Dy fjalë për Alain Bosquet-Luan Rama

in Letërsi by

Luan Rama

(Fragment)

Një nga idhujt e tij të parë dhe ndër më të mëdhenj ishte Remboja. Më pas, ai do të shtojë  se “shokët e mi janë Ronsard, Musset, Verlaine, Aragon. ”Unë nuk i përkulem Bodlerit, – thoshte ai, – unë diskutoj me të!”..

Mes vérités profondes sont dans mes mots”…(“të vërtetat e mia janë tek fjalët e mia”). Ai nuk mund ta gjente veten jashtë poezisë.” Où-êtes-vous né?/ dans mon poème”[1] – pyet dhe përgjigjet poeti në një poezi të tij. Duke shfletuar botimin e parë kushtuar krijimit të tij poetik në koleksionin e Pierre Seghers “Poètes d’Aujourd’hui”, mëson se poemat e tij të para u botuan nën titullin “Jeta është klandestine”. Ngjarjet në Hiroshima e Nagasaki e kishin tronditur fort  ndërgjegjen e poetit të ri. Është koha kur ai boton vëllimin tjetër poetik “Në kujtim të planetit tim”. “Me 1954, gjatë një udhëtimi në Meksikë, unë ndjeva se po piqej tek unë ajo çka do të bëhej gjurma personale e poezise sime: përzjerja e fabulës dhe e absurdit. Zbulimi i qytetërimit parakolumbian me magjepsi dhe më bëri të botoj vëllimin tjetër poetik “Ç’mbretëri e harruar”. Pas këtij vëllimi, botimet e Bosquet u bëne të pareshtura: vëllime poetike, romane, esé, madje deri dhe aforizma. Padyshim një aforist i përkryer. Në një vëllim antologjie të poezisë franceze, botuar vite më parë , kisha gjetur një poezi të Bosquet: “Pomès pour un enfant lointain” (“Poezi për një femijë të largët”), përmes të cilës prezantohej konteksi poetik i këtij poeti të shekullit 20-të. Në të shkruhej:

“ Më e rëndësishme në jetë biri im

Është ajri që marrim frymë

Është uji i pastër që pimë,

Është qumështi për t’u ushqyer

Është koha që duhet ta jetojmë plotësisht.

Shpesh biri im, ajri quhet liri,

Uji i pastër është sinonim miqësie,

Qumështi është për të gjithë ata që duhen

Toka është një detyrë

Dhe koha një vetëdije”…

“Përmes poezisë, – shkruante Bosquet, ky ateist i tronditur dhe i magjepsur njekohësisht nga mistika, (“athée bousculé“, siç pëlqente të thoshte ai) – ndërgjegjia njerëzore përsoset, purifikohet, çka i lejon njeriut të projektojë veten drejt kohërash e hapësirash të reja… Arti mbetet për mua një nga ngushëllimet më të mëdha: aty është arësyeja përse jetojmë…. Një simfoni e Bethovenit apo disa pjesë të Ravelit me japin një mijë arësye që të shpresoj. Mjafton t’i afrohem një tabloje të Mantegna apo Van Eyck, që të mahnitem »…Në shkrimet e shumta të tij, Bosquet duket se i adhuron të gjithe poetët e botës. Në poezitë e tij pikëtakohen emra e fate poetësh të të gjithë kontinenteve, ashtu siç  pikëtakon në një nga poezitë e fundit të tij “Lista e gjatë”, emrat e Pushkinit, Lermontovit, Pegy, Apolliner, Pessoa, Majakovski apo Eseninit, duke adresuar një lloj përshëndetjeje. të fundit:

“Poetë të rinj / Më falni që kam jetuar dy herë më shumë se ju…/ “. Të gjithë njerëzit që admiroj, nga Homeri tek Ismail Kadare, duke kaluar nga Gëte, Holderlin, Nerval, Fragonard, Ravel, Rilke, Pessoa apo Servantes, janë kontemporanet e mi dhe kjo për një dhunti që ata e kanë të përbashkët: tek ata nocioni i kohës humbet!”

Po, ai e di se poetët janë prej një lloj brumi tjetër, një qënie speciale.

“Nga të gjitha format verbale, poezia është më e afta të provokojë pyetje. Përmes saj, ndërgjegjia pastrohet dhe i lejon njeriut të shohë vetveten në një kohë dhe hapësirë tjetër, ku mbretërojnë fabula dhe ekzaltimi.” Madje në poezi, atij i pëlqen shume ambiguiteti, dykuptimësia e vargut, çka i jep vargut tjetër peshë. – Si mund ta kuptojmë një vepër të madhe, – pyeste ai, – e cila nuk ka brenda saj ambiguitetin? Ajo ekziston tek “Hamleti” në “Berenice” te Racine, tek “Faust” i Goetes dhe në një kohë më të afërt me ne, në “Procesin” e Kafkës, në veprat e Bulgakovit, etj. Në një nga poezitë e tij të titulluar “Fletë volante”, ai ka shkruar:

“Pluhuri kurrë s’do t’i mbulojë këto faqe.

