Maks Velo: Intermexo në vargje, guash e vizatime/Luan Rama

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Pikturë by

Pi verë, në buzë kam tërë

Francën e vjetër-Maks Velo

   Luan Rama 

Herën e fundit që Maks Velo ishte në Paris, nuk arrita ta takoja. Por një mesazh më njoftoi për librin e tij të sapobotuar në Paris nga shtëpia botuese EMAIL, me titullin e thjeshtë «Paris». E mora librin në duar dhe krahas vizatimeve në tush e flamastër, lexova poezitë e tij për Parisin dhe menjëherë m’u shfaq figura e tij e menduar udhëve të këtij kryeqyteti, që për Maksin është më shumë se për ne të tjerët; është vendlindja e tij. Po, prindërit e tij ishin këtu kur ai do të lindte një ditë të vitit 1935, nën një nga ato çati të plumbta, që ngacmojnë ende shpirtin e tij përmes pastelit dhe vargut poetik. Gjatë këtyre dy dekadave, rikthimet e tij në Paris u përngjajnë prehjeve, përkundjeve, nostalgjisë së kujtesës. E megjithatë, poezia e tij rrallë herë është e gëzueshme. Është një poezi e trishtë, «bodleriane», e trishtë ashtu siç është dhe ecja e tij buzë lumit të Seine-s, sikur të ketë mbi supe një barrë të madhe. Ja pse shpirti i tij këndon trishtë me poezinë Dhe pesha e jetës rëndohet:

«Tani kuptojmë të vërtetat

 gëzimet nuk na gënjejnë më

 dhe hidhërimet e ligësitë

 i presim gjakftohtë, pa zë

 Eci anës Senës, lumit të qetë

 në të kundërt të rrjedhës;

 më kot kërkoj të takoj

 burimin e pastërt, fillesën».

Këto vargje në këtë libër të parë të llojit të vet në Shqipëri si “Livre d’Artiste”, e bëjnë atë një lloj Sizifi, pasi vërtet, nëse Maks Velo është një zë që kërkon të ndalë të keqen, fjalën e tij gjithnjë kanë dashur ta mbysin, ta deformojnë apo për shkak të saj ta sulmojnë, duke fyer gjithë vuajtjen e tij në burgjet totalitare. Por artisti është kokëfortë. Ai nuk do ta ndalë luftën e tij për të Drejtën, për Progresin, pasi në vizionet e tij është gjithnjë Ardhmëria. Ai e ka njohur «tunelin» dhe gjithnjë i ka mbajtur sytë drejt dritës që shfaqej në fundin e tij. Pra ai nuk është disfatist, përkundrazi, një pesimist entuziast. Ja pse dhe «fillesa» e tij ka simbolikën e vet: është idealja. Dhe për këtë, piktori-poet ka filozofinë e tij, një filozofi e vjetër sa bota, siç e shkruan dhe në poezinë tjetër Vëllezër njerëz:

«Kështu pat thënë François de Montcorbier:

«Vëllezër njerëz që mbas nesh do të vini

kundrejt nesh mos kini zemër të egërsuar»…

Dhe Velo vazhdon: «E përfytyroj çdo mbrëmje në tavernë/ në njërën dorë ka broken plot me verë/ tjetrën poshtë fustanit të bukuroshes…»

