Një ditë në Paris me Ezra Pound-in

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Luan Rama

Sapo kisha parë në internet disa xhirime të vizitës së Ezra Pound-it në Paris në vitin 1965. Një xhirim amator me sa duket, i dy shkrimtarëve të rinj francezë, që po e shoqëronin dhe që ishin admiratorë të letërsisë së tij. Pound vinte nga Italia, ku prej shumë vitesh jetonte në Venecia, por kjo vizitë për të kishte padyshim diçka të veçantë, pasi ai po kthehej pas shumë e shumë dekadash kur e la Parisin nga fundi i viteve ’20. Ecte rrugëve të Parisit, ngjitej në kullën Eiffel, shëtiste buzë Senës dhe në rrugët e dikurshme, i afrohej kafenesë «Le Dôme» ku pinte kafen, takohej me shkrimtarë të ndryshëm dhe vazhdonte tutje i ngarkuar me një nostalgji prekëse. Tashmë nuk ishte më i ri dhe i fuqishëm siç ishte atëherë kur u shfaq në Paris në vitin 1908 apo pas «Luftës së Madhe» si korrespondent i gazetës «The Dial», kohë kur bënte boks me Heminguein. Tashmë ishte mplakur dhe ishte zbardhur i tëri. Vitet e burgut, braktisja e njerëzve dhe e miqve, vetmia, kishin lënë gjurmë në fytyrën dhe trupin e tij. Kënga e tij për «Parajsën» ishte veçse një kujtim i bukur i atyre kohëve, kur i bindur për artin e tij, ai shkruante:

«Parajsa, ja çkam dashur të shkruaj

mos lëvizni

lëreni erën të flasë

Parajsa ëshë atje

le të më falin Zotat për atë që kam bërë

dhe ata që dua të përpiqen të më falin për çfarë kam bërë…»

Ishte një parajsë ku brenda vargjeve të «Cantos» së tij ishin frymëzimet biblike, ishte Dante, Homeri dhe autorët e tjerë grekë, Shekspiri, ishte vetë historia e botës shprehur poetikisht. Megjithatë Ezra Pound kishte një fytyrë krenare, duke e parë jetën përreth sikur të ishte një njëqind vjeçar apo sikur nuk ishte ai, por dikush tjetër që vështronte jetën e tij. Atë ditë me siguri duhej të kishte shkuar dhe në rrugën Notre-Dame-des-Champs, atje ku kishte jetuar në vitet e para parisiane, diku afër me metro «Vavin» dhe shumë afër kafeneve që i pëlqenin aq shumë, bari amerikan «La Coupole», kafenetë «La Rotonde» apo «Le Selecte» ku mblidheshin shkrimtarët dhe artistët e botës. Pikërisht në atë shtëpi, në 70, bis, Rue de Notre-Dame-des-Champs kishte banuar me gruan e tij, Dorothy Shakespear, një violiniste e bukur, por që nuk e prekte violinën kur vinte në Paris. Muret e atij salloni ishin të mbushura me piktura dhe objekte arti dhe një pjesë të mobiljeve e krijoi vetë. Gjithçka përreth kishte dekorin e një shtëpie artisti. Për ta takuar vinin miq të shumë artistë, veçanërisht avanguardistët, pasi Pound e kishte derën e hapur, i njohur për bujarinë e tij të madhe. Vinin shkrimtarë amerikanë, anglezë, artistë të botës si: Jean Cocteau, Man Ray, Max Ernst, De Chirico Picasso et Stravinsky… Ndryshe nga obskurantizmi anglez në Londër, ai gjente në Paris një rradhë poetësh e romancierësh të çliruar nga dogmat dhe gjithnjë në krijimin e shkollave dhe rrymave të reja letrare, dadaiste, kubiste, surrealiste më pas, ashtu siç kishte prirë dhe ai në Londër me eksperiencat e tij të «imagisme».

