Reportazh nga ferri-Pagesa e marrëzisë/Taulant Kopliku

in Në kohërat e kolerës by

Po na vrasin. Këtu po ndodhin gjëra të përbindshme. Askush nuk po ndërhyn. Çdo natë digjen çadra, qëllohen gratë me thika apo me leva hekuri. Ka një grup të madh ekstremist që po zhduk secilën nga ne që shfaqet e penduar. Nëse një femër kërkon të heqë këtë veshje të mallkuar, është e vdekur. Nëse një femër kërkon të kthehet në vendin e saj, është e vdekur. Nëse një femër jep një intervistë, është e vdekur. Për këtë, ne të gjitha jemi të tmerruara për jetë tona dhe të fëmijëve. E di që kemi gabuar dhe po paguajmë për këtë, por ideja jonë për shtetin islamik ishte krejt tjetër kur erdhëm këtu”. Ndërsa flet me ne, shpërthen në lotë.

  Taulant Kopliku-Autor në             emisionin “Le Iene”, Italia Uno

Një ish-luftetare e YPJ kurde na pret e buzëqeshur në hyrje teë kampit. Është larg imazhit të vajzave bukuroshe me veshje militare dhe kallashnikov të fotove që publikojnë mediat, por shihet qartë se kemi të bëjmë me një person të rëndësishëm atje.
Pas një udhëtimi prej më shumë se dy orësh nga Al-Qamishli, kryeqendra e Rozhavas kurde, kemi mbërritur në Al – Hol, kampin famëkeq të grave dhe fëmijëve të ISIS-it.

