Ora e edukatës morale-Barbara Frischmuth

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Barbara Frischmuth

Në rast se përpiqet t’ju afrohet një burrë, cilatdo që të jenë qëllimet e tij – në vend të mbyllur ose të hapur – punë e parë ulini sytë përtokë, që të mund të fitoni kohë. Nga mënyra se si kërkon t’ju tërheqë vëmendjen do të kuptohet se ç’lloj kënaqësish pret ai nga miqësia me ju. Në rast se ai kërkon vetëm një miqësi bisedash të zgjatura, e cila duhet t’i ngjallë një simpati pa interes – gabimisht këtë marrëdhënie e quajnë platonike – atëherë në krye do t’ju thotë plot kujdes se mënyra qysh e mbani kokën, sidoqë ka një hir të këndshëm e fëminor, zbulon një intelekt që zor se pritej nga balli juaj i trëndafiltë. Do t’ju drejtojë pyetje, thjesht që t’ju japë mundësi të vlerësoni thellësinë e mendjes së tij, jo pse do të dijë përgjigjen tuaj. E vetmja dëshirë e tij është që ta kuptoni rëndësinë e bisedës siç duhet. Është katërcipërisht e pranueshme që ta ftoni atë, në intervale të rregullta, por jo shumë të shkurtra, për një gotë limonatë ose diçka për të ngrënë dhe ta lejoni që t’ju dhurojë libra ose të tjera sende me vlerë edukative, por mos harroni që edhe juve ju takon t’i propozoni diçka si shkëmbim.
Një problem tjetër ka të bëjë me kohëzgjatjen e një miqësie të tillë. Nga vetë natyra e njeriut në fjalë, kjo kohë është e shkurtër, sepse ai ka për t’u afruar, ose ju keni për t’iu larguar. Në rast se kemi të bëjmë me një njeri të vlershëm, këshillohet shtrirja në kohë e miqësisë. Kur të takoheni me të, e mira është që t’u shmangeni vendeve të shkreta, sepse edhe ju do ta keni të vështirë ta ruani kryelartësinë. Kushedi, ai burrë mund t’ju bëhet i dobishëm. Duhet të jeni të mprehta si gjarpri dhe naive si pëllumbi, ose si shembuj të tjerë nga shkrimet e shenjta.
Në qoftë se, ashtu si rastësisht, ai kërkon t’ju zërë dorën, atëherë ju, si rashtësisht, tërhiqeni dhe bëni sikur ju lypset shamia e hundëve. Në rast se në bisedë e sipër ai ju afrohet te veshi – gjoja për t’ju thënë me zë të ulët diçka të fshehtë – dhe ju gudulis me afshin e fjalëve të tij, që t’ju tërheqë aty ku s’duhet, ju mos e bëni veten. Më e mira është të ktheni fytyrën nga ai – krejt e pafajshme – dhe ai paskëtaj nuk do guxojë t’ju prekë buzët; kjo nuk i përgjigjet tipit që ai përfaqëson.
Mund t’i quajmë të kapërcyera vështirësitë e para kur ai të fillojë të tregojë nga jeta e tij private. Këtu nuk duhet të dëfteni kureshtje. Ai duhet ta ndiejë që po ju tregon vullnetarisht, që ju nuk ia kërkuat të fshehtat. Po e bëtë këtë me shkathtësi, ai ka për t’ju kërkuar këshilla dhe do të thotë se është përherë mirënjohës, në qoftë se ju tregoheni e gatshme dhe vetëmohuese për ta ndihmuar. Po pati vlerë këshilla juaj, ose mënyra si e këshilloni, atëherë ju do të bëheni për të e domosdoshme, ai kudo do të përpiqet të ndërhyjë për ju dhe do ta tregojë mirënjohjen e vet me sa të ketë në dorë.
