Ky artikull u botua në suplementin letrar të New York Herald Tribune, më 22 prill 1928. Sot, pas gati një shekulli, duket se kjo profeci ka ndodhur.
Paul Valéry
Nuk e di nëse ajo që quajmë letërsi duhet të ketë një të ardhme, nëse shndërrimi i jashtëzakonshëm i jetës njerëzore dhe i marrëdhënieve të mendjeve ndërmjet tyre, që po shohim të fillojë të ndodhë, do të bëjë të mundur një zhvillim të mëtejshëm të librave dhe nëse përdorimi i mjeteve të gjuhës me qëllim ngazëllimin e mendjeve do të ruhet ose jo në të ardhmen. Ndoshta do të zëvendësohet nga të tjera mënyra të arritjes së ndjeshmërisë dhe intelektit të njerëzve. Që tani mund të shtrojmë pyetjen nëse një letërsi e gjerë krejtësisht auditive dhe orale do të zëvendësojë, pas një kohe mjaft të shkurtër, letërsinë e shkruar, me të cilën jemi mësuar kaq shumë. E hedh fjalën te transmetimi radiofonik që po përhapet gjithnjë e më shumë nëpër botë. Nga ana tjetër, procedimet e regjistrimit të imazheve dhe të zhvendosjes në distancë të pamjes së drejtpërdrejtë të gjërave do t’i ndryshojnë thellësisht marrëdhëniet njerëzore të bazuara dikur mbi të shkruarën. Mund të përfytyrojmë, për shembull, që pjesa përshkruese e veprave të zëvendësohet nga një paraqitje plastike e drejtpërdrejtë dhe që edhe pjesa sentimentale të zëvendësohet nga një veprim i drejtpërdrejtë i natyrës pak a shumë muzikore, – dhe kjo, falë asaj që mund ta quajmë disponueshmëri e përhershme e muzikës që i detyrohet aparateve regjistrues apo transmetues.
*
Me një fjalë, nuk mund të mos përfytyrojmë që letërsia të mund të bëhet, në pak kohë, një art po aq joaktual e po aq i largët nga jeta e nga praktika, sa ç’janë për ne arti heraldik, gjeomancia, apo shkenca e gjuetisë me fajkua. Ndoshta, pas një shekulli, do të ketë akoma disa profesorë që do të deshifrojnë me mundim shkronjat tona dhe që do të rimëkëmbin, nëpërmjet një operacioni të gjatë kritik, gjendjen e mendjeve në epokën kur gjuha e shkruar ishte mjeti kryesor i ruajtjes dhe zhvendosjes së mendimeve dhe mbresave.
Për të kuptuar mundësinë e një ndryshimi të tillë, apo, më mirë, për të treguar, në fenomenet ku jemi tashmë dëshmitarë, atë që mund të mbështesë profecinë kobzezë që bëra më sipër, mjafton të vëzhgohet ajo që ka ndodhur përgjatë disa shekujve në zhvillimin e letërsisë. Letërsia është një art i bazuar mbi shpërdorimin e gjuhës, mbi gjuhën si krijuese iluzionesh në kundërvënie me gjuhën si përçuese realitetesh. Gjithçka që e bën gjuhën më të përpiktë, gjithçka që ekzagjeron natyrën e saj praktike, çdo sakrificë që i imponohet gjuhës me qëllim mbartjen më të shpejtë dhe përhapjen më të kollajtë, bie në kundërshtim me funksionin e saj si instrument poetik. Në çdo komb, në gjuhën e përbashkët ndërfuten gjithnjë e më shumë fjalë të huaja. Nga ana tjetër, gjuhët e shumta teknike të krijuara vullnetarisht për nevojat e shkencave dhe industrisë depërtojnë gjithnjë e më tepër në gjuhën e zakonshme. Përveç kësaj, përdorimi i mjeteve të shpejta të komunikimit verbal i varfëron gjithnjë e më shumë format e ndërlikuara të gjuhës; dhe, në shumicën e rasteve, kjo gjuhë e zakonshme largohet krejtësisht nga gjuha letrare e cila, pak nga pak, bëhet një lloj gjuhe klasike, pothuajse një gjuhë e vdekur, që renditet krahas greqishtes së vjetër apo latinishtes. Kështu, duke u bërë dita-ditës më teknike dhe duke u katandisur gjithnjë e më shumë në një sistem sinjalesh e shkurtesash, ajo përjashton gjithnjë e më tepër nuancat, mbushullimet, fjalorin e pasur, format e ndërlikuara, falë të cilave shkrimtarët e dikurshëm mund të shprehnin pasurinë e mendimeve, me anë të gjithë atyre mjeteve që do mund t’i quanim ornamentale. Është krejt e mundshme që tash e tutje njerëzimi të heqë dorë nga eksplorimi i atij pylli simbolesh ku të dikurshmit gjuetarë të mëdhenj imazhesh siç ishin poetët biblikë, apo sqimatarët gjuetarë persë të zogjve, ndiqnin e kapnin metaforat dhe kombinimet e figurave me të cilat ngarkonin e stolisnin ngrehinat e tyre poetike.