Përmbi 40 mijë persona të kapur nga forcat kurde në qytetet e çliruara nga kalifati janë atje, të rrethuar me tela me gjemba në mes të shkretetirës siriane. Shumica fëmijë.
Udhëtimi ynë drejt territoreve ku deri më Mars të këtij viti ngrihej flamuri i shtetit islamik, nis nga Erbil, qyteti me rreth 1,3 milion banorë, i cili nuk u pushtua asnjëherë nga kalifati. Aktualisht zona kontrollohet nga “peshmerget”, ushtria e rregullt e kurdistanit iraken, e cila luajti një rol thelbësor në fitoren ndaj ISIS-it. Nga dalja e qytetit e deri në kufirin me Sirinë, nisin një pas një postoblloqet e ushtrisë. Një në çdo 20 a 30 km. Pas më shumë se 300 km kemi mbërritur në kufi. Lumi Tigri ndan në mes dy shtetet e vetëdeklaruara kurde. Nga njëra anë Kurdistani Iraken i peshmergëve, nga ana tjetër Kurdistani sirian që kontrollohet nga forca e armatosura e PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit), e cila pas marrjes se kontrollit në zonë, ka marrë emrin (SDF) Syrian Democratic Forces. Edhe kjo forcë ka mbajtur një peshë të rëndësishme në luftën ndaj kalifatit islamik. Qëndresa e djemve dhe vajzave kurde në Kobane është kthyer në simbol të luftës ndaj ISIS-it. Ndërsa hyjmë në territorin sirian, përballemi me ushtaret femra të SDF-së. Janë me dhjetëra në pikën e kalimit kufitar dhe kontrollojnë çdo lëvizje. Në zyrat e shtetit të ri, janë vendosur portretet e Abdullah Oçalan-it, liderit të PKK-së që vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Turqi. Për kurdët është një hero kombëtar e lider shpirtëror.
Për të hyrë në Kurdistanin sirian, duhet një procedurë e cila zgjat plot 4 orë mes kalimit nga një zyrë në tjetrën, fotove, shenjave të gishtave, deklarimit një për një të materialeve, deklarimit të qëllimit që kemi si dhe pajisjes me dokumente shoqëruese në arabisht. Pasi mbaron e gjitha kjo, duhet pritur përgjigjia përfundimtare e shërbimit inteligjent kurd, një strukturë e sapoformuar, e cila ushtron ndikim në të gjithë territorin. Përgjatë gjithë kohës së pritjes, njerëz të armatosur lëvizin rreth e rrotull duke na bërë vazhdimisht të ditur se nuk duhet të shkrepim qoftë edhe një foto të vetme. Përkthyesi që na shoqëron shpjegon se nëse bëhet një tentativë e tillë është mjaft e rrezikshme për të gjithë trupën tonë.
Pas katër orësh, më në fund lejohemi të hyjmë në Siri. Rruga nga kufiri drejt Qamishlit është thuajse e shkretuar. Të vetmit që lëvizin përgjatë saj janë autobotet e naftës dhe luftetarët kurdë në postoblloqet e shpeshta në të gjithë gjatësinë e saj. Ne të dy anët ka një pafundësi pusesh nafte. “Janë më shumë se 250 dhe tashmë janë pronë e qeverisë së re kurde” – na shpjegon përkthyesi vendas.
Në qytet mbërrijmë në mbrëmje, pas më shumë se tre orëve rrugë.
Në Qamishli janë vendosur disa nga zyrat kryesore të qeverisë së re kurde, edhe pse më shumë probleme për shkak të pranisë atje të një numri të konsiderueshëm banorësh sirianë, përkrahës të presidentit Asad. Për këtë arsye, qyteti me rreth 80 mijë banorë, është i ndarë me distrikte mes milicive vullnetare të armatosura me kallashnikovë. Përkthyesi na porosit më shumë se njëherë që mos të dalim nga hoteli të pashoqëruar. “Vetëm 150 metër larg, është postoblloku i parë i përkrahësve të Basharit. Nëse do afroheni atje, do keni shumë probleme. Mundet edhe t’ju qëllojnë”.
Vërtet në qytet ka një Status Quo, përsa kohë armiku i përbashkët jane ISIS-I, ende i paasgjesuar, dhe Turqia, e cila po ndjek zhvillimet, e gatshme për të ndërhyrë. Sidoqoftë kjo marrëveshje është shumë e brishtë dhe përplasjet mes milicive qytetase nuk mungojnë.
Për të patur lejen e hyrjes në kamp, duhet t‘i drejtohemi sërish një zyre të shërbimit sekret. Pas procedurave të përsëritura, foto, dokumente, deklarim të qëllimit të vizitës, më në fund kemi lejen e shumëpritur. Do udhetojmë drejt Al Hol -it.
Një tjetër udhëtim i gjatë në shkretëtirën siriane, përmes postoblloqeve dhe qytezave fantazma me ndërtime blloqesh e balte. Shenjat e një lufte të përgjakshme janë kudo evidente.
Në hyrje të kampit gjejmë një numër shumë të madh personash të moshuar që janë rreshtuar përballë portës kryesore. Mësojmë se jane familjarët e grave të kampit. Kryesisht sirianë dhe irakenë. Sjellin ushqime dhe veshje. Qëndrojnë për orë e orë aty, megjithëse temperatura shënon 42 grade. Kapërcejmë portën kryesore, të ndjekur nga vëzhgimi i rreptë i rojeve që na bëjnë me shenjë të mos prekim celularë apo kamera pa urdhrin e tyre. Në total kampi ka përmbi 80 mijë persona dhe është i ndarë në dy pjesë. Nga njëra anë janë refugjatët e luftës nga Siria dhe Iraku. Rreth 40 mijë frymë, të cilët kanë të drejtë të hyjnë dhe dalin nga territori i rrethuar me tela me gjemba. Nga ana tjetër janë familjet e terroristëve të ISIS-it. Të mbyllura brenda rrethimit dhe rreptësisht të kontrolluara për të mos dalë nga kampi. Kuptohet që mes dy grupeve ka një tjetër rrethim të brendshëm për të evituar çdo perplasje.
Pasi jemi vendosur për rreth 30 minuta në një konteiner veçmas rrugës kryesore që të çon drejt tendave të kampit, forcat e sigurisë na japin lejen të hyjmë. Do jemi të shoqëruar hap pas hapi nga 3 prej tyre. Kjo bëhet për sigurinë tonë pasi kemi të bëjmë me persona tepër të rrezikshëm që edhe pse gra, janë të gatshme të vetësakrifikohen duke bërë sa më shumë dëm.
Pasi kemi bërë një xhiro përmes çadrave, të ndjekur nga reagime agresive dhe thirrjet në gjuhën arabe të grave të mbuluara këmbë e kokë me niqab, një luftëtare kurde na sjell një xhihadiste belge dhe djalin e saj, jo më shumë se tre vjeç.
“Po na vrasin. Këtu po ndodhin gjëra të përbindshme. Askush nuk po ndërhyn. Çdo natë digjen çadra, qëllohen gratë me thika apo me leva hekuri. Ka një grup të madh ekstremist që po zhduk secilën nga ne që shfaqet e penduar. Nëse një femër kërkon të heqë këtë veshje të mallkuar, është e vdekur. Nëse një femër kërkon të kthehet në vendin e saj, është e vdekur. Nëse një femër jep një intervistë, është e vdekur. Për këtë, ne të gjitha jemi të tmerruara për jetet tona dhe të fëmijëve. E di që kemi gabuar dhe po paguajmë për këtë, por ideja jonë për shtetin islamik ishte krejt tjetër kur erdhëm këtu”. Ndërsa flet me ne, shpërthen në lotë.
Largohet si hije sapo thote ato pak fjalë, duke mbajtur në krahë një fëmijë të bukur me flokët ngjyrë gruri.


