Thënie nga Paul Valéry

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Paul Valéry

Nuk ka parti që të mos jetë tërbuar kundër atdheut.

* * *

Nuk duhet të hezitosh së bëri atë që të shkëput nga vetja gjysmën e përkrahësve dhe që trefishon dashurinë e pjesës tjetër.

* * *

Çdo politikë bazohet mbi indiferencën e shumicës së të interesuarve, pa të cilën nuk ka politikë të mundshme.

* * *

Politika fillimisht ishte arti i të penguarit të njerëzve për t’u përzier në atë që u përket.
Më vonë, iu shtua arti i detyrimit të njerëzve për të marrë vendime mbi gjëra që nuk i kuptojnë.
Ky princip i dytë kombinohet me të parin.
Midis kombinimeve të tyre, është edhe ky: Ekzistojnë sekrete shtetërore në vendet ku bëhen zgjedhje të përgjithshme. Kombinim i domosdoshëm dhe, tekefundit, i qëndrueshëm; por që nganjëherë krijon shtrëngata të mëdha e që detyron qeveritë të bëjnë pa pushim manovrime. Pushteti është përherë i detyruar të lundrojë në kah të kundërt të principit të tij. Ai qeveris sa më pranë të mundet kundër principit, drejt pushtetit absolut.

* * *

Rezultati i luftërave politike është të turbullojë, të falsifikojë, në mendjet e njerëzve, nocionin e rendit të rëndësisë së çështjeve dhe të rendit të urgjencës.
Jetësoren e maskon ajo që është thjesht mirëqenie. Të ardhmen, e menjëhershmja. Të domosdoshmen e maskon tejet e ndjeshmja. Të thellën e të ngadaltën e maskon eksituesja.
Gjithçka që ka të bëjë me politikën praktike është domosdoshmërisht sipërfaqësore.

* * *

Nuk mund të bësh politikë pa u shprehur rreth çështjesh që kurrëfarë njeriu me mendje të shëndoshë nuk mund të thotë se i njeh. Duhet të jesh pafundësisht idiot apo pafundësisht injorant që të guxosh të kesh një mendim rreth shumicës së problemeve që ngre politika.

* * *

Kur kundërshtari na i ekzagjeron forcat, synimet, thellësinë; kur, për të ngritur të tjerët kundër nesh, na vizaton me ngjyra të frikshme, – atëherë ai punon për ne.

* * *

Ekzistenca e fqinjëve është e vetmja mbrojtje e kombeve ndaj një lufte civile të përhershme.

* * *

Ujku varet nga qengji, i cili varet nga bari.
Bari është relativisht i mbrojtur nga ujku. Mishngrënësi mbron barin (që, tërthorazi, i shërben si ushqim).

* * *

Midis ujqish të vjetër beteja është më e ashpër, më e zhdërvjellët, por ka njëfarë vetëpërmbajtjeje.

* * *

Ngjarjet e mëdha ndoshta janë të tilla vetëm për mendjeshkurtrit.
Për njerëzit më të vëmendshëm ato që kanë vërtet rëndësi janë ngjarjet e pandjeshme dhe të vazhdueshme.
Ngjarjet lindin nga etër të panjohur. Nëna e tyre është domosdoshmëria.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top