Porta e fshehtë e Lordit Bajron-Luan Rama

in Në kohërat e kolerës by

Luan Rama

Lord Bajroni e kishte lënë Prevezën i shoqëruar nga 40-50 shqiptarë, kishte kapërcyer Akarninë dhe Etolinë dhe ishte nisur bashkë me mikun e tij drejt Moresë, duke ndaluar në Utraqi. “Në mbrëmje, – tregonte më pas ai, – meqë portat e fshatarëve ishin të mbyllura, bëmë përgatitjet të hanim darkën jashtë bashkë me shqiptarët tanë. Një dhi u pre dhe u poq e tëra në zjarr. Katër zjarre u ndezën dhe rreth tyre u ulën shqiptarët. Pasi hëngrën e pinë, ata u mblodhën rreth zjarrit më të madh, ku ne, më të vjetrit, qëndronim të ulur në tokë. Ndërkohë që qëndronim ashtu, ata i dhanë duart njëri-tjetrit dhe kërcyen rreth zjarrit me britmat e këngëve të tyre dhe me një energji të habitshme. (Subjekti i këngëve ishin gjithnjë bëmat e kleftëve, që këtu u thonë kaçakëve, hajdutëve, që në këtë kohë në Shqipëri e Greqi e kishin për nder. Po kështu quheshin edhe ata që kishin marrë malet e fshiheshin duke luftuar kundër tiranisë së Turqisë). Njëra nga ato këngë zgjati një orë. Ajo fillonte kështu: ”Të gjithë kleftë nga Parga, ne ishim gjashtëdhjetë“… dhe pastaj vinte refreni: ”Të gjithë kleftë nga Parga”…

Kur buçiste kjo strofë me gjithë forcën e mushkrive, ata ktheheshin me vrull rreth zjarrit dhe binin në gjunjë, duke përsëritur refrenin. Zhurma e dallgëve mbi gurët e vegjël të bregut ku ishim ulur mbushte intervalet e këngës me një muzikë më të butë, por jo aq monotone. Nata ishte e errët, por nga dritat që hidhte zjarri shikoje drurët, shkëmbenjtë dhe pamjen e atyre valltarëve, çka i jepte atij vendi një pamje të habitshme dhe misterioze…”[1]

Kur kishin mbërritur në Athinë, dy anglezët, kishin qëndruar tre muaj në shtëpinë e vejushës Theodhora Makri, gruas së zëvendës-konsullit anglez, e cila priste e përcillte anglezët që kalonin andej. Ishte Theodhora me tri vajzat e bukura të saj; Katinka, Marjana dhe Tereza, ku më e bukura ishte e vogla me leshra të lëshuara. ”Tereza, Katinka e Marjana, – shkruante Bajroni  në kujtimet e tij, – kishin shtat mesatar dhe mbanin në kokë nga një kapuç të kuq shqiptar me një xhufkë blu, si dhe shami me ngjyra mbi kokë, kapur në tëmthat e tyre”.