«Vëllezër-njerëz!» Këto dy fjalë kanë një tjetër peshë në gojën e një artisti që ka provuar linçimin. Duket qartë se ky artist është i zhgënjyer nga shoqëria ku jeton. Jo pse ai priste të jetonte në një shoqëri ideale siç e kishin projektuar dikur utopistët More apo Campanella, por sepse ai kishte shpresur se në këto dy dekada, pas shembjes së diktaturës, shoqëria shqiptare do të ngjiste shkallët e së Drejtës, të Qytetarisë dhe Respektit ndaj tjetrit, e ku fjala «vëllezër» do të kumbonte me një krenari të ligjshme dhe do të bëhej një emërtim i përbashkët i njerëzve që kërkojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë. Por nëse artisti kërkon që ata që do të vijnë, gjeneratat e tjera, të mos kenë një «zemër të egërsuar», këtë e thotë sepse kjo ndjesi nuk ka përfshirë vetëm atë, por ajo është bërë një shprehi e përditshme, e dukshme, në pamje direkte apo përmes mediave, ku është lehtë të përbaltësh, të dhunosh, të fyesh, të vrasësh të përgojosh, jo vetëm artistin apo njeriun që kërkon të përfaqësojë vullnetin e popullit, por krijesën njerëzore që lind e lirë dhe aspiron të jetë i lirë dhe e barabartë me të tjerët. Dhe kjo padyshim e bën artistin të trishtë, që dhe kur vjen në Paris, që kërkon për të fjetur në hotelin më të lirë, (Verlaine, Rimbaud apo Van Gogh, a nuk i provuan këto mansarda të vjetra, por me aq shumë dashuri?), ai përsëri të kujton gjendjen e tij shpirtërore e materiale:

«Hotelin me shkallë druri

 të ngushta spirale që kërcasin

 e paguaj nga mbetja e faturave të jetës…»

Po, artisti jeton veç në sajë të artit të tij. Ai nuk ka rendur pas pasurisë, ofiqeve, kompromisit me pushtetin, militantizmit politik për të përfituar privilegje e pará. Ai nuk ka dashur ta cenojë asnjëherë identitetin e tij. Dhe kjo nuk e ka penguar artin e tij. Përkundrazi, i ka dhënë shpirt, vibrim, forcë, siç e gjejmë dhe në poezinë e tij kushtuar Van Gogh-ut, piktorit të preferuar, emrin e të cilit, hetuesi në burg ia thoshte atij në mënyrë të shëmtuar, pasi hetuesi i dikurshëm shqiptar, kjo vegël e dhunës, kujtonte se Van Gogh, ky «borgjez i fëlliqur» dhe idhull i Velos,  duhej të ishte ndonjë armik i madh i stalinizmit! Ja çfarë shkruan Velo në librin e tij për pikëtakimin me Vincent dhe Théo Van Gogh në Auvers-sur-Oise, jo larg Parisit, ku piktori ishte tërhequr në vitet e fundit të jetës së tij e ku para një fushe me grurë, atje ku hidhte penelatat e tij mbi kavalet, një ditë kishte vrarë veten:

«Van Gogh në Auvers-sur-Oise

 pikturoi çdo gjë:

 kishën e vogël në arën me grurë

 doktor Gashenë

dhe bashkinë me flamur.

 Çdo telajo ishte një festë

 siç pjekim bukët për të diel.

 Vetëm për varret

 të vetin dhe të Téo-s

 nuk pati kohë!»