Shoqëruesi na sqaron se pak net më parë kanë vrarë dy gra. Të tjera janë vrarë gjatë këtij muaji. Njëra shtatzënë. Janë gra që vrasin gra. Ekstremistë të shtetit islamik, të cilat kanë bërë pjese në policinë e sheriatit në Daesh, kryesisht nga Iraku, Tunizia, Somalia, çeçenia. Disa herë në kamp, dita ështëe gdhirë me flamujt e ISIS-it të shpalosur në hapësirat mes çadrave, një shenjë e qartë kjo se vetëm për pendesë nuk flitet nga gratë e shtetit islamik. Sipas shoqëruesve tanë, situata është duke u përshkallëzuar dita-ditës dhe duket qartë se gratë terroriste po riorganizohen në territorin e kampit. Vetëm një javë më parë, nga Al Hol, tre prej tyre kanë regjistruar dhe shpërndarë një video propagandistike. Me një flamur të ISIS-it pas shpine, ato deklarojnë: “Mendoni se na keni burgosur në kampin tuaj të ndyrë, por ne jemi një bombë e kurdisur. Prisni dhe do ta shikoni”.
Në xhiro përmes çadrave ka një numër shumë të madh fëmijësh. Na ndjekin nga pas duke kërkuar lëmoshë. Shoqëruesit na thonë se megjithë përpjekjet e organizatave humanitare për t’i bindur nënat e tyre që fëmijët të frekuentojnë shkollën, askush deri tani nuk ka pranuar. Ndërkohë brenda çadrave qarkullojnë në fshehtësi libra e fletushka të propagandës së ISIS-it të futura ilegalisht nga të afërmit e grave xhihadiste.


Përfaqesuesit e sigurisë në kamp na bëjnë nje pohim shokues. Për ta çdonjëri nga 40 mijë personat e kampit, në dokumenta është i klasifikuar si terrorist. Kjo është një lloj damke që i jepet në dosjen shoqëruese secilit prej individëve të kampit, nëse një ditë do të kthehet në vendin e origjinës. Këtu nuk ben përjashtim as një fëmijë i sapolindur. Sipas tyre Al Hol është një bombë në pritje për të shpërthyer dhe prania e 400 rojeve për 40 mijë vetë, është e pamjaftueshme.


