parashikohet një deminutio capitis i Europës, a duhen marrë si vendime absolute të fatit? Apo mos kemi ne ndonjë liri kundër këtij komploti kanosës të gjërave?
Ndoshta duke kërkuar këtë liri, ne e krijojmë atë. Por, për një kërkim të tillë, duhet të braktisim për njëfarë kohe përfilljen e bashkësive dhe duhet të studiojmë, tek individi mendues, luftën e jetës së tij vetjake me jetën e tij në shoqëri.

Përktheu: Alket Çani 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top