Mai Ling-Gerhard Plotz

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Shkruar nga Gerhard Poltz, lindur më 1942, Mynih, Gjermani

Botuar në vitin 1984

Përkthyer nga Ardian Klosi

Zoti Grundwirmer dhe Mai Ling janë ulur në një qoshk me kanape të firmës Kruger.

Grundwirmer: – Pa thuaj pak mirëdita, Mai Ling. Mirë dita. Hë bravo. Tri javë kam që e kam marrë. E quajnë Mai Ling me letra, në të vërtetë tani e quajnë Grundwirmer, ka marrë mbiemrin tim. Domethënë Mai Grundwirmer, mbiemri i vajzërisë Ling. E bleva per 2758 marka, vura edhe diçka sipër për rrugën nga aeroporti i Bankokut deri këtu. Ma sollën deri tek shtëpia. Në fakt është me leverdi kur e di që vjen nga provinca. Se në Bankok sot nuk blen dot më, as amerikanët nuk blejnë. Është kthyer e gjitha në tregëti, nuk gjen pa sëmundje. Po të shtoja edhe 500 marka  e kisha marrë vietnameze, nga ato që vijnë më të forta në trup, nuk di, kështu thonë të paktën, ca kështu – ca ashtu. Po shikojeni vetë, nuk është keq, pse jo ? Jam shumë i kënaqur. Është  e pastër xixë, nuk fëlliq, në të vërtetë aziatiket  në përgjithësi janë të pastra, nuk fëlliqin. –  Apo jo, Mai, si thua ti, jemi të kënaqur hë ? Hahaha… Kuptohet në fillim sa të mësohej kishte ca vështirësi. Po të flasim si kuzhinë, unë kinezët nuk i dua, se ne hamë ndryshe, me lugë, pirunj e thika. Ia thash qysh në fillim. Mail Ling kishte shkopinjtë, nuk dua t’i shoh më, i mblodha tufë dhe i hodha në zjarr. Lashë nja dy copë sa për të luajtur “Mikado”. Ajo lojë më pëlqen. Po kjo që thoni ju lakohet, përshtatet, të vjen sipas qejfit. Mmm, në krevat lëre, e dini vetë ju si janë aziatiket, me nam. Pa po pastër, llamburit, pasqyrë dhoma. Nuk ndihet fare, kur dëgjon ndonjë zhurmë thua; miu, se nuk i dëgjohet as këmba kur ecën, a thua se fluturon mbi dysheme. Kur erdhi ishte ca e verdhë në çehre, po kështu janë në përgjithësi aziatiket; të verdha. Ia bëra të gjitha vaksinat. Se e dini si është me sendet e importuara, janë shumë të rreptë sot. Para se ta sillnin më thanë se është 1 metër e 49 e gjatë. Por kur erdhi na doli 3 centimetra më shumë. Se kujtoja se mund të na ndihmonte një kushërira ime, Ani, ajo ka një krevat fëmijësh mirëpo s’qe gjë, na duhej shtrat për të. Ja që ka njeriu shpenzime të tilla në këto raste, jo po taksia nga aeroporti në shtëpi, jo po zyra e gjendjes civile, jo çertifikatat shëndetësore, jo po taksat e pasaportizimit, se pastaj do marrë edhe nënshtetësinë gjermane. Të gjitha futen në llogari. Po e them këtu që ta dëgjojnë të gjithë të interesuarit, të mendohen mirë përpara se të porositin, se duhet t’i shkundin xhepat paq me gjithë ato shpenzime që do t’u bien mbi kokë. Sa për vete prapëseprapë jam i kënaqur megjithëse e mora si mall pakice. Edhe muajin e mjaltit e kalova për bukuri, nuk e prisja aq mirë. Po ç’ekzotikë! Nuk e kanë më kot namin aziatiket, prandaj është rritur edhe kërkesa ne rrethet e gjera të popullsisë. Shikoni pak, shikoni këtu. – Mai Ling, me sill pak cigaret, janë atje matanë…

– Nuk kupton dhe aq mirë. Cigare dhe shkrepëse dua, i ke mbi tryezë… M’i sill pak këtu, cigare… Mai Ling, më sill cigare…

Mai Ling çohet në këmbë dhe sjell cigaret dhe shkrepëset.

Kisha dikur një qen ujk të madh s’e kishte qejf fare ujin, por po t’i hidhje një shkop në liqen hidhej turr brenda.

Mai Ling, cigare, bravo, bravo! E shikoni? Punë durimi, se koha ecën ndryshe te këta, me pak durim dhe njëçikë psikologji praktike, të gjitha shkojnë vaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top