Ёshtë një e papritur e bukur kur gjendesh para atij hoteli të vjetër në Athinë, i lënë ashtu, siç ka qenë më shumë se dy shekuj më parë, kur gjatë vizitës në Greqi, pasi kishin zbritur nga Janina, Lord Byron (Bajron) dhe miku i tij Hobhouse, kishin qëndruar atje tre muaj. Portokallet për të cilat shkruante dikur Hobhouse në kujtimet e tij nuk ishin më aty, përveç atyre gurëve antikë në oborr dhe një obelisku që tregonte për qëndrimin e Bajronit. Dritaret dhe gjithçka përreth të fusnin menjëherë në mjediset e asaj shtëpie të dikurshme të vejushës Makri me tri vajzat e bukura të saj apo “tri hiret“ siç i quante Bajroni, ku më e bukura ishte Tereza, e vogla, me flokët e saj të lëshuara që i derdheshin gjer ne bel. Në atë kohë, Bajroni shkruante këngët e para të poemës së gjatë “Childe Harold”, të cilën, siç do të shkruante ai, e nisi ”në Janinë, Shqipëri, të filluar në 31 Tetor, 1809“. Në kujtimet e Bajronit ”Memoires de Byron“, botuar nga miku i tij i afërt Thomas Moore, përshkruhet dhe gjithë udhëtimi i tij drejt Athinës. Në Athinë, Bajroni dhe miku i tij kishin vizituar Akropolin që nderej mbi kokat e tyre. Madje Bajroni kishte shkuar dhe në Sunio, gjithnjë i shoqëruar nga shqiptarët e tij. Në kujtimet e tij ai shkruante sesi “në Sunio, desh e kishin rrëmbyer ca kaçakë maniotë nga Mani i Peloponezit, por kur kishin parë dy shqiptarët pranë tij, ata kishin menduar se të tjerë shqiptarë vinin pas tyre dhe ishin larguar me shpejtësi, pasi me shqiptarët ishte e vêshtirë të ndesheshin…”

Para se të largohej nga Athina për në Pire, për të marrë një anije angleze që shkonte në Smirnë, siç shkruante Thomas Moore, ai i ishte drejtuar vajzës së Theodhorës, duke i thënë: ”O virgjëreshë e Athinës! Para se të ndahemi kthema zemrën time!…”

Duke përsëritur këto vargje, m‘u shfaq gjithashtu dhe  portreti i asaj vajze në tablonë e bukur të piktorit francez André Chalon, një francez i rritur në Londër, meqë ati i tij kishte mërguar atje. Ishte një piktor i njohur në rrethet aristokratike dhe i parapëlqyer i mbretëreshës Victoria, të cilës i kishte bërë disa portrete. Portreti i kësaj vajze adoleshente u pikturua dhe nga shumê autorë tê tjerê, veçanêrisht anglezë.

Ishte kjo ditë plot diell rrëzë Akropolit në Athinë, që më solli në mendje Bajronin e madh dhe piktakimin e tij me shqiptarët. Vite më parë, në librin “Në udhëkryqet e kohës“ (Korrespondenca Paris-Tiranë), për Bajronin kisha shkruar një kapitull, që padyshim, duhej të vazhdonte…

Adoleshenca jonë është përkundur me këngët e Çajld Haroldit, çka nuk ndodh tani. Ne ishim krenarë për vargjet e poetit anglez për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët i shihte si një popull i virtytshëm dhe i veçantë nga të tjerët. Sigurisht ishte ndjenja jonë patriotike në një vend totalitar, ku s’i kishte mbetur gjë tjetër ku të kapej, veç disa adhuruesve të së kaluarës, si Xhorxh Gordon Bajron. A nuk shkruante ai në letrat dërguar mikut të tij John Moore se «I dua shumë shqiptarët… Arnautët ose shqiptarët, më kanë habitur me ngjashmërinë që kanë me skocezët e Hightlands… malet e tyre kanë një pamje si të Kaledonisë, me një klimë të këndshme. Edhe pse veshja e tyre ishte e bardhë, silueta e hollë dhe e shkathët, dialekti i tyre disi celtik në veshin tonë dhe jeta e tyre e ashpër, gjithçka më çonte në Morven»…

