HIPOTEZË/Paul Valéry

in Esé by

Paul Valéry

 

1929

Tash e tutje, kur diku në botë të zhvillihet një betejë, s’do ketë gjë më të thjeshtë se dëgjimi i topave në të gjithë planetin. Gjëmimet e Verdun-it do t’i pësonin antipodet.

Do jemi madje në gjendje të kapim diçka nga luftimet dhe burrat që bien gjashtë mijë milje larg nesh, tre të qindtat e sekondës pas goditjes.

Por pa dyshim që mënyra pak më të fuqishme dhe pak më të përpunuara një ditë do bëjnë të mundur veprimin nga distanca jo vetëm mbi shqisat e të gjallëve, por edhe mbi elementët më të fshehur të mendjes. Një operator i panjohur e i largët, duke nxitur burimet dhe sistemet e jetës mendore dhe emocionale, do t’u imponojë mendjeve iluzione, impulse, dëshira, devijime artificiale. Deri më tani, mendimet dhe aftësitë tona të vetëdijshme i konsideronim si të ardhura nga një origjinë e thjeshtë dhe e vazhdueshme, dhe konceptonim, të lidhur deri në vdekje me çdo organizëm, njëfarë të pandashmeje autonome, të pakrahasueshme dhe, për disa, të përjetshme. Dukej se substanca jonë më e thellë ishte një aktivitet absolut dhe se brenda secilit prej nesh qëndronte njëfarë fuqie fillestare – quantum pavarësie të kulluar. Por jemi në një epokë të jashtëzakonshme, ku idetë më të besueshme e që dukeshin më të pakundërshtueshmet janë sulmuar, kundërshtuar, befasuar e shkëputur prej fakteve, në një masë të atillë saqë po marrim pjesë në një lloj falimentimi të imagjinatës dhe shfronësimi të të kuptuarit, të paaftë për të konceptuar një paraqitje homogjene të botës, e cila përfshin të gjitha të dhënat e vjetra e të reja të përvojës.

Kjo gjendje më bën të mendoj se mund të modifikohet drejtpërdrejt nga jashtë ajo çka ishte shpirti dhe mendja e njeriut.

Ndoshta substanca jonë e fshehtë është e fshehtë vetëm për disa veprime të jashtme dhe mbrohet vetëm pjesërisht nga ndikimet e jashtme. Druri është i papërshkueshëm nga drita që shohin sytë tanë, por nuk është i tillë nga rrezet më të mprehta. Me t’u zbuluar këto rreze, ideja jonë për transparencën ndryshon krejtësisht.

Ekzistojnë aq shumë shembuj të këtyre shndërrimeve të ideve e të pritshmërive tona, saqë kuturis të mendoj këtë gjë: një ditë do vlerësojmë se shprehja “Jetë e brendshme” lidhej vetëm me mjetet klasike të prodhimit dhe receptimit, ose, si të thuash, natyrore.

Mos vallë VETJA jonë është e izoluar nga mjedisi, e ruajtur nga të qenët Gjithçka apo nga të qenët Çfarëdo, pak a shumë siç ndodh me lëvizjen e sahatit tim në xhep?

Ma merr mendja – besoj – se sahati ruan kohën, pavarësisht vajtje-ardhjeve që bëj unë, qëndrimeve që marr, shpejtësisë sime dhe rrethanave të panumërta e të pandjeshme që më rrethojnë. Por kjo indiferencë ndaj pjesës tjetër të gjërave, kjo njëtrajtshmëri e funksionimit të tij ekziston vetëm për një vëzhgim që nuk e percepton atë pjesë tjetër të gjërave, e cila është, për rrjedhojë, e veçantë dhe sipërfaqësore. Kush e di nëse nuk ndodh po kështu edhe me identitetin tonë? Më kot i bëjmë thirrje kujtesës; kjo na jep shumë më tepër dëshmi të ndryshueshmërisë, sesa të përhershmërisë sonë. Por, në çdo çast, ne mund të njohim vetëm vetveten dhe të njohim si tonat vetëm prodhimet e menjëhershme të jetës mendore. E jona është ajo që na vjen në atë mënyrë që do mjaftonte të dinim të riprodhojmë, ose të huazojmë, ose të dëshirojmë nëpërmjet ndonjë artifici, për të modifikuar veten dhe për t’i futur vetes ndjenja, mendime dhe vullnete të padallueshme nga tonat; të cilat do të ishin, sipas mënyrës së tyre të ndërhyrjes, të të njëjtit rend intimiteti, të të njëjtit spontaneitet, të së njëjtës natyrshmëri të pakundërshtueshme sa edhe afeksionet tona të natyrshme, e që, megjithatë, do kishin një origjinë krejtësisht të huaj. Ashtu si kronometri i vënë në një fushë magnetike, apo nën një zhvendosjeje të shpejtë, ndryshon ritmin pa e kuptuar vëzhguesi që shikon vetëm atë, ashtu edhe shqetësime dhe modifikime gjithëfarëshe do mund të futeshin në vetëdijen më të vetëdijshme nëpërmes ndërhyrjeve në distancë, të pamundura për t’u pikasur.