Vështroj pastelet impresioniste të Velos, skicat dhe imazhet e mjegullta të një Notre-Dame, një Sacre-Cœur, Pont Neuf, Eiffel apo Louvre, ato vizatime krah poezive të tij, dhe shumë kujtime të viteve të shkuara më çojnë në pikëtakimet tona në Paris, në ekspozitat e tij kur piktori rrethohej me aq shumë dashuri nga artëdashësit francezë, atëherë kur prezantonte ciklet e tij të dhunës totalitare e më pas, librat si Commerce des jours, etj. Skica të mrekullueshme në Paris apo Aubergenville, kur kujtimet e burgut ishin ende të nxehta, digjnin dhe klithnin me ngjyrën e tyre të zymtë. Velo ndjek një traditë të njohur tashmë në Francë, atë të shkrimtarëve-piktorë, të letrarëve artistë. Poeti i njohur Henri Michaux ishte gjithashtu një piktor i mrekullueshëm ashtu si mjaft të tjerë, ndërkohë që dhe i shtrenjti ynë Ernesto Sabato, pas letërsisë iu kthye dashurisë së tij të herëshme, pikturës. Vargje thurrnin dhe Arp e Miro. A nuk pikturonte aq bukur dhe me një simbolikë të madhe Victor Hugo, apo Proust, i cili në faqet e dorëshkrimeve të tij vizatonte shpesh mjediset ku zhvilloheshin ngjarjet apo portretet e personazheve të tij? Fantazma e «të dënuarit me vdekje» lindi te Hugo se pari në vizatimet e tij, para se të bënte «pleduarinë» e tij kundër «dënimit me vdekje». Ngjyra, linja, dhe poetikja, të pleksura bashkë brenda një shpirti që kërkon të flasë e ku gjuha herë ka trajtën e shkronjave e herë atë të ngjyrave. Që në kohë të vjetra, Leonardo Da Vinçi fliste për këtë konkurencë mes poezisë dhe pikturës në traktatin e tij të famshëm për pikturën, «Trattato della pitura». Leonardo vinte pikturën mbi poezinë, ndërkohë që poetët e Antikitetit, të traditës homerike apo të epokës së Virgjilit roman, e vinin poezinë në majën e Olimpit të arteve. Në historinë e artit ka ndodhur që piktorët janë kthyer në poetë. Siç duket ata e kanë ndjerë tmerrësisht nevojën e Fjalës. Përse vallë? Me siguri që ndjenja e parë përballë një imazhi ka qënë një ndjesi poetike. Kështu ata, pa kuptuar, kanë mërmëritur së pari poezinë me dëshirën për të thënë atë që do kërkonin të thoshin përmes pikturës, ashtu siç shkruan dhe Velo ne një nga poezitë e tij:

«Mjegulla

 si ekran kinemaje pa zë

 Sena ngrihet lart/ lundron mbi retë…»

Vegime të tilla kisha lexuar në poezitë e Arthur Rimbaud-së, kur shkruante për katedralen e ngritur në qiell. Ishte një imazh që kishte përballë. Apo më mirë një refleks i katedrales në ujin e lumit që shkonte. Gjatë një shekulli, historianët e artit dhe biografët e tij janë përpjekur ta deshifrojnë këtë varg dhe duket se ia kanë mbërritur. E duke menduar kështu, ne rivijmë gjithnjë me mendjen tonë në shëtitjet e Velos në Saint-Michel dhe rrugicat e Quartier Latin, në shtëpitë e vjetra dhe historike të Marais-ë së kohës së Revolucionit, në Sheshin e Bastilles apo buzë Senës, në Quai Voltaire, nën dritaret ku u shua shpirti i iluministit të madh Voltaire. Buzë Senës, me dhjetra herë ai është ndalur pranë bukinistëve të deshifrojë botën e atyre njerëzve dhe magjinë e këtij qyteti kaq të lidhur me librin:

«Poshtë kapakut metalik

 varur në shpinën e Senës,

 dyqani më i vogël në botë,

 por dhe më fisnik,

 me libra ngjeshur,

 mezi marrin frymë,

 vendosur në rradhë, si reparti për Hymn…»

Dhe Maks Velo ulet për një çast, rrëmben lapsin dhe vizaton mbi letrën e bardhë. Punon në tush apo pastel. Tashmë përballë ka katedralen Notre-Dame dhe këmbana të Parisit. E tek skicon konturet e saj, vargjet ngjizen brënda shpirtit të tij:

«Kupola në miniaturë

varur në qiell

 si këmborët në qafën e dhive…».

Po. Gjithçka është asociacion imazhesh, ndjesish, idesh, simbolesh. Ashtu siç dhe ky piktor-poet shkruan poezinë Kolazh:

«Qielli i Parisit

  letër pastel në gri…»