Kur isha kineast i ri dhe për herë të parë shkelja në kështjellën e Ali Pashë Tepelenës, imagjinoja çastin kur Bajroni kishte pikëtakuar me këto peizazhe të thyera, me kështjellën dhe zotin e asaj fortesë mitike, pashain që në atë kohë ishte një personazh nga më të pushtetshmit dhe më të dyshimtit jo vetëm për sulltanin, por dhe për kancelaritë e Europës. Për Bajronin do të mendoja dhe kur shkova në Delf, në Akropolin e Athinës dhe Maratonë, për të cilat ai kishte shkruar. Po kështu dhe kur shkova në Argos e Tripolica, ku ai takoi Veli Pashën, birin e Aliut, por dhe kur iu ngjita luginave të Kalamas e Çamërisë, atje ku Bajroni kishte shkruar se s’kishte parë vend më magjepës në jetën e tij, përveç Cintra-s së Portugalisë. Pra, si të thuash kisha ecur në gjurmë të jetës së Bajronit, jo thjesht për nostalgji të adoleshencës sime dhe dashurisë sublime që ai deklaronte për shqiptarët, por sepse ky njeri, ky bard i një epike moderne të asaj kohe, i cili adhuronte shkrimtarin Walter Scot, kërkoi të udhëhiqte botëra të tjera drejt lirisë. Në këtë kuptim, Bajroni iu përkushtua Revolucionit Grek, jo për eksibicionizëm, por se ai donte të përçonte dritën e lirisë në popujt e robëruar, edhe kur ai e parandjente se ndoshta nuk do të kthehej më dhe se do të shuhej përgjithnjë. Ishte një lloj flake që jetonte brenda shpirtit të këtij bohemi që nuk mund të jetonte në dhomën e lordëve, kur ndërkohë Revolucioni e thërriste gjetkë.

Ky ishte imazhi që kishim krijuar dhe që ka mbetur ende ndër shqiptarët, gjer në tekstet e historisë. Por Bajroni ishte poet dhe artist, ishte njeri ku sensibiliteti i tejkalonte caqet e marrëdhënieve të zakonshme të një burri, duke kapërcyer shpesh në anën tjetër, atë të homoseksualitetit. Madje dashuritë e tij kryqëzoheshin pa bërë dallimin e seksit para njeriut që ai adhuronte. Në Shqipëri duket ndoshta si një lloj tabuje të paraqesësh «portretin në hije» apo «portën e fshehtë» të Bajronit, atë që flitet në librat e kritikëve dhe biografëve dhe jo për publikun e gjerë, atë që një sy i vëmendshëm e lexon në rreshtat e letrave të tij dërguar miqve të tij Hobhouse, Moore, etj. A duhej prezantuar ky «portret-hije» i Xhorxh Gordon Byron-it? Pse jo?! Homoseksualiteti nuk i ul asnjë vlerë as veprës dhe as figurës së tij, njëlloj si dhe bashkëpatriotit të tij anglez Oskar Uaild, vite më vonë, e shumë të tjerë. Siç shkruante dhe një biograf i tij, Lesli A. Marchand, në librin “Bajroni, portreti i një njeriu të lirë”: “Në Janar të vitit 1824 Bajroni kujtonte shpesh të kaluarën e tij dhe mikun e tij të vjetër të shkollës së Kembrixhit, koristin Edleston, i cili kishte vdekur në lulen e rinisë. Edleston-i ishte një nga dashuritë e tij perfekte, më shumë dhe se asnjë femër tjetër që ai kishte njohur”. Duke shkruar për dëshpërimin e Bajronit përballë djaloshit që ai mbante me vete në Misolongj, Lukas Kalandrikanis, biografi Marchand shkruante: “Vallë a kishte gjetur ai tek Lukas diçka nga Edlestoni-i?… Por kësaj radhe ndjesitë e tij komplikoheshin me një zhgënjim të ri: indiferenca e djaloshit të ri për dashurinë e tij. Ishte një dështim i hidhur që provonte tek ai se tani ishte “plakur në këtë botë vuajtjesh”… Të njëjtën gjë shkruante dhe kritiku Doris Langley Moore në librin “The late Lord Byron”: “Ai kujtonte se në moshën 36 vjeçare dhe me një shëndet të keq, me shqetësimet dhe zhgënjimet e tij, ai duhej t’i dukej atij pesëmbëdhjetëvjeçari si një njeri i mbaruar; ai që kaq shumë njerëz e kishin dashur, në sytë e Lukas-it kishte vetëm një cilësi: që të mund të luftonte nën urdhërat e tij, me kostumin e praruar dhe xhepat plot pará”. Pikërisht në këtë kohë Bajroni shkroi dhe një poezi, ku ndër të tjera shkruante:

“Ёshtë koha që kjo zemër të pushojë së djeguri / sepse ajo s’mund të trondisë më një tjetër”.

