Charles Simic-i lindi në Beograd, Jugosllavi, më 9 maj,1938. Fëmijëria e tij e hershme u dominua në mënyrë të pashmangshme nga pushtimi nazist dhe disa nga poezitë e tij më të fuqishme burojnë pikërisht nga kujtimet e kësaj periudhe. Në poezinë “Dy qen” (Two Dogs), për shembull, ai kujton çastin kur shikonte gjermanët tek parakalonin para shtëpisë së tij në vitin 1944:
Toka dridhej, vdekja kalonte pranë…
Një qen i vogël i bardhë vrapoi në rrugë
Dhe u ngatërrua ndër këmbët e ushtarëve. Një goditje me shkelm dhe ai fluturoi sikur të kishte krahë.
Këtë gjë vazhdoj të shoh!
Nata që bie. Një qen me krahë.
Babai i Simic-it u arrestua disa herë dhe më në fund u arratis nga Jugosllavia në vitin 1944 për në Itali, atje ku e futën sërish në burg. Pas lirimit të tij në përfundim të luftës, George Simic-i kaloi pesë vjet në Trieste dhe më pas u shpërngul në Amerikë; ai u bashkua me bashkëshorten dhe me dy djemtë e tij në vitin 1954.
Simic-i ndoqi shkollën fillore në Beograd. Nëna e tij, Helen-a, bëri përpjekje të ndryshme për t’u arratisur nga Jugosllavia e pasluftës dhe u burgos edhe vetë për pak kohë së bashku me djemtë e saj nga autoritetet komuniste. Atyre më në fund ua dhanë pasaportat në vitin 1953. Nga frika se mos pasaportat u revokoheshin, Helen-a bëri gati valixhet me nxitim dhe familja hipi në tren po atë mbrëmje për në Paris. Pas një sërë vonesash ua dhanë vizat amerikane dhe ata nisën lundrimin për në New York në gusht të vitit 1954.
Familja jetoi në New York për një vit dhe më pas u vendos në Chicago. Për shkak të mungesës së parave, Simic-i nuk mund ta ndiqte kolegjin, ndaj ai punoi si korrier në Chicago Sun-Times dhe ndoqi kurset e natës. Në vitin 1958 ai u kthye në New York, ku punoi në punëra të ndryshme, si paketues, shitës, bojaxhi shtëpish, nëpunës pagash dhe njëkohësisht studionte e shkruante poezi netëve.
Në vitin 1961, Simic-i u thirr në ushtri dhe iu desh të kalonte dy vjet si polic ushtarak në Gjermani dhe Francë. Pas kthimit të tij në New York, ai u regjistruà në Universitetin e New York-ut ku studioi gjuhësi dhe u martua me dizajneren e modës Helen Dubin. Përmbledhja e tij e parë, Çfarë thotë bari (What the Grass Says), u botua në vitin 1967. Në vitin 1973, Universiteti i New Hampshir-it i ofroi atij pozicionin e profesorit të asociuar dhe ai qëndroi atje që prej asaj kohe.
Simic-i, i cili ka fituar një audience të gjerë dhe besnike, ka qenë jashtëzakonisht pjellor, duke botuar përmbledhje të poezive të tij, si dhe të kritikave dhe eseve me një ritëm prej një, dhe ndonjëherë edhe prej dy, librash në vit. Ai ka përkthyer gjithashtu veprat e shkrimtarëve të tillë si Vasko Popa, Ivan Lalić, Aleksandar Ristović dhe Tomaž Šalamun, si dhe ka luajtur një rol kyç në sjelljen e shkrimeve të tyre në vëmendjen e botës anglishtfolëse. Poezia e tij, nga ana tjetër, është përkthyer në shumicën e gjuhëve kryesore europiane.
Intervista që vijon u zhvillua në nëntor të vitit 2004, në banesën time në Highbury, Londër. Simic-i kishte ardhur për të promovuar botimin e librit të tij Poezi të Zgjedhura: 1963–2001 (Selected Poems: 1963–2001) dhe për të lexuar në Poetry International. Ai e njeh mirë Londrën dhe ka shumë miq këtu. Si një admirues i hershëm i punës së tij, isha i lehtësuar që m’u dha mundësia të diskutoja me Simic-in për jetën e tij, artin, politikën dhe pikëpamjet e tij të forta për të gjitha çështjet që lidhen me ushqimin, veçanërisht për rillettes (një lloj pateje mishi), kur i ofrova një gatim për drekë, në mënyrë shumë të hollësishme dhe entuziaste.