Si keni mbërritur këtë pikë, në asnjë mënyrë nuk duhet të bëni gabim e të lejoni prekjen më të vogël trupore, përndryshe imazhi që i keni krijuar ka për ta humbur finesën dhe ai do të pendohet për vrazhdësinë tuaj. Në rast se e përballoni joshjen – për këtë nuk jeni asnjëherë e sigurt – ai do ta ndiejë veten të detyruar në pafundësi ndaj jush. Kuptohet, duhet t’i kushtoni vëmendje veshjes dhe sjelljes suaj, që ju për të jeni diçka e paarritshme, e cila i jep atij kënaqësi sa kohë është robi juaj, pa ndjerë turp për këtë.
Miqësi të tilla mund t’i lejoni vetes vetëm kur keni siguri se e sundoni trupin tuaj dhe se dini ta shfaqni intelektin. Po i mbajtët parasysh rregullat e mësipërme, të tilla lidhje, kudo në jetë, do t’ju sjellin dobi. Në të njëjtën kohë keni për të ndier edhe ju kënaqësi dhe bindjen se po bëni dicka të lejueshme prej fesë.
Por në rast se ju afrohet një burrë, i cili nuk lë pikë dyshimi se, ashtu siç ka lakmuar deri aty shumë trupa të tjerë, lakmon trupin tuaj, pa ndier ndaj jush detyrim, atëherë është më e mira që të mos shkoni dëm, as fjalë e as vështrime, dhe të vijoni rrugën tuaj pa e përfillur. Po qe se nuk ia arrini dhe mirësjellja e do – për hir të pozitës a të postit të tij – që të shkoni me të, atëherë siguroni praninë e një të treti, që të mos ju ndodhë asgjë e ligë. Po të jetë edhe kjo e pamundur, atëherë thuajini se vuani nga ato sëmundjet e neveritshme ose bëjeni pamjen tuaj sa më pak ngacmuese, kështu që atij t’i flashket dëshira (kjo është rrugëzgjidhja e fundit!)
Por po ju afrua një burrë, i cili nuk lë dyshim se ju dashuron me trup e me shpirt, atëherë keni për detyrë të shpalosni vetitë tuaja më të mira, që ai të arrijë në përfundimin se pa ju jeta e tij është një hiç.
Derisa ai nuk ju ka bërë ndonjë kërkesë, duhet të jeni rreptësisht e përmbajtur. Armë kryesore juaja është ngacmimi, që tek ai vjen në rritje, por që asnjëherë nuk e kalon kufirin e së lejueshmes. Por as mos i lini të kuptojë se keni trup të mpirë, ai mund të trembej dhe të kërkonte prova. Në rast se ju ka prekur në zemër dhe ju kërkon seriozisht një lidhje të përhershme, duhet të bëni disa gjeste, që ai të bjerë i tëri brenda. Lërini të kuptojë se nuk doni ta rëndoni nga paratë dhe mos pranoni nga ai asnjë lloj ëmbëlsire – kjo ju lartëson dhe tregon që ju nuk jeni mësuar me të tilla – po t’ju bjerë rruga, bëni kryq para çdo kishe dhe ikone – kështu ai do të ndiejë ngrohtësinë që jep besimi, të humbur që nga fëmijëria – ndërsa shëtisni së bashku, lëmojuni flokët kalamajve që luajnë, kjo është me shumë kuptim; pyeteni përherë e më shpesh për nënën e tij, sepse ndërkohë mund të ketë lindur frika për mosmarrëveshje familjare, dhe tregohuni gjithmonë e shqetësuar për shëndetin e tij, por pa e tepruar, sepse mund ta bezdisni dhe të keni humbje më pas.
Nëse tani ai ju propozon, nëse ka rënë në ujdi me prindërit tuaj, nëse i përket të njëjtit besim si ju dhe nëse nuk ka pasur më parë ndonjë lidhje të pazgjidhshme nga Perëndia, atëherë asgjë nuk e pengon bekimin dhe ligjërimin e simpatisë suaj për njëri-tjetrin.
Nuk quhet mëkat po i lejuat që, para martesës, ai të prekë buzët tuaja me të tijat, megjithatë nuk këshillohet, sepse siç sjell fjala-fjalën, ashtu edhe prekja sjell prekjen, dhe ju duhe ta ngulitni mirë në mendje, që burri ka për t’ju vlerësuar vërtet, atëherë kur ju t’i veni në shtrat e pacenuar.