Biografët duket se janë në një mendje: Dashuria për Lukas Kalandrianos e frymëzoi për poemën e fundit të shkruar nga dora e tij:

Kur afrohej armiku dhe përgjoja mbi ty / Isha gati të qëlloja, të vriteshim të dy,

Pa mundur të shpëtonim dhe të ndanim së bashku / Veç dashuri dhe liri…”

Edhe për shoqëruesin e tij Nicolo Argyri, që do ta angazhonte si drogman, ai do të shkruante mbi ndjenjat që kishte për të, siç lexojmë dhe në një nga letrat e shumta që i ka dërguar mikut të tij Hobhouse: “Me Nicolo-n, që është dhe profesori im i italishtes, ne jemi si filozofë. Unë jam “padroni” i tij, “miku” i tij dhe një Zot e di se çfarë. Dy orë pasi më kishte thënë se donte të më ndiqte gjer në fund të botës, për ta mbyllur, më tha se do të ishte mirë që ne, jo vetëm të jetonim bashkë, por dhe “morire insieme” (“të vdesim bashkë”).

Në Dhjetor të vitit 1824, të gjithë në Misolongj prisnin Bajronin. Koloneli Stanhope i shkruante mikut të tij Bowring se «Të gjithë këtu e presin Lord Bajronin si të ishte Mesia vetë». Dikush tjetër ka shkruar se ai u prit si një «Engjëll i shenjtë çlirues». Më 31 Dhjetor, jo larg Misolongjit, i ndjekur nga anijet turke, Bajroni u detyrua të zbarkonte në breg. Po atë natë ai dërgoi drejt Anglisë një letër ku kishte shkruar: «Jam i shqetësuar, jo për vete, por për këtë djalosh të ri që kam me vete. Do të preferoja ta bëja copa-copa atë dhe veten time, se sa të binim në duart e barbarëve». Ai ushqente një dashuri të jashtëzakonshme për të, ashtu siç kishte dashur dhjetë vjet më parë drogmanin që e shoqëronte ngado, Nicolo. Edhe ky e shoqëroi nëpër Greqi, Athinë, brigjet e Qefalonisë apo Moresë, në Patra e gjetkë.

Por le të kthehemi në piktakimin e tij me bukurinë mashkullore shqiptare. Në udhëtimin e tij të parë në Greqi e Shqipëri në vitet 1809-1810, me mikun e tij Hobhouse nga Preveza, në Misolongj e Janinë, ku takoi dhe kapitenin anglez Martin Leake, ai u habit me bukurinë dhe madhështinë e kostumeve shqiptare. Në Janinë, kur shkoi në hamamin e qytetit, ai nuk harroi të kujtojë në shkrimet e tij dhe ata «belli giovanni» (“djem të bukur”), të cilët i kishte parë me admirim. Në letrat e tij, Bajroni vë shpesh në dukje dashurinë e tij për shqiptarët. Ai i sheh ata pikësëpari si figura epike. Madje, pikërisht në Janinë ai filloi vargjet e para të asaj që më vonë do të ishte Çajld Harold. Në letrat dërguar nënës së tij Katerina Gordon Bajron (12 Nëntor 1809, Prevezë), ai i shkruan se më 11 shtator ka lënë Maltën dhe bashkë me Hobhouse janë në Prevezë tek konsulli anglez Strané. Pashai i ka dhënë një letër rekomandimi për djalin e tij të madh, Veliun, “që sundon në Moré, i cili ka influencë në Egjipt dhe që është një nga njerëzit më të fuqishëm të perandorisë osmane”. Pas 3 ditësh ai arriti në Janinë, ku mësoi se Ali Pasha ishte në Berat, ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën e Beratit. Ali Pashës i kishin thënë se një anglez udhëtonte në trojet e tij dhe ai kishte urdhëruar komandantin e Janinës që t’i vinin në dispozicion një shtëpi me të gjitha komoditetet dhe gjithçka të ishte falas. Për nëntë ditë rresht ai udhëtoi me kuajt e pashait drejt Janinës, në një rrugë të vështirë plot përrenj e shkëmbenj që binin rrugës. “S’do ta harroj kurrë spektaklin e Tepelenës, – i shkruante ai nënës së tij. – Ishte ora pesë e mbrëmjes dhe dielli po perëdonte. Ky imazh më kujtoi përshkrimin që Skot i bënte kështjellës Bransksome me hiret e saj të Mesjetës. Shqiptarët ishin veshur me kostumin e tyre, që ishte më i bukuri në botë: fustanellë e bardhë, xhaketë e jelek veluri të praruar, pisqolla dhe kama të zbukuruara në argjend”…

