Eleni Bukura, piktorja arvanitase, një nga feministet e para të Greqisë-Luan Rama

in A(rt)ktivizëm/Feminizëm/Pikturë by

Eleni Bukura dhe ndëshkimi i fatit

  Luan Rama

Në Specaj të Greqisë, krahas shtëpisë së heroinës se famshme Bubulina, është dhe një shtëpi tjetër që mban një emër të njohur, por që nuk i ngjan muzeut patriotik të saj. Ёshtë një shtëpi tipike speciote, të cilën kanë dëshirë ta shohin më shumë njerëzit e artit dhe adhuruesit e pikturës e të feminizmit, pasi atje, në shekullin e XIX ka jetuar një nga feministet e para të Greqisë, një arvanitase me një emër mjaft simbolik: Eleni Bukura. Vallë vërtet ishte kaq e bukur sa ç’kishte dhe mbiemrin e familjes së saj dhe që tradicionalisht do të mbetej i shkruar kështu me drejtshkrimin e gjuhës shqipe: Bukura? Sidoqoftë ajo kishte qenë për Greqinë ashtu siç kishte qenë për Francën një feministe si George Sand, pasi dhe Eleni Bukura u shfaq e veshur me pantallona si burrë ashtu si shkrimtarja Sand, e cila vishej si burrë dhe shkonte në mbledhjet e asamblesë së Francës për të shkruar e botuar korrespondencat e saj mbi ngjarjet politike që kalonte Franca monarkiste në luftë me atë republikane, meqë për femrat gazetaria ishte e ndaluar.

Eleni Bukura ishte vajza e arvanitasit Jani Bukura dhe mbesa e Gjergji Bukura, një kapedani speciot dhe kryeplak i fshatit, i cili në vitin 1820 ishte kthyer nga Barcelona, ku merrej me tregti si gjithë kapedanët e këtij ishulli si dhe të Hidrës, të cilët i gjeje në të gjithë Mesdheun. Dhe ai ishte nga ata që kishte nisur luftën që në orët e para të Revolucionit Grek kundër pushtuesit osman bashkë me Panajot Bukura dhe të tjerë.

Eleni lindi në vitin 1821, pikërisht kur shpërtheu dhe Revolucioni. Vitet e para të jetës së saj ishin vite të sprovës së madhe, me babain në luftë.

Zonja Korina Miller, e cila ka shkruar një libër për jetën dhe veprën e kësaj piktoreje, “Jeta e jashtëzakonshme e një piktoreje – Eeni Bukura”, tregon për historinë tragjike të kësaj gruaje, e cila në rininë e saj, me një dashuri të madhe për pikturën, ishte nisur të kryente studimet artistike në Romë në vitin 1848, ku dhe ra në dashuri me një garibaldist të quajtur Francesco Saverio Altamura. Edhe ai ishte një piktor i ri, nëna e të cilit ishte me origjinë nga Korfuzi. Padyshim, kjo lidhje dukej si një subjekt romancash për atë kohë. Që të shkoje të studioje pikturën dhe të ishe para modeleve nudo ishte diçka e guximshme për një grua, pasi atëherë, arti i pikturës konsiderohej si një art monopol për burrat dhe jo për gratë. Kështu, Eleni ishte detyruar të priste flokët dhe të vishej si burrë për të mundur të futej në shkollën e artit. Në shekulllin e XIX ishin të rralla gratë që visheshin si burra. Në Greqi kjo ishte e pamundur, por në botën italiane vetëm një femër si ajo mund ta bënte këtë. Shprehje e një karakteri të veçantë ku spikaste gjithnjë ndjesia e lirisë. Një fotografi e mëvonshme e ka fiksuar portretin e saj, ashtu, në trajtën e një burri, ndërkohë që dhe i dashuri, burri i saj i ardhshëm, ka pikturur një portret të saj, por ky portret na ngjason jo pak me portretin e shkrimtares franceze George Sand, të dashurën e pianistit të famshëm Chopin. Edhe ajo u vesh si burrë, që si gazetare të mund të hynte në Parlament dhe të përcillte kronikat e ditës. Sidoqoftë, Francesco ishte një revolucionar i vërtetë dhe i angazhuar në luftën kundër austriakëve, për çka e dënuan dhe me vdekje, por ai mundi të arratisej.