Maks Velo, i cili e di se jeta ka qënë e vrazhdë me të (jo jeta, por sistemet politike), përsëri është një poet i fjalës si dhe i formave, pra një artist delikat. Kujtoj një ditë të largët, 15 vjet më parë kur në periferi të Parisit, në një dhomë të marrë me qera e të improvizuar në atelier, ai jetonte né kushte spartane: letër, laps dhe një frymëzim të pagjumë. Buka e tij e përditëshme ishte ai frymëzim që vinte nga pikëtakimi që kishte me Parisin e ëndërruar. Nuk e kam pyetur asnjëherë nëse në Spaç e ka ëndërruar Parisin, nëse ka përjetuar një Paris imagjinar, ku kishte parë dritën e parë të jetës dhe ku kishte jetuar me librat e piktorëve dhe poetëve të tij. Me siguri që po. Pasi Parisi për të, si dhe për gjithë bashkëvuajtësit e tij ishte atdheu i Lirisë. E pra në këtë vendlindje (ai mund ta quajë me shumë dëshirë këtë) ai krijonte artin e tij, larg cenzmsurave, diktateve, interesave të ngushta e meskine. Ishte ai dhe piktura. Artisti përballë artit. Artisti si pjellë e Artit.

Gjatë dy dekadave, Parisi u bë një prehje e shpirtit të këtij artisti. Sa herë kthehej në Tiranë, shpirti i tij ishte një tallaz, sepse Velo nuk e duronte demagogjinë, hipokrizinë, kompromisin me pushtetin e vogël. Maks Velo e shikonte dhe e sheh si të shenjtë emrin Artist dhe misionin e artistit. Artisti është mbi pushtetet: aristët, filozofët, intelektuali i vërtetë, këta pinjollë të Sokratit që dinë të shkojnë drejt «demosit», që dinë të flasin në emër të vetvetes dhe në emër të popullit, që kanë kurajon të dalin në shesh, të protestojnë, të ngrenë zërin, të gatshëm për sakrificë. Kështu, duke ardhur në Paris, i lodhur nga kaosi e trazirat e mëdha në vendin e tij, Velo kërkon njëkohësisht dhe prehjen. Ecën buzë Senës ndalon me një mik në bistrotë pariziane dhe pranë një gote vere vizaton e thur vargje:

«Pi verë

 në buzë kam tërë Francën e vjetër…»

Vallë ka në gojë shijen e një Baudelaire, një Rimbaud, të këtyre dashnorëve të mëdhenj të verës dhe poezisë?.. Apo ngjyrat ngazëlluese të një Degas, Bonnard, Cezan, ku pastelet e tij të fundit ndjenin mallin e impresionistëve. Velo vështron linjat e këtij qyteti sikur ai të kishte trajtat e një vajze të bukur, dhe kështu kërkon t’i këndojë, ashtu siç i këndonte njëherë një Apollinaire apo një Cocteau e Max Jacob, të cilët ishin piktorë e poetë njëherësh. Për Velon:

«Çdo gjë është e butë

 çdo gjë është ëndërr

 perfeksion spontan / në gri, në blu

 është jeta në rozë…»

Dhe tek ai humbet tutje në sfondet e urave të shumta mbi Seine, përkundur nga zëri i një Edith Piaff «Jeta në rozë», («La vie en rose»), ne rithemi me ëndje vargjet e tij mbi urat e këtij qyteti që lidhin brigje dhe shpirtra:

«Urat e Parisit si këmbë të bukura femrash/ futur në Senë/ fustani i ngritur sipër/ bërë urë…»

Dhe papritur imagjinojmë gjithë urat e botës si këmbë grash, që lidhin e pleksin në vetvete jetë e dëshira, dashnorë të humbur gjer dhe pikëllime e vetvrasje. Pikëtakimet e Velos me Parisin, vargje të kthyera po aq poetikisht në frëngjisht nga Evelyne Noygues, janë si «Intermexo» të këndshme, herë të trishta e dëshpëruese për atë çka dëshiron artisti e herë me një dritë shprese. Sidoqoftë, vargjet e pastelet e këtij libri, janë një homazh, si mijëra homazhe që artistë të botës i bëjnë Parisit, këtij qyteti që ngërthen aq shumë nostalgji, ëndërra e dëshira të mëdha.

Botuar në Courrier des Balkans. 

(Në frëngjisht).

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top