INTERVISTUESI
Do të dëshiroja, fillimisht, të flisnim pak për fëmijërinë tuaj në Beograd. Si ishin prindërit tuaj dhe si u njohën?
CHARLES SIMIC
Im atë rridhte nga një shtresë punëtore. Ai ishte fëmija i parë në atë familje që shkoi në universitet. Nga ana tjetër, ime më vinte nga një familje e vjetër beogradase që kishte jetuar në të njëjtin vend për disa shekuj. Ata ishin mjaft të pasur në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por humbën gjithçka. Gjyshi im nga ana e nënës, i cili ishte ushtarak, i la të gjitha në bixhoz, gjë që e mora vesh vetëm pas shumë vitesh.
INTERVISTUESI
Si shkonin degët e ndryshme të familjes suaj me njëra-tjetrën?
SIMIC
Të them të drejtën, ata e përbuznin njëri-tjetrin. Ime më e tregonte qëndrimin e saj për të afërmit e babait tim me psherëtima, rrotullim të syve dhe kunja kuptimplota, ndërsa ana e babait tim ishte më e drejtpërdrejtë. Ata ishin një grup i zhurmshëm dhe që pinin shumë. Unë identifikohesha më shumë me ta. Familja e nënës sime ishte e frikësuar, paranojake dhe e fshehtë. Ata kishin humbur pasurinë dhe ishin të shqetësuar për të ruajtur dukjen. Nuk kishin fare sens humori. Asgjë nuk ishte qesharake për ta. Familja e babait tim, kur mblidheshin rreth tryezës së ngrënies, ishin si një kabare dadaiste, kështu që mund ta përfytyroni sesi ndihej e shkreta ime më në shoqërinë e tyre.
INTERVISTUESI
Sa i ndërgjegjësuar ishit për pozicionet ideologjike të palëve ndërluftuese; për atë se çfarë nënkuptonte nazizmi apo komunizmi?
SIMIC
Shumë; jo në një mënyrë intelektuale, por të gjithë rreth meje debatonin për politikë gjatë gjithë kohës. Im atë kishte simpati për mbretërinë. Gjyshi im nga ana e nënës, ai që i la të gjitha paratë në bixhoz dhe që i shpenzoi për dëfrime, ishte oficer i lartë i dekoruar i Luftës së Parë Botërore, i cili mendonte se duhej të kishim qëndruar jashtë luftës pasi aleatët tanë do të na e punonin pas shpine në fund; ashtu siç bënë në Konferencën e Jaltës. Ime më besoi gjithë jetën e saj; dhe e thoshte hapur, se serbët janë trutharë në politikë, të prirur për të bërë zgjedhjen e gabuar pa marrë parasysh rrethanat. Nga ana e babait, të rinjtë ishin të gjithë të majtë dhe rrjedhimisht simpatizantë të komunistëve. Ata prisnin me padurim që rusët të vinin të na çlironin dhe të pushkatonin njerëz si familja e nënës sime. Pra, siç mund ta përfytyroni, kishte shumë ulërima, shumë lot dhe përplasje dyersh.
INTERVISTUESI
Sa të vështira ishin ato vite për ju?
SIMIC
Është një histori që prindërit e mi e tregonin shpesh. Lufta përfundoi një ditë para 9 majit të vitit 1945, që qëlloi të ishte ditëlindja ime. Isha duke luajtur në rrugë. Sidoqoftë, u ngjita në apartament për të pirë një gotë ujë, ku ime më dhe fqinjët tanë po dëgjonin radion. Ata thanë: “Lufta mbaroi,” dhe siç duket unë i pashë i habitur dhe u thashë: “Tani nuk do të ketë më argëtim!” Në kohë lufte nuk ka mbikëqyrje prindërore; të rriturit janë aq të zënë me jetën e tyre, saqë fëmijët mund të vrapojnë të lirë. Disa vite më parë bëra recensionin e dy librave gjigantë me fotografi nga lufta në Bosnjë. Çdo fytyrë dukej e palumtur, përveç disa fëmijëve në Sarajevë që buzëqeshnin sikur të thoshin: Sa gjë e bukur, sa e mrekullueshme! Kur pashë ato fytyra, mendova: Ky jam unë dhe shokët e mi.
