Paul Valéry
Gjatë këtyre viteve të fundit, kam mbajtur konferenca në vendet këtu rrotull Francës. Kam marrë prej tyre përshtypje shumë të ndryshme, të gjitha të këndshme. S’ka gjë më interesante se të kalosh nga njëri vend në tjetrin, domethënë, për sa më përket, nga një grup shkrimtarësh e artistësh në një tjetër, nga një publik letrar në një tjetër dhe, si një zog në shtegtim që çukit farat e frytet e klimave të ndryshme, të gjitha plot shije, të gjitha të ndryshme, të çmosh një sërë qendrash intelektuale dhe me pikësynime poetike apo filozofike të pangjashme. Të vëzhgosh, për shembull, se si një shkrimtar i madh francez, Racine-i, Baudelaire-i, gjykohen e trajtohen ndryshe në Belgjikë, në Zvicër, në Angli, në Itali, në Spanjë. Është një nga përvojat më të çuditshme.
Perspektiva e vlerave ndryshon në mënyrën më të papritur. Vepra që ne i vëmë në rangje tejet të ndryshme, në Madrid apo Milano konsiderohen si ekuivalente a madje në rend krejt të anasjelltë. Duhet pranuar se disa emra të konsiderueshëm në letërsinë tonë njihen fare pak jashtë, ose disa shkrimtarë që këtu nuk njihen veçse në ndonjë rreth tejet të ngushtë, gëzojnë gjetiu një famë të habitshme. Këto gjëra mund të dihen paraprakisht, por përvoja e drejtpërdrejtë është ku e ku më e fortë.
Me të kaluar kufijtë, hierarkia që do ta quaja zyrtare nuk ekziston më. Vlera emërore dhe, në njëfarë mënyre, fiduciare e veprave franceze që u krijua dhe u ruajt në Francë nga tradita, nga situata e fituar, nga programet e universitetit, nuk është e njëjtë jashtë Francës pa një mundim të madh; por veprat vërtet të çmuara, domethënë botërisht ose, të paktën, europianisht të rëndësishme, janë objekt i një interesi të zjarrtë. Kjo vlerë e thellë e veprave matet, për mendimin tim, me sakrificat që bëhen për t’i patur, për t’i kuptuar, për të nxjerrë prej tyre një lloj ushqimi shpirtëror; dhe kjo vlerë zelli, vëmendjeje dhe, tekefundit, pune duhet, në të gjitha gjykimet letrare, të dallohet qartas nga vlera e zbavitjes apo e emocionit kalimtar.
S’e keni idenë sa gjë e bukur është, teksa zbarkon në një qytet të panjohur, të gjesh miq që s’i kishe parë kurrë, që të njohin vetëm nga shkrimet e tua dhe për të cilët nuk di asgjë tjetër veç faktit që të presin me një lloj kureshtjeje të këndshme dhe pasigurie të dhembshur.
1924
Përktheu: Alket Çani