I gjallë apo i vdekur qofsha,

e di se një erë do të vijë t’i shkundë

dhe në se duhet, ato do të fluturojnë

përtej maleve…”

Gjatë jetës së vet krijuese, Bosquet ka botuar shumë vepra poetike, nga të cilat spikatin Demain sans moi,1994, Le tourment du Dieu, 1986, Sonnets pour une fin de siècle, 1980, Danse mon sang, 1959, Premier testament, etj. Thelbi i poezisë së tij mbetej gjithnjë jeta, jeta e përditëshme njerëzore, njeriu, rruzulli dhe ardhmëria e tij. – Problemi i jetës, vdekjes, kozmosit, nuk do të zgjidhen, – shkruan në një nga esetë e tij Bosquet. – Kur unë shkruaj poezi, më ngjan vetja si njeriu i parë mbi këtë tokë. Pra, në një formë, unë e rikrijoj botën…”

Po, duke kërkuar diçka tjetër, shpesh Bosquet i drejtohet absurdit. Shumë fenomene e revoltojnë dhe e bëjnë të klithë. Vargu i tij është i dykuptimtë dhe ai nis të luajë me absurdin, sikur të ishte në një teatër absurd:

“Selon mes habitutes / à sept heures quarante

 j’ai pris ma douche et mon café

 puis j’ai maudit ce jour / puis j’ai maudit la nuit… [2]

Në krijimin e vet letrar, siç ka shkruar dhe nje nga mikeshat e ngushta të tij, poetesha Claudine Helft, “Bosquet e konsideronte veten qytetar të Universit, “Citoyen de l’Univers”, dhe i tillë ishte në të vërtetë. Nga ana tjetër, duke shkruar për Bosquetin dhe poezinë e tij, poeti ynë Agolli thotë: “Poezia e  Bosquetit është një pemë e sjellë nga larg, që mbin në oborrin tonë, pasi ka cilësi të tilla që i shkojnë dheut shqiptar.” Në fakt, poezitë e Bosquet i shkojnë çdo dheu, çdo kombi, pasi ato janë universale, ato janë pjesë e jetës njerëzore, e gjithë humanizmit.

Kështu pra largohej në prag të 79 vjetëve të tij, letrari Bosquet, ky njeri kozmopolit, ky njohes dhe përjetues i mjaft kulturave, që për më shumë se gjysëm shekulli krijoi një univers të vetin letrar, që u përkthye në shumë gjuhë të botës, në anglisht e gjermanisht, në arabisht, turqisht, gjuhët sllave, në spanjisht, suedisht, në gjuhën kineze, etj. Krijimi i tij më i fundit ishte padyshim “Academie européenne de la poèsie”, për krijimin e së cilës u mor një kohë të gjatë. Disa ditë pas vdekjes se tij, u botua në Figaro dhe një tekst poetik: Poezi, në formë pyetje-përgjigjesh, që ai e kishte dhënë për t’u botuar në Figaro që më 1989 dhe në të cilën kishte shkruar:

– Përse kini lindur?

– Që realen ta bëj magjike.

– Cila gje ju edukon?

– Misteri midis asaj që duket.

– Kë doni ju?

– Gruan që do të ishte sa dy gra bashkë.

– Përse punoni?

– Besoj se për lavdinë e të padukshmes.

– A adhuroni ndonjë zot?

– Herë herë brumbullin, yllin e shuar,

  fjalën e re, që ende nuk e kuptoj.

– Kur do të vdisni?

– Vetëm karkaleci me gjashtë krahë do të vendosë se kur…”

Ai largohej nga kjo botë pas një sëmundjeje të gjatë, me një vdekje të paralajmëruar; ikte me një qetësi proverbiale, çka e dëshmon dhe në rreshtat e fundit të librit të tij Les fruits de l’an dernier: “… Çka mbetet tek unë është e ngulitur në kujtesën time, ashtu si pas një përmbytjeje, ku ne kapemi fort pas një shkëmbi. Atje, mundohem të gjej barëra të rralla apo alga që ikin, dhjetë apo pesëmbëdhjetë profile, pesëmbëdhjetë apo njëzetë vështrime apo tridhjetë buzëqeshje. Unë nuk thërras për ndihmë. Kjo botë e vajtueshme papritur më shfaqet e shkëlqyer, plot dritë, pasi më duhet që shpejt ta lë atë”… Në prill të vitit 2001, miqtë e afërt të Bosquet u mblodhën rreth Normës në hollin e hotelit “Hôtel du Pont Royal” për dhënien e çmimit “Alain Bosquet”, poetit libanez, Adonis. Përsëri Gallimard, Yves Mabin, Sabatier, që më pyet pareshtur për Shqipërinë…Përsëri Alain Bosquet…

_____

[1]“ Ku kini lindur?/ Ne poezine time!

[2] “ Sipas zakoneve të mia / në orën shtatë e dyzet minuta / bëra banjë dhe piva një kafe / pastaj e mallkova ditën / pastaj e mallkova natën /….

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Guximi- Jack Kerouac

Guximi- Jack Kerouac   I. Guximi është një virtyt interesant. I vetmi
Go to Top