Për të takuar Aliun, Bajroni kishte veshur kostumin e tij ushtarak, me shpatën ngjeshur. Djaloshi i ri ishte vërtet i bukur, dhe pashai, në sallën e madhe të veshur me pllaka mermeri, siç e përshkruante Bajroni, duke e pritur në këmbë, (çka tregonte shprehje respekti të veçantë), do të tërhiqej nga kjo bukuri gati femërore. “Një ditë më vonë takova Aliun, – vazhdonte Bajroni në letrën e gjatë të tij. – Ai më uli në të djathtë të tij dhe kishte si “drogman” një të quajtur Seculario, që dinte latinisht dhe përkthente krahas përkthyesit tim në greqisht. Aliu më tha se kapiteni Leake i kishte treguar se zbrisja nga një familje e madhe fisnike. Më përcolli nderimet për ty dhe më tha se e kishte dalluar se isha nga një derë e fisme, pasi kisha veshë të vegjël dhe flokë me bukla, dhe duart e vogla e të bardha. Veshja ime i pëlqeu. Më kërkoi që ta shikoja si një At dhe se ai më konsideronte si birin e tij… Në fakt, ai më konsideroi si një fëmijë. Njëzet herë në ditë më dërgonte bajame, ëmbëlsira, fruta dhe më thërriste të shkoja e të rrija me të, veçanërisht në mbrëmje kur ishte pak më i zënë. Aliu ishte rreth 60 vjeç, shumë i shëndoshë, jo i gjatë, por me tipare të bukura dhe sy blu të çelët dhe mjekër të bardhë. Fytyra nuk korrespondon me tipin e tij, sepse në fakt, ai është një tiran i pamëshirshëm. Por është dhe shumë trim. Dy herë Napoleoni i ka propozuar të bëhet mbret i Epirit, por ai parapëlqen më shumë aleancën me anglezët. Bonaparti i ka dërguar madje dhe një kuti “tabakoje” me portretin e tij. Por ai do më shumë origjinalin se sa kopjen e tij… Në fakt ai ishte një At për mua. Më dha letra rekomandimi, një eskortë dhe të gjitha lehtësirat që mund të imagjinohen. Bisedat tona të fundit ishin për luftërat, udhëtimet, politikën, Anglinë. Ai thirri luftëtarin e tij Vasilin dhe e ngarkoi të më mbronte nga çdo rrezik. Si të gjithë shqiptarët, ai është trim dhe tepër i ndershëm… Raca e tyre është ndoshta me tiparet më të mira të njerëzve në këtë botë….”