Kjo do të ishte njëfarë sinteze e zotërimit.

Muzika ndonjëherë jep një ide të përafërt, një model primitiv të kësaj manovre të sistemeve nervore. Ajo zgjon dhe përgjum ndjenjat, luan me kujtimet dhe emocionet, komandat e fshehta të të cilave i irriton, i përzien, i lidh e i zgjidh. Por çka bën vetëm nëpërmjet ndërmjetësit të ndjeshëm, nëpërmjet ndjesive që na tregojnë një shkak fizik dhe një origjinë qartësisht të ndarë, nuk është e pamundur ta prodhosh me një fuqi të pathyeshme dhe të panjohshme, duke induktuar drejtpërsëdrejti qarqet më intime të jetës. Shkurt, është një problem i fizikës. Veprimi i tingujve e veçanërisht i timbreve të tyre, dhe midis tyre edhe timbret e zërit – veprimi i jashtëzakonshëm i zërit është një faktor i rëndësishëm historik – sugjeron efektet e vibrimeve më të imta në përputhje me kumbimet e elementeve të thella nervore.
Nga ana tjetër, e dimë mirë se ka shtigje të pambrojtura për të mbërritur në kështjellat e shpirtit, për të depërtuar në to dhe për t’u bërë zot i tyre. Ka substanca që ndërfuten aty dhe i pushtojnë. Asaj që mund të bëjë kimia, fizika e valëve do t’i shtohet sipas mjeteve të saj.

E dimë se ç’kanë marrë prej qenieve njerëzore oratorët e fuqishëm, themeluesit e feve, udhëheqësit e popujve. Analiza e mjeteve të tyre, shqyrtimi i zhvillimeve të fundit të veprimeve në distancë sugjerojnë lehtësisht fantazi të tilla. Unë s’bëj tjetër veçse shkoj vetëm pak më larg se ajo që është. Le të imagjinojmë se si do ishte një botë, ku fuqia për t’i bërë njerëzit të jetojnë më shpejt ose më ngadalë, për t’u komunikuar atyre prirjet, për t’i bërë ata të dridhen apo të buzëqeshin, për t’ua shtypur apo nxitur guximin, për të ndalur sipas nevojës zemrat e një populli të tërë, të njihej, të përkufizohej, të ushtrohej! …Ç’do bëheshin atëherë pretendimet e Vetes? Njerëzit do dyshonin në çdo çast nëse do ishin burime të vetvetes apo thjesht marioneta në thellësi të ndjenjës së tyre të ekzistencës.

A nuk do mund ta përjetonin ndonjëherë këtë shqetësim? Jeta jonë, për aq sa varet nga çka na vjen në mendje, nga çka duket se vjen nga mendja dhe i imponohet asaj pasi i është imponuar mendjes, a nuk komandohet nga një sasi e madhe dhe e çrregullt konvencionesh, shumica e të cilave janë implicite? Do ta kishim të vështirë t’i shprehnim e t’i shpjegonim ato. Shoqëria, gjuhët, ligjet, “morali”, artet, politika, gjithçka që është konvencionale në botë, çdo pasojë e palidhur me shkakun e vet kërkon konvencione, domethënë etapa, – përmes devijimit nga të cilat një realitet i dytë vendoset, kompozohet me realitetin e ndjeshëm e çastësor, e fsheh atë, e dominon, – nganjëherë copëtohet për të shfaqur thjeshtësinë e frikshme të jetës elementare.

Në dëshirat, në pendimet, në kërkimet, në emocionet e pasionet tona dhe deri në përpjekjet që bëjmë për të njohur veten, ne jemi lodra gjërash të munguara, të cilat për të vepruar nuk kanë nevojë as të ekzistojnë.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top