Aksinja Mihaylova – moderniteti i një poeteshe europiane

in Letërsi/Përkthim/Tharm/Tirana Review by

Fituese e dy çmimeve të mëdhenj poetikë në Francë, veç çmimit Kombëtar të Poezisë (2011) që ka marrë në Sofie, kjo poete mjaft e ndjerë dhe metaforike radhitet si një nga poetet më të mira të poezisë bashkëhore europiane.

Luan Rama

Aksinja Mihaylova është një nga poetet më të njohura të Bullgarisë dhe njëkohësisht përkthyese e letërsisë bullgare dhe e asaj franceze. E njoha gjatë një simpoziumi të shkrimtarëve të gjuhës frënge në Sofie në tetorin e vitit 2019 ku e përgëzova për veprën e saj që i kapërcen kufijtë e Bullgarisë.

Pas librit të parë poetik të shkruar në gjuhën frënge: ”Qiell për t’u humbur” më 2014, ku në Francë u nderua me çmimin ”Apollinaire”, ajo botoi librin e dytë “Le baiser du temps” (Puthja e kohës), të botuar po nga shtëpia botuese franceze Gallimard, nga më prestigjiozet e Francës. Pikërisht me këtë vëllim ku në qendër është njeriu dhe koha, koha e nostalgjisë, e fëmijërisë, rinisë, dashurisë, koha gjatë së cilës njeriu transformohet dhe vështron gjithnjë nga pas, ajo u nderua me çmimin e madh poetik ”Max Jacob”, por në mars të këtij viti ajo nuk mundi të ishte e pranishme në ceremoninë e çmimit për shkak të epidemisë virusale.
Mihaylova ka lindur në vitin 1963, në Rakevo, në veri-perëndim të Bullgarisë dhe ka studiuar në një lice francez e më pas është specializuar në gjuhën frënge. Sot ajo është specialiste e letërsisë dhe e gjuhës franceze në Universitetin e Sofjes ”Clement d’Ohrid”. Gjatë shumë viteve ajo ka përkthyer vepra të shumta të autorëve francezë (rreth 30 libra në prozë e poezi), si të Georges Bataille, Jean Genet, Pierre Bourgeade, Sylvie Germain, Linda Maria Baros, Tahar Ben Jelloun, etj.

Është interesant se që të dy ne kemi përkthyer poema të një prej poeteve të njohura libano-franceze Venus Khoury Ghata. Poezia e saj është një poezi shumë origjinale, moderne, tepër jetësore, mjaft tokësore dhe plot detaje, përmes të cilave përshkruan jetën e thjeshtë njerëzore, ku prin ndjesia humane. Në një nga poezitë ajo shkruan:

Në çfarëdo që shkruan
ti nuk shpreh aspak kuptimin
sepse në fillim nuk ishte Verbi
por gëzimi i trupave…”

Fituese e dy çmimeve të mëdhenj poetikë në Francë, veç çmimit Kombëtar të Poezisë (2011) që ka marrë në Sofie, kjo poete mjaft e ndjerë dhe metaforike radhitet si një nga poetet më të mira të poezisë bashkëhore europiane. Poezitë e saj janë përkthyer në gjuhë të ndryshme si në Belgjikë, Kanada, Francë, Spanjë, Itali, Kinë, Japoni, Rumani, Greqi, Slloveni, etj.

”Çdo herë që më thua se e nesërmja nuk ekziston
një erë mashkullore vërshon drejt meje
dhe fustanin ma ngre e më merr me vete
drejt taracave të larta të një shtatori
ku gjatë mund të vështroj hijen tënde
tek të afrohem nga të gjitha anët…”

 

Ata janë shumë- Aksinia Mihaylova

 

Nga erdhi këtë fund maji kjo borë në Sarajevë?
Duket se koha ka marrë zakonet e këqija të njerëzve.
Gjithçka përsëritet thonë pleqtë nëpër taverna
Ballkani i ngjan një vene të fryrë gjaku
që kohë më kohë Europa e pret
për të pastruar gjakun e vjetër të saj.
Gjërat me të rëndësishme nisin në një treg,
në një pazar të shqetësuar, në fillim apo fund shekulli.
Meqë pranvera mbërrin në këto vende
gjithnjë të premten
dhe zgjedh tavernën me tavolina rrumbullake
ku kuptimi i çdo fjale vret dukshëm
nga të gjitha anët, 
ashtu dhe duart tona të pafajshme
qëndrojnë mes të tavolinës
që mban në vetvete kërthizën e botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top