Por dhe shqiptarët e deshën dhe e çmuan Bajronin, pasi ndryshe nga personazhet që vinin nga Perëndimi, Bajroni ishte ndryshe nga ata. Ai dinte ta falte menjëherë dashurinë dhe miqësinë e vërtetë. Interesant është fakti kur gjatë një udhëtimi, kur ai ishte në ishujt e Salaminës, Bajroni u sëmur, madje ethet e tij ishin të tmerrshme në Olimp. Ai donte të shkonte drejt Misolongjit, por gjendja e tij u rëndua aq shumë sa që dy shqiptarët që e shoqëronin, Vasili dhe çami Dervish Tahiri, u frikësuan për rrezikun e vdekjes së tij dhe i vunë koburen doktorit italian që po e mjekonte: ose ta shëronte, ose ndryshe do ta vrisnin. Në një nga letrat e botuara në librin për lordin anglez «Bajroni, portreti i njeriut të lirë», shkruhej se “Pesë ditë ai vuajti në shtrat nga ethet. Më vonë ai do të thoshte se po mos të ishin dy shqiptarët që e kërcënuan për vdekje doktorin, ai do të kishte vdekur”. Më së fundi, më 2 Tetor të atij viti, Bajroni shkruante se “Natyra e Jupiterit fitoi mbi doktor Romanelli-n”. Për dy shqiptarët, Bajroni ishte miku i shenjtë apo miku i Zotit, dhe ata ishin betuar se do ta mbronin atë me jetën e tyre.

Biografët e Bajronit sjellin dhe një fakt tjetër interesant, kur Bajroni me dy shqiptarët bridhte nëpër Athinë, ngjitej në Akropol, shkonte gjer në Maratonë dhe më pas rikthehej të takonte miqtë e tij në Athinë. Një grup grekësh e kishin pikasur dhe ata e dinin se ai kishte pará, me të cilat ndihmonte kryengritësit, por siç shkruan autori :“Kur panë dy shqiptarët e tmerrshëm, ata hoqën dorë nga plani grabitjes”. Ndeshja me shqiptarët do të kthehej padyshim në një gjakderdhje të tmerrshme. Në një rast tjetër, ai i shkruante mikut të tij, konsullit anglez në Patras, zotit Strané: “I dua shqiptarët… Para një jave, një shqiptar na ndihmoi  të shpëtonim nga mbytja e anijes turke, pasi na ushqeu dhe na strehoi në breg (bashkë me Hobhouse, Fletcher, dy shqiptarët e tjerë, një grek dhe një prift që kishim në anije). Kur u ndamë, donim t’i jepnim ca pará, por ai nuk i pranoi kursesi. U mjaftua vetëm me një fjalë se “ishim pritur mirë nga ai”, dhe se “është dashuria juaj që dua dhe jo paratë tuaja”. Këto ishin fjalët e tij”.

Por ngjarje më tronditëse do të ishte ajo e ndarjes me dy shqiptarët e tij, para se ai të merrte anijen Hydra në Piré për t’u nisur drejt Londrës, nga ku do të rikthehej dhjetë vjet më vonë në Misollongj, kur ishte vrarë Marko Boçari, për çlirimin e qytetit. Më keq e përjetoi këtë ndarje çami Dervish Tahiri. Kur Bajroni i zgjati tufën e parave për ta shpërblyer për gjithë atë rrugëtim të lodhshëm në mbrojtje të tij, shqiptari ia kishte kthyer. Pastaj ai kishte kapur ballin me të dy duart dhe kishte filluar të qante me zë. Qante dhe klithte duke thënë në greqisht: “Më braktisi!”… Bajroni dhe ata që ishin përreth u përpoqën ta qetësonin shqiptarin e mjerë, duke mos e kuptuar këtë dënesë të tmerrshme të tij. Sigurisht, një skenë e tillë duhej të ishte si në skenat homerike, pasi ndarja me njeriun e dashur përjetohej si tragjedi, në një atmosferë të ndarjes së përjetshme, si një gjamë, kësaj radhe e jugut të Shqipërisë, jo për një të vdekur, por për atë që nisej në botën e largët për mos u kthyer më.