Por nuk mbaron me kaq. Çdo letërsi dominohet nga kushtet e publikut të cilit i drejtohet. Çdo libër synon një lexues që, në mendjen e shkrimtarit, përkon me një ide që ky i fundit krijon për bashkëkohësit e tij. Ekziston, pra, në lëmin letrar e artistik, një formë e ligjit të kërkesës dhe ofertës. Lexuesit e një epoke të caktuar marrin gjithmonë cilësinë e letërsisë që dëshirojnë e që është në përputhje me kulturën e me aftësinë e tyre të vëmendjes. Mirëpo njeriu modern, përgjithësisht, është një lexues shumë i keq. Ka ikur ajo kohë kur një tekst mund të meditohej gjatë, kur amatorët e letërsisë, nën dritën e shandanit, i kalonin netët duke shijuar imtësisht një libër të cilit përpiqeshin t’i depërtonin gjithë pikësynimet e t’i thellonin mendimin kryesor, duke i shijuar njëherazi imtësisht edhe formën. Por, nëse lexuesi nuk ka as kohën e as durimin të ngjërojë e të peshojë fjalët që lexon, autori, nga ana e vet, nuk do t’i kërkojë e peshojë më ato fjalë me përkujdesje. Tashmë, më të kultivuarit ndër ne mjaftohen me këtë mënyrë të lexuari. Ata lexojnë gazetën dhe vepra të cilave u mveshin një vlerë jetëshkurtër, pa as më të voglën vëmendje ndaj formës në të cilën ato janë shkruar. Në këto shkrime mendja e tyre gjen vetëm elemente të papërpunuara të informacionit apo argëtimit të shpejtë dhe, prej këndej, rezulton se, në një numër rastesh gjithnjë e më të madh, lexuesi kënaqet me parashtrime të paorganizuara, me pohime të paprovuara, me formulime pothuajse të vrazhda, teksa çdo organizim formal, çdo gjë që kërkon një vëmendje të cilësisë sipërane, zhduket.
Nuk duhet harruar se shumica e madhe e njerëzve modernë, të mbërthyer në ingranazhin e një jete tmerrësisht të kronometruar, mund t’i kushtojnë leximit vetëm një kohë rreptësisht të kufizuar dhe kjo kohë, për më tepër, është e një lloji krejt të veçantë. Kjo shumicë e madhe njerëzish ka, mesatarisht, pesëdhjetë minuta në ditë për t’ia kushtuar leximit për qejf. Kjo është një orë krejt e vogël në raport me prodhimin e pamatë bashkëkohor. Kjo orëz u kushtohet doemos më shumë gazetave sesa revistave, më shumë revistave sesa librave, domethënë u kushtohet atyre përmbledhjeve që, sa më të paorganizuara të jenë, aq më shumë lexohen, duke qenë se, me përkufizim, një gazetë është e ndërtuar me më shumë të dhëna inkoherente se një revistë dhe kjo e fundit me më shumë të dhëna inkoherente se një libër. Pra, shumica e pamatë e mendjeve, gjatë orëzës që mund t’i kushtojë zhvillimit më elegant e më të lirë shpirtëror, i nënshtrohet një regjimi që ka si rregull inkoherencën dhe kapulitjen e qepallave. Për më tepër, kjo orëz kalon shpeshherë nëpër mjetet e transportit që banorët e qyteteve të mëdhenj shtrëngohen t’i përdorin përditë. Leximi bëhet në tren, në tramvaj, në metro, në autobus, dhe karakteristikat teknike të shkrimeve priren detyrimisht të jenë ato të veprave që mund të lexohen në këto kushte kaotike. Siç shihet, nuk kam shumë iluzione rreth të ardhmes së letërsisë si art që mund të thellohet.
*
Konsideratat e mësipërme mund të vihen ose jo në dyshim, por mendoj se kjo mënyrë vlerësimi e gjërave të letërsisë ka, së paku, avantazhin që e konsideron ekzistencën dhe zhvillimin e këtij arti në marrëdhënien e tij me jetën dhe funksionimin e jetës në një epokë të caktuar. Ndoshta nuk i kemi parë aq sa duhet nga kjo pikëpamje gjërat e letërsisë dhe ndoshta do mund të bazonim një studim të tërë të zhvillimit të saj, të madhështive të saj dhe të periudhave të saj të dobësisë, duke e mbajtur fillimisht barrën kryesore të përpjekjes, jo mbi veprat siç këto na janë ruajtur, por mbi mundësinë e prodhimit të këtyre veprave.