Pas atyre xhirimeve të shkurtra, meqë nuk e pashë në film atë banesë ku ai ishte kthyer ballë saj pas kaq shumë kohësh, kureshtar shkova të nesërmen me dëshirën për ta ndjerë nga afër poetin e madh të «Cantos» epike, të kësaj kryevepre botërore të poezisë e shekullit XX. Padyshim, Parisi do të linte gjurmë të pashlyeshme në jetën e këtij poeti. Në vitin 1912 ai do rivinte përsëri në Paris, tashmë për të qëndruar më gjatë. Gjithë qenia e tij tregonte pamjen e një poeti: një beretë veluri në kokë apo kapele e madhe e zezë , një shkop fildishi në dorë, mjekrën e prerë në formë trekëndëshi dhe gjithnjë me pamjen e një aristokrati modernist. Në këtë kohë jetonte me botën e trubadurëve e poetëve mesjetarë apo me «Iliadën» dhe «Odiseun» e Homerit. Endrra e tij ishte të zbulonte jetën dhe poezinë kalorsiake mesjetare dhe për këtë, nga Parisi ai u nis me këmbë drejt jugut francez, duke ecur 20-25 kilometra në ditë, kohë në të cilën merrte shënime për poezitë e tij, të cilat do të hynin në ciklin e «Cantos». Një vit më vonë ai u shfaq me mallin e madh që këtë rradhë ta njihte më mirë botën e artit francez dhe kryesisht të njihte poetët francezë. Madje në rrethet letrare takoi dhe një shkrimtar të veçantë Remy de Gourmont, i cili pëlqente dhe temën erotike. Dhe menjëherë filloi ta përkthente këtë estet të erotizmit me vepën «Physique de l’Amour» – një ese mbi instinktin seksual, e cila do të botohej në Amerikë dhe që fliste mbi lirinë seksuale. Pound nuk e duronte puritanizmin dhe ishte për liberalizmin e seksit. «Kur isha i ri, – shkruante Pound, – në Paris u gjenda rastësisht në qerthullin e rreth njëzet njerëzve letrarë, mes të cilëve spikasnin pesë-gjashtë intelektualët më të njohur të kryeqytetit». Ai tashmë e kishte prerë mjekrën e tij dhe bërë me majë dhe kur dilte mbante në dorë një shkop fildishi, çka e bënte figurën e tij disi të çuditshme. Në «Dôme» ku shpesh luante shah me Ford, u njoh me Brancusin, i cili kishte qenë nxënës i Rodin dhe kishte punuar në atelierin e tij. Tashmë artisti rumun kishte një atelier të tij në Rue Vaugirard. I befasuar nga skulpturat e tij ai menjëherë botoi një artikull në «The Little Review». Pikërisht në këtë kohë filloi të punojë skulpturë, dhe të kompozojë muzikë, duke punuar njëkohësisht për një opera të titulluar «Testamenti».

Botimet e shumta letrare dhe manifestimet në «Soirées de Paris” organizuar nga Apollinaire apo çmimet e poezisë në «Closerie de Lilas» ishin më spikatëset në botën letrare europiane e më gjerë. Vështrimet e tij për botën letrare franceze ai i përshkroi në rubrikën e tij «Lettres de Paris» për gazetën «The Dial» të Chicago-s, ku botoi mjaft portrete shkrimtarësh dhe artistësh si dhe për Picabia, Proust, piktorin Fernand Leger mbi pikturat e tij kubiste, këtij esteti të “artit mekanik”, kohë ku përmes tij u njoh dhe me poetin Blaise Cendras. Në një nga «letrat» ai proklamonte: «Pothuaj të gjithë poetët e mëdhenj amerikanë kanë filluar të shkruajnë me sytë e kthyer drejt Francës…»

Më 1922, Pound erdhi kësaj radhe me gruan e tij Dorothy Shakespear. Ai ishte një 35 vjeçar i fuqishëm dhe në këtë kohë është njohur dhe me Silvia Beach, një amerikane që kishte hapur librarinë e saj angleze në Rue de l’Odeon. Aty njohu dhe Heminguein, përmes një letre plot lavde nga shkrimtari tjetër amerikan Sherwood Anderson. Ata u miqësuan shumë shpejt dhe bisedonin për letërsinë, poezinë dhe prozën. Nga ai Heminguei mësoi shumë sesi të bënte fraza më të qarta dhe më me pak përshkrime e ornamente. Duke i treguar mikut të tij Howell Jenkins, Heminguei i thoshte: “Sëbashku kalonim çaste të shkëlqyera. Rregullisht bëja boks me të dhe Pound ishte i aftë të jepte goditje të tmerrshme. Por unë arrij t’i shmangem atëherë kur duhet dhe kur ai bëhet shumë i egër e hedh me një grusht në tokë. Por një nga ato ditë nuk bëra kujdes dhe ishte ai që më rrëzoi në tokë.” Siç shkruajnë biografët, jo rrallë Pound i tregonte të shoqes se “Hemi më trajton sikur të isha si një copë porcelani nga ato të Dresdenit”. Një kujtim ka lënë dhe biografi i Ezra Pound-it, John Tytell, në librin e tij “Ezra Pound – vullkani vetmitar”. “Një ditë një mik i tij shkoi në shtëpinë e Pound-it dhe shtyu portën. Një djalosh i fuqishëm gjysmë i xhveshur, me gjoksin e bardhë, një tip i bukur e shtatmadh, po i gjuante jo dhe aq fort me doreza boksi. Por Ezra e sulmonte në mënyrë nervoze. Pas një grushti në bark, Pound përfundoi në kanape…”

Duke kujtuar figurën e Pound-it në librin me kujtime parisiane: “Parisi – një festë e pambarimtë”, Heminguei shkruante: “Ky poet i madh i kushton një të pestën e kohës së tij poezive dhe gjatë pjesës tjetër i ndihmon miqtë e tij materialisht si dhe nga ana artistike. Ai i mbron kur ata i sulmojnë të tjerët, u boton veprat e tyre nëpër revista dhe i nxjerr nga burgu kur është nevoja; u huazon pará dhe shet veprat e tyre; organizon koncerte dhe shkruan artikuj për ta; i prezanton me gra të pasura. Ai qëndron pranë tyre gjithë natën kur mendon se ata gjenden në agoni; u parapaguan shpenzimet e spitalit dhe i kthen nga rruga e vetvrasjes. E megjithatë, ka disa nga ata që duan t’i fusin thikën me rastin më të parë…”