Ndryshe nga shqiptarët, greko-francezi Nicolo Argyri do t’i shkruante Bajronit letra të përlotura dashurie, ku i deklaronte se e dashuronte “fino alla morte” (“gjer në vdekje”). Dy dhembje të ndryshme, por që dallonin krejtësisht nga njëra-tjetra: në të parën, ndarja nga miku i shenjtëruar në lartësinë e Zotit; në të dytën, dashuria fizike e shpirtërore siç e gjejmë në të gjitha dashuritë midis dy sekseve.

Edhe Veli Pasha kishte qenë një personazh i çuditshëm në sytë e Bajronit, por dhe qejfli për meshkujt. Ja si i shkruante Bajroni më 16 Gusht të vitit 1810, mikut të tij Hobhouse (Lettres Intimes, Albin Michel, Paris): “Veli Pasha donte që të gjithë të moshuarit të shkonin andej nga i ati i tij dhe të rinjtë të shkonin me të, sipas shprehjes së tij “vechio con vechio, giovanne con giovanne” (“plaku me plakun, i riu me të riun”. Sigurisht kjo është gjë e mirë, por megjithatë, mënyra se si ai të përfshinte për beli dhe të shtrëngonte dorën në publik, ishte ngacmuese për “një të ri të dlirët” (pra për Bajronin, L.R.). Ai kishte një mjekër që i zbriste gjer në brez dhe më pyeti nëse nuk e çmoja dhe unë kështu këtë lloj rinie, duke shtuar dhe gjëra të tjera dhe duke i shqyer sytë nga Strané, aq sa më hutoi në përgjigjet e mia”.

Bajroni dhe konsulli anglez Strané, e dinin se pederastia në oborret e pashallarëve ishte normale dhe ata mbanin djem të rinj si “dylberë”. Nga Tripolica, në një letër drejtuar mikut të tij John Cam Hobhouse, më 11 Gusht të vitit 1810, ai i kishte shkruar për takimin me djalin e Ali Pashës : “Veli Pasha më priti akoma më mirë se i ati. Më bëri dhuratë një kalë shumë të bukur dhe më nxiti me këmbëngulje që të takoheshim përsëri në Larisa. Kur mori vesh që s’do të shkoja në Larisa, por në thellësi të tokave shqiptare, ai më tha: “Jo, mos e merr atë rrugë. Eja më mirë në Larisa, ku do të ndalem për pak kohë. Do hamë e do pimë mirë dhe do të shkojmë bashkë për gjueti. Ai më nderoi duke më quajtur “mik” dhe “vëlla”, duke shpresuar që të ishim miq, jo vetëm për disa kohë, por për gjithë jetën. Herën e parë që e pashë, ai më tha: “Djalosh trim dhe i bukur!”… Ai u tregua përbuzës ndaj shoqëruesve të mi, shqiptarëve Andrea dhe Vasili, dhe tha se do t’u priste kokat po të silleshin keq me mua”.

Në vitin e fundit të jetës së tij, ose më mirë në gjashtë muajt e fundit, pas ardhjes së tij nga Italia e Veriut, nga Gjenova dhe Venecia, Bajroni donte t’i jepte fund dashurisë së tij homoseksuale. Madje, siç i shkruante në një letër dhe mikut të tij Hodgson : “ai do t’i braktiste veset e këqija të kësaj jete, do braktiste verën dhe kënaqësitë fizike, për t’u hedhur në jetën politike dhe për të vepruar për të mirën”. Ndoshta dashuria që kishte ndier me Firencen, pas ndarjes me gruan e tij, dhe jeta aventureske që kishte kaluar më parë, e kishin bindur të fillonte një jetë të re. Udhëtimin e tij drejt Misolongjit ai e parandjente si një etapë të fundit të jetës së tij revolucionare. Por mjerisht, djaloshin Lukas nuk do mund ta harronte. Madje dhe në çastet e fundit, kur do të linte dëshirat e tij, ai kërkoi që paratë që i kishin mbetur t’ia linin djaloshit Lukas.