Më pas, pas luftës, argëtimi vazhdoi. Po, kishim varfëri, indoktrinim komunist, por gjithashtu edhe disa filma amerikanë, muzikë xhaz në Radion e Forcave të Armatosura Amerikane dhe banda fëmijësh që luftonin në rrugë. Jetoja në qendër të Beogradit, në një lagje plot lëvizje e të mbushur me njerëz, kështu që nuk ishte kurrë e mërzitshme. Në shkollë kishte fotografi të Titos, Stalinit dhe Leninit mbi çdo dërrasë të zezë, duke na vëzhguar ndërsa bënim detyrat e shtëpisë. Mësuesit na thoshin çdo ditë se këta ishin tre burra të urtë që po u sillnin lumturi fëmijëve si ne në mbarë botën. Unë vetë nuk dija çfarë të besoja. Në shtëpi më thoshin se ata ishin njerëz të këqij, përgjegjës për largimin e babait tim.
INTERVISTUESI
Kur mbërritët në Francë, u klasifikuat nga autoritetet franceze si “person i zhvendosur” (displaced person). Zhvendosja, shkulja e rrënjëve, ekzili, mosbërja pjesë janë tema të vazhdueshme në poezinë tuaj. A ishte Parisi vendi ku e ndienit ftohtësinë se nuk i përkisnit atij vendi?
SIMIC
Po, mendoj se po. Më pëlqejnë francezët, por ata vërtet kënaqeshin duke na poshtëruar. Çdo disa muaj duhej të rinovonim lejet tona dhe duhej të prisnim në radhë për orë të tëra, vetëm për të na thënë se mungonte ndonjë dokument, si për shembull certifikata e lindjes së stërgjyshes sime, të cilën duhej ta merrnim menjëherë nga Jugosllavia, dhe kur e sillnim, na thoshin se në fund të fundit nuk na duhej. Kaluam një vit në Paris duke jetuar në një dhomë të vogël hoteli, duke mbijetuar me paratë që im atë na dërgonte nga Shtetet e Bashkuara. Nuk kishim asnjë ide se sa kohë do të duhej për të marrë vizat. Ndërkohë, bridhnim nëpër qytet në këmbë, shkonim në kinema dhe studionim anglisht. Ime më na blinte LIFE, LOOK dhe revista të tjera amerikane, ku unë dhe im vëlla studionim gratë me kostume banjoje, modelet e reja të makinave dhe frigoriferët e mbushur plot me ushqim. Megjithatë, pikërisht gjatë kohës së shkollës në Paris fillova të interesohesha për herë të parë për poezinë. Duhej të mësonim përmendësh poezi nga Bodleri, Verlena dhe Rimboja dhe t’i recitonim ato përpara klasës. Mund ta imagjinoni se çfarë makthi ishte kjo për mua dhe theksin tim. E megjithatë, ato poezi m’i mbushnin sytë me lotë.
INTERVISTUESI
Keni thënë shpesh se New York-u është qyteti juaj i preferuar: A ishte dashuri me shikim të parë?
SIMIC
Po. Ishte një pamje mahnitëse në vitin 1954. Europa ishte aq gri, ndërsa New York-u aq i shndritshëm; kishte aq shumë ngjyra, reklamat, taksitë e verdha. Amerika ishte vetëm pesë ditë larg me anije, por ndihej po aq e largët sa Kina sot. Qytetet europiane janë si skena opere. New York-u dukej si skenat e pikturuara në një shfaqje cirku shëtitës, ku gruaja me mjekër, gëlltitësit e shpatave, magjistarët dhe njerëzit që zbutnin gjarpërinjtë bënin paraqitjet e tyre.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga The Paris Review
Çfarë la pas Jack Kerouac-u
Më shumë se gjysmë shekulli pas librit “On the road”, Jack Kerouac është ende një personalitet