Ndërkohë Pound shkruan pareshtur shkrime dhe poezitë e tij me një varg tepër metaforik dhe mjaft të bukur për kohën:

“A e ke parë trëndafilin në pluhurin e çelikut

(apo mbi pendët e mjellmës)

aq e lehtë është urgjenca

aq të rregullta janë petalet e errëta të hekurit

për ne që kemi kapërcyer lumin e ferrit Lethé…»

Në këtë kohë ai u mor me përkthimin e një romani të Paul Morand në anglisht dhe Dorothy e ndihmonte për të bërë redaktimin. Ishte Pound që e mori Silvia Beach-in një mbrëmje në një darkë tek shkrimtari André Spire, meqë donte ta njihte me James Joyce-n. Megjithatë, njohja e tij me Gertrud Stein-in ishte e vështirë, pasi që të dy ishin egocentrikë dhe mbaheshin me të madh, aq sa Gertrude filloi t’i përgjigjej me mospërfillje. Tregojnë se Ezra tundej në një karrige druri përkundëse dhe në një moment ajo u thye, çka shkaktoi zemërimin e Stein-it. Ajo darkë do të ishte hera e fundit që do të shkelte në apartamentin e zonjushes Stein. I mjaftonte Silivia Beach, kjo amerikane e këndshme dhe e pasionuar, e cila vinte në vitrinën e librarisë së saj “Shakespeare and Company” librat e tij dhe krahas tyre ato të Joyce-it, Yeats-it, Cummings-it, etj.

Një nga njohjet e tij në këtë kohë ishte dhe me amerikanen Natalie Barney, një feministe, grua e kultivuar dhe mike e Proust-it, aristokrate dhe e pasur, e cila kishte hapur një sallon letrar “grek” në shtëpinë e saj në Rue Jacob. Nga një familje e pasur, ajo kishte ardhur që në fillimet e shekullit në Paris dhe si lesbike që ishte, ishte bërë si “Papa e Lesbos”, pasi rreth saj mblidheshin shumë gra e vajza homoseksuale që quheshin ndryshe “safiste”, në kujtim të poeteshës greke Safo. Shpesh ajo i tregonte poezitë e saj dhe ai, si mjeshtër, e këshillonte lidhur me vargun. Gourmont atëherë kishte rënë në një dashuri platonike me të dhe i dërgonte letra dashurie të ciklit “Lettres à Amazone”, që botoheshin rregullisht në “Mercure de France” meqë ai e quante gjithnjë “Amazonë”. Pikërisht aty Pound u njoh me një violiniste tjetër, thua se violinistet do ta ndiqnin gjithë jetën, Olga Rudge, një 26 vjeçare e bukur dhe ai ra në sharmin e saj. Një lidhje që do të vazhdonte për 50 vjet radhazi dhe sa here që Dorothy shkonte në Londër, pranë tij vinte Olga, me të cilën do të kishte dhe një vajzë të vogël te quajtur Mari. Ishte ajo që e nxiti të zbulonte Vivaldin, të cilin e bëri të njohur në shkrimet e tij. Olga e frymëzoi gjithashtu t’i rikthehej muzikës dhe të kompozonte pjesë muzikore siç ishte një ”Vaj për vdekjen e mbretit Rikard Zemër Luani”. Kur punonte një pjesë tjetër për poetin François Villon, autorin e vargjeve të poemës së famshme “Ballada e të varurve”, mbrëmjeve në sallon vinte të luante piano miku tij francez George Autheil. Një nga admiratorët e Pound-it ishte padyshim James Joyce, i cili shkruante: ”Pound është një mrekulli drithëruese, një grusht elektriciteti me shpërthime të paparashikueshme…”

Kur Pound u largua nga Franca drejt Italisë së Musolinit, vallë e dinte mirë se shkonte drejt një idhulli që do ta mundonte më pas gjer në fund të jetës së tij? A mund të kthehej një Itali fashiste në qendër të letërsisë së botës? Si ndodhi kështu që poetin e “Cantos” që i këndonte Parajsës, të shkonte në ato udhë ku do të pësonte gjithë rrufetë e botës? Si ndodhi që bëri apologjinë e fashizmit ndërkohë që ai kishte kënduar:

“… Ju këngët e mia

shkoni e flisni kundër tiranisë së atyre

që nuk janë largpamës

flisni kundër shtypjes, dhunës,

shkoni tek borgjezia që vdes prej kotësisë së vet…”

Pas vizitës së tij në vitin 1965, Ezra Pound nuk do të kthehej më në Parisin e dashur të tij. Dhe mua më mbeti në sy imazhi i atij plaku të mjerë dhe poeti të madh, që e shihte botën me një trishtim të madh për gabimin që kishte bërë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top