Po e shpërfillët këtë porosi, mbi lidhjen tuaj do të bjerë hije për tërë jetën. Ajo që është dukur si diktim i nevojës, do të quhet më pas dobësi e karakterit. Nga ana tjetër nuk duhet harruar se lidhja e mishit mund të ketë pasoja. Çfarëdo mase mbrojtëse t’ju propozojnë, ju duhet të keni gjithmonë frikë, sepse dhurata e Perëndisë vjen atëherë kur do ai.
Sidoqoftë, tani ju keni kaluar pragun e shenjtë të martesës dhe urdhëresa thotë që duhet t’i shërbeni bashkëshortit e të jeni e nënshtruar përgjithmonë, kur ai të ketë parasysh se ç’gjë të çmuar ka bërë pronë. Kuptohet, ju nuk keni hyrë duarzbrazur në shtëpi të tij dhe në rast se ju kanë munguar mundësitë materiale, këto i keni zëvendësuar shumë bukur me zotësinë që vjen nga edukata juaj e shkëlqyer.
Ai ju ka marrë të virgjër. Prandaj detyra e tij është t’ju japë ato kënaqësi që ju ua keni mohuat të tjerëve për të, dhe ky borxh rritet, kur ju i përmbaheni urdhëresës së jetës bashkëshortore.
Por po ngjau që bashkëshorti ju tradhton, ju nuk keni të drejtë të bëni skena me njeriun e tretë, veçse mund t’i tregoheni burrit se sa e ulët është vepra e tij, çfarë epërsish humbet ai kur kërkon lumturi në gjirin e një tjetre. Natyrisht, edhe në këtë çështje Zoti është gjykatësi më i lartë dhe më i fundit, por edhe juve ju lejohen vështrimet dhe veprimet ndëshkuese, si dhe një shmangie e përkohshme nga ai. Por nuk mund ta teproni. Mund t’ju ngjallet neveri për një kohë të gjatë – dhe kjo nuk ju këshillohet, sepse ai është përcaktuar për ju, dhe ajo që është dëshiruar lart, shumimi, do të mbetej në vend, dicka që lejohet vetëm në një varfëri të skajshme ose në rast sëmundjeje.
Është rasti këtu të kujtojmë se mund të ketë mes jush nga ato që, edhe kur të vijë koha kur shumë gjëra lejohen, nuk dëshirojnë dhe nuk mund ta mposhtin druajtjen. Në fillim çrrënosja e turpit do të varet shumë nga ndërtimi shpirtëror i burrit, por edhe nga ju varet jo pak kthimi harmonik i njohjes së zemrave në njohje të mishit.
Në qoftë se delikatesa e burrit lë për të dëshiruar dhe ai i thotë gjërat troç, ju nuk do të mundeni ta çlironi vetë frenimin, ndaj është mirë që t’i kërkoni ndihmë nënës suaj. Po nuk u arrit edhe kjo, atëherë vihuni në lidhje me një mjek, që të jetë me emër si njeri gojëkyçur. Në rastet që duken pa shpresë kërkoni më mirë një prift dhe përpiquni vetë, nëpërmjet meshave të shenjta, lutjeve ngulmuese dhe pelegrinazheve, që ta shporrin të ligën.
Por përpara se të mësoni këto, pra, para se të hyni në jetë për të zënë aty vendin e paracaktuar dhe të përmbushni detyrat e ngarkuara, duhet ta mendoni e ta peshoni mirë, sepse të tjera shtigje hapen para jush. Hapet rruga, të cilën apostull Pavli e ka quajtur më të mirën, dhe që është më e perëndishmja. Po e zgjodhët këtë, jo vetëm që do të keni fatin të jeni pranë saj sa të keni jetën, por do të largoni dhe andrallat e shqetësimet e mësipërme. Do t’ju jepet kështu mundësia ta çoni jetën me punë e me meditim, si një parapërgatitje për një jetë më të lartë e më të mirë, ku do të shpërbleheni në amëshim për padrejtësitë e përkohshme.

Përkthyer nga Ardian Klosi 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top