Kur Eleni mbaroi studimet, çifti vazhdoi jetën e tyre në Napoli e Firenze ku lindi djali i saj Jani e më pas vajza, Sofia. Ata u martuan në vitin 1852, por pesë vjet më vonë kjo dashuri mori fund. I dashuruar me një piktore angleze, Altamura u largua. Kur biri i saj Jani ishte shtatë vjeçar, Eleni u detyrua të kthehet me fëmijët e saj në Specaj e pastaj në Athinë. Nga dy fëmijët e saj, Sofia i vdiq mjaft e re, në moshën adoleshente. Kjo ishte goditja e parë e madhe për Eleni Bukura, e cila në atë kohë jetonte në Athinë dhe ishte në rrethin e intelektualëve të kohës dhe e afërt me oborrin mbretëror, çka tregojnë dhe disa portrete të saj kushtuar mbretëreshës Ollga, gruaja e Gjeorgjiut, etj.

Në Athinë, pranë Manastiraqit, Jani Bukura, ndërtoi madje dhe një teatër, i cili do të quhej “Teatri Bukura”, duke mbajtur kështu emrin e tij. Ishte i ati që e kishte ndihmuar që t’i kushtohej pikturës. Ai kishte thirrur piktorin italian Raffaelo Cekoli që t’i jepte mësimet e para.

Vite më vonë, pas studimeve në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë dhe punës në atelierin e piktorit portretist grek; Niqifor Litras, djali i Elenit, Jani, u dërgua të thellonte studimet e tij pikturale pranë piktorit danez Carl Frederik Sorensen, kohë dhe kur krijoi mjaft peizazhe nga porti i Kopenhagës apo fregatat e anijet daneze (Fregata Sjelland, etj). Kur Jani u kthye në Athinë, tablotë e tij u bënë mjaft të njohura, veçanërisht peizazhet detare apo tablotë me bojë vaji si Anija e kapiten Miaulis, (paraqitur në Ekspozitën Internacionale të Parisit) Thyerja e flotës turke (duke iu referuar betejës së famshme detare), etj, tablo këto të një realizmi akademik, ku jo rrallë ndjen dhe frymën impresioniste të kohës kur sapo kishte lindur impresionizmi.

Piktura e Eleni Bukuras ishte një pikturë kavaleti, figurative, ku përgjithësisht mbizotëron portreti. Por ndryshe nga piktura e saj, ajo e të birit Jani Altamura, ishte një dashuri e madhe deti, ishin anijet në rendjen e tyre drejt furtunash, e herë në perëndime të përflakura me një peizazh ngazëllues. Jani Altamara kishte padyshim një të ardhme të jashtëzakonshme, pasi talenti i tij premtonte shfaqjen e një piktori me emër në spektrin e pikturës europiane të shekullit XIX. Por jeta e tij u ndërpre, s’dihet nga ç’dorë fati. I sëmurë rëndë nga tuberkulozi ai vdiq në moshë të re. Dhe kjo ishte plaga e dytë për Eleni Bukuran. Dy vdekje dhe bota e humbur e saj. Kështu ajo e la pikturën, kavaletin, penelat dhe vajti dhe u mbyll në shtëpinë e saj në Specaj, mes bashkëpatriotëve të saj arvanitas. I mbylli kanatet e dritareve, portën e shtëpisë dhe u zhyt në terrin e dhembjes dhe të vetmisë, duke i djegur madje shumë nga veprat e saj që kishte përreth. Kështu, bashkë me fëmijët e saj, vdiste tashmë dhe arti i saj, krijesat e saj në ngjyra. Jeta s’kishte më kuptim për të. E vështirë të imagjinosh këtë artiste pas kanateve të dritares, në vetmi të plotë, duke parë horizontin detar, që artin tashmë e shikonte si një mallkim nga fati. Pothuaj e harruar, ajo u shua atje, mes atij salloni ku kishte pikturuar vajzë e re dhe kishte hedhur penelin e parë mbi telajon e bardhë. Vdiq me sytë e humbur s’dihet ku në ç’tabllo, në 19 Mars të vitit 1900, në fillim të një shekulli të ri.

Eleni Bukura, nga një personazh aventure e kurajoje të jashtëzakonshme, u kthye në prehë e depresionit dhe në një personazh tragjik si në tragjeditë e antikitetit grek. Ndryshe nga vepra e saj, shumë tablo të Jani Altamura-s janë në “Galerinë Kombëtare” të Greqisë dhe në muzeume të tjera. Por në historinë e artit, për Greqinë, Eleni Bukura do të mbetet si piktorja e parë e Greqisë, një speciote me origjinë arvanitase…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top