Fakte të tillë si rritja e jashtëzakonshme e numrit të njerëzve që dinë të lexojnë qysh prej një shekulli kanë një rëndësi të pallogaritshme mbi prodhimin e vazhdueshëm të veprave. Jam thellësisht i bindur se një analizë e imtësishme e pasojave të kësaj rritjeje do të jepte rezultate krejt të papritura. Më duket veçanërisht shumë e mundshme që zhvillimi i ndodhur në Europë, duke filluar nga viti 1852, me vepra të një letërsie tejet të kërkuar, të vështirë, të një shprehjeje thellësisht të studiuar dhe, si rrjedhim, të ndaluar për të qenë e kapshme prej gjithkujt, është në korrelacion me rritjen e numrit për të cilin po flisja më lart. Sigurisht që ka ndodhur një lloj kompensimi dhe u desh që këto vepra të rralla, të rafinuara, pothuaj të paarritshme, t’i kundërvihen zgjerimit të pamasë të fushës letrare dhe prodhimit të dendur me cilësi mediokre apo mesatare që shfaqej nga ana tjetër.
*
Këtë fakt mund ta përqasim me një tjetër mjaft të ndryshëm, që vërehet prej disa vitesh: është interesi në rritje i publikut për vepra të natyrës filozofike. Do thoshim me siguri se shumimi i jashtëzakonshëm i veprave impresioniste apo të imagjinatës së kulluar, domethënë i romaneve dhe rrëfenjave, ka shkaktuar një reagim të pavetëdijshëm të një numri të madh mendjesh që janë kthyer drejt një aktiviteti më pak arbitrar. Është i njohur fakti se vepra të një karakteri mjaft abstrakt përhapen sot shumë më lehtësisht se para tridhjetë vjetësh. Veç kësaj, duke e shqyrtuar nga më afër këtë çështje të veçantë, nuk do ishte e vështirë të tregohej se ky fenomen është shfaqur tashmë, në njëfarë mënyre, në brendësi të vetë letërsisë imagjinative. Romani që, në zanafillë, është një rrëfim i destinuar ta bëjë lexuesin të jetojë në një botë imagjinare me dukje reale, – një lloj iluzioni optik letrar; që, në formën e aventurave të mrekullueshme, historive dashurore, historive kriminale, etj., ka luajtur një rol aq të madh në jetën mendore të njerëzimit, shumë herë dhe prej një kohe të gjatë është trajtuar (shpesh me suksesin më të madh) në një frymë krejt të ndryshme nga fryma fantaziste. Janë orvatur, jo rrallëherë, ta ndreqin, në njëfarë mënyre, karakterin tërësisht ekstravagant të veprës imagjinative duke futur në të, në forma të larmishme, vlera didaktike. Romancierët janë ngulitur herë në sociologji, herë në psikologji; herë të tjera kanë dashur të përdorin rezultatet e kërkimeve shkencore; të tjera herë kanë synuar ndikime të rendit fetar. Nga ana tjetër, dhe jashtë këtyre synimeve e kombinimeve të veçanta, krijimi i romanit realist s’ka qenë tjetër veçse shprehja e një dëshire për të pakësuar pjesën e arbitraritetit në veprat ku arbitrarja është megjithatë thelbi, si dhe për të bashkuar përvojën reale me ndërtimin fiktiv të frymës fantaziste.
*
Nganjëherë mendoj se në të ardhmen do zërë vend një letërsi veçanërisht sportive.
Le të përjashtojmë nga mundësitë letrare gjithçka që shprehja e drejtpërdrejtë e gjërave dhe manovra e drejtpërdrejtë e ndjeshmërisë përmes mjeteve të reja (kinemaja, muzika e gjithëpranishme, etj.) e bën të padobishme apo të paefektshme sot për artin e gjuhës.
Le të përjashtojmë gjithashtu një rend të tërë subjektesh (psikologjikë, sociologjikë, etj.), të cilët rritja e precizionit të shkencave që i studiojnë do t’i bëjë të vështirë për t’u trajtuar lirisht. Do t’i mbetet Letërsisë një domen vetjak: ai i shprehjes simbolike dhe i vlerave imagjinare, që u detyrohen kombinimeve të lira të elementëve të gjuhës.
Ashtu si rritja e energjisë së disponueshme dhe e mjeteve mekanike apo elektrike, që na e reduktojnë jashtëzakonisht përdorimin e muskujve, na ka lejuar të krijojmë apo, më saktë, na ka detyruar të krijojmë përdorime të pastra për këta muskuj dhe t’i zhvillojmë më tepër e më harmonikisht përmes lojës, sesa dikur përmes nevojës dhe punës së detyruar e të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, – ashtu do të jetë ndoshta edhe për funksionin e ndërlikuar të gjuhës…
Do të gjendeshim, pra, në një fazë të pafrytshme dhe në një epokë kritike të këtij funksioni të mrekullueshëm.
Përktheu: Alket Çani