Javët e fundit të Bajronit midis suljotëve që e shoqëronin ishin të dhimbshme. Patras kishte rënë në duart e turqve. Anijet turke patrullonin në det. Bajroni në atë kohë ishte vënë në krye të 500 suljotëve që ishin larguar nga «trojet e tyre shqiptare», siç shkruante ai. Për të suljotët ishin shqiptarë dhe jo grekë, edhe pse ishin ortodoksë dhe të një feje me grekët. Madje, siç do të shkruante ai për Vasilin: «Ai ishte një ortodoks i bindur. Sa herë do të kalonte para ndonjë vendi të shenjtë apo kishe, ai do të bënte kryqin, por në fakt, priftërinjtë i konsideronte gjithnjë si batakçinj dhe hajdutë». Sidoqoftë, ideja e tij ishte të bashkonte prijësat e përçarë të këtij Revolucioni. Kur u sëmur në Misolongjin e lirë, Bajronin erdhi ta shikonte dhe Lukas Vaja, doktori i Ali Pashës, të cilin e kishte njohur dikur në oborrin e pashait të Janinës. Bajroni ishte në delir dhe herë pas here fjalët i thoshte disa në anglisht e disa të tjera në italisht. Pastaj bërtiste fort sikur të hidhej në luftë, duke thënë: «Përpara, kurajo!… Ndiqmëni pas! Mos kini frikë!… Bajronit i dukej se kishte filluar lufta dhe ai u printe suljotëve të tij trima. Më 19 Prill të vitit 1824, zemra e tij pushoi. Atij i bënë homazhet ushtarake, siç i kishin bërë më parë dhe Marko Boçarit. Madje e vendosën në të njëjtën kishë ku kishin vendosur Boçarin. Pastaj trupin e tij e futën në një çisternë të mbushur me 800 litra alkool dhe më pas e nisën për në Angli me anijen Florida. Koloneli Stanhope, miku i tij, e shoqëronte drejt Zantes për të mbërritur pastaj në brigjet e lumit Tamise. Pikërisht pse njihej si njeri libertin, kisha nuk pranoi, që ashtu siç i takonte, si lord që ishte, të varrosej në Westminster Abbey. Kështu ai u varros në varrezat e të parëve të tij, në kishën Hucknall.

Vdekja e Bajronit gjeti një jehonë të jashtëzakonshme në Europë. Ajo frymëzoi me dhjetëra e qindra artistë francezë, gjermanë, italianë, anglezë, etj, duke filluar me të madhin Viktor Hygo, i cili u kushtoi poema të mrekullueshme suljotëve trima, Marko Boçarit dhe Karaiskaqit, duke vazhduar me Delacroix dhe tablotë e tij mbi Markon dhe suljotët që hidheshin si luanë në beteja. Lord Bajroni mund të kishte zgjedhur një jetë të paqtë, midis familjes së tij dhe Dhomës së Lordëve, por ai zgjodhi malet dhe stuhitë, trojet e revolucionit, me heronjtë grekë e shqiptarë, që ai i përjetësoi në vargjet e tij. E në këto stuhi të lirisë së popujve, homoseksualiteti i tij ishte si ajo porta e fshehtë, që hapej veçse natën dhe ku përtej gjeje një tjetër Bajron, atë të dhembjeve dhe të dashurive të mëdha që siç thoshte ai, vazhdonte “fino alla morte”.

_______

[1] Mémoires de Lord Byron, Thomas Moore, Ed. Alexandre, Paris, Imprimerie de Gaultier-Laguione, 1830.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top