Në një moment kur jemi thuajse në përfundim të qëndrimit tonë në kamp, kërkoj disa informacione për gra dhe fëmijë shqiptarë. I shpjegoj se të paktën në një rast kemi të bëjmë me një histori njerëzore kur një gjyshe hyn në mes të luftës në territorin e kontrolluar nga ISIS-i, vetëm për t‘u gjendur pranë nipit dhe mbesës së mitur. I jap emrat e Eva dhe Endri Dumanit, që së bashku me gjyshen mbahen në Al Hol edhe pse nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me ISIS-in e as me ndonjë organizatë tjetër terroriste. Nuk kemi se si t‘i klasifikojmë si pjesë e kësaj organizate. Si këta janë me dhjetëra njerëz pa faj, që kanë përfunduar atje jashtë dëshirës së tyre. Njëri nga shoqëruesit më sheh dukshëm me përçmim dhe sqaron se shqiptarët dhe kosovarët janë ndër terroristët më të përgjakshëm që ka parë lufta e Sirisë. Kanë bërë krime dhe kanë paguar. Sa për rastin e fëmijëve me gjyshen, unë se njoh, por nëse shteti shqiptar bën kërkesën, askush s’i mban këtu. Është përgjegjësi e shtetit shqiptar e jo e jona. Për sa kohë që qëndrojnë në kamp, ata janë terroristë si gjithë të tjerët, – e mbyll krejt ftohtë diskutimin.
Në realitet duket se kurdëve u ka mbetur topi në fushën e tyre. Shumë nga gratë, janë të gatshme të shkojnë në burg në vendin e tyre të origjinës, vetëm që të largojnë fëmijët nga ky ferr. Problemi është se asnjë shtet nuk ka marrë përsipër një aksion të tillë përveç Kosovës që ka tërhequr nga kampet 110 gra e fëmijë. Thuajse të njëjtin numër ka edhe Shqipëria, por deri tani askush nga gratë dhe fëmijët shqiptarë nuk kanë mundur të kthehen në vendin e tyre. Burime diplomatike bëjnë të ditur se po bëhen bisedime intensive për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, por ky operacion kërkon kohë. E ndërsa muajt kalojnë, fëmijët shqiptarë detyrohen të jetojnë në këtë mizerje, në mes të shkretetirës siriane, duke vuajtur papërgjegjshmërinë e prindërve të tyre.


Njërin nga këta arrijmë ta takojmë në sektorin e fëmijëve jetimë të kampit. Një 11 vjeçar, i cili ka mbetur i plagosur në këmbë gjatë bombardimeve rusë në Baghouz, fortesa e fundit e ISIS-it. Vogëlushi për 5 vite ka jetuar në Siri, bashkë me nënën dhe burrin e saj, një xhihadist shqiptar nga Maqedonia, tashmë të dy të vrarë gjatë bombardimeve. I larguar nga shtëpia në moshën 6 vjeçare, ai ka harruar thuajse krejtësisht shqipen dhe flet vetëm arabisht. Me vështirësi tregon se si për disa javë pas rënies se Baghouz, ka lëvizur me këmbën plagë sa në një fshat në tjetrin bashkë me tre gra Kosovare, derisa janë kapur nga luftetarët kurdë.


I vogli nuk mundet të qëndrojë më shumë me ne, dhe kërkesa e tij e sinqertë: “Tani do vij me ju”, nuk merr asnjë përgjigje, por vetëm lotë dhe revoltë nga secili prej nesh.


Ndërsa jemi në dalje, këmbehemi me një varg makinash të Kryqit të Kuq. Ka një prezencë aktive të organizatave më të njohura të globit që asistojnë me bazë materiale dhe me burime njerëzore. I japin ndihmë njëlloj edhe atyre që në rastin më të parë, do kërkojnë t’i masakrojnë si “kufare”. E mendoj me njëfarë revolte këtë.
Po bie mbrëmja ne Al Hol. Gratë e mbuluara me të zeza, vazhdojnë ecejaket nëpër rrugët gjithë pluhur. Nuk dihet çfarë kanë në mendje. Nuk dihet sa prej tyre kanë në mendje t‘i rikthehen një jete normale, ashtu siç e kishin përpara marrëzisë kolektive për të krijuar një shtet në një tokë që nuk ishte e tyre. Nuk dihet sa prej tyre në rastin më të parë do të rrokin armët kundër çdokujt që është kundër ISIS-it. Për sa kohë të jenë këta dilema, fatkeqësisht këto gra janë kërcënim për këdo. Deradikalizimi i tyre dhe mbajtja nën kontroll të rreptë, ndoshta do të ishte një rrugë e drejtë, por cili shtet e merr përsipër një risk të tillë?

 Al – Hol (Siri)-Shtator. 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.